Valentina Duka
Shqipëri

Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919–1920)

Në kuadër të përpjekjeve dhe të luftës në shumë drejtime të shqiptarëve për bashkim e çlirim kombëtar, kleri katolik ka një rol të veçantë. Duke qenë historikisht një lidhëz e fuqishme midis Shqipërisë dhe botës perëndimore, si dhe një përcjellës i frymës së Perëndimit në mesin e shqiptarëve, përfaqësuesit eminentë të bashkësisë katolike kanë qenë ndërkohë edhe kontribues kryesorë për ruajtjen dhe zhvillimin e vetëdijes kombëtare të popullit të vet. Përpjekjet e tyre për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare gjatë shekujve XVII–XVIII u intensifikuan më tej gjatë fazës së Rilindjes, kohë kur figura të shquara nga radhët e klerit katolik, si: Atë Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Preng Doçi, etj., jo vetëm me prodhimtarinë e tyre letrare, por edhe me veprimtarinë e tyre politike e kulturore, u bënë pjesë e rëndësishme e luftës së popullit shqiptar për shkëputjen nga sundimi osman dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Themelimi i shtetit të pavarur shqiptar, i cili, edhe pse mbulonte më pak se gjysmën e kombit, kishte rëndësi të madhe në historinë e shqiptarëve. Megjithatë, nën peshën e ngjarjeve dramatike që shoqëruan shpalljen e pavarësisë, siç ishte rebelimi fanatik në Shqipërinë e Mesme dhe Lufta I Botërore, shteti shqiptar i sapokrijuar pushoi së ekzistuari.

Në këto kushte, do të ishin tryezat diplomatike të Konferencës së Paqes së Parisit, të mbajtur në vitet 1919–1920, ato që do të vendosnin fatin e mëtejshëm të Shqipërisë: nëse do të rimëkëmbej ajo si vend i pavarur, qoftë edhe ashtu e copëtuar sipas skemës së vendosur në Konferencën e Londrës më 1913, apo do të zhdukej nga harta politike e Ballkanit.

Sigurimi i një vendimi pozitiv, në rastin më të mirë, në favor të njohjes së një shteti të pavarur shqiptar në kufijtë e Shqipërisë etnike, dhe në rastin më të keq, në favor të ruajtjes së shtetit shqiptar në kufijtë e sanksionuar më 1913, u bë boshti i përpjekjeve të përfaqësuesve të segmenteve kryesore politike të shoqërisë shqiptare të kohës.

Pikën kulmore lëvizja e lartpërmendur e arriti në dhjetor të 1918-s, kur Kongresi i Durrësit që bashkoi 50 delegatë nga pothuajse e gjithë Shqipëria politike (me përjashtim të Korçës dhe të Vlorës), konkludoi me formimin e qeverisë së Durrësit, fillimisht miqësore me Italinë, dhe që shpresonte të siguronte bashkimin e shqiptarëve dhe të trojeve të tyre në Ballkan gjatë muajve vendimtarë të Konferencës së Paqes në Paris. Kjo qeveri u kryesua nga Turhan pashë Përmeti dhe reflektonte në përbërjen e saj tërë spektrin fetar të shoqërisë shqiptare.

Që në fillim të krijimit, detyra më e ngutshme me të cilën u përball kjo qeveri, ishte caktimi i delegacionit që do ta përfaqësonte zyrtarisht atë në Konferencën e Paqës, ku de facto ndodhej "Qeveria e Botës"(World government), si dhe përgatitja e memorandumeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare drejtuar Fuqive të Mëdha.

Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mithat Frashërin dhe Mihal Turtullin, por, pas këshillave të dhëna nga Sonino (Ministër i Jashtëm i qeverisë italiane), që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme, Kryeministri shqiptar pranoi t'i bashkangjisë delegacionit zyrtar shqiptar edhe Monsinjor Luigj Bumçin, ipeshkëv i Lezhës dhe ministër pa portofol në qeverinë e Durrësit, si përfaqësues i Shqipërisë së Veriut, si dhe Mustafa Krujën, ministër i post–telegrafive, si përfaqësues të Shqipërisë së Mesme.

Turhan pashë Përmeti dhe Mehmet Konica u nisën për në Paris më 4 shkurt 1919, ndërsa pjesa tjetër e delegacionit arriti në Paris në fillim të prillit 1919.

Qeveria italiane u përpoq me të gjitha mënyrat për të vendosur kontrollin e vet mbi delegacionin zyrtar shqiptar duke i dhënë edhe fonde për periudhën e qëndrimit të tij në Paris, fakt që përmendet nëpër arkivat italiane, por që nuk është pranuar kurrë nga vetë protagonistët. Megjithatë, Italia nuk arriti të vendosë në shërbim të saj delegacionin zyrtar shqiptar, kur ishte fjala për aneksimin e Vlorës prej saj, si dhe vendosjen e protektoratit italian mbi Shqipërinë.

Një rol të rëndësishëm në përvijimin e qëndrimit të delegacionit zyrtar shqiptar në Paris luajtën dy figura të rëndësishme nga radhët e klerit katolik shqiptar, Imzot Luigj Bumçi dhe Atë Gjergj Fishta. Që në fillim të mbërritjes në Paris të delegacioneve shqiptare, ku përveç atij zyrtar, kishte edhe përfaqësues të shqiptarëve të Amerikës, Rumanisë, Turqisë, Kosovës, etj., u evidentuan qëndrime të ndryshme në radhët e tyre përsa i përket zgjidhjes së çështjes shqiptare. Pasi e panë që sigurimi i një shteti të pavarur shqiptar në kufijtë e Shqipërisë etnike ishte i pamundur, përfaqësuesit e shqiptarëve në Paris, nëpërmjet memorandumeve të tyre, këmbëngulnin të siguronin, të paktën, kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913. Gjithashtu, frika e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë politike të konturuar në Londër më 1913, si dhe vendosja e këtij shteti të copëtuar nën mandatin italian, solli ndarjen e përfaqësuesve shqiptarë në shumë grupime: disa kërkonin vendosjen e shtetit shqiptar nën mandatin amerikan; të tjerë ishin për mandatin italian; një grup tjetër kërkonte rikthimin e princ Widit, në një kohë që kishte edhe syresh që ishin për rikthimin e Esat Toptanit.

Rritja e revoltave antiitaliane në Shqipëri, kritikat e ashpra në shtypin shqiptar të kohës për Turhan Pashën dhe etiketimi i tij si filoitalian, bënë që, me vendim të qeverisë së Durrësit, në qershor të vitit 1919, ai të zëvëndësohet si kryetar i delegacionit zyrtar shqiptar, me Imzot Luigj Bumçin. Qëndrimi i këtij të fundit deri në këtë kohë kishte qenë më i moderuar, por, meqënëse ishte katolik, ky ndryshim përsëri u mirëprit nga Italia. Roli i Imzot Bumçit në zgjidhjen e çështjes shqiptare, pas marrjes së detyrës së kryetarit të delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, rritet së tepërmi. Që në fillim të detyrës së re, Luigj Bumçi, me cilësinë e Kryetarit të delegacionit shqiptar në Paris, protestoi tek presidenti Willson për krimet e kryera nga serbët mbi popullsinë e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë. Ai i dërgoi atij listën e viktimave në zonën e Rugovës dhe kërkonte që trupat amerikane të futeshin në këtë zonë.

Nuk kishte kaluar më shumë se një muaj që Luigj Bumçi ishte bërë kryetar i delegacionit të qeverisë së Durrësit në Paris, kur nënshkruhet më 29 korrik 1919 marrëveshja Titoni – Venizellos (Itali-Greqi), sipas së cilës, Roma do të mbështeste në Konferencën e Paqes kërkesën greke për aneksimin e Korçës dhe të Gjirokastrës, ndërsa Greqia njihte aneksimin italian të Vlorës si dhe mandatin italian mbi shtetin e cunguar shqiptar.

Një vendim i tillë u prit me shqetësim të madh në radhët e delegacionit shqiptar në Paris. L. Bumçi, për të diskutuar këtë problem, u takua personalisht me ministrin e jashtëm italian në Paris, më 26 tetor 1919. "Masi jam zgedhë kryetari i Dërgatës shqiptare, interesa e Shqipnisë na ka pru te ju, e në mënyrë të posaçme kishim me dëshirue me dijt ndoj send përmi marrëveshje t'uej me Zotin Venizellos,mas të cilës marrëveshje dy provinca të Shqipnisë, Korça e Gjirokastra, do të kalojshin në Greqi", i drejtohet Bumçi Ministrit të Jashtëm italian. Por diplomati italian përgjigjet se marrëveshja "Tittoni-Venizelos" nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe dhe se zbatimi i saj varej dhe nga shumë rrethana të tjera, përgjigje kjo që nuk e kënaqi shumë kryedelegatin shqiptar.

Gjithashtu, Imzot Bumçi u takua në tetor të 1919 edhe me ministrin e Jashtëm të Francës, S. Pichon, me kryetarin e përkohshëm të delegacionit amerikan, White (Uait) si dhe me përfaqësues të delegacionit anglez (së bashku me L. Gurakuqin dhe M. Konicën), të cilëve iu kërkua të përdornin autoritetin e tyre në të mirë të çështjes shqiptare.

Rreziku i madh i copëtimit të vendit, e detyroi delegacionin e qeverisë së Durrësit, që të dërgonte kryetarin e vet L. Bumçi në Vatikan, për të takuar personalisht Papa Benediktin XV, të cilit, në emër të shqiptarëve, t'i kërkonte të përdorte autoritetin e vet në mbrojtje të krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës nga aneksimi grek, me qëllim që krahinat në fjalë t'i mbeteshin Shqipërisë. Në këto kushte, më 26 dhjetor 1919, Luigj Bumçi niset për në Vatikan ku arriti më 29 dhjetor 1919.

Në ditët e para të janarit kryedelegati shqiptar u takua me Papën, të cilit iu drejtua me këto fjalë: "Tesh pra Shejtni, të gjithë misat (anëtarët – V. D.) e Dërgatës shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslymane, më kanë çue këtu përpara Shejtnis s'Uej e të gjith për një gojë U luten qi me fuqin t'Uej morale e me influencën e madhe që keni në botën mbarë, të na jepni ndihmën t'Uej të vlefshme si ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë (shpëtojnë – V.D.) dy provincat shqiptare, Korça e Gjirokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos".

Papa Benedikti XV, pasi e sqaroi ipeshkvin shqiptar se nuk mund të ndërhynte pranë qeverisë së Italisë dhe Francës, sepse marrëdhëniet e Vatikanit me këto qeveri nuk ishin të mira, i premtoi atij se do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve do t'u kërkonte të qëndronin në krah të popullit shqiptar. Ishte influenca e këtij takimi që grupi katolik në parlamentin italian t'i kërkonte Francesco Nitti-t (kryeministër italian i asaj kohe), që Italia të përpiqej me të gjitha mënyrat për të mos shkaktuar copëtimin e Shqipërisë.

Gjithashtu, më 5 shkurt 1920, Imzot Bumçi shkoi në Belgjikë për të takuar kardinalin e atjeshëm Mercier për të biseduar me të për problemet e shqiptarëve.

Duke parë se në të gjitha memorandumet që Fuqitë e Mëdha kishin përgatitur dhe diskutuar në Konferencën e Paqes, ato mbështesnin mandatin italian mbi shtetin shqiptar, delegacioni i Qeverisë së Durrësit, nën udhëheqjen e Imzot Bumçit, në mbledhjen e vet të datës 9 dhjetor 1919, ku, në cilësinë e sekretarit të delegacionit, asistonte edhe Atë Gjergj Fishta, vendosi t'u dërgonte një memorandum Fuqive të Mëdha, për t'u kërkuar atyre vendosjen në krye të shtetit shqiptar të një princi italian nga familja mbretërore e Savojës, për të mënjanuar kështu mandatin real italian mbi Shqipërinë. Ndërsa në mars të vitit 1920, Imzot Bumçi dhe Mihal Turtulli, me cilësinë tani edhe të anëtarëve të Këshillit të Lartë të zgjedhur në Kongresin e Lushnjës (mbajtur në fund të Janarit 1920), shkuan në Londër për të tërhequr përkrahjen e Mbretërisë së Bashkuar për çështjen shqiptare.

Në kryeqytetin britanik, përveç Herbert-it (kryetar i shoqatës së miqësisë Britani–Shqipëri) dhe Miss Durham-it (mikeshë e deklaruar e shqiptarëve), delegacioni shqiptar u takua edhe me Filip Kerr (Sekretar i Ministrit të Jashtëm anglez) dhe Leeper (ekspert për çështjet ballkanike pranë delegacionit anglez në Paris), etj.

Sipas një raporti të shkurtër, që Imzot Bumçi i dërgonte Tiranës, del se nga takimet e shumta të kryera prej tij në Londër, kishte mësuar në radhë të parë opinionet e politikanëve britanikë për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Ja si shkruante ai midis të tjerash: "puna që na ka sjellë dam ma të madh asht mendimi se shqyptarët nuk janë në një mendim dhe se nuk mirren vesht në mes të tyne. Si këtu (në Paris – V. D.), po ma tepër në Londër, muerëm vesh se shumë prej shqyptarëve kanë kërkue nga Konferenca Greqinë, Italinë a Jugosllavinë." Në këto rrethana, shkruan Imzot Bumçi, jam ballafaquar me një mendim të kristalizuar mirë, fatkeqësisht, në radhët e vendimmarrësve evropianë se shqiptarët nuk kishin aftësi të vetëqeveriseshin. Por, duke qenë se ishte e domosdoshme të sigurohej mbështetja e kancelarive evropiane për të realizuar synimet në drejtim të zgjidhjes së çështjes kombëtare, Imzot Bumçi i porosiste: "Pikë së pari duhet pra të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njeni-tjetrin. Duhet të shuejmë hidhënimet e mëritë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e shokëve tanë e të mos ftohim e të mos ashpërsojmë mardhëniet ndërmjet Shqipëtarëve prej çdo krahinash e prej çdo fenash që të jenë. Për të mirën e atdheut duhet sot që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerëve. Udha politike tjetër që duhet të mbajmë asht këjo: Të mundohemi të përfitojmë nga interesat kundërshtare të njenit e tjetrit e të përpiqemi të fitojmë besimin e miqve e nderimin e armiqve.

Puna dhe përpjekjet e Imzot Bumçit në krye të delegacionit zyrtar shqiptar për të mbrojtur çështjen kombëtare në Konferencën e Paqes së Parisit, veprimtaria e tij diplomatike plot maturi e vendosmëri, përbëjnë një kontribut të çmuar në njërin prej çasteve më delikate të historisë së popullit shqiptar, duke treguar edhe një herë se pjesëtarët e klerit katolik shqiptar, personalitetet e shquara nga radhët e tij, siç ishte edhe vetë Imzot Bumçi, vijuan t'i shërbenin kombit të tyre me po atë seriozitet e përkushtim që i kishin shërbyer ndër shekuj të parët e tyre. Edhe pse aspirata e Imzot Bumçit dhe e atdhetarëve të tjerë shqiptarë për një Shqipëri tërësore dhe të bashkuar brenda kufijve të saj etnikë nuk u përmbush, Konferenca e Paqes e Parisit, nën ndikimin përcaktues të presidentit amerikan të kohës, Wilson, të paktën, nuk lejoi zhdukjen nga harta politike e Ballkanit të shtetit shqiptar.