MITI I HARMONISË FETARE DHE REALITETI I KONFLIKTIT
20 Shtator 2004, TemA
Kastriot Myftaraj
Kryqi dhe udhëkryqi
Kryqet e ritit ortodoks të vëna nga Kisha Ortodokse në disa pika të ndryshme të vendit, si dhe debate që shkaktoi kjo gjë, është një nga ato ndodhi që janë simptoma të një problemi më të madh, i cili nuk mund të mbulohet më me gjethen e fikut retorike të harmonisë fetare. Incidenti bëhet edhe më serioz për faktin se ai nuk është veprim i një individi apo shoqate, por i një institucioni zyrtar fetar, Kishës Ortodokse Shqiptare. Ata që e bënë këtë gjë e dinin se do të kishte reagime dhe ndoshta, në kalkulimet e tyre, edhe reagimet qenë llogaritur për të plotësuar efektin që duhej të bënte vendosja e kryqeve.
Pse u vendosën kryqet? Ata që i vunë thonë se e kanë bërë këtë gjë për të shënuar vendet ku më parë kanë ekzistuar kisha ortodokse. A është kjo arsyeja e vërtetë? Në debatin publik shqiptar ekziston një mosdashje e madhe për ta trajtuar në thellësi dhe gjerësi këtë problem. Vendosja e kryqeve nuk mund të merret si një episod i shkëputur. Në rast se nuk do t’ i mbyllim sytë dhe fshijmë kujtesën, atëhere do të na bëhet e qartë se vendosja e kryqeve është pjesë e një fenomeni historik dhe bashkëkohor, që meriton një analizë shteruese.
Nëse këto kryqe që u vendosën shënojnë diçka, atom und të quhen si shenja që tregojnë udhëkryqin ku kanë hyrë marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri. Në rast se do t’ i mbyllim sytë dhe do të bëjmë sikur nuk e shohim këtë udhëkryq atëhere do të na ndodhë ajo që i ndodh çdo shoferi që sillet kështu në një udhëkryq, pra do të vijë përplasja.
Debati shkencor për marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri
Nocioni i harmonisë fetare në Shqipëri është shndrruar në një mit të retorikës politike që përsëritet pafundësisht në një ritual të përhershëm të retorikës politike, të cilin janë të detyruar ta ndjekin të gjithë. Praktikisht, “Harmonia Fetare” është shndrruar në kultin zyrtar fetar në Shqipëri ku sipas Kushtetutës nuk ka një fe zyrtare. Të shprehesh kundër saj quhet herezi. Kjo ka bërë që të frenohet debati publik mbi këtë argument.
Por nga pikëpamja metodologjisë së analizës socio-religjioze, sipas së cilës të gjitha tezat futen në analizë me status të barabartë, teza e harmonisë fetare nuk është një kategori analitike e marrë si e vërtetë a priori, por thjesht një tezë që ka status të barabartë me tezën e kundërt se në vend ka konflikt fetar.
Të dy tezat duhet të vihen në balancë, duke u sjellë argumente pro dhe kundër secilës, në mënyrë që të shkohet tek e vërteta nëpërmjet debatit të hapur. Në rast se në vend ka vërtet një harmoni fetare kaq të fuqishme, atëhere nuk ka pse të ketë drojë nga debati. Ndryshe frika nga debati a priori provon se harmonia fetare është një gjë iluzore. Në Zvicër dhe në Gjermani ku ka dy fe të ndryshme (protestante dhe katolike) mund të diskutosh si të duash dhe sa të duash për çështjet fetare, duke mbrojtur tezën e harmonisë apo konfliktit dhe askush nuk preokupohet seriozisht sepse harmonia fetare atje është një realitet dhe jo një iluzion.
Në këto vende nuk flitet kaq shumë sa në Shqipëri për harmoninë fetare edhe pse atje harmonia fetare është vërtet optimale. Kjo ndodh sepse harmonia fetare tashmë është bërë atje diçka e natyrshme si ajri që thithet. Vetëm atje ku marrëdhëniet ndërfetare janë problematike flitet shumë për harmoninë fetare, ashtu siç ai bën ai që ecën natën në pyll dhe që për të mposhtur frikën këndon këngë trimërie.
Debati shkencor për marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri ka mbetur ende në kufijtë e propagandës. Ky debat sillet rreth boshtit të dogmës të harmonisë fetare, që ofrohet si një paradigmë e padiskutueshme për marrëdhëniet ndërfetare në Shqipëri. Por, Thomas Kuhn, në librin e vet të njohur “Struktura e revolucioneve shkencore” thotë se një paradigmë legjitimohet kur ajo shpjegon pjesën më të madhe të fenomeneve. Në rast të kundërt ajo duhet t’ i lëshojë vendin një paradigme tjetër.
Paradigma e harmonisë fetare dhe paradigma e konfliktit fetar
Nga pikëpamja shkencore, të thuash se në Shqipëri ka harmoni fetare do të thotë se ke paraqitur një paradigmë, e cila do të duhej që t’ i shpjegonte nga pikëpamja e harmonisë ngjarjet historike dhe bashkëkohore në raportet midis feve në Shqipëri. Në rast se kjo paradigmë nuk është në gjendje ta bëjë këtë, atëhere automatikisht ajo zbret nga froni dhe i lëshon vendin paradigmës së konfliktit fetar.
Nga pikëpamja shkencore, do të ishte një aventurë shumë e vështirë që të mbështesësh nga pikëpamja historike paradigmën e harmonisë fetare në Shqipëri. Shqipëria është vendi ku që në mesjetën e hershme u hoq vija ndarëse midis dy kishave, asaj katolike romane dhe asaj ortodokse greke, vijë kjo e cila kalonte përkitaz me Lumin Shkumbin. Në territorin e Shqipëris së sotme u zhvillua e ashpër lufta mes dy kishave për t’ i shkëputur territorie njëra tjetrës dhe në këtë luftë u përzien dhe shtetet e huaja si dhe princat shqiptarë. Luftrat normano-bizantine, anzhuino-epirote etj nuk mund të konsiderohen si luftra fetare, por efekti i tyre qe se territoret e zëna prej palëve kalonin nën juridiksionin e asaj kishe që i takonte fitimtari, në të njëjtën mënyrë siç ndodhte gjatë luftrave fetare.
Kështu, kur normanët dhe anzhuinët zunë disa territore shqiptare, ata i kaluan ato nën juridiksionin e Kishës Katolike. Ndërsa kur bizantinët dhe epirotët ua rimorrën këto territore normanëve dhe anazhuinëve, i kaluan ato nën juridiksionin e Kishës Greke. Dhe të gjitha palët, duke mos dashur që të dukeshin se luftonin thjesht për të zënë territore, e gjenin konvenuese të shpallnin se luftonin për kauzën fetare. Edhe luftrat mes princave vendas në territorin e sotëm shqiptar, nuk mund të thuhet se qenë luftra fetare, por efektivisht ato sillnin ndryshimin e realitetit fetar në vend, varësisht se kush qe fitimtar, në po atë mënyrë si luftrat fetare. Lufta mes Principatës së Arbërit dhe Despotatit i Epirit në fillim të shekullit XIII, të cilat kishin si kufi Lumin Shkumbin, nuk mund të thuhet se qe një luftë fetare. Por efektet e saj qenë ato të një lufte fetare. Principata e Arbërit, e cila shtrihej në veri të Shkumbinit, qe katolike, ndërsa Despotati i Epirit, që shtrihej në jug të Shkumbinit, qe ortodoks. Fakti që Despotati e Epirit, me ndihmën e Serbisë, e fitoi luftën, duke pushtuar territorin e Principatës së Arbërit, bëri që të ndryshonte realiteti fetar i vendit, duke kaluar dhe pjesa më e madhe e territorit në veri të Shkumbinit në varësi të Kishës Ortodokse, deri në momentin që në vend erdhën anzhuinët, disa dekada më vonë.
Të gjitha këto zhvillime nuk mund të shpjegohen me anë të paradigmës së harmonisë fetare. Ato mund të shpjegohen vetëm me anë të paradigmës së konfliktit fetar. ...
Me paradigmën e harmonisë fetare nuk mund të shpjegosh as ngjarjet e vitit 1914 në Shqipëri, rebelimin epiroto-ortodoks në Shqipërinë e Jugut, të përqëndruar në zonën Gjirokastër-Korçë dhe rebelimin islamik në Shqipërinë e Veriut, të përqëndruar në Tiranë-Durrës.
Me paradigmën e harmonisë fetare nuk mund të shpjegohet as asgjesimi fizik i pjesës më të madhe të klerit katolik në vitet 1945-48 nga Sigurimi i Shtetit i kontrolluar totalisht nga ortodoksët me Koçi Xoxen në krye. Sigurisht që Xoxe dhe funksionarët e tjerë të lartë ortodoksë të Sigurimit të Shtetit qenë komunistë dhe ateistë, por ata ishin formuar në një mjedis kulturor ortodoks, me një urrejtje të tërbuar kundër katolicizmit.
Me paradigmën e harmonisë fetare nuk mund të shpjegosh as ngjarjet e vitit 1997, si dhe disa incidente të tjera që i kanë paraprirë dhe pasuar ato, si ardhja në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare “përkohësisht” prej 13 vjetësh e Patriarkut grek, Anastas Janullatos, në një kohë që Greqia ka shprehur hapur aspiratën për të helenizuar nëpërmjet ortodoksizimit Shqipërinë, as “shakaja” me Papa Gjon Palin II në Festivalin e Këngës në RTSH, në vitin 2002, as vendosja e kryqeve ortodokse në pika të ndryshme të vendit.
Të gjitha këto mund të shpjegohen vetëm me paradigmën e konfliktit fetar.
Harmonia fetare dhe harmonia politike
Për harmoninë fetare flitet shumë, por kurkush nuk e shpjegon se çfarë është ajo në të vërtetë. Thuhet se fetë e ndryshme në Shqipëri kanë bashkëjetuar në paqe. Por kjo nuk do të thotë se ka harmoni. Bashkëjetesë paqësore midis feve mund të ketë edhe atje ku një komunitet fetar sundon politikisht mbi komunitetet e tjera fetare. Harmonia është një gjë krejt tjetër. Harmoni do të thotë që mes komuniteteve fetare të jenë stabilizuar ekuilibra, në raport me numrin e tyre, në rrafsh politik, ekonomik, kulturor, në mënyrë që asnjë mos ta dominojë tjetrin. Teza e harmonisë fetare verifikohet si në provën e lakmusit në rrafsh të ndarjes së pushtetit. Harmonia fetare duhet të shprehet në harmoninë politike.
Në rast se ka çbalancim të ndjeshëm në dobi të një komuniteti fetar, atëhere harmonia nuk ekziston, por ka sundim dhe retorika për harmoninë fetare fsheh konfliktin fetar që krijon çbalancimi.
A ekziston harmonia fetare në kuptimin e mësipërm në Shqipëri? Krijimi i shtetit shqiptar me Traktatin e Londrës të vitit 1913 krijoi dhe lojën e balancës së pushtetit në shtetin e ri. Me këtë lindi dhe problemi se a do të krijohej ekuilibër në këtë balancë, apo do të dominonte dikush. Që me krijimin e shtetit shqiptar, komuniteti i cili ka luftuar në mënyrë të pandërprerë për të sunduar shtetin dhe shoqërinë shqiptare është komuniteti ortodoks. Nuk do të qe e tepruar të thuhej se, që prej atëhere dhe deri në ditët tona, në dinamikë të konfliktit fetar në Shqipëri qëndron aspirata e ortodoksëve për të sunduar dhe ortodoksizuar Republikën e Shqipërisë. Në një sens të sigurt, kjo aspiratë është vazhdim i apiratës historike ortodokse për të konvertuar në fenë ortodokse dhe sunduar Shqipërinë, aspiratë kjo që ka ekzistuar që nga Mesjeta, siç e kam treguar më lart.
Në vitin 1914, kur ortodoksët e panë se nuk kishte gjasa që ata ta dominonin shtetin shqiptar, atëhere realizuan projektin e autonomisë së Vorio-Epirit. Atëhere faktori ndërkombëtar e pengoi këtë projekt dhe ortodoksët kërkuan mënyra të tjera për ta realizuar aspiratën e tyre historike.
Në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, duke u konsideruar konflikti ende i freskët fetar i vitit 1914, u vendos që institucioni i kreut të shtetit të ndërtohej mbi bazën e parimit të ekuilibrit fetar, gjë që u arrit me krijimin e Këshillit të Naltë, ku qenë katër përfaqësues të feve të vendit. Por, në Revolucionin e Qershorit, në vitin 1924, ortodoksët i prishën ekuilibrat, duke uzurpuar krejt pushtetin. Kryeministri ortodoks i qeverisë revolucionare, Fan Noli, mori dhe atributet e kreut të shtetit, që deri atëhere mbaheshin nga Këshilli i Naltë, duke bërë që balanaca e pushtetit të anonte krejt nga ortodoksët.
Duke i njohur këto probleme Mbreti Zog, që erdhi në pushtet pas Fan Nolit, u përpoq të krijonte ekuilibra fetare në sferën e pushtetit. Zogut bëri një pafundësi gabimesh, por raportet fetare në sferën e pushtetit që krijoi, janë me të vërtetë për t’ u admiruar. Enver Hoxha i prishi si ekuilibrat fetare ashtu dhe ato krahinore. Me rënien e komunizmit, dhe me ringjalljen e fesë, problemi i raporteve ndërfetare në sferën e pushtetit, u bë edhe më i mprehtë. Në vitet 1992-1997, kur në pushtet qe PD, u bë një pafundësi gabimesh, por raportet ndërfetare në sferën e pushtetit u ruajtën në mënyrë të përkryer. Kështu, ndërsa Presidenti i Republikës, Sali Berisha qe musliman suni, kryeministri Aleksandër Meksi qe ortodoks, kryetari i parlamentit, Pjetër Arbnori qe katolik, ndërsa kryetari i PD në pushtet qe musliman bektashi (Eduard Selami, Tritan Shehu).
Me rikthimin e PS në pushtet, në vitin 1997, u duk një tendencë për prishjen e ekuilibrave, që kulmin e ka arritur në vitet 2002-2004. Madje mund të thuhet se në Shqipëri, duke filluar që nga viti 2002 është instaluar përfundimisht sundimi ortodoks.
Instalimi i sundimit ortodoks në Shqipëri
Në 24 qershor 2002 vllahu ortodoks, Alfred Spiro Moisiu u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë. Një muaj më vonë, kryetari i PS, ortodoksi Fatos Thanas Nano u zgjodh kryeministër. Në vitin 2002, për herë të dytë në historinë e shtetit shqiptar, duke konsideruar gjashtë muaj në vitin 1924, kryetari i shtetit, kryeministri dhe kryetari i partisë në pushtet, qenë të fesë ortodokse.
Në maj të vitit 2004, Presidenti ortodoks i Republikës emëroi si kryetar të Gjykatës Kushtetuese një ortodoks (Gjergj Sauli). Duke konsideruar se edhe kryetari i Gjykatës së Lartë (Thimio Kondi), edhe Prokurori i Përgjithshëm (Theodhori Sollaku) janë të fesë ortodokse, atëhere ky emërim i Presidentit tradhëton qartë vullnetin e tij për most ë ruajtur ekulibra fetare në qendrat e pushtetit, por për të instaluar sundimin ortodoks. Pra, tash, të gjitha pushtetet, Presidenca e Republikës, qeveria, drejtësia në të gjitha qendrat e saj (gjykata dhe prokurori) gjendet nën kontrollin e ortodoksëve.
Ku Presidenti paraqiti si kandidaturë të vetën për kreun e ri të Kontrollit të Shtetit atë të ortodoksit Robert Kiço Çeku, atëhere u duk edhe më e qartë se kemi të bëjmë më një strategji të menduar mirë për të vendosur sundimin ortodoks në vend.
Në dhjetor 2003 kryeministri Fatos Nano krijoi qeverinë më të çbalancuar, në rrafsh fetar dhe etnik, në historinë e shtetit shqiptar. Në kabinetin prej 20 anëtarësh, duke përfshirë edhe kryeministrin, gjenden shtatë anëtarë të fesë ortodokse, përkatësisht, Fatos Nano, Igli Toska, Anastas Angjeli, Pandeli Majko, Ben Kiço Blushi, Marko Bello, Leonard Solis, si dhe vetëm një ministër katolik (Viktor Doda), i cili nuk e di as vetë se çfarë ministri është dhe ç’ kompetenca ka. Edhe disa nga ministrat e tjerë të fesë muslimane janë zgjedhur prej atyre që e kanë bashkëshortin apo bashkëshorten ortodokse (Ermelinda Meksi, Kastriot Islami).
Treshja Nano-Moisiu-Janullatos, nëpërmjet shumë shenjash duan ta bëjnë të qartë se Shqipëria është një shtet ortodoks. Vendosja e kryqeve ortodokse në pika të ndryshme të vendit bëhet pikërisht për këtë qëllim, por ajo nuk është shenja e vetme. Kështu, kryeministri Nano, bëri atë që mund të quhet si një herezi për një lider të së majtës laike, kur shkoi e vuri kurorën e martesës së tij në kishën ortodokse. Një lider i majtë ishte dashur që ta bënte martesën në bashki, sipas ritit laik.
Në këtë linjë është edhe ndërtimi i katedrales ortodokse praën qendrës së Tiranës, në sheshin mes selisë së PS dhe ministrisë së mbrojtjes. Ndërtimi i katedrales në krah të PS në pushtet, kërkon të simbolizojë aleancën politiko-fetare socialisto-ortodokse që kanë promovuar Nano dhe Janullatos, si dhe aleancën kishë-shtet që është rezultat i së parës.
Ortodoksët janë duke e dominuar shoqërinë shqiptare në të gjitha sferat, nga politika, në biznis, shoqërinë civile (OJF), administratë etj. Në ndërkohë vazhdon me ritme të shpejta procesi i konvertimit të shqiptarëve muslimanë në ortodoksë, process ky i konceptuar si helenizim. Grekët nuk duan më Vorio-Epirin, por duan të vorio-epirotizojnë gjithë Republikën e Shqipërisë, duke e shndrruar atë në një shtet të ngjashëm me Qipron greke.
Dy nivelet e konfliktit fetar në Shqipëri
Konflikti fetar në Shqipëri ekziston në dy rrafshe:
1)Mes Kishës Ortodokse Grek, që kontrollon Kishën Ortodokse Shqiptare dhe që kërkon t’ ortodoksizojë dhe helenizojë shqiptarët dhe pjesës tjetër të shqiptarëve. Ky është një konflikt serioz dhe që në të ardhmen mund të krijojë situata nga më të papriturat, pasi vihet në lojë vetë ekzistenca nacionale e shqiptarëve. Kisha Ortodokse Greke kërkon që të mbahet gjallë konflikti fetar në Shqipëri në mënyrë që të justifikojë aksionin e vet për helenoortodoksizimin e shqiptarëve, me argumente gjeopolitike, pra sikur kërkon të zhdukë rrezikun që i vjen Greqisë nga Shqipëria muslimane. Prej këtej të gjitha incidentet fetare të provokuara nga ortodoksët në Shqipëri gjatë këtyre 13 viteve, që nga ai i priftit Maidonis që shpërndante harta të Vorio-Epirit në 1993, tek dëmtimi i afreskeve ortodokse në Voskopojë në 1995, tek kërkesa për ndërtimin e katedrales ortodokse në sheshin “Skënderbej”, tek vendosja e kryqeve, për të përmendur vetëm disa.
Që ka një vullnet të qartë ortodoks kjo u kuptua sidomos me incidentin në Festivalin e vitit 2002 në RTSH, kur Papa Gjon Pali II u tall shëmtueshëm nga ortodoksët. Pse nga ortodoksët? Sepse drejtori i RTSH qe ortodoksi Artur Petro Zheji, se regjisori i festivalit qe ortodoksi Pali Kuke, se autori i skenarit të skeçit qe ortodoksi Jani Duri. Pa mendoni pak se çdo të kishte ndodhur sikur të gjithë këta njerëz të qenë katolikë dhe të qe tallur jo më homologu i Papës, Patriarku i Konstantinopolit, Vartholemeu, por Fortlumturia e Tij, Janullatosi. Lexuesi mund ta marrë vetë me mend.
...
Hija e frikshme e Bosnje-Herzegovines
Retorikat për harmoninë fetare që ngrihen si tollumbace në qiellin shqiptar në një kohë që poshtë këmbëve tona ndjehen lëkundjet e konfliktit të sjellin ndërmend situatën e krijuar në Bosnjë-Herzegovinë në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90. Edhe atëhere në Bosnjë-Herzegovinë flitej shumë për harmoninë fetare, duke u thënë se Bosnjë-Herzegovina ka shumë probleme, por së pakut ka një harmoni të mrekullueshme fetare të cilën ia ka zili gjithë bota. Për këtë sillej si shembull edhe fakti se në Bosnjë-Herzegovinë ¼ e martesave qenë mikste, pra mes njerëzve me fe të ndryshme. Kjo qe një statistikë domethënëse sepse asgjë nuk e shpreh më mirë harmoninë ndërfetare sesa martesat midis njerëzve me fe të ndryshme. Jugosllavia e Titos e prezantonte Bosnje-Herzegovinën në botë si një lloj “Ishulli Utopia” të harmonisë fetare.
Në Shqipëri, në kohën e diktaturës komuniste, regjimi i nxiti martesat mikste mes njerëzve me fe të ndryshme, por arritjet qenë minimale, aq sa propaganda e regjimit komunist shqiptar nuk e gjeti kurrë me vend të jepte një shifër për numrin e martesave mikste. Kjo për faktin se këto martesa ishin vetëm rreth 3% të numrit të përgjithshëm të martesave, pra tetë herë më pak se në Bosnjë-Herzegovinë. Kjo tregonte se komunitetet e feve të ndryshme në shoqërinë shqiptare vazhdonin të jetonin praktikisht në një segregacionizëm.
Në Bosnjë-Herzegovinë, në vitet 1992-1995 u zhvillua një luftë e tmerrshme etno-religjioze ku u vranë rreth 200 mijë vetë. Në dinamikë të këtij konflikti qe aksioni i serbëve ortodoksë, që përbënin 1i3 e popullsisë së Bosnje-Herzegovinës për të sunduar vendin, duke i dëbuar muslimanët dhe katolikët, të cilët flisnin të njëjtën gjuhë si edhe serbët. Serbët zunë me forcë rreth 69% të territorit të vendit, duke kryer spastrim etnik dhe genocid dhe u detyruan të lëshojnë një pjesë të territoreve të zëna vetëm pas ndërhyrjes ndërkombëtare. Bosnjë-Herzegovina, “Ishulli Utopia” i harmonisë fetare në botë u coptua nën predhat e armëve. Tash “Ishulli Utopia” i harmonisë fetare vetëshpallet Shqipëria, që në të vërtetë ka shumë më pak argumente se Bosnje-Herzegovina e dikurshme për ta pretenduar këtë reputacion.
Kombinimi i politikës së majtë me fenë ortodokse në Shqipëri është duke krijuar një mishelë shpërthyese, që në rast se nuk neutralizohet do ta shpërbëjë mirazhin e fundit të harmonisë fetare në Ballkan. Në këtë proces si detonator mund të shërbejnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Po harmonia fetare rajonale?
Debati për harmoninë dhe konfliktit fetar nuk mund t’ i ikë kontekstit rajonal, pasi edhe sikur brenda vendit të ekzistojë harmoni fetare, për shkak të raportit numeric të shqiptarëve me fqinjët dhe të faktit që Nacioni shqiptar me shumësi muslimane gjendet i rrethuar nga Nacione të mëdha ortodokse, kjo harmoni nuk do të ketë asnjë vlerë në rast se në marrëdhëniet fetare të shqiptarëve me fqinjët dominon konflikti.
Historikisht, nacionet fqinje ortodokse serbe, greke, maqedono-bullgare, i kanë konceptuar luftrat e tyre për çlirim nga Turqia si luftra fetare, pra si kryqata ortodokse. Dëbimi i Perandorisë Osmane nga pjesa më e madhe e Ballkanit në vitet 1912-1913 la pas një ishull islamik në trevat shqiptare dhe në Bosnjë. Ky ishull është i rrethuar nga vende kristiane, të cilat e shohin ekzistencën e tij si të papranueshme dhe i quajnë sit ë papërfunduara luftrat e tyre me Perandorinë Osmane pa e zhdukur këtë “ishull” të fundit turk. Prej këtej luftrat e fundshekullit XX të serbëve kundër bosnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës, si dhe të kroatëve kundër bosnjakëve,
Trevat shqiptare janë të rrethuara nga nacionet ortodokse, serbët, grekët dhe maqedono-bullgarët. Në balancën rajonale të fuqisë nacionet fqinje ortodokse peshojnë shumë më rëndë se shqiptarët e të gjitha trevave të marrë së bashku dhe në rast se këto nacione kanë si predispozitë konfliktin fetar dhe jo harmoninë në raport me shqiptarët muslimanë dhe katolikë, muslimanët shqiptarë do të zhdukeshin dikur, por edhe katolikët nuk do të kenë një perspektivë të këndshme. Se cila është pikëpamja e fqinjëve kjo nuk është e vështirë të kuptohet, pasi ata e shpallin botërisht atë. Për Athinën, Beogradin dhe Shkupin hapësira shqiptare është duke u shndërruar në një bastion të fundamentalizmit dhe terrorizmit islamik. Nacionet fqinje kërkojnë ta bëjnë këtë ide bazë të strategjisë së tyre për të zhdukur përfundimisht ishullin islamik që la pas Perandoria Osmane dhe që përbëhet kryesisht nga trevat shqiptare, sipas pos ë njëjtës strategji që po përdorin rusët në Çeçeni. Projekti i fqinjëve për trevat shqiptare është çeçenizimi dhe dëbimi i muslimanëve në vende të tjera, mundësisht në Turqi. Por edhe katolikët shqiptarë nuk do të kenë një perspektivë të këndshme në rast të ortodoksizimit të hapësirës shqiptare, pasi dihet opinioni i ortodoksëve për katolikët, çka u provua dhe me luftën serbo-kroate.
...
Krijoni Kontakt