Droga e parë u soll nga OJF islamike. Mbështetja e grupeve perëndimore forcoi shqiptarët.
Krimi i organizuar dhe e ashtuquajtura “mafia” shqiptare është ngritur mbi lidhjet e gjakut dhe ato miqësore. “Filizat” e para të këtij krimi datojnë në vitet 1992, fill pas hyrjes së shoqatave të huaja dhe OJQ-ve islamike me intensitet në vendin tonë. Ky është studimi më i fundit i bërë nga një grup specialistësh kundër krimit të organizuar, të mbledhur nga disa institucione ligjzbatuese në vend.
Këta specialistë kanë kaluar në “skaner” jetën e krimit në Shqipëri, kryesisht organizimin e grupeve kriminale. Ky studim, i mbështetur në të dhëna konkrete të regjistruara në arkivat e disa ministrive, tashmë ka kaluar edhe në duart e krerëve të vendit. Ajo që bie në sy në këtë studim është dhe mbështetja e sindikatave shqiptare të drogës nga segmente të shoqërisë “VIP” dhe të disa elitarëve të politikës, gjë që vështirëson goditjen e këtij krimi të organizuar, për të cilin pak ditë më parë në Bruksel u kërkua nga Shqipëria një angazhim më i madh.
Si lindi “mafia” shqiptare
“Gjithçka ka nisur në vitin 1992, kur ka qënë dhe viti i vendosjes së shoqatave të huaja dhe OJQ-ve nga vendet orientale e islamike në Shqipëri”. Kështu thuhet në studim, për fillesat e themelimit të grupeve kriminale aspak me përvojë, në vendin tonë. Grupi i specialistëve që njohin mirë fushën e trafiqeve të paligjshme, e kryesisht atë të drogës, vë në dukje se gjatë viteve 1994-1995, në vendin tonë nuk ka patur grupe të instaluara e të mirëfillta për trafikun e lëndëve narkotike. “Transporti dhe shpërndarja e drogave nëpërmjet vendit tonë, ka qënë eskluzivitet i kriminelëve ordinerë”,-thuhet në studim. Teknikat kanë qënë të vjedhura nga vendet e tjera të rajonit. Droga vinte e paketuar në 2-4 kilogramë dhe me cilësi jo të mirë, nga vendet orientale dhe nga Turqia. Asokohe, grupet kriminale shqiptare nuk ishin të pasura dhe në këmbim u premtonin grupeve të huaja trafikimin pa pagesë të klandestinëve, kryesisht kurdëve. “Malli” nuk merrej me para të thata në dorë, por në këmbim të trafikimit me mjete lundruese të emigrantëve të Lindjes drejt Perëndimit. Por kjo tregti primitive do të zgjaste vetëm dy vjet. Rreth vitit 1996, kur rritet dhe ekonomia vendase, sipas specialistëve të Rendit që kanë bërë studimin, grupet shqiptare fillojnë të blejnë drogën me para në dorë. Arsyeja ishte fare e thjeshtë. Ishin gjetur mjetet dhe teknikat e transportimit të drogës drejt Perëndimit nga grupet kriminale shqiptare, të cilët kishin gjetur mbështetjen e homologëve të tyre perëndimorë. Bliheshin mjetet motorike që shërbenin për transport klandestinësh dhe lëndësh narkotike, kryesisht heroinës dhe marihuanës që vinte nga Lindja e Largët. Ndërsa trafiku i kokainës , sipas specialistëve të antidrogës, mbetet ekskluzivitet i kolumbianëve dhe në Shqipëri, fundi i këtij trafiku shënohet me goditjen e grupit “Kokaina”.
Si u forcua mafia shqiptare
Vitet 1996-1997 konsiderohen si periudha e lulëzimit të grupeve të krimit të organizuar me “trung” shqiptar. “Pozita e vendit tonë dhe kushtet social-politike ishin shkaqet kryesore të këtij përparimi të grupeve kriminale shqiptare”,- thuhet në këtë studim të specialistëve të policisë. Mosfunksionimi i strukturave përkatëse të policisë dhe shtetit krijonin hapësira për veprim të grupeve kriminale. Por dhe rritja e suportit nga grupet perëndimore dhe ato të rajonit, që kishin interes në trafikun e narkotikëve dhe të njerëzve, cilësohet si shkak për forcimin e grupeve shqiptare. Grupet e huaja kishin nevojën e homologëve shqiptarë, për shkak se vendi ynë ishte një “portë parajse” për ta, në kushtet e mungesës totale të forcës së shtetit. Pavarësia e grupeve shqiptare ka ardhur si pasojë e fuqizimit ekonomik të tyre dhe krijimi i mundësive për ta menaxhuar vetë trafikun, pa qënë nevoja e ndërhyrjeve. Në këtë mënyrë grupet e huaja janë detyruar të bëjnë aleanca me shqiptarët, që nisën të kontrollojnë dhe territoret e vendeve fqinje.
Krijoni Kontakt