Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    HUNDLESH Maska e altin55
    Anëtarësuar
    01-02-2003
    Vendndodhja
    Vlore Al
    Postime
    1,324

    Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare

    Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare



    Kreu i fundit i librit na njeh me ca të dhëna tepër interesante për qëndrimin e diasporës shqiptare ndaj çështjes kombëtare shqiptare dhe aktivitetin e saj kundër lobit shovinist grek në SHBA dhe gjetiu. Nga materialet burimore del se çfarë tragjizmi ka përjetuar diaspora shqiptare, e cila, në përpjekjet e saj të pareshtura në mbrojtje të interesave tona kombëtare, ka qenë e infektuar rëndë nga fara e përçarjes që mbillte kohë me kohë në radhët e saj shteti komunist shqiptar me veglat e tij të shërbimit sekret. Në mënyrë të veçantë armiqësor ka qenë qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj emigracionit politik shqiptar, paçka se ky i fundit përballej me egërsinë e lobit shovinit grek dhe luftonte me të gjitha forcat në mbrojtje të interesave tona mbarëkombëtare. Madje shteti shqiptar, çuditërisht, aktivitetin e vet kundër propagandës “vorio-epirote” e shoqëronte “me sulmin kundër emigracionit politik shqiptar, megjithëse organizatat kryesore të tij, si Balli Kombëtar, Legaliteti etj. vazhdonin të konfrontoheshin ashpër me aktivitetin antishqiptar të emigracionit grek. Këtë fakt e pranonte edhe misioni i Shqipërisë në Nju-Jork” (f.368). Në një informacion që i dërgonte Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme më 16 qershor 1989 ky mision theksonte: “Është fakt se deri më sot në asnjë rast nuk është evidentuar përputhje e bashkërendim i veprimtarisë propagandistike të rretheve të mërgatës politike shqiptare me atë të organizatës “vorio-epirote”. Por në të kundërt, ata janë konfrontuar ashpër me të dhe, më larg akoma, propaganda e tyre vazhdon t’i bjerë këmbanës për marrjen e Çamërisë dhe të Kosovës, duke kundërshtuar planet shoviniste të qarqeve greke” (f.394).

    Në dallim nga diaspora e përçarë shqiptare, diaspora greke, sidomos lobi shovinist grek në SHBA, ka qenë dhe është një mbështetje e fuqishme e shtetit dhe e diplomacisë shoviniste greke në politikën ë tyre armiqësore që kanë projektuar për copëtimin e trojeve shqiptare që prej vitit 1844 dhe që vazhdojnë ta ndjekin edhe sot e gjithë ditën po me të njëjtën egërsi dhe intensitet. Që prej vitit 1949 e deri në vitin 1990 regjistrohen gjithsej 51 aktivitete të gjera të lobit shovinist grek në SHBA, Argjentinë, Kanada dhe Australi, në përkrahje të politikës dhe të diplomacisë së shovinizmit grekomadh, për aneksimin e Shqipërisë së Jugut.

    Pra, shovinizmi grekomadh, në të gjitha strukturat ndihmëse të tij, shtetërore dhe joshtetërore, në të gjitha strukturat e tij fetare, madje në të gjitha qelizat e shoqërisë greke dhe në diasporë, ka krijuar një të tillë unitet shovinist në edukimin e urrejtjes kombëtare kundër kombit shqiptar, saqë shqiptarët e ndershëm, nacionalistë, në mbarë trojet e veta etnike, nuk e besojnë se do të vijë një ditë, kur matanë kufijve tanë jugorë do të kenë një fqinj korrekt në marrëdhëniet me kombin shqiptar, derisa nuk janë bashkuar trojet tona etnike në një shtet të unifikuar kombëtar.



    Urrejtja ndaj kombit shqiptar – themeli i politikës së ditës dhe i strategjisë së shovinizmit grekomadh



    Këtij vëllimi autori i ka vënë nëntitullin “Paqja e vështirë”. Kam bindjen se me shtetin shovinist grek nuk do të jemi kurrë në paqe, qoftë kjo edhe e vështirë. Për mendimin tim, paqja me grekët është e pamundur. Prandaj ka plotësisht të drejtë një miku im i nderuar nacionalist, i cili më thoshte para ca kohësh se me grekët mund të kemi vetëm armëpushim, por jo paqe, se shovinizmi grekomadh nuk e ka dashur dhe nuk do ta dojë kurrë paqen me kombin shqiptar!

    Siç e theksuam edhe më lart, në këtë vëllim autori analizon marrëdhëniet greko-shqiptare nga viti 1949 e deri në vitin 1990. Jam i bindur se ai do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër marrëdhëniet greko-shqiptare edhe pas vitit 1990 dhe, me siguri, përmes materialeve burimore, do të na njohë me të tjera fakte tronditëse nga sfera e veprimtarisë armiqësore të shtetit shovinist grek kundër Shqipërisë dhe kombit shqiptar gjatë periudhës së tranzicionit që po e përjetojmë kaq pafundësisht, jo vetm për mëkatet e rënda të klasës sonë politike, por edhe për disfatat e suksesshme që po na shkakton fqinjësia me Greqinë.

    Periudha pas vitit 1990 e deri tani është karakterizuar nga zhvillime tepër dramatike në marrëdhëniet greko-shqiptare. Shovinizmi grekomadh gjeti bash kohën më të përshtatshme për të shpërthyer tërë urrejtjen e vet kundër shqiptarëve. I bindur se tashmë kishte ardhur çasti më vendimtar për helenizimin pa luftë të viseve tona jugore apo edhe të krejt Shqipërisë, në dhjetor të vitit 1990, shteti shovinist grek i “hapi kat e kat” kufijtë me Shqipërinë për dyndjen e mijëra të rinjve shqiptarë, duke shfrytëzuar varfërinë e tyre të skajshme dhe duke shtruar si kusht kryesor për punësimin e tyre ndërrimin e emrave.

    Me kalimin e viteve, emigrantët shqiptarë ranë pre e racizmit të tërbuar grek, i cili u konkretizua me keqtrajtime shtazarake, me dëbime masive në kuadrin e operacioneve të fëlliqura me etiketën “Fshesa”, me dhunime të të drejtave të tyre, me vrasje të shumta, me të ashtuquajtura aksidente automobilistike, me demaskime dhe poshtërime publike nga mjetet e propagandës së shkruar dhe pamore për akuza të paqena (për krime të kryera nga emigrantë të tjerë, nga vende ortodokse), me nxitjen e histerisë dhe të urrejtjes kombëtare greke kundër tyre në veçanti dhe kundër kombit shqiptar në tërësi. Dhe të gjitha këto ngjarje të dhimbshme shpaloseshin në kuadrin e miqësisë së pështirë të shtetit shovinist grek me klasën politike shqiptare, e cila nuk e ngriti zërin as edhe një herë të vetme në mbrojtje të bashkatdhetarëve të vet nga barbaria greke. Përkundrazi, klasa jonë politike, që mban në ballë damkën e tradhtisë së interesave kombëtare, heshti në mënyrën më të turpshme, kur personalitetet më të larta të shtetit shovinist grek u shprehën haptazi kundër interesave të kombit shqiptar. Le të kujtojmë për një çast deklaratën antishqiptare të 14 korrikut 1993 të kryeministrit Micotaqis, deklaratën antishqiptare të 22 marsit 1999 të kryeministrit Simitis, i cili, dy ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, u shpreh: “Ne kemi deklaruar që në fillim se nuk do të marrim pjesë në asnjë operacion ushtarak”, ndërkohë që makina ushtarake serbe bënte kërdinë kundër popullsisë civile në Kosovë. Kurse më 4 maj 1999 ai foli edhe në parlamentin grek, ku tha: “Unë dyshoj në korrektësinë e bombardimeve të NATO-s, të cilat nuk kanë dhënë asnjë rezultat”. Le të kujtojmë, gjithashtu, deklaratën e Karamanlisit, kryetar i Demokracisë së Re (tani kryeministër), i cili, po më 4 maj 1999, tha: “Partia ime mbështet fuqimisht idenë e pandryshueshmërisë së kufijve, është plotësisht kundër krijimit të një shteti të pavarur kosovar dhe kërkojmë fuqimisht ndalimin e bombardimeve nga ana e NATO-s që po viktimizon jetë të pafajshme”. Për viktimat kosovare të terrorit serb Karamanlisit as që i bëhej vonë fare!

    Madje gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në Greqi organizoheshin demonstrata të fuqishme kundër SHBA. Në ato demonstrata shprehej përkrahja e plotë për kriminelët serbë që po bënin spastrimin etnik të Kosovës. Ishin të shumtë demonstruesit që bllokuan shinat e hekurudhës Selanik-Shkup, për të mos lejuar lëvizjen e trenave, të ngarkuar me amartime konvencionale të NATO-s për në Maqedoni, prej nga do të bëhej transportimi i tyre për në Kosovë, gjatë hyrjes së trupave të këmbësorisë. Të gjithë e mbajmë mend se me çfarë demonstratash të tërbuara antiamerikane u prit vizita e presidentit Klinton në Athinë. Asokohe nuk dëgjuam as edhe një lajm të vetëm, me të cilin të na bëhej e ditur, qoftë edhe për ndonjë grek të vetëm, që të mund të kishte pasur burrërinë dhe të ishte ngritur në mbrojtje të popullit kosovar! Në asnjë kanal TV nuk na zunë sytë, qoftë edhe ndonjë grup të vogël demonstruesish grekë, që të guxonte të protestonte kundër shovinizmit serbomadh dhe të ngrinte zërin në përkrahje të popullit kosovar! Asokohe do të ishte me të vërtetë paradoksale sikur vetëm nëpër mend ta shkoje një gjë të tillë.

    Madje në urrejtjen e tyre kundër shqiptarëve grekët kanë zbritur deri në të tilla nivele shëmtimi, saqë është e pamundur edhe të përfytyrohet. Kështu, në tërbimin që i kishte pushtuar kundër Anastas Kulluriotit ata arritën deri aty, saqë “në gjelltoret s’i jepnin të hajë me të hollat e tija… duke i thënë: s’shesim gjellë për ty, shqiptar i ndyrë (paloarvaniti)!” (Faik Konica, vëll. 3, f.65-66). Prandaj ka plotësisht të drejtë Konica kur thotë se “…urrejtja për grekët është rrënjosur aq shumë në zemrat e gjithë shqiptarëve të vërtetë… (vëll.4, f.277). Dhe më poshtë vazhdon: “…çdo gjë që t’i ketë bërë Italia Shqipërisë ka qenë e natyrës politike. Ndërsa ajo që i ka bërë Greqia Shqipërisë, më shumë se politike, ka qenë agresion ndaj shtëpive dhe nderit të familjes” (po aty).

    Pra, kur është fjala për të manifestuar urrejtjen kombëtare greke kundër kombit shqiptar, në Greqi vendoset një unitet me të vërtetë i hekurt mes të gjitha forcave politike, të të gjitha strukturave të shtetit shovinist grek, duke filluat që nga fëmijët e kopshtit e deri te kreu i shtetit, të të gjithë grekëve, që nga Athina e deri në diasporë në mbarë botën. Grekët duhen pasur zili për këtë unitet që kanë arritur të realizojnë, si unitet në vetvete, jo si unitet i së keqes, jo si unitet i urrejtjes për një komb tjetër, që s’ka asgjë të përbashkët me kodin moral të kombit tonë. Shovinizëm shqiptaromadh s’ka pas ekzistuar, që grekët dhe serbët të kishin arsye pse të na urrenin. Por ata kanë arritur të ndërtojnë një unitet unikal urrejtjeje për kombin shqiptar, çka përbën një rast të rrallë në historinë e marrëdhënieve mes kombeve. Sikur ne ta kishim urryer shovinizmin serbomadh dhe grekomadh po me këtë forcë uniteti, me siguri që trojet tona etnike sot do të ishin të bashkuar në një shtet të unifikuar kombëtar. Shqiptarët s’kanë ditur ta përvetësojnë mirë Shkencën e Urrejtjes për shovinizmin e fqinjëve, prandaj edhe sot shovinizmi evropian vazhdon t’i mbajë të hallakatur “kashtë e ****” nëpër pesë shtete të ndryshme të Evropës Juglindore. Dhe kështu do të vazhdojë t’i mbajë, në qoftë se shqiptarët nuk do të zgjohen nga gjumi i gjatë letargjik dhe t’i hyjnë me zell studimit të Shkencës së Urrejtjes për shovinizmin serbo-grek. Disa muaj pas agresionit gjerman kundër Bashkimit Sovjetik, Shollohovi shkroi një tregim shumë të bukur me titull “Shkenca e Urrejtjes” (Nauka Njenavisti)), i cili shërbeu si trakt nëpër të gjitha llogoret e Ushtrisë së Kuqe, përgjatë gjithë vijës së saj të frontit, që nga Deti Balltik deri në Detin e Zi. Ideja e tregimit i frymëzoi ushtarët e kuq të kryenin akte të pashembullta heroizmi gjatë Luftës së Madhe Patriotike. Shollohovi, me atë tregim, u jepte këtë frymëzim ushtarëve të kuq: që të fitosh mbi armikun gjerman, atë duhet të dish ta urresh, por, që të dish se si urrehet armiku, duhet të mësosh “Shkencën e Urrejtjes”.

    Kurse klasa jonë politike s’bëhet e gjallë kur qytetarin shqiptar Vasil Begolli, nga Korça, ushtarët grekë e dhunojnë, e poshtërojnë, duke i lëshuar qentë për ta masakruar, për të vetmen arsye se ai, në kërkim të djalit të tij 13-vjeçar, aksidentalisht ishte futur 50 m në thellësi të tokës greke (“Shekulli”, 26 mars 2004, f.3). Pse u sollën kësisoj ushtarët grekë me një qytetarë të thjeshtë shqiptar, i cili shkeli kufirin pa ndonjë qëllim të keq? Normalisht, ushtarët grekë mund ta arrestonin dhe ta çonin në postën e kufirit. Paskëtaj mund t’ua përcillnin organeve përkatëse, të cilat, në përputhje me legjislacionin grek për shkelësit e kufirit, mund ta gjobisnin ose ta burgosnin, duke vënë në dijeni edhe organet shqiptare të kufirit. Por jo! Ushtarët grekë nuk mund të vepronin në këtë mënyrë, se ata nuk i linte të qetë instinkti i urrejtjes për shqiptarët, se Shkencën e Urrejtjes për këta të fundit, të cilën ua kanë kultivuar në shpirt shovinizmi grekomadh dhe kisha shoviniste greke, ata e kanë studiuar shumë mirë.

    Klasa jonë politike mbetet pa gojë kur Nikolas Geixh, armik i betuar i kombit shqiptar, me porosi të heshtur të shtetit shovinist grek, vjen që nga Amerika dhe ditën për diell bën thirrje në Sarandë për tjetërsim të sipërfaqeve shtetërore nga ana e minoritarëve grekë (“Albania”, 4 prill 2004) dhe kur gjykata e Sarandës, me vendim nr. 568, datë 19.07.2004, të firmosur nga gjyqtari Rasim Doda, i zbaton në praktikë ato porosi! (“Albania”, 15 shtator 2004, f. 6-8). Klasa jonë politike hesht kur mëson se vetëm gjatë 9 muajve të parë të vitit 2004 nga Kapshtica janë kthyer kufomat e 20 emigrantëve shqiptarë (“Sot”, 22 shtator 2004). Asaj as që i intereson të dijë se kufomat e sa emigrantëve janë kthyer nga Greqia që prej fundit të dhjetorit të vitit 1990 e deri tani dhe sa emigrantë janë zhdukur pa nam e pa nishan nga shteti shovinist grek. Klasa jonë politike hesht kur kohët e fundit bëhet e ditur se 300 emigrantë vetëm në prefekturën e Elbasanit figurokan të zhdukur në Greqi dhe se shumica e tyre paskan përfunduar “me një plumb pas koke e të humbur nëpër humnera” (“Ballkan”, 14 tetor 2004 f.2). Klasa jonë politike heshti kur disa organe shtypi dhe mjete të komunikimit pamor më 22 prill 2004 njoftonin se Parlamenti Evropian (sigurisht, nën presionin e Greqisë) hodhi poshtë amendamentin për rifutjen e Korridorit 8 në listën e objekteve ndërtimore prioritare transevropiane (“Sot”, 22 prill 2004). Çuditërisht, atë ditë të 22 prillit, kur njoftohej për këtë vendim të gjëmshëm për ekonominë e vendit tonë, heshtja kishte pllakosur vetëm “Zërin e Popullit” dhe “Rilindjen Demokratike”. Madje “RD”-ja pikërisht atë ditë na paskësh zgjedhur si kryeartikull një njoftim për dëbimin e Nanos nga një restorant i Nju-Jorkut, ku ndodhej për një vizitë pune, meqenëse e paskëshin gjetur duke pirë duhan. “RD”-ja ngazëllente, sikur Nanoja të qenkësh kryeministër vetëm i socialistëve, jo i shqiptarëve të mbarë Shqipërisë, sikur dëbimi i tij nga ai restorant të mos përbënte një turp për mbarë shqiptarët!

    Klasa jonë politike heshti kur mësoi më 13 gusht 2004 për ndotjen e rëndë të ujërave të Jonit me derdhje të shumta nafte, solari dhe fekalesh, duke filluar nga Gjiri I Vlorës deri në Ksamil, ndotje kjo e shkaktuar nga anije greke. Qytetarë, të intervistuar nga TV “Klan” (14 gusht 2004) deklaruan se ndotja e bregdetit tonë bëhej nga Greqia për të sabotuar turizmin në Shqipëri. Shteti shqiptar, të cilin klasa jonë politike e ka kthyer në pronë të vetën, nuk dëshiron t’i mbrojë kufijtë e vet detar!. Për të larguar sadopak erën e rëndë të skandalit të ndotjes së bregdetit të Jonit nga anije greke, më 18 gusht u sajua incidenti me helikopterin italian mbi fshatin Lazarat. Duhej tërhequr vëmendja e opinionit publik shqiptar mbi diçka tjetër, që ky të mos vazhdonte të akumulonte urrejtje kundër shtetit “mik” grek. Por kjo “gjethe fiku” nuk mjaftoi. Duhej një tjetër gjethe, më e përmasshme, për ta hedhur përsipër ndotjeve të qelbura greke në ujërat e Jonit. U sajua shpejt e shpejt vizita në Tiranë e ministrit grek të turizmit, Dhimitris Avramopulos, i cili, në intervistën që i dha kanalit TV “Top Channel” më 22 gusht 2004, me një hipokrizi të shpifur, tipike greke, premtoi për një zhvillim të turizmit rajonal, duke thënë se Shqipëria ka një natyrë të virgjër. Edhe më skandaloze, edhe më hipokrite tingëlluan fjalët e Avramopulosit, kur deklaroi se Greqia, demek, na qenka e interesuar për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë! Nepërka greke kërkoka që ne të zhvillojmë ekonominë dhe kulturën! Ç’t’i bësh, kur intervistuesi nuk e pyeti ballazi ministrin hipokrit grek: Ju, ore zotëri, që qenkeni kaq i interesuar për zhvillimin e turizmit rajonal, ç’patët që na i ndytë ujërat e pastra të bregdetit tonë me pisllëqet e natyrës suaj të zhvirgjëruar me kohë? Ose të paktën intervistën e hipokritit grek ta kishte shoqëruar me një koment të fortë, në mbrojtje të dinjitetit tonë kombëtar. Prandaj intervista e gazetarit të mjerë na la një përshtypje të mjerë se s’kishte bosht kombëtar!

    Klasa jonë politike hesht përballë varfërimit të çdoditshëm të vendit tonë, të cilin ajo vetë e ka shndërruar në koloni të Greqisë, në një shtojcë të ekonomisë greke, në një treg për zbrazjen e prodhimeve të posaçme greke të një cilësie të dobët. Klasa jonë politike hesht për çmimet shumë të larta (në krahasim me vendet fqinje) të telefonisë së lëvizshme, pronë e kompanive zhvatëse greke, të cilat, çdo vit, dërgojnë nga Shqipëria në Greqi 350 milionë euro. Nga emigrantët tanë në Greqi futen çdo vit në Shqipëri vetëm 200 milionë euro, kurse prej saj dalin, për çdo vit gjithashtu, dhe shkojnë në Greqi 600 milionë euro (“Shekulli”, 8 prill 2004).

    Klasa jonë politike heshti para histerisë dhe tërbimit të shfrenuar të shovinizmit grekomadh, që u shpalos pas disfatës së përfaqësueses greke të futbollit në Tiranë, kur emigrantët tanë, nëpër rrugët e qyteteve greke, u bënë pre e dhunës policore, vetëm e vetëm se ngazëllenin me flamuj në duar për fitoren e skuadrës sonë.

    Takimi i dy përfaqësueseve shqiptare dhe greke ishte thjesht një ndeshje futbolli dhe në raste të tilla, si në të gjitha stadiumet e botës, dashamirësit e kësaj loje të bukur kanë organizuar dhe organizojnë manifestime entuziazmi për fitoren e skuadrave të tyre kombëtare. Pra, entuziazmi i rinisë sonë natën duke u gdhirë 5 shtatori ishte një dukuri tepër e zakonshme dhe s’kishte kurrfarë arsyeje që shteti shovinist grek të turrej me atë histeri aq shtazarake kundër të rinjve tanë emigrantë, të cilët, në një mënyrë krejtësisht paqësore, po manifestonin nëpër rrugët e qyteteve greke. Por shovinizmi grekomadh e vlerësoi si tepër të përshtatshëm rastin për të shfryer tërë urrejtjen e vet kundër kombit shqiptar. Shovinizmi grekomadh s’kishte pse të shpërthente aq dhunshëm kundër emigrantëve shqiptarë pas mposhtjes së përfaqësueses greke në stadiumin “Qemal Stafa”. Ai nuk kishte pse të befasohej aq shumë nga fitorja jonë. Në “Qemal Stafa” dajakun e përfaqësueses sonë kombëtarja greke e ka provuar edhe herë tjetër. Veç asaj, në këtë stadium ne kemi mposhtur skuadra ku e ku më të fuqishme se skuadra greke, siç ka qenë përfaqësuesja e Gjermanisë Perëndimore, e Belgjikës etj. Në pranverën e vitit 2003 ne mposhtëm edhe përfaqësuesen ruse në stadiumin “Vojo Kushi”. Kjo do të thotë se në Shqipëri luhet futboll i nivelit evropian. Por kjo do të thotë se edhe përfaqësuesja greke, siç ndodhin shpesh në futboll gjëra aksidentale, nuk e ka merituar titullin kampione e Evropës. Prandaj dajakun që hëngri nga skuadra jonë e meritonte plotësisht.

    Po sikur ne të kishim vrarë disa grekë këtu, në Tiranë, si hakmarrje për vrasjet e emigrantëve tanë në Greqi? Me siguri që shovinizmi grekomadh jo vetëm që do të na kishte vrarë sa e sa emigrantë të tjerë nëpër rrugët e qyteteve greke, por, në shenjë kërcënimi, do të fillonte, besoj, edhe të na kërcëllonte dhëmbët, duke filluar lëvizjen e trupave të veta drejt kufirit tonë, sepse ligjin e luftës vazhdon ta ketë në fuqi.

    Pra, klasa jonë politike heshti pas vrasjes së emigrantit Gramoz Palushi dhe masakrimit të 300 të tjerëve, duke u mjaftuar veç me një rezolutë të thatë në parlament sa për të larë gojën para opinionit publik shqiptar. Megjithatë, për të gjithë nacionalistët shqiptarë, në mbarë trojet tona etnike dhe në diasporë, analizën më të shkëlqyer të ngjarjeve që u shpalosën qoftë në qytetet shqiptare, qoftë në qytetet greke natën duke u gdhirë 5 shtatori e bëri zoti Abdi Baleta në disa numra të gazetës “Rimëkëmbja”. Artikulli i tij i gjatë më titull “Gëzimi dhe dhimbja e pamatë e fitores së përgjakur” zbulon rrënjët e shkaqeve të vërteta të rindezjes së histerisë antishqiptare atë natë shtatori nga ana e shovinizmit grekomadh; nxjerr në pah me fakte servilizmin e diplomacisë shqiptare, e cila, në qëndrimin ndaj diplomacisë greke, e ka katandisur veten në nivele të mjerueshme; u jep një mësim të mirë gjithë sahanlëpirësve grekë për vlerësimet antinacionaliste që i bënin entuziazmit të rinisë sonë në faqet e shtypit të Tiranës; u nxjerr bojën gjithë kalemxhinjve të tjerë, të cilët, ende të paçliruar nga prangat e terminologjisë komuniste, egërsinë e shovinizmit grekomadh kundër emigrantëve shqiptarë kërkonin ta shisnin si “vepër të disa segmenteve të caktuara të shoqërisë greke”; argumenton bukur fare se hareja që shpërtheu në mbarë qytetet shqiptare dhe mes emigrantëve tanë në Greqi ishte një manifestim fantastik dhe me shumë kulturë i nacionalizmit shqiptar, të denigruar me dhunë nga sistemi i vjetër komunist dhe të braktisur tradhtisht nga sistemi tanishëm neokomunist.

    Ai manifestim i shkëlqyer i nacionalizmit shqiptar, që nuk pat fyer asgjë kombëtare greke, ishte njëkohësisht edhe një reagim i hapur ndaj racizmit grek dhe shovinizmit grekomadh, i cili shfaqet lakuriq në qëndrimin ndaj gjithçkaje shqiptare në veçanti dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi përmes trajtimit të padenjë që u bëhet emigrantëve tanë në Greqi. Dëshminë më demaskuese për këtë trajtim e jep një i ri shqiptar, emigrant në Greqi, nëpërmjet një e-mail-li që dërgonte në Shqipëri para disa muajsh: “Kemi dëgjuar, lexuar e ndier për racizmin dhe racistët, persekutimet, përbuzjet e të tjera sjellje antinjerëzore. Racizmi është një realitet që e takojmë në punë, në rrugë, në shoqëri, në media etj… Karakteri dhe krenaria shqiptare i nervozon. Më 16 maj, një ditë pas Festivalit Evropian, ku Shqipëria u prezantua me Anjezën, në shtëpinë e shtetasit grek, ku unë punoj, ishin ftuar miq të tij. Vura re se kur fillova të flisja për Anjezën, këngën dhe veshjen e saj, unë, “shqiptari i mirë”, u bëra mosmirënjohës i paarsyeshëm e të tjera si këto. E pse ky ndryshim? Vetëm e vetëm sepse me fjalët e mia po mbroja emrin, karakterin dhe krenarinë shqiptare. Biseda arriti deri aty, sa një prej të ftuarve më pyeti nëse i kisha në rregull dokumentet e qëndrimit në Greqi. Në diskutim e sipër, ai filloi të nervozohej nga fjalët e mia. Por kësaj radhe nuk u tërhoqa. Zëri im ishte më i fortë, ndieja se mund ta mbaja kokën lart. Kësaj radhe kisha në krah Anjezën, zanën shqiptare, zëri i saj meritonte më shumë. Nuk duhej të tërhiqesha, pavarësisht se ishin duke më parë të gjithë me zemërim. Dhe u thashë prapë se zëri i saj ishte i mrekullueshëm, se ajo ishte e mbuluar me nur bukurie. Që atë natë ajo kishte “veshur” Shqipërinë,.. veshja e natës finale e hirushes Anjezë ka qenë e përkryer. Ka qenë vetë Shqipëria. Këtë i thashë dhe mysafirit grek të punëdhënësit tim. Por ai u tërbua, e humbi gjakftohtësinë… Nejse, këtë letër në “Shekulli” po e nis sepse doja t’i thosha faleminderit Anjezës. Ti je krenaria e kombit, ambasadorja e gjithë shqiptarëve. Me gjithë zemër faleminderit. Ti je zonja e parë e vendit.” Dhe letra e djaloshit trim dhe nacionalist shqiptar mbyllet me këto fjalë kuptimplote, të cilat i vënë damkën e turpit racizmit grek dhe shovinizmit grekomadh që e ka pushtuar Greqinë në çdo qelizë të jetës së saj: “Lexuesi juaj – Nga një burg demokratik me emrin Greqi” (“Shekulli”, 22 maj 2004, f.14).

    Sapo mbarova së lexuari këto fjalë të këtij djaloshi të shkëlqyer shqiptar, aty për aty më erdhi ndër mënd një poezi katërvargshe sa e bukur, aq edhe e dhimbshme e mikut tim të vjetër, ushtarakut, poetit dhe piktorit të talentuar, z.Novruz Dervishi, të cilin valët e jetës, që dalldisën pas vitit 1990, nga komandat divizioni, e degdisën si emigrant në Greqi. Në një çast përsiatjeje, në një ballafaqim të përfytyruar me grekët, ai hodhi në letër këtë poezi, me katër vargje tronditëse për fatin e një ushtaraku aq të talentuar, por tashmë të lëshuar, të braktisur nga shteti i tij. Poezia titullohet: “Në Greqi”: Shok, e di, s’më bëni dot, / Sepse s’jam nga ana juaj, / Ju shikoni që derdh lot, / Po s’kuptoni përse vuaj.

    Sa herë që emigrantët tanë përballen me urrejtjen greke, më vijnë ndër mend fjalët e Didroit: “Urrejtja është zemërata e njerëzve të dobët”!



    Pra, ai manifestim ishte edhe një mësim i madh për klasën e politikanëve shqiptarë, të cilët janë dhënë tërësisht pas interesave personale, janë bërë “më të dëmshëm së karkalecët” (“Ballkan”, 14 tetor 2003, f.3) dhe notojnë në batakun e tradhtisë kombëtare, ishte një përkujtesë për këtë klasë të urryer për faktin se kombin shqiptar, siç thotë zoti Baleta, e shpëton vetëm nacionalizmi. Pra, artikulli i zotit Baleta i kujton klasës politike shqiptare se, pavarësisht nga qëndrimi tradhtar që ajo mban ndaj çështjes kombëtare shqiptare, nacionalizmi është i pranishëm në çdo qelizë të rinisë shqiptare, se ai është e ardhmja dhe shpëtimi i kombit shqiptar.



    Armiku njihet që është armik në të keq dhe në rrezik



    Ky nëntitull, në të vërtetë, është një deformim i fjalës së urtë Miku njihet që është mik në të keq dhe në rrezik. Por mëqenëse në historinë e marrëdhënieve greko-shqiptare nuk gjendet as edhe një rast i vetëm që të shërbejë si kontekst i goditur i përdorimit të kësaj fjale të urtë kuptimplote, mua s’më mbetej gjë tjetër, veçse, mbi bazën e asaj ekzistueses, të sajoja një tjetër të tillë, e cila shpreh në mënyrë të koncentruar natyrën agresive të shovinizmit grekomadh në qëndrimin ndaj kombit shqiptar në çastet më të vështira të jetës së tij

    Këtu nuk është nevoja të ndalem aspak në krimet e shtetit shovinist grek dhe të kishës shoviniste greke kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kur na helmoi pionierët e saj, si Naum Veqilharxhin, Anastas Kulluriotin, Papa Kristo Negovanin, Petro Nini Luarasin dhe na vrau shumë të tjerë. Këtu, me fakte, do të përmend vetëm disa nga çastet më të vështira që ka përjetuar kombi shqiptar në historinë e vet, pas shpalljes së pavarësisë, kur Greqia, si shtet fqinj, pavarësisht se nuk na ka dashur kurrë, të paktën duhej të tregohej korrekte me ne. Ajo mund edhe të mos e ndihmonte Shqipërinë për kapërcimin e situatave të vështira, madje të rrezikshme, që ia ka imponuar shovinizmi evropian i Fuqive të Mëdha, i cili, për interesin e ortodoksisë sllavo-greke, është munduar ta zhdukë fare Shqipërinë nga harta e Evropës. Shqipëria Londineze duhet t’u jetë mirënjohëse vetëm armëve të veta dhe SHBA për mbijetesën e saj (Prof.Meta na jep në dy vëllimet e veta një mori faktesh, që tregojnë se SHBA kanë ndërhyrë drejtpërdrejt për të shpëtuar këtë ngastër Shqipërie që mbeti pas copëtimit që i bënë paturpësisht ujqit evropianë në Londër në vitin 1913). Pra, Greqia të mbante, së paku, një qëndrim asnjanës ndaj vendit tonë dhe të na linte t’i përballonim vetë fatkeqësitë tona. Jo! Përkundrazi! Greqia, pikërisht atëherë kur vendi ynë përpëlitej për të mbijetuar në kulmin e fatkeqësive që e kishin pllakosur, është turrur për ta gllabëruar pabesisht, pikërisht si nepërka që rri strukur në pusi, në pritje të presë së vetë. Le t’i shikojmë faktet me radhë.

    Së pari, disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, shteti shovinist grek, tamam si bandit, dërgoi në ujërat e Gjirit të Vlorës kanonieret e veta dhe filloi bombardimin e qytetit, duke prerë, në të njëjtën kohë, edhe kabllon e lidhjes telegrafike me Italinë (shih: Eqrem bej Vlora. Kujtime, 2, f.18, 21-22).

    Së dyti, në vitin 1913, kur populli shqiptar, ende i paorganizuar mirë në një shtet të centralizuar, për shkak të pazareve që po bënin Fuqitë e Mëdha në Londër për copëtimin e trojeve tona etnike, shteti shovinist grek shfrytëzoi pabesisht rastin për të kryer barbarizma në Shqipërinë e jugut. Ja se çfarë shkruan Faik Konica për ato çaste tragjike në një letër që u dërgonte nacionalistëve Dervish Duma dhe Andon Logoreci, më 6 dhjetor 1940: “Nuk do t’ju mërzis duke iu referuar historisë së shkuar, për t’ju treguar se çfarë i ka bërë Greqia Shqipërisë Jugore.., që do t’ju rifreskojë kujtesën rreth barbarizmave greke të vitit 1913: vrasje të shumta, djegie sistematike, përdhunime pa numër, madje edhe vajzash nën 15 vjeç” (vëllimi 4, f.276-277).

    Së treti, me fillimin e Luftës I Botërore, shteti shovinist grek organizoi pabesisht në Jug të Shqipërisë të ashtuquajturën “lëvizje popullore” dhe formoi “Qeverinë Autonome Vorio-Epirote”, me qëllim që, në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të 11-12 gushtit 1913 për përcaktimin e kufijve jugorë dhe juglindorë të Shqipërisë (edhe pse Greqisë i ishte aneksuar një ndër “thelat më të majme” të trojeve shqiptare – Çamëria), të realizonte aneksimin e “Epirit të Veriut”. “Kjo formë qeverie ishte ngrehur nga qeveria greke, vënë në veprim prej saj, e paguar prej saj, e përkrahur politikisht dhe ushtarakisht prej saj” (Sejfi Vllamasi. Ballafaqime politike në Shqipëri. 1897-1942, f.73). Dhe “ndërkaq “bandat vorio-epirote” (8070 ushtarë grekë dhe vullnetarë kretanë, së bashku me oficerët e tyre të liruar nga ushtria e rregullt) kryen masakra të tilla të turpshme, që mund të krahasohen mbase vetëm me mizoritë e hunëve, siç tregojnë kronikat e Mesjetës” (Eqrem bej Vlora, po aty, f.39). Madje ushtria greke, në kulmin e Luftës I Botërore, e ripushtoi Shqipërinë e Jugut “dhe në mars rë vitit 1916 Greqia e shpalli, me dekret mbretëror, aneksimin e saj…” (Tensioni greko-shqiptar…, f.20).

    Së katërti, pas Luftës I Botërore, në Konferencën e Paqes në Paris, kur Fuqitë e Mëdha përsëri po diskutonin për copëtimin përfundimtar të Shqipërisë mes ortodoksisë sllavo-greke, gjë që s’u realizua falë ndërhyrjes së presidentit amerikan, Uillson, kryeministri shovinist grek, Venizellosi, “ u përpoq me të gjitha forcat të fitonte bekimin për realizimin e ambicieve territoriale në kurriz të Shqipërisë. Më 13 shkurt 1919 ai i kërkoi Konferencës aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia” (Tensioni greko-shqiptar…, f 22).

    Për realizimin e qëllimeve të veta aneksioniste ndaj Shqipërisë së Jugut, pikërisht në çastet e luftës për mbijetesë të kombit shqiptar, shteti shovinist grek ka vënë në funksionim edhe mekanizmin e shpifjes, e cila në Greqi është një “shkencë” me arritje shumë të shënuara. Falsifikimi i së vërtetës, mashtrimi dhe shpifja kanë qenë dhe mbeten tipare karakteristike të kodit moral të diplomacisa greke. Zhan Zhak Ruso thotë: “Të gënjesh vetveten për përfitime personale do të thotë të bësh një falsifikim, të gënjesh për një tjetër njeri do të thotë të mashtrosh, kurse të gënjesh me qëllim që të dëmtosh dikë do të thotë të merresh me shpifje”. Dhe shovinizmi grekomadh ka shpifur pikërisht për ta dëmtuar kombin shqiptar. Kështu, Faik Konica, në një letër që i dërgonte Fan Nolit më 26 gusht 1940, e njoftonte si më poshtë: “… po ju komunikoj juve një lajm me rëndësi, nga një burim diplomatik grek i sigurt: Greqia ka përgatitur një memorandë për Konferencën e Paqes, ku do të provojë se Shqipëria është bërë një vatër panislamike dhe një sukursalë e Mustafa Qemalit” (vëll.4, f.218). Pra, diplomacia greke, për të “shpëtuar” Evropën nga “krijimi” i një vatre “panislamike” shqiptare, kërkonte që Shqipërinë ta fuste në “gjirin” e ortodoksisë greke. Gjynah që s’ia dëgjoi fjalën presidenti Uillson! Greqia për “të mirën” e krishtërimit evropian “po përpiqej”!

    Në një informacion të ambasadës sonë nga Moska për Behar Shtyllën, datë 8 tetor 1956, thuhej: “MPJ e B.Sovjetik i ushqeu shpresat e udhëheqjes shqiptare se mundësitë për vendosjen e marrëdhënieve me Greqinë ishin reale. Ajo njoftoi ambasadorin shqiptar në Moskë, se nga bisedimet me deputetët grekë dhe me të dërguarin special të qeverisë greke, kishte arritur në konkluzionin që tani Greqia dëshironte të përmirësonte marrëdhëniet me Shqipërinë, porse ajo gjente kundërshtim nga amerikanët” (Shqipëria dhe Greqia…, f.125).

    Një shpifje tipike greke kjo, sa e poshtër, aq edhe cinike, që kishte si qëllim pikërisht armiqësimin edhe më shumë të Shqipërisë me SHBA. Po si qëndronte e vërteta? SHB vazhdimisht kanë qenë për normalizimin e marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë, jo vetëm sapo mbaroi lufta civile atje, por edhe në vijim, deri sa ato u vendosën faktikisht më 6 maj 1971. Le t’u drejtohemi fakteve që hedhin poshtë shpifjet e ulëta greke: “Ambasadori amerikan (në Beograd më 1949 – E.Y.) Kanon pohonte: “Ne do të presim që zhvillime të tilla të bëjnë të mundur marrëdhënie të mira të Shqipërisë me Greqinë… dhe ta orientojmë Shqipërinë nga Perëndimi” (Tensioni greko-shqiptar…, f.625). Ja edhe një tjetër fakt i vitit 1963, që hedh poshtë shpifjen greke: “Me qëllim që Shqipëria të hapej drejt Perëndimit, amerikanët e mirëprisnin një dialog të saj me vendet perëndimore. SHBA dëshironin marrëdhënie të reja tregtare dhe, gradualisht, të zgjeronin njohjen diplomatike të Shqipërisë, duke pasur parasysh që kjo njohje të bëhej edhe nga Greqia” (Shqipëria dhe Greqia…, f.197). Ja edhe një fakt i tretë i vitit 1966: “Qeveria amerikane e konsideronte çështjen e vendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë si një vendim, që duhej ta merrtë vetë qeveria greke, në bazë të interesave të saj dhe se qeveria greke ishte në gjendje të gjykonte për perspektivat dhe rrjedhojat më mirë se Vashingtoni. Qeveria e SHBA, as në të shkuarën, dhe as në të ardhmen, nuk kishte kundërshtuar dhe nuk do të kundërshtonte përpjekjet e qeverisë greke për të hequr gjendjen e luftës dhe për të vendosur marrëdhëniet diplomatike” (po aty, f.200).

    Ja edhe një tjetër shpifje e vitit 1966 kundër Shqipërisë nga arsenali i shpifografisë greke, që kishte për qëllim armiqësimin e Evropës me Shqipërinë, një shpifje e fëlliqur kjo, që mbështetej edhe nga Moska, “mikja” e deridjeshme e popullit shqiptar:

    “Ndërsa Tirana po përsëriste ofertat për normalizimin e marrëdhënieve, shtypi grek ngriti në këmbë opinionin vendas mbi rrezikun që i kanosej Greqisë dhe Evropës nga instalimi i raketave kineze në territorin shqiptar… Ajo (Shqipëria – E.Y.) u krahasua me rrezikun që paraqiste Kuba për SHBA. Gazeta “Eleftheros Kosmos” theksonte se… ekzistonte mundësia që Kina komuniste të kërcënonte Evropën nëpërmjet Shqipërisë në të ardhmen… Pikërisht në këtë kohë, edhe Agjencia Sovjetike e lajmeve njoftoi se Shqipëria po ndërtonte një bazë raketash bërthamore me ndihmën kineze, rrezja e të cilave mbulonte gjithë zonën e Evropës” (po aty, f.204-205).

    Si gjithmonë, edhe këtë herë diplomacia amerikane doli në mbrojtje të Shqipërisë: “… Departamenti i Shtetit e vuri në dyshim vlerën e këtyre informacioneve sepse: nuk kishte të dhëna që kinezët të kishin aftësi për ndërtimin e një baze të tillë; nuk kishin arsye të dukshme që të ndërtonin një bazë të tillë në Evropë dhe sepse as shqiptarët as kinezët nuk mund të fitonin ndonjë gjë duke ndërtuar një bazë të tillë. Madje, përkundrazi, në rastin e ndonjë krize, ekzistenca e një baze të tillë do ta shndërronte Shqipërinë në një objekt primar goditjeje” (po aty, f.205).

    Pas shembjes së komunizmit, në vitet 90-të të shekullit të kaluar, një tjetër pinjoll i shovinizmit grekomadh, një armik i betuar i kombit shqiptar dhe i kombit turk, një gjeneral ultrashovinist grek me emrin Nikolaos Grilakis, ish-këshillëtar i kryeministrit Micitaqis, në një libër me kujtime, të botuar në vitin 2001 me titull: “…zbuloj ngjarjet dramatike të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të 20-të në Greqi dhe në Ballkan, siç i jetova”, vazhdon të notojë në ujërat e fëlliqura me shpifjet e diplomacisë shoviniste greke dhe të shtetit shovinist grek. Greqia nuk rri dot pa shifje kundër kombit shqiptar. Në artin e shpifjes ajo gjen ngushëllim për mosrealizimin e objektivave “madhore” të shovinizmit grekomadh – kthimin e trojeve të Perandorisë Bizantine, për trashëgimtare të së cilës e mban veten edhe sot e kësaj dite.

    Ky gjenerali Grilakis shkruan: “Personalisht e kisha bërë të qartë qysh në fillim se isha kundër një mendimi për dhënie ndihme partive të djathta në vendet myslimane, si Shqipëria, me mendimin se partitë e djathta shqiptare do të përfundojnë në serat e kultivimit të shtrirjes turke në Ballkan. Parashikova, gjithashtu, se imamët e Turqisë shumë shpejt do të mbillnin në mendjet ateiste të shqiptarëve hashashin e myslimanizmit me idetë kanceroze të shtrirjes turke në Ballkan” (“Shekulli”, 8 maj 2004, f.3). I shkreti Grilakis! Megjithëse ishte në shërbim të kabinetit të djathtë të Micotaqisit, atë e paska torturuar dashuria përvëluese për të majtën shqiptare, së cilës, tërthorazi, gjenerali i gjorë ia zbulon keq ca vende delikate faqe miletit dhe e lë zbuluar, si tradhtare të çështjes kombëtare shqiptare: të majtës shqiptare nuk pëlqeka “çallma” myslimane, ajo na qenka e djegur për kamillafin e greko-ortodoksisë!

    Në kujtimet e veta gjenerali Grilakis pretendon se kur e ftoi Kryepeshkopi Serafim për të biseduar lidhur me helenizimin e “Vorio-Epirit” pas rënies së komunizmit, ai nuk e vuri në dijeni kryeministrin Micitaqis. Këto përralla gjenerali i zhgënjyer le t’ua shesë atyre grekëve që vuajnë nga trashtina e trurit, jo shqiptarëve. Deklarata shoviniste e Micotaqisit e 14 korrikit 1993 vërteton më së miri se sa “i painformuar” paska qenë ai për veprimtarinë armiqësore kundër Shqipërisë të prapavijave të kabinetit të tij kryeninistror!

    Së pesti, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe fillimit të luftës italo-greke më 28 tetor 1940, shovinizmi grekomadh përsëri iu kthye realizimit të ëndrrës së vjetër për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke shfrytëzuar pabesisht rastin që vendi ynë e kishte humbur tashmë sovranitetin e vet dhe, si subjekt juridik, figuronte vetëm nën kurorën e Viktor Emanuelit III. “Duke shfrytëzuar terrenin e thyer dhe organizimin e dobët të sulmit italian, forcat greke e thyen shpejt atë dhe në mesin e nëntorit kaluan në kundërsulm. Më 22 nëntor grekët pushtuan Korçën, më 6 dhjetor Sarandën dhe më 8 dhjetor Gjirokastrën” (Tensioni greko-shqiptar…, f.50).

    Së gjashti, pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Shqipërinë në vitin 1948 dhe përfundimit gradual të luftës civile në Greqi, vendi ynë u gjend i rrethuar nga dy shtete armiq. Pikërisht këtë situatë të rrezikshme që po përjetonte Shqipëria shovinizmi grekomadh u mundua ta shfrytëzonte pabesisht. Atij iu nxitën edhe më shumë epshet shoviniste për pushtimin e Shqipërisë së Jugut. “Në fillim të prillit të vitit 1949 qeveria greke i dërgoi një memorandum tjetër Londrës dhe Vashingtonit, i cili sugjeronte dhe argumentonte nevojën e pushtimit të Shqipërisë” (po aty, f.621). Disa muaj më vonë qeveria greke bëri një tjetër kërkesë këmbëngulëse për pushtimin e Shqipërisë. “Në gusht të vitit 1949 u zhvilluan luftimet vendimtare të UKG kundër gueriljeve. Qeveria greke e shtopi presionin ndaj Aleatëve Perëndimorë që ushtria e saj të lejohej të pushtonte territorin shqiptar” (po aty, f.622).

    Së shtati, Greqia shfrytëzoi pabesisht edhe situatën e rrezikshme që u krijua për vendin tonë pas prishjes së marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë. “Udhëheqja shqiptare, tani në marrëdhënie krejt të ndryshme me Moskën, e ndiente se ajo po e kërcënonte, duke përkrahur synimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut” (Shqipëria dhe Greqia…, f.166). Synimet shoviniste të shovinizmit grekomadh i kishte përkrahur vetë Hrushovi në takimin që kishte pasur me Sofokli Venizellosin më 5 qershor 1960. Ndërkohë, “perveç deklaratave të hapura të qeveritarëve grekë mbi “Epirin e Veriut”, qeveria e Athinës kishte pyetur qeverinë austriake se cili do të ishte reagimi i saj në rast se Greqia sulmonte ushtarakisht Shqipërinë për të aneksuar Shqipërinë e Jugut” (po aty, f.169-170).

    Së teti, me daljen në pah të acarimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, shovinizmi grekomadh u hodh përsëri në veprime agresive kundër vendit tonë. “Qeveria greke…dha një sinjal tjetër se planet e saj kundrejt Shqipërisë së Jugut nuk ishin arshivuar. Në vitin 1976, në parlamentin grek u aprovua një ligj i ri mbi emigracionin. Ai ishte shtojcë e ligjit të vjetër të Venizellosit, i cili ndalonte dhënien e shtetësisë greke emigrantëve me origjinë nga Shqipëria e Jugut, me synimin që, në rastin e zhvillimit të ndonjë referendumi të mundshëm, ata të votonin pro aneksimit të saj nga Greqia” (po aty, f.300).

    Së nënti, në vitin 1990, kriza e regjimit komunist, që ishte në kulmin e saj, ashtu edhe periudha e gjatë e tranzicionit të vështirë, “e nxitën më tej aktivizimin e lobit grek, sepse ai pa hapësira të reja për të realizuar objektivat e tij të vjetra. Vazhduan përpjekjet e qeverisë dhe të shtetit grek për të mobilizuar dhe nxitur diasporën si një vegël për zbatimin e politikës së saj ndaj Shqipërisë. Madje ajo ka krijuar një përvojë të madhe dhe mekanizma shumë efektive për të realizuar një politikë të tillë” (po aty, f.326).

    Përveç organizimit të të gjitha strukturave shtetërore kundër Shqipërisë, shovinizmi grekomadh, në këto kushte, përveç lobit shovinist greko-amerikan, si gjithmonë në historinë e tij, nxiti për veprime të shpejta kishën shoviniste greke për helenizimin e Shqipërisë së Jugut. Gjenerali Grilakis kujton: “…më ftoi Kryepeshkopi i Greqisë, Serafimi, për të shkëmbyer pikëpamje rreth çështjeve të helenizimit të Vorio-Epirit pas rënies së komunizmit. E pranova me kënaqësi…” (“Shekulli”, 9 maj 2004, f.3). Pikërisht në kohën e amullisë politike dhe të varfërisë së skajshme që kishte pllakosur vendin tonë, shovinizmi grekomadh, si gjithmonë me pabesinë që e ka karakterizuar, harton “Planin Lotos”, në themel të strategjisë së të cilit qëndronte çlirimi i “Epirit të Veriut” nga “sundimi shqiptar”. Me hollësitë e këtij Plani lexuesi është njohur në fjalën e Kryetarit të SHIK-ut, zotit Bashkim Gazidede, të mbajtur në Kuvendin popullor në pranverën e vitit 1997 dhe të botuar në gazetën “Albania” më 4 mars 2004.

    Së dhjeti, rënien e firmave piramidale dhe tragjedinë që shkaktuan neokomunistët socialistë në Shqipërinë e Jugut, të përkrahur tërësisht nga shteti shovinist grek, në bashkëpunim më tradhtarë shqiptarë, që sot ndodhen në pushtet dhe në opozitë, shovinizmi grekomadh u mundua ta shfrytëzonte pabesisht për të futur trupat e veta pushtuese në Shqipërinë e jugut. Në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, të transmetuar në TV “Top channel” më 18 mars 2004, Prof.Sherif Delvina deklaroi: “Më 1997 Greqia, përmes zonjës Ollbrait (Allbright), u kërkoi SHBA që të fuste trupat e veta në Shqipërinë e Jugut, por zonja Ollbrait u tha: “Po ç’do të bëjë Turqia? Do t’ju bjerë nga pas”. Dhe greqia nuk u fut në Shqipëri”.

    Ja, kjo ka qenë fytyra e vërtetë e shtetit shovinist grek , cili e ka treguar me fakte armiqësinë e egër ndaj Shqipërisë, sa herë që kësaj i është dashur të përjetojë çaste kthesash vendimtare dhe situata të rrezikshme në historinë e saj të vështirë që prej shpalljes së pavarësisë.

    Në vëllimin e parë Prof.Meta na njeh edhe me një fakt tjetër interesant. Gjatë periudhës së Mbretërisë së Ahmet Zogut, kur vendi kishte zot, Greqia s’pat guxuar kurrë të paraqiste hapur synime aneksioniste ndaj Shqipërisë. “Arsyet më kryesore të mbajtjes në prapaskenë të aspiratave territoriale greke ishin stabilizimi i shtetit shqiptar dhe situata e pafavorshme ndërkombëtare” (f.43). Por, kur Greqia “e ka ndier veten të fuqishme ekonomikisht e politikisht, kur i janë krijuar kushte e rrethana të favorshme ndërkombëtare dhe kur ka parë se shteti shqiptar është ndodhur në vështirësi dhe nuk ka mundur të kontrolloje efektivisht këtë territor, ka fuqizuar politikën dhe veprimtarinë e saj aneksioniste, e cila ka kaluar përmes rritjes së ndikimit dhe të ndërhyrjes politike dhe ekonomike në rajon…Kjo përvojë historike mund të shërbejë edhe si një mësim për të ardhmen” (po aty, f.23).



    Popull “vëlla” grek, popull “mik” grek, popull “i mirë” grek, apo popull shovinist grek



    Shprehjet popull “vëlla” dhe popull “mik” na janë bërë bozë në fjalimet e shpëlara të Enver Hoxhës dhe të udhëheqësve të tjerë të periudhës së komunizmit. Vetëm Enver Hoxha dhe klika rreth tij, që kishin tradhtuar interesat kombëtare dhe ishin lidhur kokë e këmbë me sllavët, mund të përdornin shprehje të tilla që nuk kishin asnjë taban historik. Më 1 shkurt 1948 Enver Hoxha deklaronte: “…kush cënon territorin tonë, ka cënuar pavarësinë e sovranitetin e tre popujve – të Shqipërisë, Bullgarisë e Jugosllavisë, tre shtete, të lidhura me aleanca gjer në vdekje” (Tensioni greko-shqiptar…, f.565).

    Vallë nuk e dinte Enver Hoxha që Traktati i Miqësisë dhe i Bashkëpunimit Reciprok midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë (i nënshkruar më 9 korrik 1946) nuk ishte gjë tjetër veçse një parapërgatitje për gllabërimin tërësor të vendit tonë ng Federata Jugosllave, se “aleanca gjer në vdekje” me sllavët dhe bashkëjetesa e tyre me shqiptarët ka qenë, është dhe do të mbetet e pamundur, siç e ka vërtetuar dhe po e vërteton historia çdo ditë e më shumë? Etja për pushtet personal Enver Hoxhës ia kishte turbulluar vetëdijen deri në atë shkallë, saqë ai arrinte të bënte të tilla deklarata bajate, të cilat koha i zhvlerësoi shumë shpejt. Për të tilla “miqësi” ka shkruar Enver Hoxha edhe kur ka qenë fjala për popullin grek. Madje ai shkroi edhe një libër të tërë për këtë “temë” me titull “Dy popuj miq”. Por marrëdhëniet “miqësore” ose “vëllazërore” nuk ekzistojnë dhe nuk zyrtarizohen dot kurrë midis popujve. Marrëdhëniet “miqësore” apo “vëllazërore” ekzistojnë vetëm mes shteteve, të përfaqësuar nga qeveritë përkatëse. Në themel të tyre, domosdoshmërisht, qëndrojnë interesat ekonomike dhe politike dhe në disa rrethana të caktuara mund të marrin sipërinë herë të parat, herë të dytat. Kur nuk ka përputhje sidomos të interesave ekonomike, marrëdhëniet mund të vendosen, por ato janë formale. Nuk ka asnjë arsye që marrëdhëniet me një shtet tjetër të quhen vëllazërore, miqësore, aq më tepër për ne, shqiptarët, që ua kemi parë sherrin “miqësive” dhe “vëllazërive” të tilla, të cilat na kanë lënë në baltë në çastet më kritike. Marrëdhëniet mes shteteve mund të jenë të afërta, të rregullta, korrekte, dashamirëse, gjykuar vetëm nga këndvështrimi i mbrojtjes së interesave kombëtare. Duhet theksuar se Enver Hoxha, siç e pamë më lart, s’la gur pa lëvizur për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Madje ai, siç del nga faqet e vëllimit të dytë të Prof.Metës, e zbriti vetveten dhe diplomacinë shqiptare deri në nivele të tilla servilizmi, saqë kjo e fundit, me 49 nismat diplomatike që ndërmori vetëm nga viti 1954 deri më 6 maj 1971, pa u udhëhequr aspak nga mbrojtja e interesave kombëtare, siç janë çështja çame dhe çështja e minoritetit shqiptar në Greqi, arriti të tërhiqej zvarrë para shovinizmit grekomadh. Sot, pas 60 vjetësh, diplomacia shqiptare, në rojtinat e saj, nuk ka të dokumentuar kurrfarë tradite në lëmin e nismave diplomatike në mbrojtje të çështjes çame dhe të minoritetit shqiptar në Greqi. Prandaj presidenti grek, Stefanopulosi, gjatë konferences së shtypit të datës 18 tetor, me një gjakftohtësi revoltuese, e quajti të mbyllur çështjen çame! Kishte shumë të drejtë një dëgjues nga Durrësi, i cili, në emisionin e mëngjesit të kanalit TV “Teuta” të datës 19 tetor, vizitën e Stefanopulosit e krahasoi me vizitën e Viktor Emanuelit dhe politikanët tanë të tanishëm i krahasoi me kolaboracionistët e atëhershëm!

    Shëmbullin më kuptimplotë të marrëdhënieve “miqësor dhe vëllazërore” mes “popujve” e dhanë popujt sllavë. Kur ngrehina e perandorisë komuniste sovjetike po shembej, të parët që u larguan prej saj ishin ukrainasit dhe bjellorusët, paçka se që të dy janë pjesëtarë të të njëjtit grup popujsh sllavolindorë! Madje një grup gazetarësh ukrainas, kur po i shoqëroja si përkthyes në Kosovë në korrik të vitit 1999, më thanë: është fatkeqësi për ne që Rusinë e kemi në kufi!

    S’kaloi shumë kohë pas përmbysjes së komunizmit në Lindjen Evropiane, kur çekët dhe sllovakët, të “velur” nga “miqësia vëllazërore” gjatë disa dhjetëvjeçarëve, i ndanë “lakrat” me njëri- tjetrin, i vunë kufij shoqi-shoqit dhe formuan gjithsekush shtetin e vet të pavarur, paçka se që të dy janë pjesëtarë të të njëjtit grup popujsh sllavoperëndimorë!

    E njëjta gjë ndodhi me popujt sllavë të ish-mikroperandorisë jugosllave, të cilët, megjithëse qenë pompuar gjatë më shumë se 70 vjetëve me dogmat e “miqësisë vëllazërore”, s’donin t’ia shikonin më bojën njëri-tjetrit në të njëjtën vathë të “bashkim-vëllazërimit”, paçka se përbëjnë të njëjtin grup popujsh sllavojugorë!

    Në një artikull në “Zërin e Popullit” të datës 19 shtator 1957 Enver Hoxha e vinte theksin te “miqësia historike, tradicionale” shqiptaro-greke. Madje ai thoshte se “populli shqiptar dhe populli grek, me gjithë pëpjekjet e atyre elementëve që përpiqen të thellojnë artificialisht përçarjen me pretendimet absurde, kanë qenë kurdoherë miq dhe kanë luftuar kurdoherë së bashku kundër të njëjtëve armiq” (Shqipëria dhe Greqia…, f.132).

    Enver Hoxha këtu përdor terma të përgjithme, të cilat përbëjnë stereotipa të propagandës komuniste. Nuk njihet ndonjë rast kur grekët dhe shqiptarët të kenë luftuar “së bashku kundër të njëjtëve armiq”. Kur shqiptarët shprehën dëshirën të luftonin bashkërisht kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë gjatë Luftës II Botërore, klasa politike greke bëri gjithçka që ishte e mundur për të mos lejuar koordinimin e veprimeve të përbashkëta, çka sqarohet me fakte në faqet e vëllimit të parë të Prof.Metës, sepse asaj i rrihte mendja te pushtimi i Shqipërisë së Jugut. Në qoftë se Enver Hoxha e kishte fjalën për luftën e grekëve, përkrah kapedanëve shqiptarë, kundër armikut “të përbashkët” – Perandorisë Otomane, atëherë ai zbulonte cektësinë e gjykimit të tij. Kapedanët shqiptarë që morën pjesë në revolucionin grek luftuan jo për të mirën, por për të zezën e tyre. Ngjarjet që rrodhën pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë vërtetuan në praktikë se armiku më i egër i kombit shqiptar nuk ishte aspak Perandoria Otomane, por shovinizmi grekomadh, që e gjeti mishërimin e tij në të gjitha strukturat e shtetit shovinist grek, bëmat e të cilit kunder Lëvizjes Kombëtare Shqiptare janë të dokumentuara mirë nëpër faqet e historisë së popullit shqiptarë. Ata kapedanët shqiptarë, që luftuan për grekët, vërtetë që ishin shumë trima, por ishin edhe shumë pak të zgjuar, ishin shumë dritëshkurtër. Dhe dritëshkurtësia e tyre do të na kushtonte shtrenjtë!

    Në një deklaratë të qeverisë shqiptare të vitit 1973, në përputhje me retorikën enveriane, thuhej se nga territori i Shqipërisë “nuk do t’i vinte asnjë e keqe popullit vëlla grek” (Shqipëria dhe Greqia…, f.254). Ku e kishte gjetur këtë popullin grek qeveria shqiptare që na e quante “vëlla”? S’kemi dëgjuar as edhe një herë të vetme që qeveria greke ta quante popullin shqiptar “popull vëlla”. Pse mbante një qëndrim kaq të përulur qeveria shqiptare? Vërtetë që nga territori ynë s’do t’i vinte ndonjë e keqe popullit “vëlla” grek, por është halli se nga territori i atij popullit “vëlla” grek popullit shqiptar i kanë ardhur dhe po i vijnë përherë gjëma të rënda!

    Në një artikull të zotit Kastriot Demi, të botuar para disa muajsh me titull: “Greqia, fqinja jonë jugore”, thuhet: “Populli shqiptar është i ndërgjegjshëm se ato që ndodhën me bijtë e tij nuk janë vepër e popullit grek, për të cilin ne kemi respekt, por vepër e atyre qarqeve, të cilat e njollosin qytetërimin grek” (Gazeta “Çamëria”, mars 2004, f.11). Personalisht nuk e di që në Greqi të ekzistokan qarqe, që veprokan kundër shqiptarëve pa dijeninë e shtetit grek dhe të strukturave të tij. Edhe organizatat terroriste greke kanë vepruar me dijeninë dhe nën mbrojtjen e shtetit grek kur në vitet ’80-të filluan të vrisnin anglezë dhe amerikanë që ndodheshin me shërbim në Greqi. Le të përmendim vetëm grupin terrorist “17 nëntori”. “Kur Papandreu erdhi në fuqi, ai e shkriu njësinë e posaçme të policisë që merrej me hetimin e grupit terrorist “17 nëntori”. Grupi “17 nëntori” do të mbetej gjatë gjithë periudhës së fillimit të viteve 1990 skuadra më enigmatike terroriste dhe më e pamundura për t’u penetruar, në krejt Evropën dhe në Lindjen e Mesme” (Robert D.Kaplan. Greqia: Dashnorja e Perëndimit, Gruaja e Lindjes, f.68). Nuk e di pse nuk e kuptoka zoti Demi, që në Greqi mbizotëron një histeri antishqiptare, e frymëzuar nga shteti shovinist grek, gjë që nuk e shpëton nga përgjegjësia edhe mbarë popullin grek, ashtu siç nuk e kanë shpëtuar nga përgjegjësia popullin gjerman krimet që kreu nazizmi në mbarë Evropën. Ndërsa për atë “qytetërimin” grek s’ka nevojë të merakosemi shumë ne, shqiptarët, kur për të s’e çajnë fare kokën vetë grekët, para se të kryejnë krime kundër shqiptarëve!

    Në artikullin e zotit Baleta me titull “Gëzimi dhe dhimbja e fitores së përgjakur” lexojmë: “…gjatë emisionit të Xhungës me ambasadorët Karkabasis e Zeneli dëgjuam dëshmitë e një shqiptari nga Patosi, të rrahur për vdekje nga policët grekë në rrugët e Athinës, i cili këmbënguli të kuptohet mirë se dhunën kundër shqiptarëve nuk e bëri populli i mirë grek, as huliganët e këqinj grekë, por e bëri policia greke” (Rimëkëmbja, 21 shtator 2004, f.6). Jo, ore zotëria nga Patosi, ne ty nuk të keqkuptojmë. Ne veç e kuptojmë që ty të rrahu shteti grek dhe të rrahu padrejtësisht thjesht pse gëzoje për fitoren e përfaqësueses sonë të futbollit. Por, çuditërisht, ti nuk e kupton që shteti grek të lejon të gëzosh vetëm për fitore greke, jo për fitore shqiptare. Ti nuk e kupton që mes atij popullit “të mirë” grek shqiptarët nuk kanë të drejtë të gëzohen për veten e tyre, nuk kanë të drejtë të krenohen me veten e tyre, me historinë e tyre, me traditat e tyre, me heronjtë e tyre, me artistët e tyre, me talentet e tyre, me bukurinë e tyre, me fisnikërinë e tyre, me zakonet e tyre, me kodin moral të tyre, se shteti shovinist grek i ndëshkon, i përbuz, i poshtëron, i bën objekt shpifjesh të ulëta. Dhe populli “i mire” grek hesht. S’kemi parë dhe as kemi dëgjuar që në Greqi të shpërthejë ndonjë demonstratë e fuqishme e ndonjë grupi qytetarësh grekë në përkrahje të emigrantëve shqiptarë. Heshtja e qytetarëve grekë para krimeve që kryhen kundër emigrantëve shqiptarë është përkrahje e plotë për dhunën dhe terrorin policor që shteti shovinist grek ushtron kohë pas kohe kundër tyre.

    Po cilat janë faktet që na ofrohen në të dy vëllimet e Prof.Metës për këtë popullin “vëlla” grek, për këtë popullin “mik” grek, për këtë popullin “e mirë” grek, nga gjiri i të cilit vjen e krijohet ai që quhet opinion publik grek. Paraprakisht u kërkoj ndjesë lexuesve për ndonjë përsëritje të detyrueshme për efekt ilustrimi.

    1. Në notën e qeverisë greke drejtuar Edenit më 14 dhjetor 1942 thuhej se “në qoftë se deklarata britanike nuk do të njihte në mënyrë eksplicite të drejtat e Greqisë në “Epirin e Veriut”, do krijohej një përshtypje e hidhur në popullin grek dhe do të dobësohej rezistenca greke” (Tensioni greko-shqiptar…f.96). Madje në fund të notës nënvizohej se “qeveria greke e cilësonte aq jetik problemin e “Epirit të Veriut”, saqë ajo deklaronte botërisht se kombi grek nuk do të pranonte asnjë zgjidhje të këtij problemi, e cila do të injoronte të drejtat e ligjshme të Greqisë” (po aty).Pra, qeveria greke e pranonte vetë ne një notë zyrtare se populli grek dhe kombi grek ishte popull dhe komb shovinist!

    2. Në një takim të Mehmet Konicës në Romë në verën e vitit 1944 me përfaqësuesin grek, ky i fundit tha se “asnjë grek nuk ishte i dispozuar për të lënë mënjanë të drejtat e pakontestueshme të Greqisë në këtë territor” (po aty, f.127). Kështu, diplomati grek e pranonte me gojën e tij se të gjithë grekët ishin shovinistë!

    3. Më 1946, në Konferencën e Paqes në Paris, Caldarisi “këmbënguli në kërkesën për aneksimin e Shqipërisë së Jugut se midis të gjithë grekëve ekziston një harmoni e plotë për këtë çështje” (po aty, f.272). Domethënë, edhe vetë kryeministri grek e pranonte se të gjithë grekët ishin shovinistë!

    4. “Pretendimet territoriale kryeministri grek ia parashtroi edhe delegacionit britanik… Sipas tij, opinioni publik grek s’do të ishte në gjendje të qëndronte indiferent, në qoftë se Konferenca do të përforconte pozitat e Shqipërisë nëpërmjet Traktatit të Paqes me Italinë…” (f.273). Sipas kryeministrit grek, del se opinioni publik grek ishte shovinist!

    5. Meqënëse Konferenca e Paqes në Paris nuk pranoi të diskutonte për pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë së Jugut, kryeministri grek, Caldaris, “deklaroi më 2 tetor se ngjarjet në Paris kishin shkaktuar një zemërim që kuptohej qartë në popullin grek për arsye të padrejtësisë që iu bë atij. Themistokles Sofulis, njëri nga krerët e opozitës, e vlerësoi dështimin në Paris si një zi të rëndë, ndërsa lideri tjetër opozitar, ish kryeministri George Papandreu, në mënyrë solemne, deklaroi se “zia e kombit kishte arritur në infinit…” (po aty, f.281). S’kemi ç’bëjmë! Udhëheqësit e të dy krahëve të politikës greke e kanë deklaruar vetë, me gojën e tyre, që populli dhe kombi grek ishin shovinistë, se i kishte pllakosur zija e rëndë që kishte arritur në infinit, për të vetmen arsye se nuk u qenkëshin plotësuar tekat shoviniste në Paris!

    6. “Në prill të vitit 1946, Ndihmësatasheu Ushtarak i SHBA në Athinë, Ëilliam McNeill, i shkruante Departamentit të Shtetit: “Pavarësisht nga fakti se pretendime të tilla duken qartë se e dëmtojnë, më tepër se sa e ndihmojnë, sigurimin e Greqisë, pavarësisht se realitetet ndërkombëtare janë në kundërshtim me plotësimin e këtyre pretendimeve dhe pavarësisht nga karakteri i dyshimtë i shumë argumenteve të paraqitura, shumë, dhe ndoshta shumica e grekëve, besojnë fort dhe në mënyrë entuziaste se sakrificat e tyre gjatë luftës duhet dhe do të shpërblehen me përfitime substanciale territoriale në kurriz te vendeve fqinjë… Në qoftë se qeveritë britanike dhe ajo amerikane nuk do të mbajnë qëndrim të ngrohtë dhe nuk do të mbështesin në mënyrë efikase pretendimet territoriale greke…, shumë, dhe ndoshta të gjithë grekët, do të ndiejnë se ata janë tradhtuar nga Aleatët Perëndimorë” (f.501). Kurse i ngarkuari me punë i SHBA në Athine, Karl Rankin, paralajmëronte se “do të ketë një shpërthim të ndjenjave kundër Fuqive Perëndimore” (f.501-502). Pra, edhe diplomatët amerikanë dëshmonin se shumë dhe ndoshta shumica, apo të gjithë grekët ishin shovinistë!

    7. Ambasadori amerikan në Athinë, McVeagh u udhëzua, “t’i transmetonte kryeministrit Caldaris një mesazh, në të cilin thuhej se ishte jashtëzakonisht e vështirë për qeverinë amerikane që të mbështeste pretendimet territoriale greke në Këshillin e MPJ, pasi shumë arsye të përgjithshme diktonin që kufijtë e Greqisë të mbeteshin ato që kishin qenë para luftës. Jo vetëm qeveria, por edhe opinioni publik grek duhej ta kuptonte këtë pozicion… Ambasadori amerikan u kërkoi politikanëve grekë të ushtronin të gjithë influencën e tyre që këto vendime (për mospranimin e pretendimeve territoriale greke ndaj Shqipërisë – E.Y.) të pranoheshin në Greqi me minimumin e pakënaqësisë dhe të zemërimit kundër Kombeve të Bashkuara. Me këtë rast qeveria amerikane shfaqi pakënaqësinë se, në vend që të përgatiste opinionin publik për dështimin në këto çështje, shtypi dhe radioja greke, gjatë javëve të fundit, po nxisnin sistematikisht, në shumë mënyra, opinionin publik kundër Britanisë dhe SHBA, për arsye se këto pretendime nuk ishin realizuar” (f.514-515). Siç del edhe nga këto porosi të Departamentit të Shtetit për ambasadorin amerikan në Athinë, qeveria amerikane kishte krijuar bindjen se në Greqi ekzistonte një opinion publik grek shovinist!

    8. “…më 8-9 korrik (1956 – E.Y.) ishte mbajtur në Athinë Kongresi Ndërkombëtar Panepirot, i cili doli me thirrjen për çlirimin e “Vorio-Epirit” duke përdorur forcën. Kongresi kishte hedhur parullën e krijimit të Frontit Nacional për çlirimin e “Vorio-Epirit”, me pjesëmarrjen e të gjithë grekëve dhe kishte vendosur krijimin e një organi ekzekutiv kombëtar për zbatimin e vendimeve të tij” (Shqipëria dhe Greqia… f.124). Sipas parullës së këtij Kongresi, të gjithë grekët ishin shovinistë!

    9. “Në fund të nëntorit (1956 – E.Y.) B.Shtylla takoi Kasimatin në Nju-Jork dhe i propozoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, me anë të një komunikate fare të thjeshtë. Përfaqësuesi grek dha një përgjigje të rezervuar dhe deklaroi se qeveria greke dëshironte normalizimin e marrëdhënieve por më parë duhej përgatitur psikologjikisht opinioni” (po aty, f.126). Diplomati grek e pranonte se në Greqi ekzistonte një opinion antishqiptar, shovinist!

    10. “Pas stabilizimit të Juntës, aty nga fundi i vitit 1968, udhëheqja shqiptare po konstatonte disa nuanca të reja të një qëndrimi armiqësor dhe provokues ndaj Shqipërisë. Të tilla vlerësoheshin fjalimet armiqësore dhe mbështetja e pretendimeve për aneksimin e Shqipërisë së Jugut në ceremoninë e varrimit të peshkopit Kotokos, në të cilën morën pjesë edhe qeveritarë grekë. Përshtypje negative la në Tiranë edhe deklarata e zëvendëskryeministrit grek D.Patilis mbi “vendosmërinë e grekëve për të mos hequr dorë nga aneksimi i “Epirit të Veriut”. (po aty, f.219-220). Edhe sipas fjalëvë të këtij politikani të lartë grek, del se grekët janë shovinistë, të gjithë, pa përjashtim!

    11. “Më 8 dhjetor 1963 ministri i jashtëm dhe zëvendëskryeministri Venizelos bëri publik një propozim që “grekëve të “Epirit të Veriut” t’u jepej vetëqeverisja në kuadrin e shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, më 6 dhjetor ai i kishte deklaruar agjencisë “Rojter” se marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë janë në gjendje negative, për arsye të shqetësimit që ka i gjithë kombi grek lidhur me të ardhmen e vëllezërve tanë që jetojnë në këtë vend” (po aty, f.191). Po a shfaqi vallë ndonjë shqetësim ky kombi grek edhe për vëllezërit tanë çamë, ish-shtetas grekë, të cilët i masakroi aq barbarisht shteti shovinist grek, apo synimet shoviniste ndaj Shqipërisë kërkon të na i shesë për shqetësime për bashkëkombasit e tij minoritarë në vendin tonë?

    12. “Studiues grekë, me të drejtë, kanë konstatuar se politika e Karamanlisit kundrejt Shqipërisë dallonte nga politika që ndoqi ai ndaj fqinjëve të tjerë veriorë. Ata kanë veçuar tri arsye të këtyre diferencave” (po aty, f.281). Këtu do të mjaftohem me përmendjen e arsyes së parë, e cila ka qenë mungesa “e mbështetjes publike për një afrim me Shqipërinë në nivelin që Greqia ishte afruar në atë kohë me shtetet e tjera ballkanike” (po aty). Rrjedhimisht, edhe vetë studiuesit grekë e paskan pranuar se në Greqi paska munguar një mbështetje publike për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë për arsye të ngarkesave të forta shoviniste në mesin e saj!

    13. “Në një informacion të ambasadës sonë në Athinë për MPJ, të datës 23 prill 1975, thuhej: ”…qeveria greke do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim edhe në të ardhmen. Ajo, sikurse grekët në përgjithësi, e ka të ngulitur thellë në shpirt “Vorio-Epirin”” (po aty, f.283). Më në fund, edhe ambasada jonë në Greqi qenkësh bindur se jo vetëm qeveria greke, por edhe grekët në përgjirhësi ishin shovinistë! Nuk e di nëse arriti ta krijonte këtë bindje edhe vetë udhëheqja e lartë shqiptare, këtu, në Tiranë!

    14. “Diplomatët shqiptarë në Athinë raportonin edhe për disa shenja të tjera negative. Kështu, në Muzeun e Luftës të Greqisë ishte vendosur një stendë për luftën në “Vorio-Epir” dhe për “Qeverinë Autonome” të “Vorio-Epirit”. Në tekstet shkollore ishin futur mësime të reja për “Vorio-Epirin”, të cilat kishin përmbajtje shoviniste” (po aty, f.286). Tani lind pyetja: këto tekste shkollore me përmbajtje shoviniste shërbenin për edukimin me shovinizëm të bijve të popullit grek, apo të popullit të “Zullulandit”?

    15. “Ligji i luftës me Shqipërinë nuk u hoq nga parlamenti grek, i cili ishte i vetmi institucion kushtetues që mund ta bënte atë. Vendimi i qeverisë së Papandreut ishte një akt, që i mungonte baza kushtetuese. Ai u shpall pa aprovimin e presidentit Kristos Sarçetaqis dhe nuk u miratua në parlament,pasi atje, me sa duket, ekzistonte një shumicë që e kundërshtonte këtë vendim. Gjithashtu, edhe kisha greke, e cila kishte ndikim të madh në politikën dhe në opinionin grek, ishte kundërshtare e fortë e heqjes së gjendjes së luftës” (po aty, f.312). Prandaj, besoj se kam pasur të drejtë kur në këtë material për të respektuarën “Rimëkëmbja” kam përdorur shpesh herë shprehjen kisha shoviniste greke, e cila, po të mos ishte e tillë, do të merrej me punët e Zotit dhe qetësimin e shpirtrave të njerëzve. Por ajo, duke u marrë me edukimin e ndjenjave shoviniste në shpirtrat e grekëve, ka dëshmuar se ushtron një politikë të pastër shoviniste kundër popullit shqiptar dhe, si mbështetëse e fuqishme e shovinizmit grekomadh, farkëton urrejtjen kombëtare greke kundër kombit shqiptar. Për dijeninë e lexuesve, Prof.Meta jep një informacion interesant. “Kështu, sipas ligjit 1566, të miratuar në vitin 1985, synohet fuzioni i helenizmit dhe i kristianizmit nëpërmjet ortodoksisë. Për herë të parë në historinë e arsimit grek, u miratua një ligj për zhvillimin e ndërgjegjes fetare në përputhje me teologjinë e Kishës Lindore Ortodokse. Pavarësisht se ka një tendencë për fuqizimin e shekullarizmit, prezenca e kishës ortodokse është reale, duke e bërë Greqinë një aurorë teokratike” (f.315).

    Duke edukuar në opinionin publik grek dhe në mbarë kombin grek urrejtjen dhe armiqësinë ndaj një kombi tjetër, siç është kombi shqiptar, kisha greke është marrë me punët e djallit dhe vetë është shndërruar në një strehimore të djallit!

    16. Për ngjarjet e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë, “ndonëse Athina zyrtare heshti kur tanket serbe shtypnin shqiptarët, dy komponentë të fuqishëm të politikës dhe të shoqërisë greke, kisha dhe shtypi grek, manifestuan fuqimisht përkrahjen e tyre për shovinizmin serb” (f.314). Pra, dy leva të fuqishme të mbjelljes dhe të ngulitjes së urrejtjes kombëtare greke për kombin shqiptar, kisha dhe shtypi grek, funksionojnë me ngarkesë të plotë pikërisht atëherë kur opinionit publik grek i duhet thënë e vërteta. Atëherë ky opinion publik grek, ky popull grek, ky komb grek nuk mund të mos edukohet me ndjenja shoviniste dhe nuk mund të mos shndërrohet në opinion shovinist grek, në popull shovinist grek, në komb shovinist grek në qëndrimin ndaj kombit shqiptar, kur ushqimin e tij shpirtëror e helmatisin dy komponentë të fuqishëm të formimit botëkuptimor të tij – feja dhe shtypi, ndërsa politika shtetërore, në rastin konkret, bën sikur nuk di gjë, bën sikur hiqet mënjanë!

    M’u desh t’i qëmtoja gjatë këto fakte, të shpërndara nëpër më shumë se 1 000 faqe të veprës në dy vëllime të Prof.Metës, për t’iu krijuar mundësinë lexuesve të nderuar të përsiasin për deklaratën e Enver Hoxhës të vitit 1957, të qeverisë shqiptare të vitit 1973, për fjalët e zotit Kastriot Demi dhe të atij shqiptarit nga Patosi, që u rrah aq barbarisht nëpër rrugët e Athinës nga policia e shtetit shovinist grek.

    Nga sa u citua më sipër rezulton se ekzistoka me të vërtetë një opinion publik grek, një popull grek, një komb grek, një kishë greke, një shtyp grek që shërbyekan si taban i fuqishëm i shovinizmit grekomadh në synimet e tij për aneksimin e Shqipërisë së Jugut dhe, në përgjithësi, në urrejtjen e tij kundër kombit shqiptar! Siç u argumentua më lart, me fakte, vetë politikanët kryesorë grekë dhe diplomatë të huaj e kanë pranuar me gojën e tyre se opinioni publik grek, se populli grek, se kombi grek qenka shovinist në qëndrimin ndaj kombit shqiptar! A thua të jetë i çmendur ky opinion publik grek, ky popull grek, ky komb grek, ky shtyp grek? A thua të jetë e çmendur kjo kishë greke? Nuk e di! Veçse duhet të kujtojmë fjalët e njërit nga politikanët më kryesorë grek, si Kostandin Karamanlisi, ish-kryeministër dhe president i Greqisë, i cili e përshkruante vendin e vet si një “azil i madh të çmendurish” (Robert D.Kaplan.Vepër e cituar, f.40). Natyrshëm lind pyetja: po a ka vallë njerëz në radhët këtij opinioni publik grek, e këtij populli grek, e këtij kombi grek, të cilët i kundërvihen shovinizmit grekomadh në qëndrimin ndaj kombit shqiptar? Sigurisht që ka dhe duhet të ketë. Por ata, besoj, duhet të jenë aq të paktë, saqë, me sa duket, kanë humbur si gjilpëra në kashtën e shovinizmit grekomadh! Më shumë se një vit më parë u njoha rastësisht në Tiranë me një profesor grek të filozofisë. Në bisedë e sipër më shkoi gjuha atje ku “më dhemb dhëmbi”: te qëndrimi që mbahet në Greqi ndaj emigrantëve shqiptarë. Profesori më tha: “Më vjen turp për pronarët grekë që sillen keq me shqiptarët!”

    Në emisionin kryesor të lajmeve të TV “Top Channel” të datës 8 shtator 2004, gjatë një “demonstrate”, të organizuar në qytetin e Selanikut (ku morën pjesë rreth 2 000 vetë) në përkrahje të emigrantëve shqiptarë, që u masakruan nga shteti shovinist grek pas përfundimit të ndeshjes së futbollit të 4 shtatorit, një qytetar grek deklaroi para kamerës: “Qëndrimi arrogant i shtetit dhe i policisë greke nuk është qëndrimi ynë”!!! Vini re! Demonstrata organizohej katër ditë pas gjakosjes së rrugëve të qyteteve greke me gjak emigrantësh shqiptarë të pafajshëm! Shteti shovinist grek atë ditë kishte nxjerrë në rrugët e qytetit ca turma që kishte marrë “me qira” (siç i quante me të drejtë Robert D.Kaplan turmat që nxirrte në rrugë Andreas Papandreu në përkrahje të martesës së tij të re me ish-stjuardesën Lian), për të larë sadopak turpin që e mbuloi, kur, faqe botës, lëshoi policinë e ndërkryer kundër emigrantëve paqësorë shqiptarë, që i gëzoheshin fitores nëpër rrugët e qyteteve greke. Komedi të tilla shteti shovinist grek le t’ua shesë, përsëri, atyre grekëve që vuajnë nga trashtina e trurit, jo shqiptarëve!



    Nga gjithë sa u tha dhe u argumentua më sipër me fakte, lexuesit të respektuar të “Rimëkëmbjes” mund t’i lindë vetvetiu një tjetër pyetje: po cila do të jetë perspektiva e marrëdhënieve greko-shqiptare?

    Kam përshtypjen se nuk duhet të jemi pesimistë, pavarësisht nga gjendja ku e ka katandisur Shqipërinë klasa politike shqiptare në marrëdhëniet e saj servile me shovinizmin grekomadh. Mënyra e daljes nga kjo situatë e vështirë gjendet në bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të unifikuar kombëtar. Pa krijuar shtetin e unifikuar kombëtar është e kotë të diskutosh për integrim evropian, siç bëjnë politikanët tanë pa orientim kombëtar. Paskëtaj, kur ky shtet i unifikuar kombëtar të jetë pranuar në Bashkimin Evropian (pavarësisht se Greqinë do ta kemi kundërshare të rreptë), atëherë shqiptarët, më në fund, do të fillojnë të lëvizin lirshëm nëpër Evropë. Atëherë Kakavija dhe Kapshtica do të “përfundojnë në muze”, si relike të racizmit dhe të urrejtjes së shovinizmit grekomadh ndaj shqiptarëve: tani e tutje shqiptarët do të dynden lirshëm drejt Greqisë, do të lëvizin lirshëm nëpër territorin e saj. Do të shtohen edhe më shumë lidhjet me emigrantët e larguar me kohë, do të fillojnë të dalin nga harresa kontaktet me shqiptarët arvanitas. Shqiptarët janë të bindur se grekët kanë nevojë për një lavaggio të trurit me fisnikëri shqiptare, në mënyrë që të vetëpastrohen nga myku i mendësisë bizantine që ua ka pushtuar trurin cep më cep. Prandaj do t’i shtojnë lidhjet me ta dhe, ca nga ca, me qëndrime dashamirëse ndaj tyre, do të ndikojnë drejtpërdrejt që të çlirohen nga vese të tilla, si pabesia, mashtrimi, gënjeshtra djallëzia, shpifja dhe urrejtja për shqiptarët. Me kalimin e kohës, do të fillojë të rizgjohet vetëdija kombëtare e arvanitasve, të cilët, nga ana e tyre, për forcë të gjenit shqiptar që kanë në gjak, do të fillojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre në pastrimin e shoqërisë greke nga atavizmat e dëmshme të Perandorisë Bizantine. Kështu, kur të jetë realizuar “shqiptarizimi” i Greqisë, atëherë grekët do të binden përfundimisht për kotësinë e përpjekjeve të mundimshme që kanë bërë breznitë e tyre të mëparshme për greqizimin e shqiptarëve, atëherë ata do të binden se me shqiptarët duheshin ndërtuar me kohë marrëdhënie korrekte, duke jetuar gjithsekush në trojet e veta, atëherë ata do t’u besojnë me të vërtetë fjalëve që ka thënë Xhorxh Finlej – historian i kryengritjes greke, i cili shkruante se shqiptarët “kishin disa virtyte të shkëlqyera dhe dalloheshin prej grekëve sepse e donin të vërtetën dhe ishin të ndershëm kur plotësonin atë që merrnin përsipër” (citohet sipas: Faik Konica. Vëll. 2, f.230).



    Vepra e Prof.Metës dhe mjerimi i Akademisë së Shkencave



    Vepra në dy vëllime e Prof.Metës është rezultat i një pune të gjatë hulumtuese dhjetëvjeçare. Vëllimin e parë e ka nxjerrë nga shtypi Shtëpia Botuese GEER në vitin 2002. Botimin e tij e sponsorizuan biznesmeni shqiptaro-amerikan, zoti Zef Balaj, dhe vëllezërit e tij – Gjeloshi dhe Pjetri. Kurse vëllimin e dytë e ka nxjerrë nga shtypi Shtëpia Botuese Koçi në vitin 2004, me sponsorizimin e inxhinierit kimist shqiptaro-amerikan, zotit Hysen Blloshmi.

    Për përgatitjen e kësaj vepre dyvëllimshe autori ka shfrytëzuar materjale shumë të rëndësishme, të xjerra nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë, i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, nga Arkivi Qendror Shtetëror i Republikës së Shqipërisë, nga Arkivi i Institutit të Historisë, nga arkivat angleze dhe amerikane, si dhe nga Arkivi i Zyrës Historike të Shtabit Madhor të Ushtrisë Italiane. Ai është mbështetur, gjithashtu, në shumë botime dokumentare në shqip dhe në gjuhë të huaja (në italisht, në anglisht dhe në rusisht), në 114 botime historiografike në shqip dhe në gjuhë të huaja (kryesisht në anglisht) dhe në disa organe shtypi. Në mënyrë që lexuesi të krijojë një ide më të hollësishme për punën e gjatë dhe shumë të lodhshme që ka përballuar autori gjatë dhjetë vjetëve për krijimin e kësaj vepre, po përmend ca të dhëna në shifra: në të dy vëllimet jepen 2135 citime, nga të cilat 1271 në vëllimim e parë dhe 864 në vëllimin e dytë.

    Si vepër e mirëfilltë shkencore, me vlera akademike të jashtëzakonshme, ajo përshkohet nga një frymë e lartë objektiviteti, nga një gjykim i ftohtë, pa kurrfarë prapamendimi. Ndërhyrjet e autorit gjatë analizës së dokumenteve arkivore, të botimeve dhe të burimeve të ndryshme historiografike janë të zhveshura nga pasioni, paragjykimi, hamendjet, pandehmat, keqdashjet, dëshirat e pabazuara dhe subjektivizmi. Shkencëtari Meta flet vetëm me gjuhën e fakteve dhe vetëm këtyre iu referohet, sa herë që i duhet ta bindë lexuesin për vlerën e tyre të padiskutueshme. Sikur në Shqipëri të ishin përgatitur me kohë vepra me nivel kaq të lartë shkencor dhe të ishin përkthyer edhe në gjuhë të huaja, në mënyrë që kancelaritë evropianoperëndimore t’i kishin pasur në tryezat e tyre në çastet më kritike të kombit tonë, ku ta dish, çështja jonë kombëtare (duke pasur edhe mbështetjen e fuqishme të armëve të veta dhe të SHBA), ndoshta mund të kishte çarë nëpër të tjera shtigje të historisë.

    Prof.Meta shfaqet para lexuesit si nje humanist me vlera të admirueshme. “Zemra ma donte, - shkruan ai, - që në të (në vëprën në fjalë – E.Y.) të zinte sa më shumë vend miqësia, bashkëpunimi, marrëdhëniet tregtare, ekonomike, kulturore dhe lidhjet shpirtërore midis dy popujve fqinjë. Por e kaluara ishte fatkeqe dhe nuk ofroi asgjë të tillë. Përkundrazi, tensioni ishte veçori sunduese e marrëdhënieve të kësaj periudhe. Shkaku themelor i kësaj klime të acartë ishte një i vetëm: miti dhe pretendimi absurd grek mbi “Vorio-Epirin”, i cili, ndonëse nuk ishte i bazuar në asnjë të vërtetë etnike apo historike, pati një ndikim aq të fuqishëm në marrëdhëniet greko-shqiptare, saqë i helmoi ato në mënyrë të pandërprerë për një shekull” (Tensioni greko shqiptar…, f.9-10).

    Këto marrëdhënie vërtet u helmuan gjatë një shekulli vetëm për faj të shtetit shovinist grek, por, me kalimin e kohës, ato vazhdojnë të helmohen edhe më shumë. Megjithatë, nisur nga humanizmi i thellë që e karakterizon formimin e tij si shkencëtar, Prof.Meta nënvizon: “Duke besuar thellësisht në aksiomën universale se miqësia ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, do të kisha dëshirë që ky botim t’i shërbejë realisht bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe miqësisë shqiptaro-greke. Duke njohur dhe analizuar me objektivitet dhe gjakftohtësi gabimet dhe ngjarjet e hidhura të së kaluarës, politikanët, inteligjencia dhe qytetarët e të dy vendeve kanë mundësi të marrin masat e duhura që të zhduken ato hije të së kaluarës, të cilat ende shfaqen dhe kanë tendencën t’i dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe” (po aty, f.10).

    Ka plotësisht të drejtë Prof.Meta dhe unë i ndaj tërësisht pikëpamjet e tij në këtë pikë. Po si t’ia bëjmë pikërisht një kryepolitikani grek, si puna e presidentit Stefanopulos, i cili nuk i lë “të zhduken hijet e së kaluarës”? Si t’ia bëjmë këtij Stefanopulosit, i cili gjatë vizitës së tij në Tiranë më 18-20 tetor, në konferencën e shtypit, e prezantoi veten armik të hapur të çështjes sonë kombëtarë, kur preku çështjen çame dhe çështjen e Kosovës! Po si t’ia bëjmë këtij Stefanopulosit, i cili, kur ndodhej për vizitë në fshatin Derviçan, na kërcënoi se nuk do të hyjmë kurrë në Evropë me pretekstin se nuk respektuakemi të drejtat e minoritetit (neve na ka mbetur tani që këtë minoritetin grek ta ngrejmë veç në krahë!). Si t’ia bëjmë këtij Stefanopulosit, cili, kur shkoi në Dhrovjan, në tokën shqiptare, nga ka origjinën, bëri një provokim të rëndë, kur deklaroi se “këtu e ndiej veten më shumë grek”, duke na dhënë të kuptojmë se “këtu ndodhem në “Vorio-Epir”?” Po si t’ia bëjmë shtypit shovinist grek, i cili reagoi në mënyrën më të egër kundër fjalëve të presidentit Moisiu për çështjen çame? Si t’ia bëjmë që mbarë gazetat greke, që nga Tanea e deri te fletushkëza më e fundit, ende pa mbaruar vizita e Stefanopulosit në Shqipëri, rindezën me ngarkesë të plotë histerinë e tërbuar antishqiptare, duke arritur deri aty, saqë ta rendisin Shqipërinë në radhën e të mundurve nazifashistë, pikërisht ashtu siç ka shpifur për 60 vjet rresht diplomacia shoviniste greke dhe mbarë shovinizmi grekomadh? Si t’ia bëjmë kur shtypi shovinist grek, në kor me ortekun e gazetarëve të kanaleve televizive greke, me në krye gazetarin shovinist Vasilis Hitos, filloi të ulërijë tërbimthi, duke mohuar luftën dhe sakrificat e popullit tonë gjatë Luftës II Botërore, duke na mohuar gjakun e të rënëve! Duhet të jesh grek detyrimisht, që të arrish të zbresësh deri në të tilla nivele poshtërsie! Këta, ore Profesor Meta, nuk do të lejojnë kurrë që “të zhduken hijet e së kaluarës”!



    Vepra e Prof.Metës përbën një kontribut të jashtëzakonshëm për zbulimin me fakte të së vërtetës historike rreth marrëdhënieve greko-shqiptare vetëm gjatë një periudhe gjysmëshekullore (1939-1990). Ajo përbën një enciklopedi të vërtetë të këtyre marrëdhënieve dhe një pasuri të paçmuar në duart e nacionalistëve shqiptarë, të cilët kanë të drejtë të krenohen me bashkatdhetarin e tyre, shkencëtarin-historian, Prof.dr.Beqir Metën, që ka çarë nëpër shtigje të pashkelura gjer më sot për të shpalosur me të dhëna të pakundërshtueshme natyrën e vërtetë të shovinizmit grekomadh, të shtetit shovinist grek dhe të kishës shoviniste greke në qëndrimin që kanë mbajtur kundër Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar. Trajtimi i marrëdhënieve greko-shqiptare duhet të jetë objekt i analizave shkencore për periudha edhe më të hershme, ndoshta që prej kohës kur Greqia fitoi pavarësinë, por sidomos që prej shpalljes se platformës politike të qarqeve shoviniste greke, të quajtur Megali Idea, e cila në themel të saj kishte aneksimin e trojeve etnike shqiptare. Veçanërisht me interes është t’ bëhen të njohura lexuesit, me fakte, krimet e shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

    Kjo vepër e Prof.Metës, për mendimin tim, duhet të përbëjë edhe themelin, mbi të cilin mund të hartohet edhe programi i një lënde të posaçme në degën e historisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Ajo duhet përkthyer patjetër edhe në anglisht, në mënyrë që t’u vihet në dispozicion Departamentit të Shtetit, të gjitha Ministrive të Punëve të Jashtme të shteteve evropiane, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Kryetarit të lobit shqiptaro-amerikan, zotit Zhozef Dioguardi.

    Por ajo që të çudit është fakti se për përgatitjen e kësaj vepre të vëllimshme autori nuk ka pasur kurrfarë përkrahjeje as nga Instituti i Historisë, as nga Akademia e Shkencave! Madje Instituti i Historisë nuk ka pranuar t’ia përfshinte as në planin e punës së tij shkencore!

    Ky botim me vlera të paçmueshme shkencore, domosdo, duhej përgatitur nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Akademisë së Shkencave dhe do të ishte në nderin e saj që një gjë e tillë të vihej në dukje në krye të ballinës së tij. Asaj Akademie i takonte nderi të bënte edhe prezantimin e tij publikisht. Sigurisht, kur një Akademi Shkencash sidozot kjo jona, e cila në tetor të vitit 1998 nxori nga shtypi një promemorje antikombëtare për moszgjidhjen e çështjes kombëtare, kur një Kryetar Akademie sidozot ky yni deklaron fare gjakftohtë se gjendja e shqiptarëve, të hallakatur nëpër pesë shtete ballkanike, “nuk mund të zgjidhet duke i bashkuar të gjithë këta në një shtet të vetëm që të jetë i pastër etnikisht” (citohet sipas: “Rimëkëmbja”, 13 korrik 2004, f.5), kuptohet vetvetiu që as mund të bëhet fjalë për sponsorizim nga ana e saj të një botimi të tillë shkencor, i cili i heq petkun frymëzimit janullatist të asaj Akademie dhe të kryetarit të saj, autorë të përgatitjes së promemorjes së lartpërmendur. Me sa duket, të tjera shqetësime duhet të ketë Kryetari i Akademisë sonë të nderuar! Qarkullojnë fjalë se qenka zgjedhur edhe Kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Ortodoksë! Nuk e di se sa është e vërtetë një gjë e tillë. Por po të jetë kështu, atëherë duhet besuar detyrimisht se Kryetari ynë tani paska përpara me të vërtetë një qerre punë!
    SUKSESI ME I MADHE QE NJERIU MUND TE ARIJ NE KETE JETE! ESHTE BINDJA NDAJ ALLAHUT TE MADHERUAR

  2. #2
    i/e larguar Maska e forum126
    Anëtarësuar
    05-10-2003
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    1,198
    Shume shkrim i bukur, por shume gjate e ke cuar. Me ngadale pjese-pjese!

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e abica
    Anëtarësuar
    28-08-2009
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    220
    Postimet në Bllog
    1

    NJOHJA ME ÇAMËRINË DHE HOXHA TAHSININ Nga Dr LAURANT BICA

    Nuk duhet të kem qenë më tepër se 5-6 vjeç. Për një gjë jam i sigurtë, se ende nuk kisha shkuar në shkollë. Nëna ime, e ndjera nëna ime, më mësonte numrat dhe gërmat e alfabetit shqip në një bllok që kushedi se ku e kish gjetur. Kanë qenë vitet ’50, vite të vështirë, pas luftës së dytë botërore. Ajo më tregonte se shkollën e vet fillore e kish bërë në kohën e mbretit Zog, rreth vitit 1935, në një fshat të Oparit, Lavdar, që ishte kryeqendër e komunës me të njëjtin emër, Opar. Vetë ajo shkonte çdo ditë nga katundi Karbanjoz bashkë me motrën.


    Çdo ditë, para se të fillonte mësimi, gjithë nxënësit e fillores, që në atë kohë ishte me pesë klasë, këndonin një këngë që këndohej në të gjitha shkollat e mbretërisë shqiptare, që përmbante edhe këto vargje:

    “Dhe flamuri kuq e zi
    Do valojë përsëri
    Në Kosovë e Çamëri”.

    “Kosova e Çamëria janë pjesë të Shqipërisë” - më thosh e mira nëna ime. - Kosovën na e mori Serbi, Jugosllavia, ndërsa Çamërinë na e rrëmbeu greku. Kosova është sa Shqipëria, po dhe Çamëria s’është e vogël”. Nxirrte pastaj nga “arkivat” e saj, sirtarët e dollapit, lloj-lloj shkresurinash, që vetëm ajo u dinte rendin dhe sërën. Midis të tjerash, më nxirrte disa harta gjeografike që i kish bërë vetë në një fletore vizatimi. Këto m’u fiksuan më pas mua, që të bëja bukur hartat e shteteve në lëndën e gjeografisë. Më tregonte sidomos një hartë të jugut të Shqipërisë me prefekturën e Gjirokastrës, bregdetin e Jonit dhe me Çamërinë. “Ja kjo është Çamëria, biro! Ja dhe Korfuzi përkarshi! Edhe Korfuzi ka qenë i joni!”.


    Kur u rrita më vonë, “kur - thotë Sejfulla Malëshova - erdha në mendtë e mia”, pra u vetëdijësova, punën e Çamërisë e të Kosovës as e diskutoja që ishin ashtu si m’i kish thënë nëna, po këtë punën e Korfuzit s’di pse e shikoja me dyshim. Sigurisht stereja (toka) e tëra ishte çame, shqiptare, ashtu si dhe për dy ishujt e vegjël nën Korfuz, Pakso e Antipakso, por ishujt ishin grekë. I bëja shpesh pyetje vehtes se si është e mundur që bregdeti nga Kepi Stillos, ku mbaronte Shqipëria, e deri në Prevezë e Artë, ku shtrihej Çamëria, ishte shqiptar, kurse ishujt grekë. Më vonë u kthjellova duke lexuar e parë që shqiptarë kishte jo vetëm deri në Artë, por dhe më poshtë anëdetit e steresë, po dhe në gadishullin e Moresë (Peloponezit), veçse thirreshin me një emër tjetër: arvanitë, apo arbërorë.


    Vitet do të kalonin dhe unë do të lexoja veprat e një sërë studiuesish tanë, të cilët do t’i njihja dhe personalisht të gjithë, si Dhimitër Grillo, Koli Xoxi, Irakli Koçollari, Aristidh Kolia, Anton Belushi, apo do të kisha kontakt direkt, si Jorgo Jeru etj. Nuk dua të flas për raportet që kam pasur apo kam me secilin prej tyre, se kjo shkon gjatë, për për mua sot është e qartë gjithçka edhe në lidhje me atë që quhet ishulli i Korfuzit, apo siç e thërrasin grekët Qerqira, apo Korkyra. Fjalën e kemi për Çamërinë. Nëna ime më fliste vazhdimisht për të edhe kur u rrita më vonë...


    Le të ecim më tej. Në klasën e katërt të shkollës fillore kam pasur një mësuese me emrin Merina Frashëri (Arrëza). Ajo më bënte përshtypje se dallohej nga mësueset e tjera të shkollës fillore Papa Llambro Ballamaçi, që kam kryer unë. Kish diçka të veçantë, në paraqitjen e saj, në veshjen e saj, në sjelljen e saj, në fjalët e saj, që e dallonte nga të tjerat. Mësuesja ime Merina, e them sot nga lartësia e viteve, dallohej për fisnikërinë e saj. Ishte grua fisnike. Duke qenë nxënës i mirë, më mbante pranë dhe shpesh bënim edhe biseda jashtë mësimit. Në një prej tyre, më tha nën zë: “Unë jam nga Frashërllinjtë e Mëdhenj. Gjyshi im quhej Mehmet Frashëri, dhe vdiq në Shqipëri. Frashërllinjtë s’kanë qenë tre po katër, dhe më tepër dhe vëlla i tyre është dhe Mehmeti, gjyshi im, që ka qenë më i vogli i vëllezërve Frashëri, pas Sami Beut. Por ai s’përmendet gjëkundi, sado që është atdhetar si ata dhe u përpoq për Shqipërinë”.


    Këto thënie të saj më bënë përshtypje të madhe dhe u ngulitën thellë në kujtesën time. Më vonë do të kuptoja se lufta e klasave bënte të vetën dhe, po të kishin rrojtur ata vetë, Frashërllinjtë e Mëdhenj apo pasardhësit e tyre në Shqipëri, nuk dihet si kish për të vajtur fati i tyre si “borgjezë”, apo ca më keq si “feudalë” e “çifligarë”.


    Mësuesja ime e nderuar Merina, më kish marrë edhe në shtëpinë e saj dhe aty u njoha me të shoqin, poetin e shquar korçar Skënder Arrëza, i cili shkëlqeu në fillimet e tij, në vitet ’30 të shekullit XX, dhe dha kontribut si krjiues edhe në vitet e mëpastajmë në qytetin e Korçës. Vetëm se vrapin në jetë nuk e pati të gjatë. Ka qenë shok i Kristaq Cepës, poet dhe ai i viteve ’30. Njëkohësisht dhe arsimtarë të shquar e të përkushtuar në qytetin e Korçës, në gjimnazet e saj, për lëndën e letërsisë. Mbresat më të mëdha mua m’i la “zonja” Merina, siç i thoshim me respekt mësueses në kohën tonë, sidomos në shkollën fillore, me ato çka më tha për Mehmet Frashërin e saj, ndoshta pasi kishim bërë Naimin në librin e këndimit të klasës së katërt.


    Edhe sot e kujtoj fisniken, mësuesen time Merinë, dhe ajo më kujton se i kemi një borxh të madh Rilindjes e Frashërllinjve, deri sa të nxirret në dritë dhe figura e Mehmet Frashërit që bëri aq shumë për Shqipërinë e shqiptarët dhe pa me sytë e tij masakrimin që iu bë Shqipërisë në Londër e Paris, deri kur mbylli sytë në vitin 1919, duke lënë jashtë saj Kosovën me Çamërinë. Shyqyr që Abdyli, Naimi, Samiu s’jetuan e s’panë tragjedinë shqiptare, Shqipërinë që u “u ther si berrat” në Berlin (1881), Londër (1912) e Paris (1918-1919), në favor të fqinjëve të pangopur.


    Në klasën e pestë e më sipër kam pasur mësues shumë të mirë. Dua të veçoj dy prej tyre, mësuesen e gjeografisë Alqi Krastafillaku, që tani s’jeton më, një mësuese e përkushtuar lëndës së saj, dhe zonjën Pandora Xega, drejtoreshën e shkollës 7 vjeçare, që na jepte mësimin e historisë. Kur filluam me të, ajo na dha një porosi: - Kush të dojë nga ju nxënësit, mund të blejë historinë e Shqipërisë të klasës së shtatë dhe t’i mësojë mësimet e historisë aty.


    Më kujtohet bënim pashallëqet shqiptare, atë të jugut, Pashallëkun e Janinës. Më ngriti në mësim. Kisha mësuar më së miri, historinë e kisha pasion dhe fola për shtetin e Ali Pashë Tepelenës. Midis të tjerave, s’më hiqet nga mendja diçka. Ali Pasha, ndryshe nga shtetet e Lindjes, krijoi në shtetin e vet një polici sipas modelit të shteteve perëndimore, të pashoqe në Perandorinë Osmane. Pra, ky pasha oriental ecte në gjurmët e Perëndimit dhe për 35 vjet ai drejtoi një shtet të tërë, që kryeqytet kish Janinën shqiptare, kryeqendrën e Çamërisë, Epirit. Dy gjëra mbetën në kujtesën time, që Ali Pashë Tepelena ishte një Skënderbe i dytë, dhe lulëzimi në atë kohë i Çamërisë si një njësi politike.


    Dua t’ia di për faleminderit mësueses time të historisë Pandora Xega, që na shpjegonte me aq pasion historinë e Shqipërisë dhe që na hapte horizontin tonë si nxënës, duke punuar me tekstet e viteve më të larta. Aliu e Çamëria përsëri do të mbeteshin dy sinonime të pandarë që nga ajo kohë, kur nuk pipëtinte asgjë për ta.


    Nuk isha më tepër se 11-12 vjeç. Jemi rreth vitit 1962. Në këtë kohë kemi një ngjarje tepër madhore, kremtimin e 50 vjetorit të pavarësisë. Babai im ish abonuar në gazetën e kohës dhe unë, veç mësimeve, gjeja kohë dhe e lexoja atë. Bile kam qenë anëtar i rregullt i bibliotekës së qytetit dhe i lexoja gazetat që vinin aty. Më 1962 dolën dy-tre artikuj edhe për Hasan Tahsinin. Mua më ka mbetur në kujtesë ai i orientalistit Jonuz Tafilaj, që ishte dhe më i gjati, gati një faqe gazete. Ky ka qenë kontakti im i parë me Hoxha Tahsinin, krahas rilindasve të tjerë. Atëhere kam lexuar edhe artikuj për rilindas të tjerë, sidomos për Ismail Qemalin. Ende ruaj nga ajo kohë gazetat me shkrime jubilare për pavarësinë e rilindjen, për figurat e shquara që hodhën themelet e kombit, si Ismail Qemali, Frashërllinjtë, Pashko Vasa, Dinot e Çamërisë etj. etj.


    Për mua ka qenë ngjarje e madhe blerja e radios në shtëpi. Duhet të ketë qenë viti 1963 ose 1964. Qysh atëhere, krahas librave që blija apo lexoja në bibliotekë, dëgjoja radion. Doja të dija sa më shumë për Shqipërinë e shqiptarët. Historia më tërhiqte si magnet. Lexoja monografi të ndryshme për figura të shquara patriotike. Duke jetuar në Korçë, hapja stacionet e shteteve fqinjë, ku jetonin shqiptarët e trojeve etnike. Greqisht nuk dija asnjë fjalë, ama stacionet e qyteteve fqinje greke, si Follorina, Selaniku, mbase edhe të tjerë, i dëgjoja rregullisht, më tepër për këngët “elenika tragudhja”, këngë popullore greke. Midis tyre, më ka mbetur në kujtesë ndonjë që përmendte dhe shqiptarët, si:

    “Kapedanios arvaniti
    Karrocieri fukara”, a diçka e tillë...

    Melodia popullore e tyre dhe aq sa mund të nuhasja unë nga fjalët, më tërhiqnin dhe mendoja për shqiptarët e Greqisë, për Çamërinë etj. Por kjo ka qenë e përditshme. Kapja Ohrin në gjuhën maqedone. Por kish dhe gjysëm ore me këngë popullore shqip, që luheshin nga Sazet e Ohrit. Këto ishin si ilaç për mua. Elementi shqiptar gjallonte aty. Kjo kish rëndësi për mua. Kur vinte ora 14.30-15.00, çdo ditë dëgjoja Prishtinën. Kish një emision me “Përshëndetje dhe urime nga dëgjonjësit tanë”, ku jepte këngë në shqip (shumica), pastaj në serbokroatisht dhe në turqisht. Ende e kam në kujtesë kur thoshte titullin e emisionit në gjuhën serbe: “Pozdravi i çestitke na nashoj sllushajatsja”. I kam dëgjuar në vite këto stacione përditë, duke u përpjekur të mësoj sa më shumë për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Çamërisë. Çdo gjë regjistrohej në kujtesën time, sidomos emrat e qyteteve e fshatrave të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, ku jetonin shqiptarët, apo në emigracion nga përshëndesnin. Kujtesa më ishte si ajo toka e thatë e etur për ujë, për të mësuar sa më shumë për shqiptarët...


    Ishin disa lëndë që unë i kam dashur, si historia, letërsia, gjeografia, dhe kur hyra në gjimnaz edhe filozofia. Kemi pasur pedagogë shumë të mirë në gjimnazin Themistokli Gërmenji që kam mbaruar unë, të cilëve u detyrohem shumë për formimin tim. Nuk mund të lë pa përmendur emrat e tyre si: në letërsi, profesoreshat Dhorkë Qafeci, Loreta Xexo etj.; në histori, drejtorin e gjimnazit Ilia Treska, njeri shumë i përgatitur; në gjeografi, të apasionuarin Gaqo Opingari; në njohuri fillestare të marksizëm-leninizmit (filozofi), zotin Franklin Xega etj. etj. Këtyre e të tjerëve u shpreh mirënjohjen time.


    Pasioni im i dikurshëm që trashëgova për letërsinë, u zhvendos gradualisht drejt filozofisë e historisë, sado që vazhdova të krijoj poezi e të shkruaj hartime të bukura, që mësuesit e mi të letërsisë i lexonin në klasat ku jepnin mësim, si hartime të mira. Më kujtohet një prej tyre për veprën e Gavril Darës: Kënga e sprasme e Balës, të cilin e shkrova të gjithë në poezi. Ishte interesimi im për arbëreshët e Italisë. Më kujtohen tani që po hedh këto rradhë, dy strofa që më kanë mbetur në mendje:

    “Rri Gavril Dara
    Në një breg deti,
    Kujtimin e largët
    Koha s’ia treti.

    Rri ky Gavrili
    Në Kalabri
    Dhe hedh vështrimin
    Në Arbëri...”.


    Dua të them që interesimi im për shqiptarët kish pushtuar qenien time dhe, në një mënyrë ose një tjetër, shprehej edhe në jetën time. Më interesonin kosovarët, maqedonasit, çamët, arvanitët, arbëreshët, mbarë diaspora. Lexoja ku mundja për ta. Më kujtohet se lexoja me qëllim, librat ku bëhej fjalë për partizanët shqiptarë që kishin marrë pjesë në çlirimin e viseve të Jugosllavisë, me qëllim që të mësoja sa më shumë për shqiptarët në Jugosllavi. Ndërsa për Çamërinë pothuajse nuk gjeje asgjë. Megjithatë, kjo më shtynte më tepër të kërkoja e gjithnjë të kërkoja në veprat e rilindasve, sado që një dorë e kujdesshme e censurës nuk i botonte, i shkurtonte pjesët ku flitej për Kosovën e Çamërinë. Për Kosovën, nën prizmin e luftës me revizionistët jugosllavë, çoku dilnin herë pas here në gazetën kryesore të asaj kohe Zëri i Popullit, artikuj të mëdhenj, shpesh edhe “çarçafë” që zinin faqen e gazetës.


    Këto në një kuptim kanë qenë tepër informuese për mua që interesohesha për trojet etnike.


    Mundohesha me çdo mjet të plotësoja formimin tim atdhetar, sidomos për Kosovë e Çamëri. Një fushë e tillë ishte Rilindja, ndaj qysh në vitet e gjimnazit u fokusova në të. Këtu një pjesë të madhe ka letërsia, ku ne bwnim figura të tilla si Naim Frashëri, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Kostandin Kristoforidhi e të tjerë. S’më harrohet atëhere, vitet ‘60 apo ’70, në një emision shqip të Radio Vatikanit kam dëgjuar të flitej për Çamërinë me hollësi, në një kohë kur në Shqipëri nuk “pipëtinte miza”, quhej “herezi” qoftë edhe ta përmendje emrin. Kam lexuar libra ku flitej për diversantët dhe indirekt kam mësuar si për Çamërinë, Kosovën etj. Isha si një magnet që tërhiqja çdo gjë, vetëm e vetëm të mësoja sa më shumë për to.


    Gjërat ndryshuan mjaft kur shkova në universitet, në vitin 1969. Dua t’u shpreh mirënjohjen punonjësve e punonjëseve të bibliotekave, si asaj Kombëtare, ashtu dhe atyre të Universitetit, të Akademisë, të Fakultetit Filologjik, dhe në mënyrë të veçantë Bibliotekës së Institutit të Historisë, ku për vite e vite me rradhë kam lexuar literaturë që “lejohej”, dhe atë rezervat, me vërtetime e pa vërtetime. Ato me atë thjeshtësinë e dashamirësinë e tyre, s’janë kursyer e më kanë ndihmuar të lexoj dhe ato që ishin “të ndaluara”, si gazetën Rilindja të Kosovës etj. etj.


    Kështu nga prerja e degës së filozofisë që unë kreva për 4 vjet dhe e këtij pasioni “të çmendur” që kisha për shqiptarët e trojeve etnike, doli tema ime për Hasan Tahsinin. Prapa Hasanit ishte Çamëria. S’desha që kohën time ta harxhoja duke u marrë me filozofët e mirëfilltë, si Hegeli, Kanti, Sartri etj. Këta i studionte një botë e tërë. Mua më duheshin filozofët shqiptarë, ideatorët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Dhe një prej tyre, që në mënyrë të natyrshme u ngjiz në kujtesën time, ishte rilindasi Hoxhë Tahsini.
    Duke parë albumin e Kristo Frashërit: Rilindja Kombëtare Shqiptare, me fotografitë e shpjegimet përkatëse, më tërhoqi vëmendjen figura, pamja e Hoxha Hasan Tahsinit, me atë sarëkem në krye, që s’ishte gjë tjetër në rrethanat që ai jetonte në Perandorinë Osmane, veç shprehje e një njeriu të ditur. Ai për mua përfaqësonte filozofin shqiptar, shkencëtarin, atdhetarin e flaktë, pedagogun e shquar, rilindasin e kulluar, veprimtarin politik, organizatorin e madh, njeriun e përkushtuar deri në skajshmëri ndaj popullit të vet, çlirimit nacional e progresist shoqëror në mbarë Perandorinë Osmane.


    I vetëdijshëm se me kë kisha të bëja, insistova në marrjen e kësaj figure si temë disertacioni dhe, megjithë pengesat që më nxorrën, ia arrita qëllimit. Tani dhe në kanale shtetërore për kualifikimin tim, punoja për të nxjerrë në dritë një rilindas, për të nxjerrë Çamërinë. I vendosur në rrugën time, eca pa u ndaluar asnjëherë, pavarësisht nga vështirësitë. Më dha dorë dhe fakti që në vitin e tretë ishte futur nga profesor Zija Xoli lënda e Mendimit politik e shoqëror shqiptar, që merrej me botëkuptimin e rilindasve tanë. Unë kisha lexuar aq shumë për Rilindjen e rilindasit në vitet e gjimnazit e të universitetit, aq sa vetëm duke e dëgjuar profesorin tim, i përpija fjalët e tij, dhe është e vetmja lëndë ku gjatë katër vjetëve të studimit për filozofi, nuk e hapa qoftë një faqe të leksioneve apo libri tjetër për të lexuar. Në këtë lëndë kam shkuar “pa përgatitur” dhe mora vlerësimin maksimal... Qenia e kësaj lënde në programin e degës së filozofisë, më dha dorë që unë të merrja një temë si ajo që mora, për “Jetën, veprën dhe idetë e Hasan Tahsinit”.


    Para se t’i përmbyll këto shënime për njohjen e Çamërisë e të Hasan Tahsinit nga ana ime, dua të them edhe dy fjalë për rolin pozitiv që luajti ardhja e profesorëve nga Universiteti i Prishtinës në universitetin tonë, për të mbajtur leksione. Ato leksione që kanë mbajtur ata, sidomos në fakultetin e shkencave politike e juridike ku unë mësoja dhe në fakultetin e filologjisë, kanë qenë një shkollë e vërtetë për mua. E si mund të harroj unë leksionet e orientalistit Prof. Hasan Kaleshi, të Prof. Ali Hadrit, të Prof. Syrja Pupovcit, të rektorit të parë të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dervish Rozhaja, e dhjetëra të tjerëve që i kemi dëgjuar në dekadën e artë (apo decenien, siç thoshin vetë kosovarët) të viteve ’70 të shekullit 20.


    Nuk mund të mos vë në dukje nja dy-tre momente që kanë të bëjnë me problemin në fjalë. Dëgjoja profesor Kaleshin në sallën e madhe të fakultetit tonë. Unë atëhere isha student dhe s’ia përtoja, kur e gjeja të arsyeshme, të bëja dhe “pyetje me spec”. Më kujtohet se në një leksion ai, duke folur për Lidhjen e Prizrenit, me dokumente shfaqi pakënaqësinë që i qe bërë figurës së rilindasit Abedin Dino në historinë e Shqipërisë. “Ai ka qenë - theksoi profesori - kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Jugun dhe ka qenë patriot i flaktë si ai. Edhe kur ka qenë ministër i jashtëm i shtetit osman, pra në apogjeun e karrierës së tij shtetërore, ai ka deklaruar se jam gati në çdo moment ta braktis postin e lartë që unë mbaj dhe të vij të luftoj si ushtar i thjeshtë i asaj Lidhjeje”.


    Dhe koha i dha të drejtë Prof. Hasan Kaleshit në lidhje me A. Dinon. Më kujtohet në një leksion tjetër, ku fliste për ndikimet orientale në gjuhën shqipe, përmendi fjalën “çifteli” (instrument muzikor shqiptar i Veriut të Shqipërisë) si ndikim nga turqishtja, si çift-teli (pra vegël me dy tela, siç është në të vërtetë). Të dy fjalët janë turqisht. Në atë leksion vura re se reagimi i sallës s’qe pozitiv, bashkë me ta dhe unë. Por profesori kish të drejtë. Fjala rridhte nga turqishtja, sado që instrumenti është autentik shqiptar.
    Kam asistuar dhe në një leksion të Prof. Dr. Ali Hadrit në Fakultetin e Histori-Filologjisë. Midis të tjerave, duke folur për Rilindjen, Lidhjen e Prizrenit, katër vilajetet shqiptare, nënvizoi jo pa qëllim se Janina është tokë shqiptare, është qytet shqiptar. Vura re se në auditor pati një reagim mospajtues të profesorëve tanë të historisë të Universitetit të Tiranës, dhe Prof. Hadri u vu në një pozitë të vështirë për momentin. Në një kohë kur në Shqipëri s’përmendej Çamëria, ishte herezi aq më tepër të thoshe që Janina ishte shqiptare, kjo ishte edhe më e rëndë.


    I solla këta shembuj se i kujtoj si sot dhe janë të regjistruar në kokën time deri në hollësi. Kishin të bënin me probleme që më interesonin rrënjësisht dhe gjithçka fiksohej menjëherë.


    Prej viteve ’80 do të sjell një detaj për Çamërinë e Hasan Tahsinin. Kanë qenë dy çamë të nderuar, njëri profesor në Universitetin e Tiranës, dega e elektronikës, zoti Lutfi Saqe, dhe tjetri pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura, zoti Hilmi Kasëmi; të dy kolegë, shokë e miq të mi, dhe të dy bashkëmendimtarë me të cilët flisja gjatë e gjerë për Çamërinë e çamët, për Hoxha Tahsinin, Marko Boçarin, Abedin Dinon, Mihal Artiotin, e një varg figurash të tjera të ndritura të kësaj treve atdhetare qysh në atë kohë.
    Miqësinë me ta e ruaj edhe sot pa ndryshuar asnjë presje, sado që në kohë të ndryshme mund të kemi qenë larg njëri-tjetrit. Lutfiu pas viteve ’90 iku në Gjermani, Hilmiu në Itali, unë në Turqi. Sot jemi në Shqipëri të tre dhe e ruajmë miqësinë e vjetër, vijmë në kontakt herë pas here, pimë nga një kafe, kur e sjell hera. Para dy ditësh i urova mikut tim, profesorit dhe skulptorit Hilmi Kasëmi, për monumentin e At Gjergj Fishtës që u vendos në Lezhë, në qendër të saj. Është një nga veprat më të arrira të duarve të arta të tij prej skulptori. Dy djemtë e tij ecin në gjurmë të të atit. Në vitet ’60 me këta dy miq të nderuar kemi folur sa “jemi lodhur” për Çamërinë e Hoxha Tahsinat e saj, dhe e kemi ndjekur njëri-tjetrin në sukseset tona.


    Koha ka bërë të vetën, ka hedhur nga pak borë në kokat tona, po ne mbetemi ata që kemi qenë para 30-40 vjetësh, “çamë të thekur”, të bindur, të përkushtuar për çështjen kombëtare.


    Me Hilmiun kemi biseduar e vazhdimisht bisedojmë për përjetësimin e personaliteteve më të spikatur të Çamërisë në skulpturë. Në vitet ’90 ato bisedat tona të thjeshta për Çamërinë, do të materializoheshin në hymnin e Shoqatës atdhetare “Çamëria”, në gazetën Çamëria-vatra amtare, nga e cila do të shpërthente zëri i ndrydhur çam gjatë periudhës së monizmit. Të tre, Lutfi Saqja, Hilmi Kasëmi dhe unë, nxituam sa dhe si mundëm në rradhët e shoqatës Çamëria dhe sot në partinë për Drejtësi e Integrim të zotit Tahir Muhedini.


    Në këto nuk dua të zgjatem se i takojnë një kohe tjetër dhe s’dua të dal nga kuadri i temës që po shqyrtoj për kërkimet tahsiniane...




    3. Shkrimet në të gjallë të Hasan Tahsinit

    Hasan Tahsini lindi në vitin 1811. Në vitet ‘20-30 të shekullit XIX, ai jetoi në Shqipëri, në Shkodër, Berat, në vendlindje në fshatin Ninat të Filatit. Përveç ndonjë jehone të largët nga gojëdhana dhe ndonjë burimi tjetër, nuk kemi të dhëna të veçanta për këtë periudhë. Burime të shkruara për H. Tahsinin nuk gjenden në Shqipëri. As për të e as për të atin. Hasani ende në këtë kohë nuk qe bërë Hasan me shkronjë të madhe, ende nuk qe bërë Tahsin. Kish vetëm emrin e thjeshtë Hasan Hoxha nga fisi i Ahmetanjet në fshatin Ninat të Konispolit.


    Edhe për vitet ’40-50 nuk kemi burime të shkruara, sado që tani ai jeton në Stamboll. Nëqoftëse do i hedhësh një sy shtypit osman, ky atëhere, sidomos në vitet ’50, mezi hedh hapat e para. Organet në gjuhën osmane nuk i arrijnë as gishtat e një dore. Askush nuk ka hyrë në arkivat osmane duke pasur si qëllim të mirëfilltë të hulumtojë për Hasan Tahsinin, aq më tepër për një kohë të hershme siç është kjo që po flasim.


    Ndërsa për vitet ’60 të shekullit XIX, kur Hoxha Tahsini ndodhet në Paris të Francës si punonjës ambasade (dhe punonjës i ambasadës osmane më të rëndësishme, më kryesore të kohës), puna ndryshon disi. Për periudhën e parë kemi një ditar të botuar tashmë të ambasadorit osman në Paris në fillim të viteve ’60, Hajrullah Efendi, i cili jep informacion veç të tjerash dhe për H. Tahsinin, të cilin e kish dhe mësues privat shtëpie për fëmijët e vet, e sidomos për atë që më vonë do të bëhej poet e shkrimtar i shquar turk, Abdylhak Hamitin, djalin e vet më të vogël.


    Në gjysmën e dytë të viteve ’60 shtohet numri i gazetave osmane dhe me siguri emri i Hoxha Tahsinit duhet të ketë dalë në gazetat e kohës që merreshin edhe me problemet e arsimit, si Maaref (Arsimi), Mymejiz (Vëzhguesi) etj., pa folur për gazetën zyrtare Takvim-i Vekai (Kalendari i ngjarjeve).


    Janë tre ngjarje të rëndësishme, në të cilat me siguri del dhe emri i Hoxha Tahsinit. Është vizita në Paris, Londër e disa kryeqytete të tjerë të Europës perëndimore, e sulltanit të kohës Abdylaziz. Ishte hera e parë që një sulltan dilte për vizitë në Perëndim dhe iu dha një publicitet i jashtëzakonshëm. Gjithë pesha e organizimit të saj ra mbi ambasadën osmane në Paris. Hapej Panairi i dytë Ndërkombëtar i Industrisë, zejeve dhe arteve (I pari qe organizuar më 1951). Më 1867 sulltan Abdylazizi shkeli në Marsejë, e prej andej në Paris. Midis punonjësve të ambasadës osmane, Hasan Tahsini është figura e dytë pas ambasadorit. Ajo u pasqyrua gjerësisht në shtypin e kohës, francez, osman dhe të vendeve të tjerë. Po kush ka gërmuar për Hasan Tahsinin? Askush. Aty francezët u mahnitën me rrobat e gardës së sulltanit, të cilët ishin shqiptarë katolikë trupgjatë të krahinës së Krajës mbi Ulqin, dhe befasuan parizienët duke i kujtuar për turq. Si e ka ndjerë vehten Hasan Tahsini kur ka folur shqip me bashkatdhetarët e vet roje personale të sulltanit, në mes të Parisit?!...


    Sigurisht të paktën këto janë pasqyruar në gazetën zyrtare Takvim-i Vekai.


    Ecim më tej. Në shkurt 1869 vdes ministri i jashtëm osman, Fuat Pasha, në një spital në Nicë të Francës, ku kish shkuar për kurim. Detyra e vështirë e përcjelljes së kufomës së shefit të ministrisë së jashtme perandorake, iu ngarkua numrit dy të ambasadës, Hoxha Tahsinit. Edhe për të përfaqësuar ambasadën në shoqërimin e saj me anije lufte për në Stamboll, dhe njëkohësisht si imam i ambasadës për të bërë ritin zyrtar e fetar të larjes së kufomës së të vdekurit dhe për ta shoqëruar deri në Stamboll për në banesën e fundme. Sa herë e kam parë varrin e Mehmet Keçexhizade Fuat Pashës në rajonin e Sulltan Ahmetit, në zemër të Stambollit pranë Pallatit Topkapi të sulltanëve, me sytë e mendjes kam menduar Hoxha Tahsinin. Si e drejtoi ceremoninë madhështore të varrimit të një ministri të jashtëm e një ish kryeministri osman (disa herë), një nga figurat më kryesore që drejtuan reformat borgjeze të Tanzimatit, krahas një Reshit Pashe e një Ali Pashe. Përfytyroni çfarë përgjegjësie ka mbajtur mbi supe ky njeri në këtë varrim të një funksionari të rangjeve më të larta në perandori. A s’është pasqyruar kjo në shtypin e kohës?! Padyshim që po. Por asgjë nuk është rrëmuar deri më sot, dhe sidomos për të zbuluar diçka për Hasan Tahsinin.


    Vijmë tek ngjarjet e universitetit. Janë tre momente shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me këtë ngjarje epokale për Perandorinë Osmane, çeljen e universitetit të parë mbarëosman. Kjo detyrë e kryesimit si rektor, e drejtimit të tij, e organizimit të tij, iu besua Hoxha Tahsinit. Çelja e universitetit u përgatit gjatë vitit 1869, kurse ceremonia zyrtare në shkurt të vitit 1870. Nuk besoj të ketë mbetur organ shtypi i kohës që dilte në Stamboll, që të mos ketë shkruar për këtë ngjarje dhe rektorin e universitetit Hoxha Tahsinin. Hulumtime të përcipta ka në funksion të historisë së universitetit të parë osman, sidomos nga studiuesit turq, midis të cilëve do të veçonim Mehmet Ali Ajni me historinë e tij të universitetit botuar në Stamboll 1927, apo një sërë studimesh në kohën e sotme shumë të rëndësishme, të Prof. Dr. Ekmeledin Ihsanoglu.


    Por shtypi i kohës ende mbetet një tokë djerrë e palëvruar në lidhje me Hoxha Tahsinin. Studiues të ndryshëm kanë hyrë, shpesh të huaj si amerikanë, kanadezë, anglezë, francezë, gjermanë, por diçka të veçantë për Tahsinin tonë nuk ka. Ai kur përmendet kalohet si diçka e rastit, nuk fokusohen në të. Edhe studiuesit turq, që janë më të interesuar, deri më sot në këtë pikë nuk janë përqëndruar tek roli i Hasan Tahsinit në krijimin e universitetit.


    Një ngjarje tjetër kulmore, që ka të bëjë po prapë me universitetin, janë konferencat shkencore që u mbajtën aty. Zaten, disa prej tyre të mbajtura nga Hoxha Tahsini dhe Xhemaledin Afgani, u bënë sebep për mbylljen e universitetit. Pra, si konferencat ashtu dhe dhe mbyllja e universitetit në vitin 1871, gjetën jehonë pa dyshim në opinionin publik stambollit e më gjerë. Po ashtu, shtypi i kohës shkroi për to dhe për dy figurat që u vunë në shënjestër nga qarqet klerikale të kohës dhe ambjenti fanatik, si dhe nga një pjesë e burokracisë shtetërore, qarqet reaksionare, refrektare ndaj përparimit në fushën arsimore. Ato shihnin në hapjen e universitetit një dobësim të pushtetit të tyre, të kontrollit që kish pasur feja tradicionalisht mbi arsimin, një kalim të arsimit e kulturës drejt laicizimit, gjë që dobësonte pozitat e tyre. Prandaj, për të mënjanuar këtë rrezik e për të trembur të tjerët në të ardhmen, u “prenë” disa koka. Një prej tyre qe ajo e Hasan Tahsinit. Ai u shkarkua nga detyra e rektorit dhe u izolua, si dhe iu ngjitën damkat e “heretikut”, apo e përkthyer me gjuhën e lindjes “gjavur” (kaurr), “mësjë Tahsin” etj. etj. të tilla.


    Këto patën ndikimin e tyre për t’i penguar në rrugën që ndiqnin. Por njerëz si Tahsini nuk hoqën dorë. Ata vazhduan duke përgatitur kuadro për betejat e reja. Pra, dhe mbyllja e universitetit pati zhurmë në opinion, por gjerësisht u pasqyrua dhe në shtypin e kohës. Është tjetër problem sa kërkime janë bërë. Një fakt është që këto ngjarje për krejt perandorinë janë pasqyruar në dokumentet arkivore që “flenë”, por dhe në shtypin në gjuhë të huaj që dilte në Stamboll, si në greqisht, armenisht, bullgarisht, arabisht, frëngjisht etj.


    Kjo veprimtari arsimore-kulturore është pasqyruar edhe në një sërë librash që janë shkruar në atë kohë për Turqinë në anglisht e në frëngjisht, apo edhe në ndonjë gjuhë tjetër, nga autorë të tillë si J. Lewis Farley, e një rradhë të tjerë francezë. Është një literaturë e tërë në osmanisht e në gjuhë të huaj që kërkon të qëmtohet me kujdes për Hoxha Tahsinin.


    Më 1872, në gazetën Ibret (Shembulli) të Namik Qemalit, përmendet e lavdërohet Tahsin Hoxha, siç shprehet një autor rus Zheltjakov, për ngritjen e Shoqatës Gjeografike të vendeve islame dhe punën që bënte ajo. Ky njoftim na bën me dije për lidhjet që ka ky rilindas shqiptar, H. Tahsini, me rilindasin osman Namik Qemal. Ata njiheshin që nga Parisi dhe lidhjet i vazhduan më tej.


    Hasan Tahsini, bashkë me një mikun e tij Mahmut Nedim, shkruajnë një vepër pedagogjike me titull: Myrebei Etfal (Edukimi i fëmijëve), më 1873. Dalja në dritë e saj sigurisht që pati jehonë. Ne kemi vetëm të dhënën nga një gazetë e kohës, Hulasatul Efgar, ku bëhet njoftimi për botimin e kësaj vepre. Në ditët tona, Prof. Dr. Jashar Rexhepagiq e ka gjetur këtë vepër të H. Tahsinit, ku ai është bashkautor, në bibliotekën e Stambollit Sulejmanie, ku unë kam qenë, dhe bën një analizë të saj në një punim të vetin.


    Prapë më 1874, H. Tahsini shkon në Shqipëri. I bie asaj kryq e tërthor dhe bën propagandë atdhetare e merret me përhapjen e popullarizimin e dijeve shkencore në masat e gjera të popullit. Arrestohet në prill 1874 dhe mbyllet në burgun famëkeq të Shtatë Kullave. Në sajë të ndërhyrjes së qarqeve atdhetare shqiptare dhe atyre përparimtare osmane, lirohet nga burgu. Sigurisht dhe kjo ngjarje ka lënë gjurmë, jo vetëm në dokumentet arkivore dhe kanceleritë europiane, por edhe në shtypin e kohës. Po sa dhe si është pasqyruar. Mbetet t’u lihet kërkimeve të ardhshme, studiuesve ë ardhshëm të Hasan Tahsinit.


    Qysh në të gjallë të tij, veprimtaria e një personaliteti të përmasave perandorake si Hoxha Tahsini, nuk ka kaluar pa lënë gjurmë. Detyra jonë dhe e osmanistëve, turkologëve shqiptarë të ardhshëm, është që të “rrëmihin” në shtypin e kohës sepse kanë për të gjetur thesare. Sikur vetëm një organ në gjuhën greke tepër jetëgjatë, si Neologosi, që dilte në Stamboll për disa dekada, jam i bindur që do të ketë për Hasan Tahsinin.
    Për vitet 1875-1876 nuk kemi të dhëna, por dimë që me siguri Tahsini ka qenë në Stamboll. Duhet të vijë viti 1877, kur fillon lufta ruso-turke dhe kur ngjarjet rrokullisen njëra pas tjetrës, që të dalë sërishmi në skenë emri i Hoxha Tahsinit.


    Më 1878 është vetë Tahsini që del me një shkrim të vetin për rëndësinë e alfabetit për shqiptarët, të botuar në gazetën stambollite Basiret (Gjykimi apo Urtësia). Ai në atë shkrim vë në dukje rolin e alfabetit si armë e diturisë dhe përparimit. Po në këtë vit, në gazetën Basiret, boton edhe Abdyl Frashëri një shkrim për çështjen shqiptare, për rrezikun e copëtimit që u vinte tokave shqiptare nga Traktati i Shën Stefanit, që u nënshkrua në Stamboll po atë vit.


    Është e njëjta gazetë, dhe drejtor i saj qe Sherafet Efendiu që kish miq një sërë personalitetesh shqiptare që jetonin buzë Bosforit, e midis tyre dhe një koleg të vetin, Sami Frashërin. Ky duhet të ketë qenë ndërmjetës për botimin si të shkrimeve të Abdylit ashtu dhe të Hoxha Tahsinit. Mundet, në rastin e Hoxha Tahsinit, lidhja të ketë qenë direkte me drejtorin e gazetës Basiret. Sido që të jetë, për ne ka rëndësi që Hoxha Tahsini është prezent, i pranishëm në shtypin e kohës. Ai ka shkruar edhe më parë edhe më pas. Është tjetër problem sa i njohim ne sot për sot.


    Më 1879 krijohet Shoqëria e Stambollit, apo siç u njoh: Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip. Në komisionin e alfabetit është edhe Hasan Tahsini. I takon, se ai edhe më 1869-1872 ka qenë inisiator i mbledhjeve për përcaktimin e alfabetit shqip. Bile në atë kohë filluan të shkruanin tërë gazetat e Stambollit dhe ta quanin Hasan Tahsinin inisiator të krijimit të shoqërisë së shkronjëzave. Këtë e pasqyroi në gazetën që nxirrte në gjuhën bullgare në Stamboll, rilindasi nga Bullgaria Peter Slavejkov.


    Hasan Tahsini nuk u mjaftua vetëm me botime artikujsh andej-këndej në vitet e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por ai nxorri dhe vetë nën drejtimin e tij, që unë e kam parë me sytë e mi në Stamboll, Mecmua-i Ulum (Revista Shkencore apo e Diturisë). Sot për sot njihen shtatë numra dhe ajo doli në kapërcyell të viteve 1879-1880. Aty ai botoi edhe disa vepra, përkthime nga iluministët frëngj, apo ndonjë poezi të tij. Poezitë e tij të fundit ai i botoi në një organ tjetër që dilte në Stamboll, Hazine-i evrak (Thesari i akteve).


    Pra, si përfundim, mund të themi se në vitet ’60-70 të shekullit XIX veprimtaria e Hoxha Hasan Tahsin Efendiut është pasqyruar gjerësisht në shtypin e kohës, në letërsinë memuaristike, në librat e udhëtarëve të huaj që kanë vizituar Stambollin. Gjithashtu dhe vetë ky personalitet ka shkruar artikuj të shumtë që duhet të qëmtohen e të mblidhen, të përkthehen e të botohen në shqip, sepse bashkë me veprat e tij në prozë e në poezi janë një ndihmesë për ndriçimin e një figure kaq të rëndësishme të popullit tonë.


    Natyrisht deri tani mbetet “e patrazuar” pasuria e madhe arkivore që bën “gjumin e madh”. Është detyrë e forcave të reja të studiuesve të ardhshëm osmanistë shqiptarë apo turq, që “të futen”, “të zhyten” në këtë mori shkrimesh që u botuan në të gjallë të tij, nga ai vetë apo të tjerët, për ta nxjerrë në dritë të diellit figurën e tij madhore...



    Laurent Bica

Tema të Ngjashme

  1. Sulë Hotla (1875-1947), Një Jetë Për Shqipërinë
    Nga strong_07 në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 29-04-2019, 16:32
  2. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-11-2016, 09:56
  3. Cili është synimi i AKSH-së?
    Nga Faik në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 04-12-2003, 04:22
  4. Permbysja e rregjimit ne 97, Revolucion komunist?
    Nga Seminarist në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 28-05-2003, 23:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •