Organi qendror i akuzës ka depozituar tek Servet Pëllumbi kërkesën për heqjen e imunitetit të Lesit.
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi me qëllim fillimin e procedimit penal në ngarkim të tij. Kërkesa e firmosur nga kreu i prokurorisë shqiptare, Theodhori Sollaku, i është dorëzuar të premten kreut të kuvendit, Servet Pëllumbi. Sipas kësaj kërkese, organi qendror i akuzës kërkon heqjen e imunitetit dhe fillimin e procedimit për veprën penale të shpifjes. Çështja për të cilën prokuroria do të fillojë procedimin penal për shpifje është akuza që Nikollë Lesi ka bërë në drejtim të kryeministrit Nano sikur ky i fundit dhe Fehmi Abdiu janë regjistruar duke biseduar për të zhvilluar trafik armësh në Shqipëri. Lajmi është pohuar dje nga stafi i ngushtë i kreut të Kuvendit, Servet Pëllumbi.
Kërkesa
Paraditen e së premtes, kreu i prokurorisë Shqiptare ka firmosur një kërkesë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të deputetit për Nikollë Lesin. Kjo kërkesë është dorëzuar në dorë të kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi. Burime nga stafi i ngushtë i Pëllumbit pohuan dje se Prokuroria e Përgjithshme e argumenton kërkesën e saj për deputetin Nikollë Lesi duke kërkuar që të fillojë ndaj tij procedimin penal për shpifje. Në këtë kërkesë kreu i prokurorisë ka shpjeguar se ndaj deputetit Lesi janë të gjitha kushtet që të fillohet një procedim penal për shpifje. Ai ka shpifur duke prezantuar si të vërtetë një kasetë, ku sipas tij, ishte përgjuar kryeministri Fatos Nano dhe ish- kryetari i komisionit të ligjeve, Fehmi Abdiu, duke biseduar për të zhvilluar një trafik armësh në Shqipëri. Në këtë bisedë, sipas materialeve të servirura nga Nikollë Lesi, Nano i kërkonte Abdiut ndryshimin e disa ligjeve për të lehtësuar trafikun e armëve që do të zhvillohej pak muaj më vonë. Tashmë kjo kërkesë për heqjen e imunitetit është regjistruar nga ana e Servet Pëllumbit dhe pritet që të shqyrtohet. Pas kësaj, do të caktohet edhe dita kur parlamenti do të vendosë për heqjen apo jo të imunitetit të deputetit Lesi.
Hetimet.
Përpara përpilimit të kërkesës për heqjen e imunitetit të Lesit, prokurori i përgjithshëm zhvilloi një mbledhje me grupin hetimor të ngarkur për çështjen e trafikut të armëve. Në këtë mbledhje, anëtarët e grupit hetimor i kanë shpjeguar kryeprokurorit Sollaku se pas gati katër muaj hetimesh nuk kishin arritur që të gjenin asgjë të vërtetë në lidhje me akuzat e bëra nga Nikollë Lesi. Sipas tyre, ishin verifikuar të gjitha gjërat e lexuara në dokumentin e paraqitur si transkriptimi i përgjimit por asnjëra pej tyre nuk kishte rezultuar e vërtetë. Deputetit Lesi i ishte kërkuar që të sillej kaseta audio ku ndodhej zëri i Fatos Nanos dhe Fehmi Abdiut por ai nuk e kishte bërë këtë gjë. Sipas dokumenteve të dorëzuara nga Lesi, kjo kasetë ishte transkriptuar nga majori i policisë dhe shefi i policisë së Kuçovës në atë kohë, Sokol Koçiu. Hetimet e mëtejshme të prokurorisë nuk arritën që të zbulojnë nëse kjo kasetë ekziston apo jo në të vërtetë dhe se kush e ka urdhëruar përgjimin në fjalë. Pasi kanë kryer të gjitha veprimet hetimore të nevojshme, prokurorët kanë vendosur që të bëjnë mbylljen e hetimeve për shkak të mungesës së elementëve të veprës penale. Këto gjera ata i kanë raportuar përpara shefit të tyre si dhe kanë kërkuar që të fillojnë procedimin penal për Nikollë Lesin me akuzën e shpifjes. Duke qenë se Nikollë Lesi gëzon imunitetin e deputetit, prokurorët i kanë kërkuar Sollakut që t’i bëjë një kërkesë kuvendit për heqjen e tij. Kjo pasi për sa kohë që Lesi gëzon imunitetin e deputetit, prokuroria nuk mund të zhvillojë asnjë veprim kundër tij.
Krijoni Kontakt