Rasterist duke kerkuar ne internet gjeta dhe kete informacion per Jokl, i cili na u considerohet babai i albanologjise. Do kisha deshire te dija me shume per vepren e tij dhe sidomos per ate pjese qe ka humbur??

faleminderit



NORBERT JOKL - Figurë e shquar e albanologjisë

Dijetarët që u morën me studimin e historisë dhe gjuhës shqipe në botën gjermanofone nuk ishin të paktë. Të veçojmë këtu shkenctarë të shquar si J. Georg von Hahn (1811-1869), Fr. Mikolosich (1813-1891), G. Meyer (1850-1900), etj. të cilët janë marrë me gjuhën shqipe drejtpërdrejt dhe vazhdimisht dhe që krijuan një traditë të mirë në studimin e gjuhës sonë. Norbert Jokl i kontribuoi më tutje kësaj tradite të mirë dhe më plot gojën qe përfaquesi më eminent në radhën e këtyre studiuesve.

shkruan: Izer MAKSUTI

Tematika e veprës së Joklit është shumë më e gjerë se ajo e paraardhësve të tij dhe pa dyshim ky qe ai që vuri themelet e albanologjisë moderne dhe arriti të zgjerojë e të thellojë qenësisht njohjen gjuhësore të shqipes.



Norbert Jokl - Një ndër
studjuesit më të shquar
të albanologjisë
Norbert Jokl lindi më 25 shkurt 1877 në Bizenc (sot Bzenec) në Çekinë e sotme. Kreu maturën më 1895, së pari studioi drejtësi e më pas punoi pak si praktikant juridik në Vjenë. Më 1901 regjistrohet si student i rregullt në Universitin e Vjenës duke realizuar njëkohësisht dëshirën e tij të kahhershme për të studiuar gjuhësi. Studioi indoeuropeistikë te P. Kretschmer, romanistikë te G. Meyer-Lübke dhe sllavistikë te V. Vagic. Në moshën tridhjetëvjeçare (1907) iu përvesh edhe studimit të shqipës. Mësoi shqipen duke ndjekur kursin që asokohe udhëhiqej nga Dr. Gjergj Pekmezi, i cili ishte lektori i parë i shqipes në Universitetin e Vjenës. Më pas forcoi njohuritë si autodidakt më ndihmën e studentëve dhe shqiptarëve të atëhershëm në Vjenë. Jokli mësoi shqipen aq mirë sa më vonë arriti të depërtojë në misterin mijvjeçarë të saj. Mbas një pune të zellshme dhe të pandërprerë i shkoi për dore të botojë veprën më titull "Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung" (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Këtu dëshmon për burimsinë e një numri të madh fjalësh, që G. Meyer i merr për huazime të shqipes. Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Meyerit.

Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm.

JOKLI DHE SHQIPTARËT NGA VRAPÇISHTI I

Në pranverë të vitit 1914 bëri një studim në fushën e dialektologjisë, me një grup puntorësh shqiptarë nga Vrapçishti i Gostivarit në Hungari. Gjatë qëndrimit disajavor me ta, mblodhi një numër të madh tregimesh, 16 anekdota, 11 përralla etj. Gjithashtu, në arkivin fonografik të Vjenës më 14.04.1914 bëri disa inçizime me njërin nga pjesëtarët e këtij grupi, i cili qëndroi rreth një muaj në Vjenë. Këto inçizime të transkribuara dhe të përkthyera nga vetë Jokli gjenden po në këte arkiv: dy pllaka me numër 2351 dhe 2352.

Materialin e sipërpërmendur Jokli e përdori për studimet e tij të mëtutjeshme gjuhësore, mirëpo askund nuk e botoi. Por, përmes Prof. P. Kretschmerit në Akademinë e Shkencave në Vjenë më 19 maj 1915 jep vetem një raport mbi këtë studim.

Bashkëpunëtor i Vjetarit indoeuropian (Indogermanisches Jahrbuch) Jokli bëhet më 1916, ku bëri një punë të madhe bibliografike, meqë mbajti rregullisht këtë rubrikë, ku referon mbi botimet më të reja të albanistikës; në seksionionin e VII, që nga vëllimi IV, 1917 e deri te vëllimi XXIV, 1940.

Kulmin e veprimtarisë së tij shkencore Jokl e arriti me botimin e kryeveprës "Kërkime gjuhësore - kulturohistorike nga fusha e shqipes" (Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereich des Albanischen). Në këtë vepër me një volum prej 367 faqesh ndan lëndën në katër pjesë:

1. Recht (e drejta), Sitte (doke), Glaube (Besim).
2. Haus (Shtëpia), Hausrat (pajisjet shtëpiake)
3. Landwirtschaft (Bujqësi), Vegetation (Vegjetacion)
4. Viehzucht (Blegtori), Tiernamen (Emra kafshësh)

Jokl mundohet të japë një pasqyrë objektive të gjuhës shqipe, ndër të tjera sjellë këtu dëshmi të ndryshme që shqipja është veçmas e pasur me terma e shprehje në: onomastikë, sferë të blegtorisë, e të produkteve qumshtore, ndërsa një pjesë të terminologjisë së bletarisë e shpjegon me prejardhje latine, duke u nisur nga ajo se kjo në viset shqiptare u përhap më së shumti nga romakët.

Kjo vepër përveç që ka vlera gjuhësore ka edhe rëndësi etnografike. Matrialin etnografik Jokl e ka nxjerrë sidomos nga veprat e Ferenc Báró Nopcsas, shumherë edhe në bisedime private më këtë njohës të shquar të kësaj discipline shkencore.

Më 1923 Jokl merr titullin e Profesorit inordinar në Universitetin e Vjenës. Mbajti leksione të sllavistikës dhe të gjuhëve baltike, kurse mbi gjuhën shqipe mbajti këto leksione:

a. Gramatika e shqipes (1915/16; 1916/17; 1923/24; 1926)
b. Gramatika komparative e shqipes (1926/27)
c. Gramatika komparative historike e shqipes (1928/29; 1930/31; 1933/34)
d. Hyrje në gramatikën komparative historike të shqipes (1936/37).

JOKLI - MËSUES I ÇABEJT DHE MIK I PERSONALITETEVE KULTURORE SHQIPTARE

Jokl qe edhe mësues i strumbullarit të albanologjisë E. Çabejt. Midis tyre u zhvillua një miqësi e ngushtë dhe një bashkëpunim i frytshëm, që ndihmoi aq shumë Çabejn e ri për t'u thelluar në studimin shkencor të gjuhës shqipe.

Kishte gjithashtu lidhje të pandërprerë edhe me intelektualë shqiptarë të kohës së tij, si për shembull me Gj. Fishtën, F. Konicën, A. Xhuvanin, E. Koliqin e shumë të tjerë, të cilët të gjithë pasuruan njohuritë e tij rreth visarit leksikor të shqipes dhe dialekteve të saj. Pati korrespondencë edhe më shumë gjuhëtarë të njohur nga vise të ndryshme të botës, si me H. Pedersen (albanolog danez i cili mjerisht u largua që herët nga studimet shqiptare), K. Sandfeld, C. Tagliavini etj.

Më 1937 vizitoi për herë të parë e të fundit Shqipërinë. Ku me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Jokl u nderua me çmimin "Urdhni i Skënderbeut". Një vit më pas përjashtohet nga puna dhe i ndalohet e drejta e publikimit. Por jeta pa punë shkencore për të ishte krejtësisht e pamundur, kështu që ndonëse në gjendje të vështirë, vazhdonte të shkruaj. Në vjeshtë 1941 i shkruan Prof. Tagliavinit "Muajt e fundit kam punuar diçka dhe kam mbaruar dy punime". Këto punime i merr Prof. C. Tagliavini gjatë një vizite të tij në Vjenë që i bënë për herë të fundit Prof. Joklit dhe i boton në revisten zvicerane "Vox romanica" në Zürich.

DITËT E VËSHTIRA PËR JOKLIN

Pasojnë ditët e vështira të luftës, ndjekja e çifutëve nga ana e nacistëve shtohej nga dita në ditë e mjerisht këto lista e përfshinë edhe Joklin. Përpjekjet për ta shpëtuar Joklin qënë të shumta e të mëdha si nga ana e miqve dhe kolgëve të shumtë të tij, ashtu edhe nga ana e intelektualëve shqiptarë, me të cilët pati kontakte më herët.

Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi drejtuar konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari. Jokl planifikonte të shkonte në Shqipëri e të merrte me vete edhe bibliotekën e tij personale, të cilën pas vdekjes dëshironte t'ia dhuronte ministrisë së arsimit të Shqipërisë. Thuhet që kjo bibliotekë ishte shumë e pasuar dhe krahasohej më atë të M. Frashërit dhe të Françeskanëve në Shkodër. Për shpëtimin e Joklit u intervenua deri në instancat më të larta të Reich-ut gjerman. Por mjerisht të gjitha këto orvatje dështuan.

Më 4 mars 1942 në banesën e tij Vjenë VII, Neustiftgasse 65, u arrestua nga dy nënpunës të Gestapos edhe u dërgua në Sammellager Vjenë II, Castellezgasse 2. Mbi fatin e mëtutjeshëm të tij janë disa supozime: sipas listave të përpiluara nga nazistët është dashur të dërgohet në kampin e përqendrimit në Poloni (transportimi i çifutëve austriakë në Minsk). Ndërsa sipas një verzioni tjetër që duket si më i vërtetë, thuhet se në momentin e fundit u nda nga ky grup dhe u transportua në Rossauer-Kaserne në Vjenë, ku edhe vdes nga torturat.

HUMBJA E FJALORIT ETIMOLOGJIK

Me vdekjen e tij albanologjia humbi mjeshtrin e saj të madh, dhe mjerisht mbeti vepra e tij e pambaruar, e sidomos nuk u krye dot vepra që do të kishte qenë kurorëzimi i punës së tij jetësore - fjalori etimologjik i shqipës. Në këtë vepër të madhe Jokl ka punuar vazhdimisht, ndonëse s?dihet se deri ku ka arritur sa qe gjallë. Disa dorëshkrime të tij; përfshirë këtu letra (950) dhe dorëshkrimet e punimeve të publikuara e të papublikuara deri atëherë gjenden në Bibliotekën Nacionale të Vjenës. Ndërsa sa i përket manuskriptit të supozuar si fjalor etimologjik i shqipes ai nuk gjendet këtu. Siç na thot Prof. Georg Solta, nxënës i Joklit, është fjala për një ekzemplar të fjalorit etimologjik të G. Meyerit më shënime dhe plotësime të shumta: "Ky liber qe i shenjët për Joklin dhe unë mendoj, që ai të vetmin këtë e merr më vete gjatë arrestimit, dhe kështu bashkë më të u zhduk". Ndërsa mjerisht mbi fatin e bibliotkës private të Joklit nuk dihet asgjë.

Më kërkesë të Prof. Dr. G. Soltas senati i Akademisë më 29 prill 1982 vendosi që të shënojë emrin N. Jokl në pllakën përkujtimore të Universitit të Vjenës. Emri "Nobert Jokl" qëndron bashkë me shkrimtarët dhe shkenctarët më të mëdhenjë austriakë si: Fr. Grillparzer, A, Stifter, V. Jagic, N. S. Trubetzkoy.



burimi: www.lobi.com.mk