-
Për herë të parë Biblioteka e Bushatllinjve
Për herë të parë Biblioteka e Bushatllinjve
Ekspozita e 1 tetorit në Biblitekën Kombëtare në Ditët Evropiane të Trashëgimisë paraqet 150 njësi të dorëshkruara nga koleksioni oriental i pashallarëve Bushatlli të Shkodrës.
Plasari: "Një pasuri e rrallë. Për shkak të kushteve të sigurisë do të ekspozohen ndoshta vetëm për 1 javë"
Pasditen e 1 tetorit, në Bibliotekën Kombëtare, hapet ekspozita "Biblioteka e Bushatllinjve".
Me rastin e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane në Shqipëri, hapen në vitrina për të parën herë për publikun një nga koleksionet e rralla të BK-së: rreth 150 njësi bibliotekare të dorëshkruara të Bibliotekës së famshme të Bushatllinjve (shek. XV-XIX) ku përfshihen filozofi, fe, gjuhësi, letërsi, administratë, kozmografi, retorikë etj.
Janë pasuria shpirtërore e pashallarëve të Shkodrës, si për të dëshmuar në njëfarë mënyre edhe thuajse krejt autonominë që gëzonte ky sanxhak kur u sundua prej tyre, në harkun kohor 1757-1831.
Biblioteka u themelua si institut i përgjithshëm prej Mehmet Pashë Plakut dhe u mbajt e pasurua nga djemtë e tij, sidomos Mustafa Pasha që përmendet si njeri studioz që kishte mëkëmbur një bibliotekë me libra frëngjisht dhe turqisht, të cilat në fund ia fali vakëfit të Shkodrës.
"Po i la vakëf të gjitha librat e bibliotekës sime që kam lanë në Shkodër të Shqipnisë që janë të vulosuna me vulën time dhe të regjistrueme dhe të ruejtuna në depon e veçantë", shënon Mustafa Pasha.
Është fat që dëshmitë për këtë bibliotekë se ç'ishte dhe ku ishte vendosur, si ishte konstruksioni i saj, me dhoma, sallon dhe vend studimi për lexuesit, vijnë prej një bashkëkohësi në fazën e fundit të shkëlqimit të objektit dhe pasurisë brenda tij. Madje ai ishte më shumë se kaq, ishte kujdestar i bibliotekës dhe administrator i zyrës së vakëfit të Shkodrës në vitet tridhjetë. Hami Bushati informon tek vepra e tij e çmuar "Shkodra dhe motet" se:
"Në bibliotekën e Vakëfit ka pasur afro 3000 volume teologjie, jurisprudence e libra të ndryshëm fetarë, tekste shkencore mbi fizikën, shkenca natyrore, matematikë, gjeometri, filozofi, astronomi, histori etj.
Nga librat e bibliotekës po shënojmë disa ekzemplarë që edhe në botën orientale ishin të rrallë: p.sh. Historia e Ibni Halëdunit, e përkthyer turqisht, Historia e Xhevdet Pashës 12 volume, Tarihi Vasif, Tarihi Taberi etj. Kurse tekstet e filozofisë qenë të autorëve: Ibni Sina (Avvicenna), Ibni Rushdi (Averroe), Imam Gazali, Fahruddini Rrazi, Mahjuddini Arabi etj. etj. Kishte edhe vepra origjinale në dorëshkrim. Duhet përmendur se në atë bibliotekë gjendej edhe libri i shkruar shqip prej Tahir Ef.
Gjakovës me titullin "Vehbije" dhe historia turqisht e Ahmet Pashë Dukagjinit. Të gjithë librat e biblotekës vuloseshin me vulën personale të Mustafa Pashës, por me largimin e tij nga Shkodra librat e bibliotekës vuloseshin me vulën personale të Mustafa Pashës, që Pasha i kishte dërguar bibliotekës nga jashtë. Vula kishte këtë përmbajtje: "Mbështetja ime është Zoti dhe ai është i mjaftueshëm - nga librat të cilët i ka bërë vakëf i përvuajturi pranë të mirave të Perëndisë, nga vezirët i quajturi Sherif Mustafa. Zoti është më i përhershmi...".
Ekspozimin e koleksionit oriental do të shoqërohet me të dhënat e Bushatit, përfshi këtu rregullat, të rrepta fort, në bazë të të cilave pat funksionuar biblioteka e Bushatllinjve. Një pjesë të kësaj rregulloreje po e botojmë përbri ilustrimeve, të cilat ilustrime dëshmojnë kaligrafinë dhe artin e ornamentikës, një kulturë islame e shprehur në libra.
Jetuan në shekujt XVIII-XIX, por siç vë re edhe Aurel Plasari, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, blinin libra treqind vjet më të vjetër se ata. Për shembull tek kjo trashëgimi që trajtohet dhe ruhet si pasuri kombëtare, gjen një Kuran të vitit 1451, ndër më të vjetrit e koleksionit. Ky kuran mban vulat e Kara Mahmut Bushatit, sundimtar i Shkodrës, pasha i tretë i dinastisë së Bushatllinjve dhe të Mustafa Pashës.
"Identifikimi tyre ka qenë i sigurtë nëpërmjet vulave, përndryshe do të kishin humbur në detin e fondeve orientale", thotë Plasari, i cili me këtë rast i bën homazh punës së jashtëzakonshme që kreu në vitet '60-'70, Zyber Bakiu (1897-1987), orientalist, përpunues i Koleksioneve Orientale të Bibliotekës Kombëtare. Bakiu bëri këtë selektim që kemi sot.
Pikërisht në atë kohë, sajë "politikës së përqëndrimit të vlerave të rralla të kombit", përqëndrim që siç thotë Plasari "duhet të ketë ndodhur kur janë mbyllur institucionet fetare", erdhën deri këtu, në BK, këto libra.
E përse ekspozohen tani këto? Ditët e Trashëgimisë Evropiane të shpallura nga Këshilli i Evropës për festa të kulturës një javë në shtator, ekzistojnë prej vitit 1991.
Pavarësisht se në Shqipëri ka së paku dhjetë vjet që "festohet" për trashëgiminë, Plasari thotë se bibliotekat shqiptare nuk kanë qenë të ndërgjegjshme se duhet të kryejnë edhe këtë funksion të ekspozimit të fondeve të tyre të rralla.
Vërtetë kemi të bëjmë me një koleksion oriental jo vetëm në kuptim e gjuhës po edhe të estetikës, Plasari kujton se tekstet e autorëve antikë, një pjesë e të cilëve, erdhën nga përkthimet arabisht. Jo thjesht për këtë kjo pasuri konsiderohet sot e ka mot pjesë e kulturës evropiane.
"Në Evropë sot janë shumë të çmuar dorëshkrimet arabo-persiane edhe për vlerat estetike. Jo vetëm për kaligrafinë. Një pjesë e tyre janë të punuar me ar që tregon modelin e një zhvillimi të lartë të prodhimit të veprave.
Koleksionet e dorëshkrimeve orientale më të pasura i ka Parisi, Biblioteka Nacionale e Parisit", thotë Plasari duke mos bërë më shumë koment për koleksionin që ekspozohet pas dy ditësh, si një pasuri e rrallë. "Dhe në rast se sigurojmë ruajtjen", përfundon ai, "ekspozita do të qëndrojë e hapur një javë."
Rrëgulla dhe detyrime për lexuesit
"...Kam vu kusht që pikësëparit: mbi çdo libër duhet të shkruhet çmimi i caktuam ndershmënisht prej një grupi të ylemave në të holla sermi. Kur ndokush dëshiron me marrë një libër për studim në shtëpi, ai person do të parapaguejë të paktën një të tretën e çmimit si peng e, pa u pague ajo shumë libri mos t'i jepet. Së dyti, ylematë e qytetit do të zgjedhin dy kujdestarë, të parë e dytë, për librat e bibliotekës.
Këta do të subvencionohen prej myteveli nga të ardhunat e vakëfeve të mia. Në rast se kujdestarët e bibliotekës abuzojnë ose e neglizhojnë detyrën të pushohen dhe të zavendësohen me dy të tjerë të zgjedhun nga grupi i ylemave dhe të mytevelisë, tue iu sigurue atyne rrogat e caktueme.
Në qoftë se në vakëfin e përmendun (në bibliotekë) ndodh zjarm ose ndonjë katastrofë tjetër, duhet të zavendësohet me te ardhunat e një viti të vakfe të mia ose me uhana të siguruese me peng apo me dorëzanës dhe me interes ligjor, mandej poqese se mbeten teprica nga ato fonde duhet të ndahen studentëve, krye për emën të medreseve.
Hoxhallarët që japin mësime falas në ato medrese duhet të survejohen që të jenë të rregullt kurse myderrizi Sylejman efendi Fakja, derisa të vazhdojë rregullisht tu dhanë mësime në medrese, do të marrë një grosh mëditje vazhdimisht".
Prej Vakëfnames së Vezirit Mustafa Pashë Shkodra
shekulli
-
-
Në gjurmët e Bibliotekës së Bushatllinjve
Në vjeshtën e kaluar, dashamirët e kulturës pritën me kureshtje dhe, me interesim hapjen e një ekspozite të veçantë, kushtuar Bibliotekës së Bushatllinjve. Veprimtaria u organizua nga Biblioteka Kombëtare, në meritë, kryesisht të nismëtarit të saj, drejtuesit të institucionit, zotit Aurel Plasari, i cili, pohoi se ekspozita, krahas vlerave të veta të rralla, qe dhe e vonuar. Megjithatë, mendoj se kjo nuk ia zbeh vlerat: jo vetëm se “më mirë vonë se kurrë”, por, duke qenë e inkuadruar në “Javën e trashëgimisë evropiane”, asaj iu rritën vlerat. Për hir të së vërtetës, ka një farë qefmbetjeje lidhur me kufizimet në kohë -ekspozimi vetëm gjate një jave- si dhe në hapësirë, vetëm brenda institucionit, imponuar të tëra nga arsye objektive madhore, të lidhura me ruajtjen e vlerave të rralla, por që mënjanohet me urimin që pengesat të jenë të përkohshme dhe, në një tëardhme të shpejtë, të mos mungojë impenjimi i organeve përkatëse për t’ia zgjatur veprimtarisë afatet e vizitave, sikurse për t’ia mundësuar daljen jashtë kryeqytetit, të paktën deri në Shkodër, vendlindja e Bibliotekës në fjalë.
Unë dhe miqtë e mi shkodranë që patëm njoftimin e rastit, e konsideruam një shans të lakmueshëm mundësinë që na u krijua për të rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me vlera reale e konkrete të asaj që e kishim vetëm me të dëgjuar. Krahas të tjerave zotin Plasari e nderon fakti që, në fjalën e tij të rastit, vlerësoi kontributin e veçantë të Hamdi Bushatit e Zyber Bakiut, dy osmanologë të përkushtuar, të cilët në kohë të ndryshme e në rrugë të pavarura, bënë të mundur identifikimin e doreshkrimeve të mbetura nga biblioteka e mësipërme. Pavarësisht faktit që fondi i dikurshëm, i vjetri -rreth 3000 vëllimesh- është reduktuar në njëtënjëzetën -150 eksponatesh, zoti Plasari, në fjalën e tij, për hërë të parë publikisht, përdori emërtesën e re “Biblioteka e Bushatllinjve”, duke zëvendësuar atë të vjetrën, konvencionalen, të ashtuquajturën “Biblioteka e Vakfit”, përdorur për forcë zakoni nga autorët që kanë shkruar për bibliotekat e vjetra të Shkodrës, në shtypin e viteve ’40, të shekullit të kaluar.
Është rasti që, në kuadrin e këtij shkrimi, të hedh dritë të plotë mbi rolin e posaçëm të Hamdi Bushatit në gjurmimin e Bibliotekës për të cilën po flasim.Që në mesin e viteve ’20, mësuesit të ri Hamdi Bushati i tërhoqi vemendjen historia e vendlindjes e, në radhë të parë, ajo e Bushatllinjve, çka u pasqyrua pastaj dhe në veprimtarinë e tij publicistike, duke kaluar nga temat e didaktikës dhe historisë islame në atë të vendlindjes. Është fjala për dy shkrime të tilla në “Kalendari kombiar” të Lumo Skendos, në vitet 1926-28, koha e pranisë së tij si administrator i Bibliotekës në fjalë. Njohja e mirë e osmanishtes dhe puna e përditshme dy-trevjeçare në atë mjedis magjik dorëshkrimesh e librash, i dhanë mundësinë ideale për të identifikuar fondin e Bushatllinjve për të cilin ai kishte dëgjuar të flitej si në rrethin e fisit të vet, si dhe në mjediset studentore e ato intelektuale, pjesëtarë i të cilave ishte. Leximi (zbërthimi) i vulave, përkthimi i tyre, përkthimi i Vakufnames së Mustafa Pashës (testamenti i librave të dhuruar së bashku me rregulloren e bibliotekës) si dhe eksperienca e fituar, duke mos harruar përkushtimin e tij, ai krijoi bindjen se me sa vendosmëri e vazhduan nismën e Mehmet Pashë Plakut, pasardhësit e tij, Kara Mahmud Pasha, Brahim Pasha e Mustafa Pasha, duke arritur të grumbullonin një fond prej 3000 vëllimesh, duke e kthyer Bibliotekën në institucion publik. Në këtë mes merita më e madhe i takon Mustafa Pashës, i cili ka dhuruar sasinë më të madhe të tyre, ka zyrtarizuar një rregullore-model, ka investuar për ndërtesën e re dhe ka kontribuar për mbarëvajtjen e përherëshme të saj: pavarësisht se, pas 1831-shit, ishte larguar nga vendlindja, ai nuk e paksoi interesimin deri vitin që vdiq (1860). Mirëmbajtja e Bibliotekes ka vazhduar deri në vitet e zjarrta të Lidhjes së Prizrenit, vite kur në mjediset e saj u vendos Dega e Lidhjes për Shkodrën, ku u morrën të gjitha vendimet historike për mbrojtjen e trevave tona, ku u hartuan protestat e memorandumet, nga ku niseshin forcat vullnetare në Plavë-Guci, Hot-Grudë apo Tivar-Ulqin. Më vonë, me shtimin e represionit të valijve anadollakë dhe situatave të pasigurisë dhe të konflikteve të të dy dekadave të para të shekullit të kaluar, filluan shfaqjet e indiferentizmit e të shkeljeve të rregullores, çfarë solli dhe degradimin e ndjeshëm me humbjet që, në vitet 1926-28, do t’i konstatonte Hamdi Bushati. Kjo qe një e keqe e “ pranueshme”, po ta krahasojmë me atë të mëvonshmen, ”goditjen cfilitëse” kur në vitet ’60, këtij fondi iu rezervua një fund poshtërues, duke i ngjeshur librat ndër thasë, si mall pa inventar! S’vonoi dhe fatin e librave e ndoqi edhe ndërtesa që u shemb: por jo ”pa lënë gjurmë”, sepse fatmirësisht janë ruajtur dy klishe të atij mjedisi, njëra e vitit 1907, tjetra e vitit 1927.
Tërë këto të dhëna mbi Bibliotekën e Bushatllinjëve, autori kishte projektuar t’i bënte pjesë të një punimi kushtuar historisë së Bushatllinjve e që duhej të shihte dritën e botimit rreth viteve ’40, por vitet e pushtimit fashist, pastaj ato të komunizmit, s’lanë shteg. Në vitet ’60, pasi u kthye nga internimi -një dënim absurd, pa asnje motivim politik(?!)-, me përkrahjen e disa dashamirësve që ia çmonin aftësite e përgatitjen, u angazhua nga Instituti i Histori-Gjuhësisë, si bashkëpunëtor i jashtëm, që të mblidhte materiale e dokumente historike e etnografike, të përfshira në katër dosjet, të titulluara “Materiale ndihmëse për Shkodrën”, të cilat, të redaktuara, u botuan mbas vdekjes, në vitet 1998-99, nën titullin “Shkodra dhe motet”(3 vëllime). Së bashku me lëndën tjetër që i referohej arsimit e kultures se qytetit, u bashkua këtu dhe kapitulli kushtuar Bibliotekës së Bushatllonjëve, projektuar për t’u botuar dy dekada më parë, pjesë e punimit të cituar, “ Bushatllinjtë.” Ndër paradokset që ofruan vitet e komunizmit, duhet thënë, bën pjesë dhe trajtimi që iu rezervua angazhimit të tij, cituar më lart., veçanërisht, pas vitit 1967. Materialet e depozituara ishin vënë në “indeks”: -me autorizim të veçantë mund të shfrytëzoheshin pa kufizim, por me kusht që burimi i informacionit të mos citohej(?!) -një plagjiaturë e legjitimuar. Guxoi një studiues shkodran dhe e citoi ne një punim historik, por “gjeti belanë”! Ja kështu iu shperblye përpjekja e pandërprerë e disa dekadave, gjatë së cilave, ndonëse me pension të mohuar, ai kaloi nga lagjja në lagje, nga shtëpia në shtëpi, nga njëri sëndyk në tjetrin, nga një “trapazan”në tjetrin, nga një gur varri te tjetri, për të zbuluar e zbërthyer dokumente të vjetra e mbishkrime në osmanisht.
Solla këto hollësi që, çdo hulumtuesi të interesuar, t’i qartësohej se si materiali, i depozituar nga Hamdi Bushati në institucionet e kryeqytetit, u bë shkak që “dikush” të kujtohej për të ngarkuar një person kompetent për “të peshkuar”, në masën kaotike të librave e dorëshkrimeve orientale, fondin e Bushatllinjve. Fati deshi që kjo detyrë t’i besohej një osmanologu të përgatitur e të ndërgjegjshëm si zoti Zyber Bakiu. Përfundimet e arritura nga ai me përkushtim fisnik qenë një kontribut i rëndësishëm për vlerat e historisë së kulturës sonë, pavarësisht konstatimit të dhimbshëm që ”kokoshi ishte katandisur një thelë”, thënë popullorçe!
Dashamirësit e historisë e të traditave të vendlindjes si dhe studiuesit seriozë kanë çmuar tek autori Hamdi Bushati, krahas objektivitetit, dhe logjikën e përcjelljes së realitetit të kohës, duke mos i marrë të shkëputura, personazhet e ngjarjet, në kohë e në hapësirë nga mjedisi. Kështu, autori, para se të na flasë për bibliotekat e qytetit, na jep panoramën e zhvillimit politiko-ekonomik, strukturën e shoqërisë, mënyrën e jetesës, objektet e kultit, medresetë me programet e pedagogët e tyre, me arritjet etj.
Duke iu rikthyer dhe njëherë ekspozitës së cituar, kam parasysh se i cilës shkallë ishte befasimi i vizitorëve të pranishëm, kur ata kalonin nga një vitrinë te tjetra, ku ishin eksponatet bibliotekare. Kuptohet që ai varej nga perceptimet e mëparshme mbi periudhën historike përkatëse: reagimi ishte në raport të zhdrejtë me nivelin e deriatëhershëm të njohurive të tyre. Me këtë pohim, s’dua të lë përshtypjen sikur unë dhe të tjerë, më shumë të informuar, mbetëm indiferentë para vlerave që na shpaloseshin. Ndryshimi qëndronte te këndvështrimet. Për ne nuk kishte “të papritura”, ndjenim kënaqësi për ato që po konfirmonim. Ishte e shpjegueshme përse sundimtarët Bushatllinj vlerësuan si duhet librat e bibliotekat: shkollimi i tyre, politikat e tyre në fusha të ndryshme të jetës, vizionet e tyre bashkohore e zbulonin “sekretin” e arritjeve të atilla. Mesazheve të dobishme që solli ekspozita, për evidentimin e vlerave të mirëfillta kulturore dhe artistike dhe nevojën e ruajtjes së tyre, duhet t’u shtohet gjithashtu dhe detyra e thellimit tonë të mëtejsshëm për njohjen e tyre. Ne këtë vështrim, duhet të bëhet e qartë edhe çështja e vjetërsisë së asaj Biblioteke dhe vendi i saj në renditjen e bibliotekave të vjetra Shkodrës. Një sqarim të tillë e kërkon objektiviteti historik, sepse, në disa shkrime të viteve ‘40 të shek.XX, janë paraqitur të dhëna të pasakta e të mangëta në lidhje me këtë problem,duke e renditur të mësipërmen pas asaj “Kllyci”(alias Tabaku) për vlera dhe për vjetërsi. Shkaku kryesor i kësaj lajthitjeje është fare i shpjegueshem: mosnjohja e osmanishtes dhe njohuri jo të plota mbi periudhën në fjalë nga ana e autorëvë të cituar. Në një studim timin të veçantë, jam ndalur hollësisht mbi problemin në diskutim, duke sjellë argumentet e duhura që të krijojnë bindjen se ajo Bibliotekë e ka filluar jetën e saj që me Mehmet Pashë Plakun, vazhduar me Kara Mahmudin për të arritur “zenitin” e vet me Mustafa Pashën, që e institucionalizoi me anë të Vakufnames, duke realizuar një jetëgjatësi dyshekullore, me sukseset e humbjet e rastit. Pas 5-6 dekadash, mbështetur në modelin e eksperiencën e saj, janë krijuar dhe kanë lulëzuar bibliotekat private elitare si ajo “Kllyçi”, ”Myftija”etj., pasuri te vërteta kulturore të Shkodrës, fatkeqësisht të gjymtuara keqas nga persekutimi komunist.
Dëshiroj t’i mbyll këta radhë me urimin që specialistët e fushës, tani e prapa, të jenë më të pranishëm në tematikën e mësipërme, duke e nxjerrë jashtë kohe atë konstatimin e drejtë, ndonëse të pakëndshëm, të autorit bashkohës amerikan, Noel Malcolm, kur po karakterizonte figurën e Kara Mahmudit: ”Historia e vulgarizuar në Perëndim ka treguar nj interesim të vogël për këtë burrë të jashtëzakonshëm,po ta krahasojmë me partnerin e tij të Jugut,Ali Pashanë…,Mahmudi e pësoi nga shkaku që atë nuk e vizituan kurrë shtegtarë romantikë anglezë”. Shija bëhet dhe më e pakëndshme, kur konstatojmë se, edhe kur “fati”i solli në pallatin e Mustafa Pashës dy turistët anglezë, M. Pardoe dhe D.Urquhart, ndoshta po aq “romantikë”, por “të vonuar”, historianet tanë nuk treguan ndonjë interesim, përderisa as që u janë referuar ndonjëherë.
Nexhmi BUSHATI / Studiues
Kryetar i Shoqatës “Kara Mahmud Pasha”
-
-
Çelet ekspozita me librat e viteve 1300
SHKODER Rikthehet në vendlindje biblioteka e famshme e Bushatlinjëve. Për here të parë pas kaq kohësh ekspozohet nje nga pasuritë më të mëdha kulturore jo vetëm të Shkodrës, por i të gjithë shqiptarëve, biblioteka e Bushatlinjëve, e cila ka libra që i përkasin viteve 1300.
Në bibliotekën e qytetit "Marin Baleti", është bërë i mundur ekspozimi i rreth 150 vëllimeve. Ka qenë një bashkëpunim mes bibliotekës së Shkodrës dhe bibliotekës Kombëtare. Ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite është bërë pasditen e së shtunës rreth orës 18:00. Numri shumë i madh i pjesëmarrësve në këtë ceremoni ishte treguesi më i mirë i suksesit të këtij evenimenti. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari i pranishëm në ceremoni vuri në dukje rëndësinë e kësaj pasurie kombëtare. "Ne për herë të parë po nxjerrin prej mureve, jashtë Tiranës këtë fond të jashtëzakonshëm që ka biblioteka jonë. Fondi i Bushatlinjëve është një pasuri e madhe e të gjithë shqiptarëve. Nga Shkodra do të vazhdojmë këtë eksperiencë me Prishtinën ku do të ekspozojmë gjërat e rralla. Kam një kënaqësi të madhe që kjo nismë e jona fillon në Shkodër. Prejardhja e kësaj biblioteke është treguesi më i mirë i kulturës së Shkodrës dhe veriut të Shqipërisë", - ka pohuar Plasari.
EKSPOZITA
Sipas Plasarit, kjo bibliotekë dhe librat e saj që janë të fushave të ndryshme tregojnë jetën e Shqipërisë së atyre kohëve. Ndërkohë, Nexhmi Bushati, përfaqësuesi i familjes së madhe të Bushatlinjëve ka falenderuar organizatorët në emër të familjes duke pohuar se "Në saje të përkushtimit të zotit Aurel Plasari është bërë e mundur që të bëhet ndërkombëtarizimi i kësaj pasurie të madhe, pasi është mundësuar renditja e këtij fondi në kalendarin e aktiviteteve europiane". Ndërsa, Gjovalin Çuni, drejtor i bibliotekës "Marin Barleti" në Shkodër deklaroi se janë rreth 150 njësi të Bibliotekës së famshme të Bushatlinjëve në të cilat përfshihen letërsi, administratë, filozofi, fe, gjuhësi, kozmografi, retorikë etj. "Janë pasuria shpirtërore e pashallarëve të Shkodrës, si për të dëshmuar në njëfarë mënyre edhe thuajse krejt autonominë që gëzonte ky sanxhak në harkun kohor 1757-1831", - sqaroi ai
BIBLIOTEKA E BUSHATLINJEVE
Sipas kronikanit Hamdi Bushati, Biblioteka u themelua si institut i përgjithshëm prej Mehmet Pashë Plakut dhe u mbajt e pasurua nga djemtë e tij, sidomos Mustafa Pasha, që përmendet si njeri studiues që kishte mëkëmbur një bibliotekë me libra frëngjisht dhe turqisht, të cilat në fund ia fali vakëfit të Shkodrës. Në librin "Shkodra dhe motet" me autor Hamdi Bushatin gjenden të dhëna të rëndësishme për këtë bibliotekë. Sipas këtij libri në bibliotekën e Vakëfit ka pasur afro 3000 volume teologjie, jurisprudence e libra të ndryshëm fetarë, tekste shkencore mbi fizikën, shkenca natyrore, matematikë, gjeometri, filozofi, astronomi, histori etj. Rreth viteve 1840 ngrihet ndërtesa madhe e Bibliotekës së Bushatlinjëve. Nuk ishte rastësi që në Shkodër të ekzistonte një bibliotekë e tillë. Në shekullin XVIII, Shkodra bëhet qendër pashallëku nën sundimin e familjes vendase të Bushatlinjëve. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatllinjëve tentoi për herë të parë krijimin e një principate të pavarur shqiptare, që më vonë u shtyp nga perandoria osmane. Më 1718 janë hapur në Shkodër agjencitë e para konsullore. Më 1730 krijohet Dhoma e Tregtisë. Nga viti 1807 deri me 1809 u ndërtua bexhisteni në zonën tregtare në rritje të qytetit. Në shekullin e XlX rritja ekonomike eci me ritme të larta. Qendra tregtare ose pazari kishte rreth 2500 dyqane dhe ishte më i madhi në Ballkan. Qyteti arriti në 50.000 banorë dhe u bë qendër Vilajeti. Këtu prodhoheshin veshje kombëtare, pëlhurë, lëkurë, duhan, barut, që eksportohen. Ushtroheshin 80 profesione. Në qytet ishin 6 konsullata të fuqive europiane dhe vendeve fqinje. Në vitin 1867 qyteti u bë qendër e Arqipeshkvisë dhe kishte institucionet tregtare të kohës, gjykatë, drejtori postale, dogane etj.
VULA E MUSTAFA PASHËS
Në librin "Shkodra dhe Motet" me autor Hamdi Bushatin mësohet se të gjitha librat e bibliotekës vuloseshin me vulën personale të Mustafa Pashës, por me largimin e tij nga Shkodra, librat e bibliotekës vuloseshin me vulën e veçantë, që Pasha i kishte dërguar bibliotekës nga jashtë. Vula kishte këtë përmbajtje: "Mbështetja ime është Zoti dhe Ai është i mjaftueshëm- nga librat të cilat i ka bërë vakëf i përvuajturi pranë të mirave të Perëndisë, nga vezirët i quajturi Sherif Mustafa. Zoti është më i përhershmi". Kjo vulë ka pasur datën 1251 (1834- H.B.). Kjo jep të kuptohet se Veziri atë vulë e dërgoi prej së jashtmi, mbasi iku nga Shkodra në vitin 1831. Vulën e mbante kujdestari i bibliotekës, i ciii vuloste librat. Ndërtesa e bibliotekës ka qenë përballë Medresesë së Kara Mahmut Pashës, në skajin e djathtë duke hyrë në Xhaminë e Madhe. Të gjitha këto ndërtesa formonin një sektor më vete. Para se të ndërtohej biblioteka, librat ruheshin në një vend të veçantë, në Bexhisten, ndër dollapë të posaçëm. Ndërtimi i një instituti të tillë nxjerr në pah interesimin e Pashës për përhapjen e diturive në atdheun e tij, edhe pse ishte i larguar përgjithmonë prej këndej. Ai përveç se e mëkëmbi si ndërtim, por edhe e pajisi me libra të ndryshëm dhe të zgjedhura. Ai nuk hezitoi të blinte libra sado larg pa pyetur për çmimin e tyre. Në këtë bib1iotekë ka pasur libra të rralla. Në vitin 1929, disa orientalistë gjermanë patën ardhur në bibliotekën e vakëfit të këtushëm; mbasi e vizituan, dalluan disa libra të rralla shkencore të shkruara arabisht që atyre u nevojiteshin e që nuk kishin mundur t'i gjenin në ndonjë vend tjetër. Deshën t'i paguanin me çmime shumë të larta, por autori i kësaj vepre, që në ate kohë ishte administrator i Zyrës së Vakëfit të Shkodrës dhe kujdestar i bibliotekës, nuk pranoi një veprim të tillë. Biblioteka kishte dhoma dhe sallon ku mbaheshin librat edhe kishte vend studimi për lexuesit. Biblioteka në fillim ka pasur dy kujdestarë, të cilët ishin të detyruar në bazë të vakëfnames, të respektonin rregulloren e konceptuar prej vakëflënësit.
RREGULLORJA E BIBLIOTEKËS
Biblioteka funksiononte në bazë të një rregulloreje:
Mastafa Pasha, ndërsa ishte vali në Edrene në vitin 1848 formuloi vakëfnamen e tij. Në këtë dokument ai përcaktoi dhe rregulloren e bibliotekës. Në të shkruhet: "Po i la vakëf të gjitha librat e bibliotekës sime që kam lanë në Shkodër të Shqipnisë e që janë të vulosuna me vulën time dhe të regjistrueme dhe të ruejtuna në depon e veçante. Për ato libra kam vu kusht që pikë së parit: mbi çdo libër duhet të shkruhet çmimi i caktuem ndershmënisht prej një grupi të ylemave në të holla sermi. Kur ndokush dishron me marrë një libër për studim në shtëpi, ai person do të parapagujë të paktën një të tretën e çmimit si peng e pa u pague ajo shumë, libri mos t'i jepet. Së dyti, ylemate e qytetit do të zgjedhin dy kujdestarë, të parë e të dytë, për librat e bibliotekës. Këta do të subvencionohen prej myteveliut nga të ardhunat e vakëfeve të mia. Në rast se kujdestarët e bibliotekës abuzojnë apo e neglizhojne detyrën të pushohen dhe të zavendësohen me dy të tjerë të zgjedhun nga grupi i ylemave tue i sigurue atyne rrogat e caktueme. Në qoftëse në vakfin e përmendun (në bibliotekë) ndodh zjarm ose ndonjë katastrofë tjetër, duhet të zavendësohet me të ardhunat e një viti të vakfeve të mia ose me uhana të sigurueme me peng apo me dorëzanës dhe me interes ligj.
shkodraonline
-
-
Kastriot Kotoni
Bibloteka e Shkodres, safir qe zbukuron kulturen
Shkodra, kjo toke e pjellshme e kultures mbarekombetare shqiptare vjen ne librin e Zj.Elektra Capaliku, me tilullin kuptimplote “EX LIBRIS SCODRAE”, si nje punim shkencor me burime te vjetra e te reja i ndare ne tete kapituj. Kapitujt te ndare nenkapituj te vegjel, gje qe per autoren e librit eshte konceptuar ne menyre qe te ofroje lexuesve te ketij libri nje lexim sa me fuksional te tij. Ne kapitullin e pare jepet “AB IMMEMORABILI”, “EX LIBRIS SCODRAE” me nentituj: “Shpypshkronjat ne Shkoder’’, “Tregtimi i librit”, “Pasurimi i biblotekave”, “Biblografet shkodrane”. Autorja Capaliku e nis rrefimin me historine e Shkodres ne periudhen ilire e me pas me principaten e Arberit.
Deri para pushtimit osman Shkodra ishte nje kryeqender e kultures ne Arberi e pertej saj. Shfaqja e Bushatllinjeve shume vjet me vone e rilind kete qytet ku nisi kalimi i sistemit nga nje ekonomi natyrore ne sistemin e ekonomise se tregut. Shekulli XIX e gjeti Shkodren ne hapat e para te kapitalizmit dhe krijimit te borgjezise. Numeroheshin 3500 dyqane, 50 firma grosiste, 130 firma tregtare qe i kishin agjencite e veta ne Venecia e deri ne Liverpool e qe kerkonin njerez te shkolluar per t’u perballur me boten e madhe te konkurrences me te huajt. Kur Porta e Larte nxori nje dekret ku vendoste barazine mes shtetasve muslimane e te krishtre te Perandorise, ajo iu shmang presionit austo-hungarez si dalezote e elementit katolik ne Shqiperi. Kultursprotektoriati conte uje ne ruajtjen e identitetit kulturor te mbetur.
Shkodra u be keshtu nje qender e hapur ekonomike dhe e gatshme per te asimiluar kulturalisht elemente integrues qe vinin nga marredheniet me shtetet ne rajon e me gjere. Konsullata te shume shteteve u hapen ne Shkoder, ndaj kemi edhe fenomene te shume emrave qe behen protogoniste te qytetit, si Pietro Marubin e Arsen Idromenon, Scagnettin e Giacinto Siminin etj. Udheheqesit mendore e shpirterore te Shkodres kishin kaluar kalvarin e veshtiresive e ishin kthyer ne Liberatore te Rilindjes Kombetare, emra te tille si Pashko Vasa e Zef Jubani, Luigj Gurakuqi e Faik Konica, Gjergj Fishta e Kole Idromeno, Ndre Mjeda e Pjeter Marubi. At Gjergj Fishta me thenien e tij te famshme mbas aktit te shpalljes se panvarsise, “Tashti qe u ba Shqypnija, duhen me u ba shqiptaret” ishte sinkron me nje lulezim edhe ne fushen e kultures se ketij qyteti. Pjeter Marubi me studion e pare fotografike qysh ne vitin 1858, pas 20 vjetesh Kole Idromeno pikturonte motren Tone e me pas troket ne Shkoder e para orkester frymore me maestro Giovani Kanale pa harruar At Leonardo De Martino ne vitin 1879 i cili do organizonte te paren shfaqe teatrore me nxenesit e mesuesit e kolegjit Saverian.
Pyetja kush jemi dhe si mund te identifikohemi u be prerogativi i kohes. Sipas autores CAPALIKU, sistemi publik e privat, laik e religjoz u be baza e krijimit te jetes kulturore shqiptare e asaj shkodrane ne vecanti. Nga ana tjeter, shtypi i qytetit me letersi e publicistike, me vepra e polemika shtypi, me militantizem social, me hapje si kurre me pare nga Perenidimi, i behej nje prijes i sigurte zhvillimit. Klube, shoqeri e komisi, librari dhe sallone artistike, letersi eksperimentale e tradicionale, bashkejetonin e grishnin per debat njeri – tjetrin. Ky mentalitet qytetar u shtri ne te gjithe Shqiperine me njerez si Thoma Turtulli ne Korce i cili me parate e veta ngriti ne vitet ‘30 nje bibloteke publike ne Tirane, me hapjen e kinemave private nga vllezerit Beshiri, Obdari etj.
Inter arma, silent musae, eshte nenkapitull i cili shtjellon edhe fillimin e dokumentit ne Shqiperi me Statutet e Shkodres deri ne vitin 1469 pergjate leximit te te cilave mahnitesh kollaj prej perfytyrimit qe krijohet per nje qytet krejtesisht evropian, piktoresk e qe nuk i le asgje mangut qyteteve te famshem te asaj kohe. Historia e botimit te te parit romancier shqiptar Ndoc Nikajt e treguar nga At Gjergj Fishta na jep dhe klimen kulturedashese qe ekzistonte ne Shkoder e me sa dashamiresi ajo financohej nga zoteria me mbiemrin Dodmasej per botimin e ketij libri. Ne vitin 1944 numeroheshin ne qytet 28 bibloteka te rendesishme me karakter albanalogjik. Kurse ne pikepamje editorial ne Shkoder deri ne 1944 u botuan rreth 60 revista, gazeta e kalendare.
Me ardhjen ne pushtet te komunisteve biblotekat e deriatehershme u pane si vatra te infektuara qe duheshin mbajtur nen kontroll, duheshin seleksionuar, duheshin krijuar fondet e rezervuara e keshtu lindi termi “libra te ndaluar”. Willi Kamsi tregon mbi barbarine qe eshte bere ne biblotekat e Jezuiteve e Franceskaneve. Ndersa hiqeshin raftet e librave librat liheshin pertoke ne mesin e sallave ne meshiren e kujtdo. Kamione te tere vershonin me thase e dengje librash, drejt Ures se Bunes per ne Jugosllavi, gjoja per karton, por ne fakt pas nje perzgjedhjeje te kujdesshme pasuruan biblotekat e Jugosllavise tue cveshe Shkodren prej tyne. Madje si nje prove te kesaj kemi pranine e doreshkrimit te “Lahutes se Malcise” se At Gjergj Fishtes ne njerin prej intitucioneve te Zagrebit.
Dhuna e madhe ndaj biblotekave fetare te intitucioneve fetare u ushtrua kryesisht nga viti 1967 atehere kur edhe u shpall zyrtarisht ateizmi. Ne castin e sekuestrimit nje pjese e librave u dogjen, nje pjese tjeter u vodh dhe nje pjese tjeter shkoi ne fondin e biblotekes shteterore. Pas viteve ‘90 industria e librit u privatizua, tregu i librit u liberalizua, sistemi i konservimit te kultures se shkruar u demtua rende. Ne Shkoder pati nje bastisje te re te biblotekes publike me 1992 me ndodhjen e trazirave te 2 Prillit.
Shtypshkronjat ne Shkoder, deri ne maj te vitit 1946 kur u shtetezuan, ishin shtypshkronja “Seminari Papnuer” qe filloi e u themelua prej eterve jezuite ne 1870, shtypshkronja “Taraboshi”, shtypshkronja “Kaculini”, shtypshkronja “Ora e Shkodres”, shtypshkronja “Nikaj”, shtypshkronja “Franceskane”, shtypshkronja “Republika”. Keto shtypshkronja kane pasur nje rol te jashtezakonshem ne perhapjen e dijes dhe pasurimin e bibliotekave.
Nga shterimi i te dhenave prej autores Capaliku nuk mund te mos permendim edhe rubriken “Tregtimi i librit” ku sipas saj libraria me e hershme permendet ajo e “Dugajve te Reja” e Filip Shirokes, librari “Lacej”, librari “Broja” dhe librari “Nikshiqi”. Padyshim, sipas autores pasurimi i bibliotekave te ketij qyteti me dokumente e materiale serioze nga te gjitha bibliotekat dhe arkivat e ndryshme te Europes, u be nga hulumtuesit jezuite dhe franceskane. Vepra te rendesishme fondamentale per historine e Shqiperise si “Iliricum Sacrum”(Farlati – Koleti), Kadastri Venedikas i Shkodres. Ne vitin 1929 fryti i gjurmimeve ishte dhe sjellja ne Shqiperi e tre kopjeve te fotokopjuara te Mesharit te Gjon Buzukut nga ana e At Justin Rrotes. Mustafa Pasha i fali vakefit biblioteken e tij dhe ndertoi nje biblioteke me libra te zgjedhur e shume te shtrenjte. Ne vitin 1926 Fishta i fali bibliotekes librat e perdorimit te vet. Nje nder projektet te bera nga Fishta ishte ai i bibliotekes qe u realizua ne vitin 1930 me ndihmen e zvicerianes Maria Buhler.
Bibliografet shkodrane pasqyrohen nga autorja si permbushje e nje mozaiku kulturor shkencor te domosdoshem per shkencen albanologjike. E para bibliografi e krijuar ne Shkoder ishte ajo e A. Xanonit. Sipas Jup Kastratit i cili argumenton se bibliografia shkodrane pati nje hov ne dhjetevjecarin e dyte te shekullit te XX.. Justin Rrota, At Fluvio Cordinjano, Karl Gurakuqi, Benedikt Dema jane pioneret e bibliografise, pa harruar bibliografet Willy Kamsi, Paloke Daka dhe Luigj Shestani, Bep Jubani, Faik Lulin, etj.
Autorja Capaliku kur shteron tezen e bibliotekave te hershme i referohet Aleksander Stipcevicit, ketij studiuesi kroat i cili ne vepren e tij madhore “Historia e librit” shenon se ne Iliri ka pasur 72 biblioteka dhe disa syresh kane qene dhe ne Shkoder. Qendra te rendesishme te adminstrates e te kultures me arkiva e biblioteka te famshme kane qene arqipeshkevite e Durresit, Tivarit, Shkodres e Shkupit. Faktet e dokumentuara tregojne se bibliotekat e organizuara datojne qe ne vitin 1683 me biblioteken e Bogdanit. Nje biblioteke e mocme si dhe ajo e Bogdanit nuk ekziston me sepse u dogj, ka qene e Myftiut te Tabakeve apo Kellycit. Kjo biblioteke ka qene shume e pasur me doreshkrime ne gjuhen orientale e themeluar ne vitin 1750 nga Hasan Kellyci me 3000 kopje. Nder eksponatet me interesante te saj duhen permendur “ABC-ja shqipe” e vitit 1900 si dhe dy tabela astronomike te H. Tasimit.
Baticat e zbaticat e qyteterimit shkodran na cojne tek biblioteka e jezuiteve dhe franceskaneve. Bibliotekat e shoqerive kulturore te cilat datojne nga viti 1919 me tre shoqeri kulturore “Bashkimi”, “Agimi” dhe “Gjuha shqipe”. Ne keto shoqeri si dhe ne komesine letrare kemi shkencerisht te vertetuar tashme tezen se fondet per krijimin e bibliotekes kombetare shqiptare jane nga keto biblioteka. Hile Mosi qe drejtonte shoqerine “Vellazenia” i dhuroi 3000 vellime ne vitin 1922 Bibliotekes Kombetare te ndodhur ne Tirane.
Bibliotekat private jane nje safir qe e pasurojne gjerdanin e kultures shkodrane, gje qe tregon frymen perendimore te ketyre koleksionisteve te palodhur shqiptare. E tille ishte biblioteka e Lluka Karafilit me pseudonimin Bardhyli me 2500 libra, Lec Harapi me libra te cmuar per studimet albanologjike e balkanologjike. Po keshtu shume e rendesishme ka qene biblioteka e Anxhelin Saracit. Biblioteka e familjes Idromeno, biblioteka e vellezerve Ivanaj, biblioteka e italianit At Fluvio Kordignanos, biblioteka e Kol Kamsit, bibloteka e Jup Kastratit, apo bibloteka e Eilli Kamsit dhe bibloteka e Tef Topallit, Tomorr Osmanit, Hamet Osjes, Rakip Gjylbegut. Biblioteka publike “Marin Barleti” e krijuar ne vitin 1934 eshte sot biblioteka me e pasur pas asaj kombetare te ndodhur ne Tirane. Biblioteka e Muzeut Historik e cila se fundmi eshte pasuruar nga fondi i mrekullueshem i librave te Arshi Pipes. Libri me i hershem i bibliotekes se muzeut eshte ai i Budit i vitit 1621.
Librat e rralle si “Historia de Vita et Gestis Georgii Castrioti Scanderbegi” e Marin Barletit (1508-1510); “Doktrina e krishtene” e Budit, jane ikona qe shndrisin prej shekujsh kulturen e qytetit te Shkodres. Zvetenimet nga hordhite pushtuese nuk ia kane arrite me e humbe shkelqimin e kohrave te mot motit kesaj zoje te rande sic ka qene e do te jete Shkodra. Autorja e librit e ndien qytetin e saj te lindjes, e prek dhe e shenjon me admirim ne cdo dokument apo faqe historie me vezhgim shkencetari dhe pa hyjnizime. Ajo i therret kujteses njerezore ne cdo rresht libri, faqe, dokumenti per te ndertuar nje Rozafe qe nuk prishet ne mendjen e bashkeqytetareve dhe bashkekombasve te saj. Pyetja qe shtron autorja pas nje rilindje te bibliotekave neper institucionet fetare dhe publike a do te kete po ate pjellori mendore Shkodra, a do te mbillen fidanat e ideologjise kombetare?
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt