Close
Faqja 4 prej 4 FillimFillim ... 234
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 39 prej 39
  1. #31
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Fjeti këndonjësi i fjalës së Perëndisë z. Minella Heqimi

    Para disa ditësh, ndërroi jetë një nga dësh- muesit e fjalës së Perëndisë, z. Minella Heqimi, biri i një familje klerikësh, i biri i atë Theoarit dhe vëllai i atë Mihalit dhe vëllai i psaltëve Toli, Piro, Niqifori.

    Lindi në Agrinjo të Greqisë, më 1921. Erdhi në Vlorë më 1926, ku atë Theoari shërben si prift në kishën e Shën Vlashit. Minella ishte ndër të parët që më 12 nëntor 1991, në kishën e Shën Spiridhonit, në Berat, jo vetëm që ishte psalt i parë, por ai u bë dhe mësuesi për psaltët e tjerë të ardhshëm. Bukuria e zërit të tij, sa melodioz me timbrin bizantin, bënte që tek besimtarët ai të ndihej jo vetëm i respektuar, por edhe si një predikues i fjalës së Perëndisë. Urtësia, përkushtimi me devotshmëri bënte që xha Neli, ndonëse kishte hedhur 87 vite mbi shpatulla, të ndihej, siç thoshte vetë, i paplakur, sepse fuqinë e gjente tek Hiri i Perëndisë.

    Në shërbesën e faljes të të ndjerit, në kishën e Shën Spiridhonit, atë Petraqi dhe atë Kristaqi folën për vlerat, kontributin që ka dhënë kjo familje në vitet e ringjalljes së besimit. Ata kujtuan me respekt ditën kur Imzot Ignati, i dha titullin Anagnost.

    Duke përfunduar, gjithë besimtarët do ta kujtojnë me respekt këtë psalt dhe besimtar të denjë, i cili si model i besimit të krishterë dha vlera të tilla, të cilat do të jenë mësim për brezat e ardhshëm.

  2. #32
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Përvjetor i një njeriu të besimit

    10 vjet më parë, më 23 shkurt 1998, në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë u krye ceremonia e përmortshme për dhjakon Spiro Findikun, një nga klerikët e paktë të mbijetuar nga persekutimi i fesë, i cili kish fjetur një ditë më parë. Në prani të familjarëve, të afërmve e miqve të tij, shërbesën fetare, me pjesëmarrjen e gjithë klerikëve të Tiranës, e drejtoi vetë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas.

    Familja Findiku është ndër familjet e para orthodhokse në Tiranë, madje shumë e lidhur me problemet dhe veprimtarinë e Kishës. Ajo figuron ndër donatorët e kishës së parë të Tiranës, të Shën Prokopit, që u ndërtua më 1797. Dhjakon Spirua e vazhdoi traditën fetare të familjes. Ai jo vetëm që nuk i ndahej lutjeve në kishë, por përpiqej për t’i nxjerrë sa më në pah traditat orthodhokse, në mënyrë që ato të ripërtëriheshin, të kaloheshin tek brezat e rinj.

    Pikërisht, në kohën e shtrëngesës së madhe ndaj fesë, më 1966, duke parë nevojën dhe me iniciativën që e karakterizonte, pa marrë parasysh pasojat që mund t’i vinin nga regjimi ateist, Spirua u hirotonis dhjak. Detyrën e kreu vetëm një vit, sepse erdhi 67-ta, me kobin e zi të mbylljes së kishave e të moslejimit të shërbesave e shërbimeve fetare. Ishte ndër ata të paktë klerikë fatlumë, që e panë kishën të ringrihej dhe që u varros me tërë nderimet e duhura fetare.

  3. #33
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Gjithmonë pranë Krishtit

    Më 28.2.2008 u nda nga jeta z. Viktor Angjeli.

    Ai lindi në Tiranë më 1939 nga një familje me tradita të besimit orthodhoks, ku u edukua me frymën e besimit, dashurisë, tolerancës e të ndjeshmërisë njerëzore. Viktori dha kontributin e tij që në momentet e para të rihapjes së Kishës në muajin mars të vitit 1991. Ai dha ndihmën e tij materiale dhe shpirtërore e në mes të tjerash na tha: “Për kishën dyert e mia i keni të hapura, por dhe familja ime do të jetë gjithmonë pranë Krishtit”. Ai merrte pjesë në të gjitha shërbesat që bëheshin në kishë, por e veçanta e tij ishin e mërkura dhe e premtja ku vinte me mbesën e tij. Atë Viktor Bërdufi bëri shërbesën e lutjes, që shpirti i tij të prehet i qetë pranë Zotit tonë Jisu Krisht.

    I përjetshëm kujtimi i tij.

  4. #34
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Me mallin për vendlindjen, me dashuri për Kishën e Krishtit

    Atë Zisi Andon Thomollari ka lindur në fshatin Rehovë, në vitin 1895. Mësimet e para i mori nga prindër, të cilët ushqyen dashuri për Kishën, për fenë tonë orthodhokse. Qysh në moshë të vogël ai vinte rregullisht në kishë.

    Atë Zisi qysh në moshë të re punon argat në ndërtim, duke mbajtur gurë dhe baltë me govatën prej druri të hedhur mbi supet e tij të njomë. Më pas i ati emigroi në Greqi dhe kështu ai pati fatin e mirë e bekim Perëndie të punonte në Malin e Shenjtë.

    Duke ushqyer atë dashuri për fenë, të cilën e mori që kur ishte i vogël, ai ndiqte rregullisht dhe me shumë vëmendje mbrëmësoret, si dhe celebrimin e meshave të shenjta, të dielave dhe në ditët e kremte të javës.

    Shumë shpejt përvetësoi gjuhën greke, të cilën e lexonte dhe e shkruante për bukuri. Kjo e ndihmoi shumë për të njohur jetë shenjtorësh, duke nxjerrë mësime të vlefshme e duke rritur përgjegjësinë ndaj vetes.

    Në manastirin e Ivironit u njoh me atë Ilarionin, bir i këtij fshati, i cili kryente shërbesë fetare si dhjak dhe pati shumë ndikim prej tij në përvetësimin e shprehive të ndryshme, në këndimin e lutjeve dhe meshës që zhvillohej atje.

    I ati, duke parë këtë dashuri dhe interesim të të birit e heq nga puna, duke pasur kështu kohë më shumë për të shërbyer në manastir. Më vonë, me mallin për vendlindjen dhe dashurinë për kishën kthehet në fshat. Theksojmë se Rehova si fshat orthodhoks kishte 5 kisha dhe 4 konizma.

    Atë Naumi, i cili ishte dorëzuar prift në vitin 1905, vuri re se atë Zisi kishte cilësi të mira dhe mjaft premtuese për të qenë shërbëtor i Zotit. Nuk kaloi shumë kohë dhe me propozim të kishës dorëzohet prift, më 1922, nga Mitropoliti i Korçës. Për atë Zisin kjo ishte një ngjarje e rëndësishme. Duke parë këtu pragun e një jete të re, e cila kishte në thelbin e saj më shumë dashuri, përkushtim e përgjegjësi para komunitetit, u bë kështu bariu shpirtëror i tyre dhe shërbëtor i Kishës, të cilën e pranoi me gjithë shpirt.

    Në vitin 1922 e në vazhdim në fshatin Rehovë kryenin shërbesë fetare të tre klerikët, atë Naumi, atë Ilarioni dhe atë Zisi. Atë Ilarioni kryente shërbesë në manastirin e Shën Petros e të Shën Pavlit, të cilat i kishte marrë në kujdestari si murg që ishte. Ndërsa atë Naumi dhe atë Zisi kryenin shërbesat fetare në kishat e tjera të fshatit, nga 44 familje secili. Veç kësaj sqarojmë se atë Zisi mori në kujdestari edhe kishën e qytetit Ersekë dhe atë të fshatit Prodan. Ajo që do të cilësonim për atë Zisin, ishte se ai shërbente në kishë me fjalë të ngrohtë, të ëmbël dhe të urtë. Atë Zisi tregonte shumë kujdes për plotësimin e “Kodikut” të kishës, e sidomos për ceremonitë e Shërbesës së Pagëzimit dhe atë të Kurorëzimit dhe mbante lidhje të vazhdueshme me Mitropolinë. Gjithashtu evidentonte çdo aktivitet dhe detyrë që kryente këshilli fetar. Kështu atë Zisi tregonte kujdes që kontributet dhe dhuratat e dhëna nga besimtarët të arkëtoheshin me kujdes, si dhe një kopje t’i përcillej dioqezës.

    Me propozim të kishës, duke parë punën e bërë dhe kontributin e dhënë për kishën në predikimin e fjalës së Zotit, nga Mitropolia Korçë i jepet ofiqi ikonom. Ky nder dhe vlerësim flet për përgjegjësi akoma më të mëdha në shërbim të besimtarëve. Si mbaronte shërbesën fetare në fshat, shkonte në kishën e Ersekës, apo në atë të Prodanit, pasi besimtarët kishin nevojë për të, që duke u falur, luteshin për veten e tyre, për fëmijët, për më shumë shëndet, lumturi dhe shpresë në të ardhmen dhe se dihet që Kisha e Krishtit përhapte dritën dhe shenjtërimin, i bekonte ata. Lutjet dhe predikimet e shumta të atë Zisit drejtuar Perëndisë, për ata njerëz të urtë, për më shumë paqe, dashuri dhe shpresë u ndjenë deri më 25 janar të vitit 1942, ditë në të cilën ai fjeti. Por veprën e tij, si detyrë ndaj Zotit, po e vazhdojnë klerikë të tjerë dhe sot me ngjalljen e Kishës, ajo është më e nevojshme se kurrë.

    Sterjo Prifti

  5. #35
    Dhimiter Leka,nqs nuk gabohem tani, eshte djale xhaxhai me stergjyshin tim nga ana e mamase. Dhe gjithashtu rrjedh nga e njejta dere si Dhimiter Leka ose sic njihej Gjeneral Leka, i cili ishte bashkepunetori me i ngushte i Mbretit te Napolit ne shekullin e 19-te dhe nga po nje tjeter Gjeneral Gjin Leka qe jetoi ne kohen e Skenderbeut dhe ishte nga Kruja por u zhvendos ne Dhermi pas renies se Krujes.
    Sa te kete kurva dhe laro qe u bejne puce njerezve nga inati ne do ngelemi ketu ku jemi.

  6. #36
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Atë Dhimitri i Shtërmenit

    Atë Dhimitër Vero Lushi u lind në Shtërmen më 15 mars 1910, në një familje fshatare me besim të thellë orthodhoks e që tërë jetën e saj ishte marrë me bujqësi e blegtori. Pushtimi otoman gati pesë- qindvjeçar kishte ushtuar presion të madh në fshatrat e zonës së Shpatit për të çrrënjosur fenë e të parëve, por nuk ia kishte arritur dot. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë i dha një hov të ri besimit orthodhoks si kudo edhe në Shtërmen. Ishte kjo epoka e re që ndaloi përfundimisht islamizimin e fshatrave të krishterë. Më të rriturit ishin të gjithë të regjistruar me dy emra, një të krishterë në kishë dhe një emër mysliman në defterët e pushtetit osman. Që nga kjo kohë në familjet e krishtera nuk u regjistrua më asnjë emër mysliman.

    Tri kishat që kishin mbetur më këmbë, sepse në shumë fshatra të zonës së Shpatit ato ishin rralluar, filluan të gjallërohen më tepër e të frekuentohen lirisht. Atë Anastas Rrasa shikonte djaloshin e ri Dhimitër tek rritej si një filiz i bukur në besim dhe i thoshte: “Ti do të bë- hesh prift”! Dhimitri skuqej e ia kthente: “Në do e është në vullnetin e dëshirën e Perëndisë, le të bëhet!” Kaluan vite pasi ishte martuar e kishte edhe fëmijë e Perëndia e thirri në moshën 40-vjeçare të bë- hej shërbëtor i Tij. Dhimitri pranoi kërkesën. Në korrik 1950 u dorë- zua dhjak e më pas prift dhe u caktua prej Kryepiskopit në fshatrat e fushës në Shpatin e Dytë nga Kuqani, Gjergjani e deri në Shtërmen.

    Atë Dhimitri e kishte në zemër e shpirt dashurinë për Perëndinë e besimtarët, ndaj iu përkushtua me frymë detyrës së re. Kryente rregullisht Liturgjinë Hyjnore nëpër kisha e një vend të veçantë zinin edhe shërbesat nëpër shtëpi, fshat më fshat. Ndonëse rrugët ishin të këqija, të përbaltura e me tym, heraherës prifti i dashur, i urtë e fjalë pak gjendej kudo ku ishte nevoja. Atë Dhimitri rriti gjashtë fëmijë, tri vajza e tre djem. Familja e tij ishte shembull i besimit në Shtërmen.
    Fëmijët e ndihmonin shumë në punët e kishës të atin. Atë Aleksandri, i biri, tregon: “Unë i shkoja përherë pas e i mbaja kusinë e ajazmës dhe e ndihmoja. Shikoja se kudo që shkonte në çdo familje e prisnin mirë dhe e nderonin. Të gjithë i puthnin dorën e kërkonin bekimin e tij paçka se kishte edhe ndonjë komunist që e shikonte pak me përbuzje, por duke parë reagimin e shumicës në fshat edhe ai heshtte”.

    Atë Dhimitri punoi si klerik gjashtëmbëdhjetë vjet, deri në mbylljen e kishave më 1967. Edhe më pas në mënyrë të fshehtë ai bënte shërbime të ndryshme si pagëzime e kurorëzime kudo ku e kërkonin besimtarët. Kështu deri më 1969 bënte shërbesa thuajse rregullisht, por më vonë lufta e klasave u ashpërsua edhe më shumë dhe frika e për ndjekja ishin si për besimtarët ashtu edhe klerin. Punoi disa vjet në kooperativën bujqësore gjithnjë me nder e pastërti. Hapjen e kishave e priti me shumë dashuri, por nuk mundi t’i gëzohej qoftë edhe një herë të vetme afrimit në Altarin e Perëndisë e ngritjes së të Shenjtave. Atë Dhimitri fjeti më 30 janar 1990, në moshën tetëdhjetëvjeçare, i lumur se i shërbeu Perëndisë pesëmbëdhjetë vjet dhe i hidhëruar se nuk pa ardhjen e besimit e s’dëgjoi kumbimin e kambanave. Amanetin e të atit e zbatoi i biri, atë Aleksandri i cili si bir prifti shkoi menjëherë e ndoqi Seminarin Hieratik-Theologjik në Durrës. Tanimë për afro njëzet vjet ai i shërben Perëndisë dhe besimtarëve të fshatit të tij, Shtërmenit. Dhe është e bukur e në të mirë të besimit kjo trashëgimi e denjë klerikale.

    Atë Stavri Çipi

  7. #37
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Fjeti më Perëndinë bashkëmeshtari ynë, atë Joan Gjica

    Më 21 nëntor 2011, ditën e Hyrjes së Hyjlindëses së Tërëshenjtë në Tempull, nga një sëmundje e papritur, fjeti më Perëndinë bashkëmeshtari ynë, atë Joan Gjica. Shërbesa e varrimit, u krye në kishën “Shën Nikolla” të qytetit të Elbasanit, ku meshoi për afro trembëdhjetë vjet, në prani të shumë besimtarëve e bashkëqytetarëve, më 23 nëntor.

    Për t’i psalur e dhënë lamtumirën e fundit, kishin ardhur edhe shumë klerikë nga mitropoli e dioqeza të tjera. Tok me Hirësi Andonin, kryen shërbesën edhe klerikët: Sekretari i Sinodit të Shenjtë atë Jani Trebicka, arkimandrit atë Kozma Prifti, Ikonom Stavrofor atë Ilia Kotnani, atë Gjergji Trebicka, atë Kristaq Visi, atë Pavli Dimashi, atë Kristo Sharko, atë Pali Qosja, atë Stavri Çipi, atë Gjerasim Çakalli, atë Jani Ranxha, atë Spiro Qosja, atë Spiro Bulika, atë Petraq Dedja, atë Petro Halili dhe dhjakonët Iliodor Demiri e Irine Gega.

    Atë Joan Gjica u lind më 12 prill 1963, në qytetin e Elbasanit, nga prindërit besimtarë shpresëtarë e orthodhoksë Lonidha e Theodhora, të cilët e rritën dhe e edukuan me moral të lartë qytetar e besim te Perëndia. Pasi mbaroi gjimnazin dhe shkollën e mesme pedagogjike, shërbeu si mësues i lëndëve matematikë-fizikë, në shkollën 8-vjeçare, Polis i Vogël të komunës së Shushicës në rrethin e Elbasanit. Gjatë kësaj kohe, vazhdoi me korrespondencë Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, në degën matematikë-fizikë. Duke mësuar nxënësit e fshatit të largët të Polisit të Vogël, kaluan pa u ndjerë nëntë vjet. Atë Joani dëgjoi thirrjen e Perë- ndisë dhe në vitin 1992 shkoi menjëherë në Seminarin Hieratiko-Theologjik të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në Durrës dhe më pas studioi për një kohë edhe jashtë vendit. Në tetor të vitit 1993 u hirotonis dhjak. Studimet për teologji nuk i përfundoi, por vazhdoi detyrën baritore. Erdhi e shërbeu në enorinë e tij, në Elbasan si dhjak në kishën “Lindja e Hyjlindëses” në lagjen Kala, atë të “Shën Athanasit” dhe në vitin 1998, në kishën e Shën Nikollës. Në tetor të vitit 1999, kur u dorëzua në gradën e priftërisë e gjer në fund të jetës tokësore, shërbeu rregullisht prift enorie në kishën e lagjes, atë të Shën Nikollës.

    Komunikimi i atë Joanit me besimtarët dhe qytetarët ka qenë korrekt e shembullor. Ai gjithmonë ishte i rrethuar nga shokë, miq e të afërm, nga të njohur e të panjohur. Familja e tij, prindërit, bashkëshortja, fëmijët, vëllezër e motra dhe nipër e mbesa, frekuentonin kishën dhe i gëzoheshin të qenit klerik të të dashurit të tyre. Gjatë këtyre viteve atë Joani iu përkushtua edhe përkthimit të veprave letrare nga greqishtja në shqip. Bashkëpunimi i frytshëm i tij me Klubin e lidhjes së shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” bëri të mundur edhe përkthimin “Antologji e Haikut Grek” dhe “Duhmë qirinjsh” të poetit të njohur po grek Kristo Tumanidhis dhe daljen në dritë të tyre. Në kishën e Shën Nikollës, shërbeu dymbëdhjetë vjet, me përkushtim e dashuri, duke përhapur fjalën e Perëndisë. Gëzimi i shërbimit ndaj grigjës ishte i madh. Edhe besimtarët e deshën dhe e respektonin bariun e tyre. Kjo gjë u pa edhe në ditën e lamtumirës. Kisha brenda dhe oborri jashtë, ishin mbushur plot me besimtarë e qytetarë, të cilët e përcollën atë Joanin duke iu lutur Zotit ta marrë e prehë në gjirin e Tij.

    Nga klerikët e Elbasanit

  8. #38
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Fjeti më Zotin z. Harilla Aleksi

    Harilla Aleksi (Papajorgji), lindi në Qeparo-Himarë, më 15.12.1928 në një familje besimtare pasi i ati ishte psalti i kishës së fshatit, i cili kishte dëshirë që i biri të bëhej klerik por lufta do të ndryshonte këtë dëshirë.

    Gjatë operacionit të qershorit 1944, gjermanët e internuan Harillën së bashku me shumë bashkë- fshatarë të tjerë nga bregdeti në kampin e përqendrimit në Pavllo Mella, në Selanik, Greqi, nga i cili pas shumë mundimesh dhe vështirësish kthehet në Himarë pas 9 majit 1945.

    Në vitin 1963 përfundoi Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, dhe u diplomua mjek patolog. Gjatë kësaj kohe ka punuar si inspektor sanitar në rrethin e Gjirokastrës deri në fund të vitit 1967. Më pas transferohet në Tiranë ku punon si mjek i përgjithshëm me dashuri dhe pasion për profesionin, për t’u shërbyer me ndërgjegje dhe devotshmëri e për të qenë sa më pranë njerëzve në nevojë.

    Me ringjalljen e Kishës dhe ardhjen e Kryepiskopit Anastas në korrik 1991, ai rigjeti inspirimin dhe shpresën e besimit e cila i ishte ndrydhur brenda vetes për vite të tëra ateizmi.

    Kështu që në fillim ai ishte nga të parët pjesëmarrës dhe personel i klinikës orthodhokse “Shën Lluka” në Tiranë, që në vitin e hapjes së saj më 1992, duke shërbyer si mjek patolog për besimtarët dhe banorët e Tiranës. Po kështu doktor Harilla është aktivizuar dhe bashkuar me kurset e para të teologjisë në Akademinë e Lartë Teologjike të Shën Vlashit, Durrës dhe më pas të muzikës bizantine të drejtuara me profesionalizëm nga atë Justini.

    Pas përfundimit të përgatitjes teologjike, ka shërbyer si psalt në kishat e Shën Prokopit dhe në atë të Ungjillëzimit në Tiranë, duke marrë pjesë në të gjitha shërbesat, festat dhe celebrimet fetare që janë zhvilluar deri në fillim të vitit 2011.

    Petrika Shalësi

    I shprehu ngushëllimet në shtëpi edhe Kryepiskopi Anastas.

  9. #39
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Dëshmitarët shqiptarë të dashurisë dhe besimit në Krisht

    Prift shembullor dhe i devotshëm

    (Fjeti atë Teodor Pleushku)

    Dikur kam lexuar se “në Gollobordë shërben një prift autodidakt, papa Todi, njeri i thjeshtë, i devotshëm në kryerjen e detyrës; i respektuar në zonë, për ndershmërinë dhe për papërtueshmërinë në kryerjen e shërbimeve, megjithëse enoria e tij është shumë e shtrirë dhe e vështirë për nga relievi e klima”.

    Shënimi më zgjoi kureshtjen. U interesova dhe e njoha. E kam takuar disa herë si në Klenjë edhe në Rashbull. Trupvogël, i imët por i shëndetshëm dhe mbahej mirë për moshën që kishte. Fliste shtruar, ishte tip i qetë, bisedonte këndshëm dhe kishte një kujtesë shumë të mirë. Kishe ç’të mësoje prej tij.

    E pra..., sa herë kisha përpara papa Teodor Pleushkun mendoja: një jetë të tërë prift, vite që mbartnin në vetvete punë, mund, sakrifica, vuajtje, gëzim dhe kënaqësi. Një jetë e tërë me mësimet e Jisu Krishtit në zbatim.

    Rikujtoj copëza nga bisedat me të:

    “Kam lindur në Klenjë më 1918 dhe kam kryer 4 klasë të shkollës së fshatit, por kam qenë shumë i dhënë pas librave dhe kam lexuar shumë..... Më 21 nëntor 1948 u bëra dhjak, ndërsa një javë më vonë, më 28 nëntor u hirotonisa prift për enorinë e Gollobordës.

    .....Gollobordasit janë besimtarë, frekuentues të kishës dhe dashamirës; më kanë dashur dhe respektuar.

    .....kam kaluar një jetë të trazuar në regjimin që shkoi....
    ...... më 1991, kur mora vesh për hapjen e kishave, vajta menjëherë në kishën e Shën e Premtes, të fshatit, e cila ishte dhe pa çati, meshova civil, ashtu siç isha. Më 6 prill 1991 në mbrëmje festuam aty Pashkët. M’u bë zemra mal, erdhën shumë e shumë njerëz nga tërë krahina. U zgjua besimi orthodhoks.

    Shkova në Tiranë, ku më thanë që të aktivizohesha e të meshoja, sepse kishin shumë nevojë për priftërinj. Pavarësisht moshës fillova të meshoja, fillimisht në Kavajë disa herë, pastaj erdha në zonën time.

    Meshoj sllavisht por edhe shqip. Kur vijnë në kishë të moshuar meshoj sllavisht, ndërsa kur ka më shumë të rinj meshoj më shumë shqip, pra bëj meshë të përzier, në varësi të moshës së besimtarëve që janë në kishë....”

    “Rihapja e kishave ka qenë ndër gëzimet më të mëdha të miat”, më përsëriste vazhdimisht. I gëzohej me gjithë shpirt rezultateve që arrinte Kisha jonë. Herë pas here edhe shprehej: “I lutem Perëndisë t’i shtojë jetën Kryepiskopit tonë Anastas, se ai po e lulëzon Kishën tonë Autoqefale, ai na e rindërtoi atë dhe do na sjellë edhe të mira të tjera”.

    Tregonte shumë ngjarje të jetuara. Fliste sidomos për rolin e priftit, për figurën morale dhe ndershmërinë e tij, si faktorë bazë për forcimin e besimit dhe arritjet te brezat e ardhshëm. Dhe ato që ai fliste, ashtu me atë farë toni, i kishte të provuara se i kishte zbatuar vetë me shumë zemër.

    Papa Todi, ky njeri i veçantë më hyri në zemër. U bashkova me mendimin e të gjithëve: i ndershëm, i thjeshtë, i sjellshëm e shumë i devotshëm në punën e tij baritore. S’ka njeri nga Golloborda, por edhe të tjerë, që i ka lidhur puna me të që të mos e vlerësonin. Përveç fjalëve plot respekt të thonë se ai s’rreshti kurrë së kryeri detyrën e tij fetare, madje edhe në fshehtësi gjatë kohës së persekutimit të fesë, ku ka kryer shërbesa, si kurorëzime, pagëzime, trisaji.... në shumë familje gollobordase, kudo që ato të ishin vendosur.

    Dikur u mblodhëm dhe i festuam 90 - vjetorin, njëkohësisht edhe 60 - vjetorin si klerik. Në atë takim, me atë zërin e tij, bekoi fillimisht ushqimin...dhe pas një fjale të shkurtër mbi punën e tij si njeri i besimit dhe këshillave atërore na kujtoi: “Falënderoj Kryepiskopin Anastas, i cili jo vetëm që na dha jetë ne të moshuarve, që na ringjalli kishat dhe fenë, por që besimin orthodhoks e ndezi sidomos në zemrat e të rinjve…; besimi nuk më kishte humbur asnjëherë, por... mrekullohem dhe falënderoj Perëndinë që arrita t’i përjetoj me sytë e mi këto ditë…”.

    E pra ky ka qenë papu Todi Pleushku, të cilin Perëndia e mori në krahët e Tij më 13 gusht 2012. Shpura e madhe e besimtarëve dhe e të njohurve, si vendas dhe të ardhur, e shoqëroi atë deri në banesën e fundit. Psalmodhia e ceremonisë u krye nga atë Gjerasimi, atë Pavli, atë Ilia, atë Spiro Q. dhe atë Spiro K., të drejtuar nga Episkop Nikolla.

    Sot, duke medituar për ç’di për këtë klerik të nderuar, jam i bindur se të gjithë njerëzit që e njohën, dhe aq më tepër fëmijët e tij besimtarë Vangjeli, Danica, Rista dhe Petro, do të vlerësojnë jetën shembullore të papu Todit dhe do mundohen të ndjekin këshillat e tij në rrugën e tyre.

    I paharruar qoftë kujtimi i tij!

    Kristofor Beduli

    Ngjallja
    Shtator 2012

Faqja 4 prej 4 FillimFillim ... 234

Tema të Ngjashme

  1. Sulë Hotla (1875-1947), Një Jetë Për Shqipërinë
    Nga strong_07 në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 29-04-2019, 16:32
  2. Paketa e propozuar nga Ahtisari për statusin final të Kosovës
    Nga Nice_Boy në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 451
    Postimi i Fundit: 21-10-2007, 12:59
  3. Gjergj Kastrioti sipas pikëpamjeve antishqiptare
    Nga Davius në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 77
    Postimi i Fundit: 28-04-2006, 12:45
  4. Brukseli: Zgjedhjet e 2005, shansi juaj i fundit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 14:53
  5. Çështja Çame
    Nga Eni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 154
    Postimi i Fundit: 25-03-2005, 19:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •