Shqipëria tashmë është një vend që po përballet me njerëzit nga vendet e varfëra që kërkojnë punë. Rreth 10 mijë të huaj janë regjistruar si emigrantë në Shqipëri
Lajmi i fundit është se një kompani e respektuar për prodhimin e çimentos ka punësuar rreth 200 kinezë, dokumentet e punës të të cilëve janë refuzuar nga autoritetet shqiptare.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 10 mijë të huaj punojnë aktualisht me dokumente të rregullta në Shqipëri. Kjo nuk është një shifër e vogël kundrejt faktit se të punësuarit e regjistruar në Shqipëri janë pak më shumë se 450 mijë veta. Punonjësit e huaj përbëjnë rreth 2.2 % të të punësuarve me dokumente në Shqipëri.
Katër vite më parë, kur sapo ishin kryer sulmet terroriste mbi Kullat Binjake në Nju Jork, shqiptarët filluan të shohin, ndoshta për herë të parë, me frikë dhe urrejtje disa emigrantë kurdë që përdornin furgonët e Unazës për të qarkulluar nga një kantier ndërtimi në tjetrin.
Emigrantët e huaj në Shqipëri mund të bëhen shpejt problem.
Shumë kompani shqiptare dhe të huaja i pëlqejnë ata për shkak se nuk i bëjnë fjalë punës dhe janë më të ndershëm në punë se punëtorët vendas. Ka shumë kompani ndërtimi që pëlqejnë më shumë ustallarë nga Kina sesa nga Shqipëria. E gjitha kjo ndodh në një kohë që njerëzit që kanë dëshirë dhe që çdo ditë largohen nga Shqipëria për në Europë, nuk kanë shterruar ende, në një kohë kur Shqipëria mbetet ende vendi absolutisht më i varfër në Europë dhe me normë papunësie që vlerësohet deri në 35 % të forcës së aftë për punë.
A mundet që shqiptarët të sillen mirë me emigrantët që kanë filluar sakaq të mbërrijnë?! Eksperienca italiane thotë se popujt me traditë emigracioni kanë për borxh të sillen shumë keq me emigrantët që mbërrijë në vendin e tyre. Për më tepër, shqiptarët njihen si popull krenar dhe që i njeh vetes virtyte supreme kundrejt popujve të tjerë. Mjafton të kujtojmë futbollistët afrikanë që kanë filluar të luajnë në kategorinë e parë të kampionatit shqiptar të futbollit dhe që shpesh fishkëllehen, përbuzen dhe fyhen nga publiku.
Shqipëria ka një politikë pak a shumë liberale në drejtim të dhënies së vizave për qytetarët e huaj, pavarësisht kombësisë që ata kanë. Por aktualisht, po përgatitet një legjislacion që synon ta trajtojë migrimin në Shqipëri në standarde të njëjta me ato të Bashkimit Europian dhe dita kur një migranti të huaj do t’i duhet të jetojë në ilegalitet në Shqipëri, është pranë. Të shpresojmë që shqiptarët të mos i trajtojnë këta migrantë të huaj me të njëjtën mënyrë që emigrantët shqiptarë trajtohen në vende të tjera të Europës.
Gjergj Erebara - 23/02/2005
Krijoni Kontakt