Një jetë e shkrirë për shqiptarizëm



Në 55-vjetorin e lindjes së poetit Baki Ymeri-në vend të një urimi



Me poetin, përkthyesin dhe publicistin Baki Ymeri, njihem dhe bashkëpunoj prej rreth 10 vjetësh. Poeti nuk ka pranuar të vendoset në Bukuresht për të harruar origjinën e tij, por qëndrimin e gjatë në këtë vend e ka shfrytëzuar për të kryer punë fisnike dhe të dobishme për të mirën e kujtesës sonë kombëtare. Aktualisht është sekretar i përgjithshëm i gazetës “Albanezul/Shqiptari”(organ i Bashkësisë së Shqiptarëve të Rumanisë, i themeluar nga Nikolla Naço më 1888). Fakti që ai jetën e tij e ndan mes Shipkovicës dhe Bukureshtit, evenimentet e rëndësishme të jetës së tij kalojnë si pavënë re nga ana e miqve dhe dashamirësve të tij. Ndaj e ndiej si detyrim, që në cilësinë e bashkëpunëtorit dhe të njeriut që ndajmë të njëjtat preokupime në kryeqytetin e Rumanisë, të sjell në vemendjen e lexuesit veprimtarinë e këtij shqiptari që nuk rresht qysh prej 33 vjetësh të kontribuojë në fushën e poezisë, publiçistikës, përkthimeve artistike etj.

Zëri i tij është i pranishëm në gjithë hapësirat shqiptare, ngase e ka tejet të zhvilluar ndjenjën qytetare të atdhetarizmit, dhe është një gazetar aktiv që reaksionon për probleme të ndryshme që lidhen me kulturën tonë, me politikat ballkanike, e më gjërë. Gjatë gjithë kësaj kohe poeti Baki Ymeri nuk ka rreshtur së mbledhuri gjithçka që mund të konsiderohet e rëndësishme nga aktivitetet e kryera nga shoqëritë shqiptare në Rumani. Banesa e tij ka filluar të shfrytyrohet duke marrë pamjen e një arkivi me vlera për gjithë shoqërinë shqiptare, sepse atje fshihet historia jonë. Garsionira, ku banon poeti, në katin e 10 të një pallati në “Compozitorilor”, në vend të mureve tashmë ka vetëm libra, dorëshkrime të vjetra, fotografi dhe objekte-të mbledhura me një pasion dhe përkushtim gjatë viteve që Bakiu jeton në Bukuresht. Gazetat e para të botuara në Bukuresht dhe Konstancë qysh në fund të shekulli XIX, letërkëmbime të rilindasve tanë, vlerat e Naços, Faik Konicës, Ibrahim Temos, fotografi të epokës etj.

Të ndara në dosje e të arkivuara në rafte specialë, të vendosura sipas kriterit kronologjik apo rëndësisë së tyre, rradhitet historia e shqiptarëve të Rumanisë. Baki Ymeri përbën një model jetësor që t’i përkujton modelet e Rilindjes Kombëtare, një jetë e martirizuar për një ideal të lartë. Do të përmëndja këtu ndihmesën e posaçme që ka luajtur për sensibilizimin e problemit të Kosovës në veri të Danubit, veçanërisht përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në kohën kur Kosova kishte më tepër nevojë se sa kurrë (1989-1999). Baki Ymeri, përpos ndihmesës që ka sjellë në publiçistikën shqiptare, ai ka sjellë një kontribut të posaçëm për zhvillimin e shtypit shqiptar të komunitetit të shqiptarëve të Rumanisë, por ka sjellë dhe një kontribut të veçantë për njohjen e letërsisë shqiptare në Rumani. Është njëri ndër redaktorët dhe shpërndarësit e parë të revistës "Shqiptari", themelues i Shoqatës së Miqësisë Rumuno-Shqiptare, bashkëpunëtor aktiv i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë.

Bakiu i ndërlidh shqiptarët e Bukureshtit me diasporën shqiptare të Italisë dhe Zvicrës, Suedisë dhe Filadelfias, Arizonës dhe Australisë, me Shoqatën e Miqësisë Gjermano-Shqiptare në Gjermani, me artistë të njohur në Vjenë etj. Baki Ymeri është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, doktorant i Universitetit të Bukureshtit, veprimtar i një varg shoqatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, zbulues fondesh albanistike në diasporë, autor i një varg veprash poetike (origjinale e të përkthyera), autori i një sërë librash dhe artikujsh mbi diasporën shqiptare, misionar i kulturës shqiptare në botë, "një shpirt i frymëzuar ndërmjet dy kulturave" (sipas Marin Soreskut), shqiptari që e zbardhon mahnitjen e gjuhës rumune, Bakiu është shqiptari që ia përkushton tërë jetën afirmimit të kombit shqiptar, malësor i Sharrit dhe banor i Bukureshtit, të cilin vlen ta urosh në moshën e bukur të 55-vjetorit të tij.
(Luan TOPÇIU, Bukuresht)





VitoreStefaLeka