Panorama e CIA-s për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën në 1975.
Trazirat në Shqipëri.
Udhëheqësi i partisë shqiptare Enver Hoxha, po vazhdon dukshëm sulmet e tij mbi intelektualët dhe zyrtarët e kombit. Mahmut Bakalli, presidenti i Ligës Komuniste të Kosovës (provinca jugosllave, fqinje me Shqipërinë), tha se kishin ndodhur “përmbysje të tmerrshme politike në front të gjerë në Shqipëri”. Bakalli tha se sulmet mbi intelektualët ishin rrjedhojë e frikës së Hoxhës për tendenca pro sovjetike mes disa zyrtarëve në Tiranë dhe gjithashtu, tha se tronditja vazhdonte në qeveri dhe në sferat ekonomike. Raportet mbi spastrimin e disa prej zyrtarëve kryesorë shqiptarë gjatë verës së shkuar, tani janë shfaqur në shtypin perëndimor. Heshtja e Tiranës ndaj të huajve i lë qëllimet e saj të hapura ndaj spekullimeve, por duket qartë që me siguri ato (qëllimet) shkojnë pas në kohë, në spastrimin e ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku në verën e 1974-ës. Largimi i tij ndodhi në një kohë kur ishin të dukshme shenjat e përleshjes ndërmjet atyre njerëzve në parti që mbështesnin një politikë të ashpër në çështjet e brendshme dhe të jashtme dhe atyre që ishin për një pozicion më reformator. Bakalli dukej i bindur se spastrimet e kësaj vere buronin nga një konflikt rreth planifikimit ekonomik dhe tregtisë së huaj. Dy nga zyrtarët e spastruar ishin ministri dhe zëvendësministri i Tregtisë, por ende nuk ka zëra për ndonjë zëvendësim. Bakalli tha se nevoja e Tiranës për kapital do ta detyrojë atë të kthehet më shumë nga Perëndimi, por deri më tani nuk ka shenja që Hoxha është i interesuar për diçka të tillë. Ndërkohë, Hoxha dhe mbështetësit e tij vazhdojnë të mbajnë vijën e ashpër të Tiranës në botën komuniste, si dhe opozitën e tij të paepur ndaj çdo forme bashkëpunimi me Moskën.
Krijoni Kontakt