Postuar më parë nga
Mesnata
Lumturia e ardhur nga një burrë është më e mundshmja për t'u rrëzuar. Por më e ëndërruara, dhe jetëshkurtër dhe zhgënjyese. A thua në vetë jemi të prirur drejt rrëzimit?
Të tilla lumturi banojnë shumë lart, e kanë shtëpinë mbi re. Zot na ruaj prej rrufeve.
Nuk ka më asgjë përtej së sotmës. E ndjej! Asnjë ëndërr, asnjë parandjenjë...
E kam flakur heroin imagjinuar dhe e zakonshmja është kaq pak për të më mbushur gjithë zbrazëtinë që ka mbetur në vendin ku rrinte ai. (Nganjëher më duket sikur është ende). Shpesh më mungon, është si të të marrë malli për dikë që s'ishte asnjëherë i pranishëm. E di! Në këtë gjendje, ndjesi të vagullta kimike më rrinë si tym në fund të shpirtit e herë-herë më rrëmben si dikur nga dallga e nostalgjisë. Është tërheqja kimike që ndodhë mes dy shpirtrave pavetëdijshëm. Më vjen rëndë nga vetja që ende shfaq të tilla dobësi, e mposhtur nga sentimentalizma të pajustifikueshëm. S'e fsheh dot frikën e lajthitjeve të ngjizura në përkohësinë e ikjes. Nganjëherë më duket se nuk do mund të bëj pa to.
Kujtoj shpesh njohjen. Si një çast të vetëm që s'mund të përsëritet më. Aty ku nisi fillimi i një lumturie të palumtur, me intervale të përkohshme. Ishte nisja e ikjes prej të zakonshmës. Pat' një supersticion dhe guxova të ndërtoj një tjetër jetë me personazhe të trilluara. Qysh atëher pata filluar të vuaj për gjërat që ende s'kishin filluar të ndodhnin!!!
Provova të kënaqem me aq sa më ipet por më vonë pata egon për të kërkuar më shumë. S'e di çfarë ma dha këtë të drejtë. Ndoshta ajo çfarë fillova të ndjej fuqishëm për të. Më vonë m'u desh të përplasesha me të pazakontën indiferencë dhe beteja të paqena në një histori dashurie që pafajësisht më ekzistonte në imagjinatë. Gjithçka vijonte si sforcim drejt së pamundurës. Tek unë mbytej çdo tentativë për tjetër hero të trilluar në imagjinatën time.
Është ende kështu...!
Ai thoshte se i ripërtrinte personazhet në jetën e tij. Unë dashur pa dashur duhej të liroja radhën edhe pse ngulmonte se nuk i flakte të vjetrit.
Unë isha pjestimi i tij i radhës e ndoshta duhej të luftoja për të poseduar ''copën time'' ime. Ai, pranonte pjesë të ardhura, copë-copë. Por unë desha një të tërë.
********
Dy javë më vonë:
Kam filluar të mendoj se si më vonë ai mund të bëhet një burrë i zakonshëm që s'të lëshon pikë emocioni kur e sheh. Si një objekt i shkuar i një dëshire të krisur. Trup që ka mbetur i palëvizshëm në pritje të gjërave perverse.
Dashuria është kërcnim, s'është në modë për burrat. Ata duan gjëra të lehta, të shpejta, si të mos jenë.
Por dashuria s'mund të vidhet, as merret me forcë.
Sa më kanë vrarë heshtjet e tij zemërake kur jepja dashuri e merrja indiferencë. Po. S'ia merrja dot me forcë, por as me lutje. Sa e kam dashur një dashuri të vërtet, sa do e shkurtër, sa do keq të përfundonte veç të ishte e vërtetë. Kisha të drejtën e zgjedhjes, por nuk dita të zgjedhë.
Kështu çmendet njeriu! Ti dyshon për ndonjë shenjë të tillë, shfaqur tek unë?!
Më thuaj sa histori të tilla ke ndëgjuar? Besoj se nuk kam pak shoqe.
Dy javë më pas:
Jam vetëm, e rrethuar mes njerëzve. Por nuk dal të kërkoj biseda që të ma mbushin zbrazëtinë. Veç hesht. Nuk dua të flas e as të njoh njeri . Punë e madhe se të tjerët më shohin me çudi. Nuk më pëlqen t'u kthej përgjegje. As dorën nuk ua zgjas kur rastësisht i ndesh të panjohurit, as të njohurit e mi, as dua t'i përshëndes.
Nganjëherë edhe më vjen keq. Kam frikë mos jam kthyer në njeri të ftohtë e do mbetëm e tillë. Por unë në thelb nuk jam kjo. Ndoshta është thjesht një përkohësi.
A thamë se gjërat dhe ngjarjet janë të përkohshme?!
E mban mend maninë time për t'u folur të gjithë njerëzve që ndeshja çdo ditë? Ndiqja rrugën e tyre. Tani bëj tjetër gjë. Një dhunti që mund ta zbulonte papritmas çdo kush tjetër po të ishte në vendin tim. Kam aftësinë të dalloj gjithë të dashuruarit që rendin të dëshpruar përditëve të tyre në rrugë, hipur në autobusa urban, në stacione pritjesh pafundme, tek shohin vazhdimisht orën, dyqanet e restorantet. I njoh të dashuruarit, të përvuajturit, ndryshojnë nga të tjerët, ( ata ''të tjerët'' janë të paktë në numër, oh sa të paktë...)
Një vit më parë nuk dija ta dalloja një gjë të tillë. Tani i shquaj me një vështrim, pa u lodhur fare. Janë të hutuar, ecin, e flasin me veten, harrojnë çantat nëpër urbanë, paguajnë dy herë biletën. Ata që udhëtojnë me makinat e tyre marrin çdo ditë gjoba nga policët prej pakujdesisë. Ndalojnë në stacione të gabuara dhe në dorë mbajnë fort e shtrënguar celularin, të varur nga ai, në pritje të ndonjë telefonate a sms-e. Të gjitha këto janë shenja që i njoh mirë. Ata nuk e dinë se dikush tjetër është i aftë t'i zbulojë. Për ta, të tjerët janë të verbër, të paaftë, mjeranë dhe të padukshëm...
Mesnata 15.12.04
vazhdon.........
Krijoni Kontakt