Komiteti i Orientimit të Politikave, integrim sa më i
shpejtë në Evropë

Nga Agron Gurabardhi
Jurist

Eshtë për t'u vlerësuar iniciativa e partisë më të
madhe opozitare për ngritjen e Komitetit të Orientimit
të Politikave, duke përfshirë në të specialistë të
fushave të ndryshme. Fakti që PD hapet dhe kërkon
kontribute nga grupe konsulentësh për t'u mbështetur
dhe ndihmuar nga njerëz që normalisht kanë një
eksperiencë, e cila vlen, tregon për një ndryshimi të
Partisë Demokratike, drejt një vizioni për të qënë më
pranë realitetit dhe interesave të njerëzve. Nuk kanë
rëndësi vetëm emrat. Ajo që është e rëndësishme është
fakti që kryetari i PD-së, nëpërmjet forumit të
KOP-it, kërkon vazhdimësinë e partneritetit, të cilin
kjo parti e ka shpallur me shoqërine civile, botën
akademike dhe mediat e që kërkon të ndërtojë një
program të mbështetur në ide nga kjo shoqëri duke
rritur kështu mundësitë e komunikimit me të. Me
hedhjen e kësaj ideje dhe zbatimin e saj, kryetari i
PD-së distancohet nga koha kur në PD futeshin njerëz
vetëm si rezultat i njohjes, të cilët përbënin një
grup të kufizuar, ku vështirë të futeshin ide të reja,
pasi njerëzit ishin konsumuar ose kishin filluar
tashmë të konsumoheshin. Pikërisht për këtë arësye kjo
lëvizje e PD-së paraqet një avantazh të madh dhe për
tërë opinionin demokratik realisht duket një gjë
tepër pozitive. Hapja e kësaj partie në një masë të
madhe ndaj shtresave të përfshira nga ky komitet
paraqet një përparësi të madhe jo vetëm për jetën e
saj, por të mbarë vendit. Kryesorja është që puna e
këtij forumi dhe platforma e tij do dëgjohen atje ku
do të jetë vendimmarrja e PD-së. Sipas kryetarit të
PD-së:" Ajo ka pergjegjesine e hartimit te programit,
ligjësinë e hartimit të tij dhe politikave te Partisë
Demokratike në të gjitha fushat si dhe planin e
veprimit të qeverisjes së ardhshme".
Në këtë kuadër është e rëndësishme të
kuptohet që njerëzit duhet të heqin dorë nga
paragjykimet në lidhje me këtë hapje. Ajo duhet të
shoqërohet edhe me lëvizje të tjera dhe me një
konkurencë brenda më të mirëve, që PD- ja të
ndryshojë, duke i kthyer politikanët e saj të
konsumuar në intelektualë dhe intelektualët nga
shoqëria civile me një autoritet të respektueshëm t'i
shndërrojë në politikanë. Kjo do të përbënte një hap
shumë të madh drejt hapjes së saj.
Eshtë për të ardhur keq kur kryetari i mazhorancës,
kryeministri shqiptar, Fatos Nano apo dhe të disa të
tjerë reagojnë për emrat e këtij forumi, duke i
konsideruar këta si karrieristë dhe si njerëz që
kërkojnë të lajnë mëkatet.
Shumë prej këtyre emrave janë afruar për të bërë një
program në favor të zhvillimit të shoqërisë e kanë
pranuar të jenë pjesë e KOP-it për të dhënë asistencën
e tyre teknike. Në lidhje me aludimet e bëra për
ambiciet e tyre politike, kjo do t’i përkasë mbase
një periudhe tjetër të mëvonëshme.
Kontributi këtyre specialistëve është shumë i
rëndësishëm. Këtu janë përfshirë specialistë nga më të
mirët të fushave dhe moshave të ndryshme për të
krijuar një program të plotë. Cfarë mëkati për të
larë, kërkon kryeministri shqiptar nga juristi Ardian
Nuni, i ardhur nga shoqëria civile, me një reputacion
dhe CV të respektueshme dhe pse jo, të lakmueshme nga
partia dhe administrata e tij. Po kështu ç'mëkate apo
karrierizëm kërkon kryministri shqiptar nga Mentor
Petrela e Maks Cikuli, Hysen Cabej, etj?! Afrimi i
tyre pranë këtij forumi është shumë i rëndësishëm. Nga
ana tjetër nuk duhet përjashtuar fakti se brenda
PD-ja ka gjithashtu njerëz që janë të aftë të
ndihmojnë dhe të kontribojnë për këtë program.
PD-ja është partia më e madhe opozitare dhe me një
përvojë në qeverisje. Por kjo risi e pasuron, pasi
aktualisht pasurohet programi me njerëz që janë
profesionistë dhe me tjetër eksperiencë. Pra
prezantohet një program për problemet e përditshme të
njerëzve e njëkohësisht në shërbim të tyre. Sa më
shumë prurje dhe kontribute të ketë, aq më pozitiv do
të jetë programi dhe realizimi i tij pasi do të
kontribohet në mënyrë profesionale dhe kompetente në
fushat përkatëse. Asnjë strukturë politike nuk duhet
konsideruar në vetvete e vetëmjaftueshme. Ajo është
dhe duhet të jetë gjithnjë në proces ndryshimi.. Kjo
është një portë e madhe e hapur nga PD-ja që të fton
që të japësh mendim dhe kontributin intelektual në
shërbim të vendit tënd.
Disa prej tyre janë pedagogë fakultetesh, disa punojnë
në institute studimesh ndërkombëtare, ku punimet dhe
rezultatet e tyre i shërbejnë kombit pa dallim
ngjyrash politike e që mund të shfrytëzohen nga çdo
palë. Nga ana tjetër ka të afruar prej tyre që kanë
bindjet e tyre politike. Çdo njeri ka bindjet e veta e
gjithkush ka një aspekt vlerash ideologjike. Dikush
mund të jetë më i djathtë, dikush mund të jetë më i
majtë. Por gjithësecili do të kontribojë me njohuritë
që ka për fushën e tij, si teknike e shkencore ashtu
dhe me dëshirën për ndryshim, sepse është qytetar i
këtij vendi.
Hamëndje të tilla dhe përgojime që këta njerëz janë
futur për ambicje politike në këtë forum, janë aq
dashakeqe sa dhe tinzare, pasi angazhimi i tyre në
këtë moment nuk ka aspak synime të tilla. Por kjo
njëkohësisht nuk do të thotë se në çfarë ata mund të
projektohen në të ardhmen. Këtë asnjë nuk mund ta
thotë. Ky është një moment për të hartuar një program,
që të jetë i prekshëm, real e premtues për njerëzit e
të ardhmen e tyre. Prezantimi
i platformës antikorrupsion, e përgatitur nga Forumi
për orientimin e politikave në PD, përfshin ngritjen e
një strukture të re antikorrupsioni, hapjen e zyrave
të informimit publik brenda tre muajve, në rast se
PD-ja vjen në pushtet si dhe rishikimin e imuniteteve
sipas standardeve bashkëkohore. Deputetët, ministrat
dhe ekipet e reja politike e teknike duhet të jenë të
çliruar nga konflikti i interesave përmes
transparencës së plotë të deklarimit dhe verifikimit
të pasurive të gjithkujt, që është pjesë e
vendimmarrjes politike dhe përdorimit të fondeve
publike.
Në këtë kuadër lideri i opozitës shpreh optimizmin
duke mbështetur realizimin e saj në çdo pikë nëse
ekziston vullneti, kur thotë se: “Unë nuk mund të
premtoj se do ta luftojmë korrupsionin për tre muaj.
Unë nuk mund të premtoj se do të decentralizojmë
pushtetin për tre muaj, se nuk është realiste, por ama
premtojmë se brenda dy- tre muajve do të hapen zyrat e
informacionit. Premtojmë se brenda dy- tre muajve do
të vendosim praktikat e qeverisjes. Premtojmë se
brenda tre muajve, mbledhja e parë e Këshillit të
Ministrave e në vazhdim do të jetë e hapur për
publikun. Premtojmë se brenda tre muajve do të
saktësojmë të gjithë penalitetet për korrupsionin”.
Papajtueshmëria me orientimet e këtij forumi, të
krijuar prej shoqërisë civile dhe nga më të mirët
specialist të vendit tonë, vjen sa nga xhelozia aq
edhe nga konflikti i prekjes së interesave. Disa e
kanë cilësuar një strukturë të fryrë, me justifikimin
e rritjes së efiçencës së strukturave aktuale. Ky
qëndrim nuk është gjë tjetër veçse përplasje dyersh në
turinj intelektualëve dhe specialistëve, të cilët janë
lënë deri tani jashtë dyerve të politikës pikërisht
prej mbrojtjes me fanatizëm të ideve të tilla. Apo
ideja e shfaqur, se kjo reformë që po bëhet duket
sikur po kthehet në një gjueti individësh, të cilët
janë aktualisht drejtues të enteve rregullatore, është
krejt e papajtueshme si me moralin e platformës së
paraqitur nga forumi për antikorrupsinin, ashtu dhe me
kurajon dhe inisiativën e anëtarëve të saj, njërëz të
nderuar dhe të respektuar nga shoqëria shqiptare.
Nga ana tjetër fakti i afateve lidhur me
luftën kundër korrupsionit është bindës. Problemet
duhen parë në këndvështrimin se ndryshimet
institucionale kërkojnë kohë dhe nuk japin rezultatet
e pritura menjëherë. Pra një problem i sotëm nuk mund
të zgjidhet pas një muaji apo dhe një viti. Por edhe
meqenëse korrupsioni ka prekur kuotat më të larta në
të gjitha fushat. Nuk është e mundur që korrupsioni
i instaluar prej kaq vitesh në polici, në dogana ose
në gjyqësor si dhe në çdo institucion, të mund të
ndryshoj për një muaj dhe as për një vit, sepse
korrupsioni ka filluar të bëhet si përgjigje për çdo
problem që ka sot shoqëria. Por realisht kjo platformë
lufton me seriozitetin e duhur fenomenin gangrenë të
institucioneve të sotme shqiptare.
Masat institucionale të paraqitura nga forumi nuk kanë
asgjë të përbashkët me papajtueshmëritë e
lartpërmëndura.
Pra siç shikohet ky program është tepër realist, larg
korrupsionit dhe më pranë interesave të shoqërisë dhe
qytetarisë. Kjo platformë, domosdoshmërisht, sjell
kohën kur njerëzit, që përbëjnë shumicën, do të donin
të ishin si në vitin 1991, me opozitën që pritej të
vinte sa më shpejt në pushtet, për vënien në jetë të
platformës së tyre në shërbim të njerëzve, shoqërisë,
interesave të kombit dhe të integrimit në Evropë, duke
larguar sa më parë nga skena politike njerëzit e
ardhur në pushtet me manipulime, vjedhje të votave apo
me presione dhe forma të tjera të pandershme, të cilët
e mendojnë pushtetin e shtetit të fituar nga
kallashnikovët, si të përjetshëm e më të rëndësishëm
se liria e individit dhe fatet e kombit.

Gjenevë, 12.01.2005

Botuar më datë 05.02,2005 në gazetën "Metropol"