Komiteti Ortodoks i Emigrantëve Shqiptarë në Toronto

Shumë të Përndershmit At Artur Liolin,
Kancelar i Peshkopatës Shqiptare në Amerikë
523 East Broadway, South Boston MA, 02127

Shumë i Përndershëm,

Komiteti Ortodoks i Emigrantëve Shqiptarë në Toronto, i cili u themelua më 14 korrik 2002, e kremte e Etërve të Shenjtë të Sinodit IV Ekumenik, ju dërgon përshëndetjet vëllazërore e birërore, duke ju kërkuar bekimet tuaja priftërore për të arritur sendërtimin e qëllimeve tona, të cilat përkojnë me nevojat a ngutshme që ka Ortodoksia në diasporën shqiptare të pasdiktaturës.

Siç e dini, këtu në qytetin e Torontos ndodhen disa mijëra emigrantë shqiptarë ortodoksë të cilët kanë vite që presin kujdesin e Kishës Ortodokse për t�i marrë në gjirin e saj, të cilës i përkasin që kur s�mbahet mend. E vërteta është se ne jemi braktisur nga kisha mëmë e Shqipërisë, jemi shpërnjohur nga kryesia e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, megjithëse kemi kërkuar me përulje e frymë kishtare, edhe sipas rekomandimit tuaj të matur, bekimin dhe ndihmën e Fortlumturisë së Tij Anastasios (Janullatos), primatit aktual të KOASH-it

Ne nuk ngremë asnjë pyetje ndaj personit tuaj të shumërespektuar në bashkësinë tonë, përderisa ju i përkisni një juridiksioni kishtar të pavarur nga kryepeshkopi Anastasios, dhe aq më tepër kur peshkopata të cilën kanceloni për vite të tëra nuk ka të drejta juridiksioni në Kanada. Por përderisa ne kemi vendosur t�i drejtohemi Kishës Ortodokse në Amerikë (Orthodox Church in America), të cilës i përkasin shumica e famullive ortodokse shqiptaro-amerikane, domethënë Peshkopata juaj, ju lutemi nxehtësisht të ndërmjetësoni tek primati i ri i OCA-së, i cili do të zgjidhet javën që vjen, të japë bekimin e tij kryepriftëror në përpjekjen tonë për të hapur një famulli misionare ortodokse shqiptare në Toronto.

Ne nuk kemi pretendime për trajtën kanonike që do të ketë vendimi i Kishës ndaj kërkesës së bashkësisë ortodokse shqiptare të Torontos. Në qoftë se Kisha vendos që ne t�i përkasim juridiksionit peshkopal të Kanadasë, nën peshkopin Serafim, ose të shtrihet rrezja e juridiksionit të Peshkopatës Shqiptare në Amerikë edhe këtu në Kanada, ato janë çështje që nuk i përkasin komitetit tonë, si përfaqësi e përkohëshme e emigrantëve shqiptarë në Toronto, dhe ju japim të drejtë t’a trajtoni këtë çështje sipas arsyetimit tuaj.

Ne do të përkujtojmë në Meshë emrat e primatëve të OCA-së, aktualisht të Mitropolitit Theodhos, dhe mbas përfundimit të shërbesës së tij, të peshkopit që do të caktohet në vijim, deri në zgjedhjen, javën që vjen, shugurimin e fronëzimin në fillim të vjeshtës të primatit të ri të OCA-së.

Komiteti ka filluar përpjekjet për sigurimin e pagesës së një kishe a salle për fillimin e shërbesave të përjavëshme në gjuhën shqipe, në datën 1 shtator. Vështirësia më e madhe është mungesa e një peshkopi kanonik, i cili të ketë dijeni dhe të mbështesë moralisht nismën tonë ortodokse dhe kombëtare. Një peshkop ortodoks na u përgjigj, në kërkesë për marrjen me pagesë së një kishe të tij në Toronto, se “ekzistojnë dy peshkopë shqiptarë në Amerikën e Veriut; nuk mund të futim hundët në punët e tyre.” Prandaj ju lutemi, me gjithë nuancat që merr kjo ngjarje, t’i përcillni Peshkopit të saposhuguruar të Baltimorës, dhe vëllait tuaj, Hirësisë së Tij Imzot Nikonit (Liolin), i cili është dhe peshkopi asistent i primatit të Kishës Ortodokse në Amerikë, lutjen tonë për të bërë diçka për të mirën e Kishës Ortodokse dhe të kombit shqiptar, duke i dhënë një ndihmë morale një bashkësie të krishterë e cila përpëlitet në dh� të huaj për të mbajtur fort besimin e etërve tanë.

Në qoftë se keni nevojë për të dhëna të tjera, për të plotësuar imazhin kishtar të bashkësisë sonë, jemi të gatshëm të përgjigjemi. Me fillimin e shërbesave jeni i mirëpritur të urdhëroni e të meshoni në kishën që shpresojmë të marrim me pagesë, në mënyrë që të ndihmoni për të hedhur themele të shëndosha kishtare e kombëtare në famullinë tonë të ardhshme.

Komiteti dëshmon gjithashtu se përderisa emigrantët shqiptarë të besimit myslyman dhe të atij katolik kanë shërbesat e tyre në gjuhën shqipe, me ndihmën e institucioneve të tyre përkatëse fetare, përse emigrantët ortodoksë të jenë të privuar nga kjo e drejtë legjitime? Në momentin kur KOASH-i nuk i përgjigjet lutjeve tona, në momentin kur Peshkopata Shqiptare në Amerikë nuk ka ende peshkopin e saj, e vetmja shpresë për ne mbeteni ju, Shumë i Përndershëm, dhe gjithë komuniteti shqiptar i Kanadasë do t’ju jetë mirënjohës që ndihmuat në themelimin e kishës së parë shqiptare ortodokse këtu, e cila ka për qëllim të mbjellë në jetën tonë të shumëvuajtur shpresën me dashurinë e Zotit Krisht, nëpëmjet mistereve jetëdhënës të Kishës, pa të cilën nuk ka kuptim ekzistenca jonë si të krishterë ortodoksë.

(Toronto, më 18 korrik 2002)