Njëqind mijë dollarë caktoheshin nga Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë për të financuar partitë marksiste-leniniste nëpër botë, të cilat mbështesnin dhe përshëndesnin çdo mendim dhe veprim të saj. Këto fonde u jepeshin atyre partive që mund të bënin kërkesat e tyre për financim në drejtorinë përkatëse të Komitetit Qendror apo sipas porosive që jepnin shefat kryesorë të Partisë. Këto fakte i tregon vetë drejtori i atëhershëm i Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSh-së, Agim Popa.


Zoti Agim, kur kanë filluar në të vërtetë marrëdhëniet e bujshme ndërmjet PPSh-së me partitë komuniste të dhjetëra shteteve në botë?
Është e vërtetë se në periudhën e Shqipërisë komuniste, shteti ynë, në drejtimin e të cilit ishte PPSh-ja, kishte marrëdhënie me dhjetëra e dhjetëra parti m-l të shpërndara në të gjithë globin.
Saktë, saktë, marrëdhëniet e PPSh-së me lëvizjen marksiste-leniniste kanë filluar pikërisht pas kongresit të katërt të saj, të zhvilluar në shkurt të vitit 1961. Ai kongres në vetvete ishte në Shqipëri dhe në gjithë lëvizjen komuniste botërore kongresi i parë i zhvilluar në një vend, fill pas mbledhjes së 81 partive komuniste punëtore në Moskë.
Ishte ai kongres që vendosi dhe rrymën e re të partive komuniste me të cilat PPSh-ja do të vendoste marrëdhënie të afërta, pasi ato nuk u lidhën me krejt lëvizjen komuniste që kishte lindur në botë. PPSh-ja atëherë filloi menjëherë marrëdhëniet pikërisht me partitë marksiste-leniniste staliniste, si mund t'i quaje ato që u radhitën në krah të Partisë sonë apo që dolën kundër Hrushovit, në mbrojtje të vijës së Stalinit dhe të PK-së të Kinës. E veçanta është se ato parti ishin shumë pak në krahasim me ato që mbështetën vijën hrushoviane.

Pra, ju po thoni se në atë periudhë, domethënë pas mbledhjes së Moskës, vetë lëvizja komuniste brenda saj u nda në dy kampe?
Po, pikërisht këtë po ju thosha. Ishte pra kongresi i katërt i PPSh-së, i cili u bë në thelb tribuna e parë publike në botën komuniste, ku u ekspozuan qartë këto dy vija apo rryma komuniste punëtore që kishin lindur pas kuvendit të 81 partive. Pra, në atë kongres u shënua çarja e parë e madhe në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Por edhe këto marrëdhënie të PPSh-së me ato parti që u pozicionuan krah nesh në mbledhjen e Moskës, patën zigzage në lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë.

Si ta kuptoj këtë lloj ndryshimi?
Në fillim marrëdhëniet me partitë marksiste-leniniste u vendosën në funksion të prishjes së marrëdhënieve me BS poststalinist, kundër të ashtuquajturit "revizionizëm hrushovian". Pastaj këto lidhje u vendosën në funksion të prishjes së marrëdhënieve me Kinën, kundër maoizmit. Se, që ta saktësoj, nga ato parti që PPSh-ja pati lidhje në kohën që u bashkuan me ne në qëndrimin kundër Hrushovit, u shkëputëm më mbrapa kur ne u distancuam nga Kina.

Për sa parti që u radhitën në '60-n kundër Hrushovit dhe që mbështetën partinë tonë në mbrojtje të vijës staliniste dhe të PK-së të Kinës bëhet fjalë?
Nuk kanë qenë më shumë se 7-8 parti. Madje, ato jo vetëm ishin pak, por edhe nuk ishin të gjitha të vendosura në mbështetje të PPSh-së, Kinës dhe vijës staliniste. Që të jem më i saktë, mund të kujtoj se në këtë grup partish ishin radhitur konkretisht partitë e Indonezisë, Malajzisë, Birmanisë, Koresë, Vietnamit, Kamboxhias, Laosit etj. Në situatën e krijuar në këto momente, PK-ja e Kinës, e cila synonte t'i rrëmbente PK-së të BS-së flamurin e udhëheqjes së lëvizjes revolucionare e antiimperialiste dhe të bëhej qendra e "Botës së Tretë", pas një hezitimi fillestar mbështeti, inkurajoi, e në njëfarë mase edhe financoi, krijimin e grupeve të lëvizjeve të partive të ashtuquajtura marksiste-leniniste, të cilat saktë, saktë, dolën si fraksione më vete, pikërisht nga gjiri i partive të vjetra komuniste ose që u krijuan jashtë tyre.

Po kur PPSh-ja prishi marrëdhëniet me PK-në e Kinës, u krijua çarje e re brenda rrymës së krijuar në '60-n?
Shpërbërja e marrëdhënieve shqiptaro-kineze u bë në vitin 1976, pikërisht pas kongresit të shtatë të PPSh-së. Në atë kongres partia shqiptare dënoi teorinë e "tri botëve" të Mao Ce Dunit. Edhe në këtë periudhë, ashtu si në '60-n me rastin e BS-së, u shkaktua një çarje tjetër brenda asaj lëvizjeje komuniste që u pozicionua në të njëjtin krah atë vit.

Cili ka qenë në të vërtetë synimi dhe interesi i partive m-l ndaj Shqipërisë?
Atyre në radhë të parë u duhej mbështetja edhe emri i vendeve socialiste si Kina dhe Shqipëria, ose edhe vetëm i Shqipërisë, që iu kundërvunë shumicës dërrmuese të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Kurse një pjesë e këtyre partive mendonin që ta kishin Shqipërinë një qendër të propagandës së ideve të tyre majtiste, kryesisht përmes Radio Tiranës (të jashtme). Disa të tjerëve u duhej Shqipëria si bazë mbështetëse për përgatitje ideopolitike, në disa raste edhe ushtarake, të militantëve të tyre. Ata kishin nevojë për shkëmbim mendimesh e përvoje me PPSh-në. Kishte edhe të tjera që kishin nevojë të merrnin ndonjë ndihmë financiare për veprimtaritë e veta.

Si e ndiqte PPSh-ja problemin e financimit?
Për problemin e financimit apo solidarizimit ekonomik që bëhej për partitë marksiste-leniniste të botës, ka qenë një vendim i Sekretariatit të Komitetit Qendror të Partisë. Ai vendim miratonte çdo vit një fond për këtë lloj financimi, i cili quhej "fondi i solidaritetit". Ky fond i atashohej Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSh-së për zbatim.

Pra, ato fonde i viheshin në dispozicion drejtorisë përkatëse në Komitetin Qendror të PPSh-së, e cila drejtohej nga ju?
Unë me të vërtetë isha drejtor, por për sa i përket përdorimit të fondeve të këtilla, i kisha tepër të kufizuara kompetencat, për të mos thënë s'kisha fare, pasi për to kishte specifika të tjera.

Sa ishte shuma e fondit vjetor që vihej në dispozicion të partive m-l?
Nuk ishte më e madhe se 100 mijë dollarë. Madje këtë fond Enver Hoxha, deri në momentin që kishte marrëdhënie të mira me Kinën, e siguronte nga ajo.
Sa ishte financimi që mund t'i bëhej një partie në një rast të tillë?

Minimumi arrinte deri në një mijë dollarë. Maksimumi nuk i kalonte 20-30 mijë dollarët. Por ky maksimum prej deri në 30 mijë dollarë është sponsorizuar në raste tepër të veçanta, kur është parë dhe studiuar gjatë jo nga një, por nga disa specialistë. Sidomos është marrë parasysh edhe historia e marrëdhënive të tyre me PPSh-në, dhe sidomos serioziteti i prezantuar nga ata në të gjitha periudhat.

E harxhonit të gjithë fondin e solidaritetit vjetor brenda afatit?
Absolutisht jo. Nga ai fond që, siç ju thashë, ishte deri në 100 mijë dollarë amerikanë, brenda një viti mund të harxhohej si maksimum deri në 50 apo 60 mijë dollarë.

Mund t'i sqaroni procedurat se si përdorej ai fond?
Të gjithë të interesuarit për këtë gjë në fillim bënin kërkesën në drejtorinë përkatëse të KQ-së, e cila ishte pikërisht drejtoria jonë. Në atë kërkesë ata parashtronin nevojat e tyre partiake, që kishin nevojë për financim urgjent. Këto financime në të shumtën bëheshin për propagandën apo për botim materialesh të ndryshme partiake. Pasi i përmblidhnim të gjitha arsyet që shtronin dhe nevojat e tyre, ne përgatisnim materialin e plotë dokumentar për ta dorëzuar në Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë për të miratuar ose jo fondin e kërkuar.

Kush proferohej në këto financime?
Financimi nuk i bëhej çdo lloj partie. Partitë e konsoliduara, shikoheshin me preferencë nga ne dhe ndërkohë jepnin edhe garancira nëse duhej bërë një financim. Pra, në raste të tilla përvecc studimeve tepër të imëta pyeteshin edhe të tjera parti të tjera që kishin dhënë garanci për besueshmëri.

Çfarë ndodhte me fondin e solidaritetit që ngelej pa harxhuar?
Ai ngelej i depozituar në bankë, ku ne si drejtori në fund të vitit përfitonim dhe interesat e bankës, ndërsa shumës së përgjithshme i shtohej dhe fondi prej 100 mijë dollarësh që çelej në vitin në vazhdim. Në këtë mënyrë ato mbarteshin në çdo vit, duke arritur të ngeleshin të rezervuara në sasi të mëdha.

E mbani mend se sa ka arritur sasia e këtij fondi të shumëfishuar?
Me sa më kujtohet, për shembull aty nga vitet '70 arriti në 5 milionë dollarë. Kështu, unë po ju them se po të jepej ashtu si mendon njëri apo tjetri, nuk do të mund të flitej për kursime të këtyre niveleve. Këtë fond mbaj mend që më së fundi ia kemi kaluar sërish qeverisë për përdorim.


Popa: Ja përse financonim marksistët e Botës

Unë mendoj se Enver Hoxha, nga sa kam arritur të kuptoj, është nisur nga shumë faktorë, ku unë do të veçoja vetëm pak, si: në radhë të parë ai e vuante politikisht mungesën e mbështetjes së jashtme, sidomos pas prishjes me Kinën. Kështu partitë m-l proshqiptare konceptoheshin si një mbështetje e jashtme. Në radhë të dytë, dhe që unë do të shtoja që është arsyeja më kryesore që ka ndikuar në ato marrëdhënie, kanë qenë iluzionet e Enver Hoxhës e të udhëheqjes së PPSH-së për ekzistencën e situatës revolucionare në botë, që sipas tij do të çonte detyrimisht në shpërthime revolucionare, në fitoren e revolucionit "të vërtetë" dhe, për rrjedhojë, në shpartallimin e izolimit të Shqipërisë. Ne vetëm sot, kur jemi njohur me mentalitetin e tanishëm politik dhe kushtet e reja historike, arrijmë t'i dallojmë qartë ato iluzione të cilat i kemi besuar absolutisht si të vërteta. Ato veprime mund të quhaje pa frikë aventurizm politik i ndjekur nga PPSh-ja ka ndikimin e saj në marrëdhëniet më të ashtuquajturat "parti m-l". Këtë e them me bindje të patundur, pasi s'ka si të mos e quash të tillë veprimin tënd politik, kur pas tij izolon vendin tënd nga bota, madje merr mundimin t'i kundërvihesh asaj me të gjitha energjitë e tua, pa pyetur se kë ke përpara, duke filluar që nga ShBA-ja, BS-ja e deri te Kina. Jo vetëm kaq, por bën thirrje për revolucion kudo në botë, dhe këtë e bën duke u mbështetur në disa grupe dhe parti, të cilat, me ndonjë përjashtim relativ, nuk përfaqësonin asgjë e nuk kishin kurrfarë ndikimi real në vendet e veta".


Agjenti holandez mashtroi për 10 vjet PPSH

Rastin më të pastër dhe më skandaloz të infiltrimit të agjenturës perëndimore në gjirin e së ashtuquajturës "lëvizje marksiste-leniniste" e tregoi në librin e vet, të sapobotuar, një nga drejtuesit e zbulimit holandez, Frits Hoekstra. Në librin me titull "Në shërbim të BVD", ai tregon metodat që përdorte në të kaluarën e afërt shteti holandez, në bashkëpunim me CIA-n amerikane, për të përçarë lëvizjen e majtë ekstreme, e cila kishte forcuar pozitat e saj në Evropën Perëndimore, pas largimit të partive tradicionale komuniste, të Lindjes e Perëndimit, nga pozitat e mëparshme, që dominoheshin nga qëllimi final i marrjes së pushtetit me dhunë.
Ai zbulon se kryetari i Partisë Komuniste të Holandës, që mbante emrin e rremë Chris Petersen, ishte agjent, ashtu si dhe disa kolegë të tij, të cilët priteshin me nderime të mëdha nga udhëheqësit e kohës në Tiranë e Pekin. Jo vetëm kaq: ata trajtoheshin edhe me ndihma financiare, të cilat ende nuk janë specifikuar. Destinacioni i këtyre fondeve ishte përhapja e ideve m-l nëpërmjet mjeteve propagandistike, që në Perëndim kushtojnë jo pak.