Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Festivali i 11-të në RTSH

    Duke ngritur siparin e Festivalit të 11-të.


    Nga Skifter Këlliçi.

    Revolucioni që solli Todi Lubonja në RTVSH
    Që në ditët e para të punës si drejtor i RTVSH-së, Todi Lubonja, mbaj mend, na bëri mbledhje ku theksoi se detyrat tona në kohën që programet e televizioneve të huaja, kryesisht italiane dhe jugosllave, shiheshin lirshëm në pjesën më të madhe të vendit, ishin shumë të mëdha. Duhej ngritje profesionale, intuitë, fantazi, punë këmbëngulëse. Të mos harrojmë se atëherë e deri më 1990, TVSH-ja transmetonte jo më shumë se 4-5 orë në ditë dhe të dielave, duke përfshirë dhe kohën e mesditës, edhe 2-3 orë të tjera. Ai dha mendime interesante edhe për një harmonizim të programeve të Radios, duke vënë theksin se ajo më shumë duhej të fliste sesa të lexonte.
    Menjëherë, gjatë majit të vitit 1972, u transmetuan për herë të parë këngët e Festivalit Evropian të porsazhvilluar në Dublin, të cilat Thanas Nano më parë i kishte ndaluar kategorikisht jo më të transmetoheshin, por edhe të dëgjoheshin nëpër studio. Sipas modelit të RAI-t u unifikua redaksia e informacionit të Radios me atë të Televizionit, që t’i jepte hov të ri pasurimit të ndërsjelltë të ngjarjeve në vend; u lidh një kontratë me Vis -Njuzin, një agjenci ndërkombëtare që shpërndante informacione të filmuara nga tërë bota; nisën të regjistroheshin lajme nga RAI, që i dhanë tjetër fytyrë revistës televizive, deri atëherë shumë e varfër me informacione të ilustruara nga bota e jashtme. Me propozimin tim, nisi transmetimi i ndeshjeve ndërkombëtare të marra nga televizionet e huaja; u transmetuan edhe Lojërat Olimpike të Mynihut. Të gjitha këto ngjallën interesim të jashtëzakonshëm te teleshikuesit në të gjithë vendin. Më kujtohet se si pas transmetimit të ndeshjeve të para të fazës finale të Kampionatit Evropian të zhvilluar në Belgjkë, sportdashës nga Elbasani, të përfaqësuar nga pedagogu i njohur i kulturës fizike qysh në vitet ‘30 në Normalen e këtij qyteti, solli në emër të tyre një fletë-falenderimi për këto transmetime në gjuhën shqipe, që zgjeronin kulturën e sportdashësve, aq më tepër që stacionet e huaja nuk shiheshin në Elbasan dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
    Veç tyre nisën të përgatiteshin emisione të tjera, ku ndihej një fllad i ri, me aq sa lejonin kushtet e censurës komuniste, të cilat ndiqeshin me interes nga teleshikuesit.
    Mbi të gjitha, Todi Lubonja qëndronte shumë pranë krijuesve, bisedonte me ta lirshëm, nuk harronte të përgëzonte personalisht ata që bënin emisione të mira, ose, kur nuk kishte mundësi t’i takonte, i falenderonte me telefon. Ishte krijuar kështu një mjedis i shpenguar dhe periudha e drejtimit të RTVSH-së nga Thanas Nano, cilësohej si periudhë e zymtë, ku çdo punonjës, sa shihte drejtorin të dukej në korridoret e këtij institucioni, largohej si të mundej, duke u shprehur: “Kujdes, po vjen Thanasi!...”.
    A thua Todi Lubonja i bënte të gjitha këto shndërrime nga koka e tij? Në asnjë mënyrë! Që ishin propozime të tij, ose të të krijuesve të RTVSH-së, kjo, siç e pamë, nuk vihet në dyshim. Por, duke e parë Todi Lubonjën të shoqërohej me Ramiz Alinë, ose me Pirro Kondin, asokohe anëtar i Komitetit Qendror dhe drejtor i Drejtorisë së Propagandës në KQ-së, të krijohej menjehërë bindja se këto ishin veprime pas konsultimeve me ta. Madje, siç më ka thënë vetë Todi Lubonja, ai, pasi mori përgëzime nga një prej udhëheqësve më të lartë të Partisë dhe shtetit për transmetimin e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, për të cilat shkrova më sipër, i propozoi atij të transmetoheshin nga TVSH-ja edhe Lojërat Olimpike të Mynihut dhe gjeti miratimin e plotë të tij.
    Jo vetëm kaq, por në një mbledhje në KQ, ku diskutoheshin probleme të ngritjes së cilësisë sportive në shtypin tonë, Pirro Kondi u shpreh se transmetimi i tërë programit të Lojërave Olimpike kishte ngjallur nje farë ndrojtje te udhëheqja, sepse jo të gjithë teleshikuesit mendohej se do të ishin tifozë, por reagimi nga poshtë, gjithnjë sipas fjalëve të tij, kishte qenë shumë i mirë.
    Todi Lubonja nuk u mjaftua vetëm më kaq. Ai nxiti që grupe redaktorësh dhe regjisorësh të shkonin jashtë shtetit, sidomos në vendet e Lindjes dhe të blinin filma artistikë dhe dokumentarë, në mënyrë që të pasuronin programet e TVSH-së, ende të varfra në këtë drejtim. Gjithashtu, nisi edhe regjistrimi i filmave dhe i programeve të tjera nga RAI.
    Për të pasur një ngritje edhe më të madhe profesionale, u nënshkruan kontrata me televizione të huaja edhe për specializimin e kuadrit krijues, sidomos teknik. Përsëri me këmbënguljen e drejtorit të ri, u tërhoqën nga Kinostudioja “Shqipëria e re”, nga Universiteti, nga Instituti i lartë i Arteve etj., kuadro shumë të aftë, ardhja e të cilëve do të ndihmonte edhe më shumë në ngritjen cilësore të programeve, veçanërisht radiotelevizive. Për këtë qëllim erdhi në Televizion edhe regjisori i talantuar, Mihal Luarasi, i cili kishte pasur bashkëpunim të ngushtë me Todi Lubonjën që në Korçë. (Siç e pamë në pjesën e parë të këtij cikli, ishte Lubonja që kishte aprovuar vënien në skenë nga Luarasi të dramës “Njollat e murrme”, fituese e çmimit të parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove profesioniste, dramë që më pas, siç kemi thënë, u cilësua si antisocialiste nga Enver Hoxha. Dhe në fakt, ndonëse pa përvojë në televizion, Luarasi, diplomuar në Hungari si regjisor teatri, nisi me vrull djaloshar të punonte në TV, me të cilin falë dhuntive u ambientua menjëherë. Të gjitha këto ishin masa të domosdoshme për t’i dhënë RTVSH-së një hop edhe më të madh cilësor. (Mirëpo, siç do të shohim më poshtë, përpjekje të tilla do të cilësoheshin si shkelje të vijës së Partisë nga diktatori Hoxha).

    Duke harruar censurën dhe autocensurën
    Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe: Festivali i 11-të i Këngës në RTVSH, nuk mund t’i shmangej kësaj fryme që po flladiste programet radiotelevizive. Ai përkonte me 10-vjetorin e krijimit të festivaleve, (dhjetor 1962) të cilët priteshin me një interesim të jashtëzakonshëm nga teleshikusit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe trojet shqiptare në Malin e Zi. Siç e pamë, Festivali i Dytë (dhjetor 1963), ishte goditur nga diktatura për shfaqje të huaja, që nga drejtuesit deri te shumë këngëtarë. Kjo goditje solli si pasojë që të shkarkohej shefi i redaksisë së muzikës, kompozitori i njohur, Abdulla Grimci, një ndër ideuesit e festivaleve, për t’u zëvendësuar nga një gazetare,e cila, sado e aftë në këtë profesion, kishte njohuri shumë të kufizuara në fushën e muzikës. Vërejtje të rëndë mori edhe Petro Kito, nëndrejtori i Radios që mbulonte programet muzikore. Duhej të ndëshkohej edhe Thanas Nano, drejtori i përgjithshëm, por ai u justifikua, sepse ditët e zhvillimit të Festivalit të Dytë u ndodh në një konferencë ndërkombëtare që mbahej në Varshavë dhe asistoi në festival vetëm ditët e fundit, thua se ai ishte organizuar e zhvilluar vetëm gjatë ditëve të qëndrimit të tij jashtë shtetit. Goditja që pësoi Festivali i Dytë, solli si pasojë që festivalet e tjera t’i nënshtroheshin një censure dhe autocensure nga vetë krijuesit dhe të mbizotëronin këngë të punës, tekste tejet të politizuara, me melodi ku i mëshohej vetëm mbështetjes në tabanin popullor. Kjo ndodhi sidomos pas vitit 1966, kur në Shqipëri, nën ndikimin e Revolucionit Kulturor Kinez, arti dhe letërsia u vunë nën një trysni të paparë, ashtu si dhe vetë jeta e mbushur me qarkullimet e kuadrit, luftën për zhdukjen e kishave dhe xhamive, pra, të besimeve fetare, për krijimin e njeriut të ri, që duhej të lartësohej në çdo fushë të jetës, sidomos në art dhe letërsi. Kuptohet se edhe festivalet e këngës në Radio dhe pas vitit 1965 dhe në TV, nuk mund t’i shpëtonin kësaj trysnie mizore.

    Të gjithë duke parë RAI-n
    Mirëpo, ndërkohë, kishte nisur një erë tjetër. Puna kishte arritur deri aty sa komitetet e partisë në Tiranë e rrethe, në mungesë të televizorëve, të rekomandonin që njerëzit të shkonin në qendra pune e prodhimi, ku punonin të afërmit e tyre, për të parë Festivalin e San Remos të vitit 1972...
    Nuk mjaftonte vetëm kjo, por kryeministri, Mehmet Shehu, i njohur për prirjet e tij dogmatike, sidomos ne fushën e artit, të urdhëronte UEM-nin,(Uzinën Elektromekanike në Durrës), që televizorëve në shitje të mos u hiqej një pjesë, që mundësonte të shiheshin programet e kanalit të dytë të RAI-t.
    Në këto rethana nisi të përgatitej edhe Festivali i11-të i Këngës në RTVSH. Është e kupueshme se, përderisa në letërsi dhe artet tona kishte filluar një periudhë tjetër, kuptohet mbrenda kërkesave të rrepta të përligjura nga Partia,kjo nuk kishte si të mos të ndikonte edhe në këngët e zgjedhura për të konkuruar në këtë festival, nuk kishte si të mos ndikonte edhe në tekstet që tani kishin një ngritje edhe më të madhe cilësore, me një fjalor më të pasur figurativ e larmi tamash, ku, doemos do të mbizotëronte tema e dashurisë, së cilës populli ynë tradicionalisht i kishte kënduar. Jo vetëm kaq: edhe paraqitja e jashtme e e festivalit, qoftë dekori, qoftë edhe veshjet e këngëtarëve e drejtuesve, duhej të kishin një ndryshim të dukshëm. Nuk kishte asgjë për t’u çuditur. Fëmijët e udhëheqësve, që nga ata të ministrave, deri tek ata të Komitetit Qendror, madje edhe të Byrosë Politike, visheshin sipas katalogëve të ardhur nga jashtë. Me gjithë kushtet e vështira ekonomike, këtë përpiqeshim ta bënim edhe ne, asokohe te rinj. E pse kjo veshje e re të mos paraqitej në festivalin e 11-të?

    Një festival sipas modës
    Mbaj mend se një muaj para festivalit kisha qepur një xhaketë blu me kopsa metalike të cilën e kisha kombinuar me një palë pantallona të hirta. Një xhaketë të tillë do të vishte edhe drejtuesi, Bujar Kapexhiu gjatë tre netëve të Festivalit të 11-të. Doemos, partnerja e tij, aktorja e njohur Edi Luarasi, do të kishte veshje edhe më të larmët. Po kështu edhë këngëtarët e këngëtaret e tjera. Por edhe formula e zhvillimit të Festivalit të 11-të do të kishte ndryshime.Veç jurisë qendrore në sallë, do të kishte edhe juri në qytete të tjera, të cilat, me anë te lidhjeve telefonike që do të bënin drejtuesit, do të krijonin larmi dhe do të përcaktonin më drejtë këngët fituese të këtij festivali. Të gjitha këto nën regjinë e studiuar mirë të Mihal Luarasit dhe, për më tepër, me sugjerimet e Nefo Myftiut, drejtoreshës së Radios, që mbikëqyrte sektorin e muzikës, e cila siç e thamë ishte e shoqja e një anëtari të rreptë të Byrosë Politike, ish-ministër i Arsimit, që kishte mbuluar e më pas do të mbulonte si zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave edhe kulturën dhe i cili, për më tepër, ishte në atë kohë edhe sekretari i parë Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës. Po të marrim parasysh se Todi Lubonja ishte edhe shok i ngushtë i Ramiz Alisë, kuptohej se Festivali i 11-të nuk duhej të kërcënohej nga ndonjë rrezik, ose nga ndonjë shkarje nga mësimet e partisë dhe shokut Enver. Mirëpo nuk do të ndodhte kështu.
    Ndryshuar për herë të fundit nga BlueBaron : 21-10-2004 më 09:06
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  2. #2
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Si u përgatit uragani kundër Festivalit të 11-të.

    Festivalet e këngës në RTVSH janë zhvilluar gjithnjë në gjysmën e dytë të muajit dhjetor, duke i dhënë edhe më shumë ngjyrime festës së Vitit të Ri, e cila, edhe pse në kushtet shumë të rënda ekonomike që përkeqësoheshin nga viti në vit, prapëseprapë përbënin gëzim mbarëpopullor. Nuk bënte përjashtim edhe ky festival. Këngë të reja, melodi të reja, interpretim i ri: pra të papritura. Prej këtij festivali priteshin më shumë se kurrë të tilla.

    Festivali ndiqet nga Ramiz Alia dhe Fadil Paçrami
    Provat e përgjithshme të tij u ndoqën jo vetëm nga të dërguar të Komitetit Qendror, por edhe nga Fadil Paçrami, sekretar i K.Q. për probleme ideologjike, e, mbi të gjitha, nga Ramiz Alia, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i K.Q. Siç kujton Todi Lubonja, Ramiz Alia e miratoi festivalin, por në fund të provave të përgjithshme, tha, pak a shumë si me të qeshur: "Mos ka karamele të veshura me helm në këtë festival?..." Vetëm kaq.

    Këngët dhe atmosfera e shpenguar e festivalit
    Festivalin, me dirigjent Zhani Cikon, me kompleksin e vogël nga Gaspër Çurçia, dhe grupin e kitaristëve nga Alfons Balliçi, e hap këngëtari Zija Saraçi, me këngën "Sonte ju takoj të gjithëve". Pastaj Justina Aliaj këndon këngën "Në ekranin e televizorit". Këndohet kënga "Udhët janë të bukura" nga Lindita Sota. Pastaj Liljana Kondakçi këndon "Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash"... Natën e dytë këndohen të njëjtat këngë, por me ndryshimin se kënga e fundit e natës së parë, këndohet e para e kështu me radhë. Dhe ja një e papritur: Vaçja legjendare, duke kënduar këngën "Natën vonë", të Daisë, befas e lë atë përgjysmë... Natën e tretë finale një tjetër e papritur. Drejtuesja e shkathët, Edi Luarasi, kur fton Vaçen pranë mikrofonit, e ngacmon si me të qeshur: "Tani,Vaçe, do të na këndosh një këngë e gjysmë" dhe salla shpërthen në duartrokitje. Vazhdojnë kështu në këtë atmosferë të shpenguar të këndohen këngë të tjera. "Vajza dhe kompozitori" nga Suzana Qatipi, "Rruga e Dibrës" dhe "Vajza e qelqtë" nga Sherif Merdani, "Kur dëgjojmë zëra nga bota" nga Françesk Radi, "Kënga e studentëve", nga Bashkim Alibali. Pastaj, me anë të lidhjeve telefonike nis votimi i jurive nëpër rrethe. Duket se do të fitojë kënga "Udhët janë të bukura", kënduar nga Lindita Sota dhe kompozuar nga Agim Krajka. Mirëpo kur juria e Tiranës i jep 101 vota këngës "Erdhi pranvera" të Pjetër Gacit, kënduar nga Tonin Tërshana. Të pranishmit në sallë, por edhe teleshikuesit, mbeten të habitur. Pikërisht kjo është kënga fituese e Festivalit të 11-të. Pastaj Edi dhe Bujari bëjnë shaka me Agim Krajkën, duke e quajtur përjetësisht fitues të çmimeve të dyta dhe të treta, edhe këtë radhë kur po e prekte çmimin e parë.

    Konservatorët kritikojnë veshjet
    Festivali, në përgjithësi, u prit mirë. Natyrisht pati edhe vërejtje për këtë ose atë këngë, për këtë, ose atë këngëtar, siç ndodh jo rrallë në shfaqje të tilla. Por duhet të jem i hapur me lexuesit, pati vërejtje nga një pjesë e teleshikuesve, ose edhe të atyre që e ndoqën festivalin në sallë, për paraqitjen e jashtme. Pra, e vërteta është që për paraqitjen e jashtme, kryesisht për veshjen e këngëtareve, me fustane të gjata, vathë e unaza nëpër gishtërinj, shumë nga teleshikuesit, kryesisht ata konservatorë, të shfaqnin pakënaqësi. Por, duke u nisur nga fakti se veshje të tilla, siç thamë, kishin nisur të shiheshin edhe nëpër shëtitoret e Tiranës, aq më tepër nga fëmijët e udhëheqësve, kjo nuk bëri përshtypje aq të madhe te pjesa tjetër, shumë më e madhe.

    Asnjë sinjal nga lart
    Ato ditë në mjediset e RTVSH-së gjithçka dukej normale. Asnjë sinjal nga lart. E, për më tepër, nga i madhi fare. Më 31 dhjetor Todi Lubonja uronte çdo punonjës që takonte nëpër zyra e korridore. Për më tepër, gjatë natës së Vitit të Ri u transmetuan nga TVSH-ja këngët e natës së tretë të Festivalit të 11-të... Madje për këtë festival u botua më 30 dhjetor edhe një artikull në "Drita" që vlerësonte nivelin e tij artistik.

    Sulmi i fshehtë i Enver Hoxhës ndaj Festivalit të XI
    Erdhi, pas Vitit të Ri, edhe dita kur Todi Lubonja mblodhi si zakonisht krijuesit për të dhënë orientimet kryesore për planet e muajit shkurt. Atë paradite, 10 janar 1973, para se të mbyllte këtë mbledhje, Todi na tha se do të na lexonte një fragment nga diskutimi që Enver Hoxha kishte mbajtur një ditë më parë në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor me titull "Zhvillimi i letërsisë dhe arteve bëhet në luftë kundër çdo ndikimi të huaj ideologjik". Diktatori kishte gjetur rastin që në këtë mbledhje, ku ishte paraqitur raporti i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tepelenës, të diskutonte për... artin. Me marifet, duke folur për Tepelenën, populli i së cilës "tërë jetën ka kënduar dhe vallëzuar në mënyra të ndryshme", ai prekte TVSH-në: "Një mësuese më shkruan se kur u thotë nxënësve se si duhet të kenë paraqitjen e si duhet të sillen, këta i përgjigjen: "Ju, shoqja mësuese, na thoni të jemi të sjellshëm, me paraqitje të rregullt, por ne shikojmë se në televizor dalin njerëz me veshje e me flokë e pamje që ju na i keni kritikuar. Mirëpo, ato që shfaqen në televizor janë zyrtare". Jo, shokë, këto gjëra nuk janë zyrtare, por kontrabandë." (Enver Hoxha,Vepra 50,faqe 4-5,1986).
    Todi Lubonja i lexoi qetësisht këto fjalë, dhe po qetësisht na këshilloi që t'i kishim mirë parasysh këto vërejtje me vend të shokut Enver. Asgjë më shumë. Dhe unë e shokët e mi krijues, të pranishëm në këtë mbledhje, kurrë nuk na shkonte ndërmend në ato çaste se çfarë fshihnin në vetvete ato pak fjalë për Todi Lubonjën dhe RTVSH-në.

    Shenjat e para të stuhisë
    Ndërkohë në ditët e para të shkurtit Todi Lubonja mbushi 50-vjeç. Nëse më 1966, 50-vjetori i Thanas Nanos, ku kam qenë edhe unë i pranishëm, ishte festuar në një mbledhje me praninë e gjithë kolektivit dhe ku ministri i atëhershëm i Arsimit, Thoma Deljana, në emër të K.Q. të PPSH-së dhe të qeverisë i kishte dorëzuar një dekoratë të lartë të akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, përvjetori i Todit u kremtua ndryshe: Në sallën e pritjes së TVSh-së, erdhën Adil Çarçani, anëtar i Byrosë Politike të K.Q. dhe zv.kryetar i Këshillit të Ministrave, shoqëruar nga dy shokët e tij të ngushtë, Agim Mero, anëtar i K.Q. dhe shkrimtari i shquar, Ismail Kadare. Me këtë rast Todi Lubonja u dekorua me një nga urdhrat më të lartë, akorduar nga Presidiumi Kuvendit Popullor, ku vihej në dukje ndihmesa e madhe që kishte dhënë ai, si gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare dhe gjatë periudhës së ndërtimit të socializmit në të gjitha detyrat që e kishte ngarkuar Partia. Madje, atë ditë atij i bënë vizitë me këtë rast në shtëpi udhëheqësit më të lartë të partisë dhe të qeverisë, duke përjashtuar Enver Hoxhën. Përse kështu?... Kishte një arsye: Në gazetën "Zëri i Rinisë", që nga data 23 janar kishin nisur të botoheshin letra nga të rinj të vendit tonë që bënin vërejtje për Festivalin e XI të Këngës në RTVSH. Kuptohet se këto letra ishin të kurdisura, që të dëshmonin se ishin pikërisht të rinjtë, pra, populli që e shtynte udhëheqësin tonë të madh të merrej serozisht me ato që kishin ndodhur në RTVSH. Themi të kurdisura, po të marrim parasysh se ato u botuan kur kishin kaluar më shumë se tri javë nga zhvillimi i Festivalit të 11-të, (22-24 dhjetor 1972)

    Megjithë kritikat, dukej se gjithçka do të mbyllej me aq
    Sidoqoftë, më 11 shkurt, më së fundi në gazetën "Zëri i Popullit" u botua një artikull i rreptë kritik kundër Festivalit të XI. (Edhe ai me porosi nga lart). Gjendja po bëhej më shqetësuese. Ato ditë në sallën e madhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve u organizua një mbledhje, ku përsëri me një frymë shumë kritike u analizuan të metat e dukshme të festivalit, një pjesë e mirë e këngëve të të cilit, përshkohej nga ndikime të dukshme të muzikës dekadente, larg traditës më të mirë të këngës shqiptare, mbështetur në tabanin popullor. Megjithatë, mbaj mend se pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, anëtari i K.Q., Pirro Kondi, që ishte i pranishëm në mbledhje, e mori për krahu regjisorin Mihallaq Luarasi dhe bisedoi përzemërsisht me të. Sipas kujtimeve të Todi Lubonjës, edhe Ramiz Alia vazhdonte t'i qëndronte afër shokut të tij të fëmijërisë duke u përpjekur ta qetësojë, madje edhe në shëtitje në malin e Dajtit, duke i thënë se me këto vërejtje gjithçka do të mbyllej.

    Çështja bëhet papritur serioze
    Rastësisht 7 mars 1973 jam ndodhur në zyrën e Todi Lubonjës për të biseduar për probleme sportive dhe e kam parë tek po bisedonte ngrohtësisht në telefon me Vito Kapon për një intervistë që ajo do të jepte me rastin e 8 marsit, festës së grave, në RTVSH. Toni i bisedës dukej i qetë. E të mos harrojmë se Vito Kapo ishte e shoqja e Hysni Kapos, dorës së djathtë të diktatorit. Ndërkohë, u vu në shënjestër edhe Fadil Paçrami, sekretar i Komitetit të Partisë së Rrethit të Tiranës. Dhe kjo, sepse ai ishte shprehur se nuk mbante përgjegjësi për Festivalin e XI, ngaqë RTVSH-ja ishte në varësinë e K.Q. Mirëpo, pas botimit të letrave të të rinjve në "Zërin e Rinisë", erdhi 15 marsi, dita kur në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve të aparatit të K.Q., të Partisë për dhënie llogari dhe zgjedhje, Enver Hoxha sulmoi hapur Fadil Paçramin me fjalët: "Këta shokë duan që ne të pohojmë se liberalizmi nuk qenka armiku kryesor. Kjo është teza e armikut. Ne bëjmë pyetjen: "Ju jeni me tezat e Partisë, apo me tezat e armikut?" (Enver Hoxha, Vepra 50, faqe 297, 1986). Nuk e përmendte me emër Todi Lubonjën, por ishte e qartë se edhe atë tashmë e kishte shtënë në orbitën e tij.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  3. #3
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Organizatorët e Festivalit para gjyqit.

    Rrokullisja kaq e thiktë e ngjarjeve pas Festivalit të 11-të, përkoi edhe me botimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Siç ishin kurdisur “letra” kundër Festivalit të 11-të, ashtu kishte pasur raste të kurdiseshin letra edhe për romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, qoftë edhe nga titulli, ky nuk tingëllonte mirë. Shqipëria nuk ishte vetëm. Me të ishte tërë proletariati botëror, ishin vëllezërit kinezë. Dhe Kadareja, siç dihet, u shtrëngua ta ripunonte romanin. Por, sidoqoftë, figurat e Aranit Corrajt, ish-punonjës në Ministrinë e Brendshme, dhe të shefit të kuadrit të gazetës qendrore të partisë, figura shumë negative, që sollën reagim të madh në mjediset e Sigurimit të Shtetit, ku e kishin halë në sy shkrimtarin tonë të madh e të zgjuar, nuk i luajti fare. Sulmit ndaj Festivalit të 11-të tashmë i bashkangjitej edhe sulmi kundër “Dimrit të vetmisë së madhe”. Mirëpo, nëse Kadareja kishte mundësi ta shpinte romanin në atë rrjedhë që donte censura, çfarë mund të bënte tani Todi Lubonja që vihej para organizatës së partisë së RTVSH-së, ose, më saktë, para rreth 100 komunistëve, nga Radioja e Brendshme, Radioja e Jashtme, TV-ja, Drejtoria Teknike dhe administrata? Ai nuk kishte asgjë që mund të korrigjonte, ai veçse duhej të jepte llogari. Më kujtohet ajo ditë fundmarsi e vitit 1973, kur tërë komunistët e institucionit tonë u futën në sallën e madhe të orkestrës, pikërisht aty ishin bërë provat e Festivalit të 11-të, që tani po kthehej si bumerang kundër Todi Lubonjës. Dhe ajo që është më e habitshmja, ai e kishte parë këtë festival vetëm në provat e fundit, kur kishte pasur pranë, siç kemi përmendur, shokun e tij të fëmijërisë, Ramiz Alinë. E vërteta është se me përgatitjen e Festivalit të 11-të ishte marrë Nefo Myftiu, drejtoreshë e Radios së Brendshme, në varësinë e së cilës ishte dhe sektori i muzikës. Todi dhe Nefoja ishin në marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjerin. Ishte kjo arsyeja që drejtori i përgjithshëm kishte besim te drejtoresha e Radios, aq më tepër e shoqja e një anëtari të Byrosë Politike si Manush Myftiu. Natyrisht, kjo nuk do të thoshte se Todi Lubonja nuk dinte se si po bëheshin përgatitjet, se cilat ishin këngët e zgjedhura, si do të ishte paraqitja e jashtme e këngëtarëve, me të cilat merrej një regjisor i sprovuar si Mihallaq Luarasi. Mirëpo, siç më thanë shumë më vonë, shokë komunistë që morën pjesë në këtë mbledhje, një i dërguar i Komitetit Qendror, para fillimit të saj, u rekomandonte të pranishmëve në sallë që të bënin diferencim midis Todit dhe Nefos. Me fjalë të tjera, të sulmohej sa më shumë drejtori i përgjithshëm dhe më pak drejtoresha e Radios, që kishte përgatitur nga fillimi dhe deri në fund këtë tashmë të mallkuar festival. Kuptohet, sepse ajo ishte e shoqja e një byroisti. Diktatori kishte vendosur që atë ta falte, ashtu si edhe Ramiz Alinë, kur të dy kishin në varësi përkatësisht Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën. Edhe të tilla akrobacira dinte të bënte ai, pavarësisht se çfarë do të thuhej prapa shpinës në opinion. Kjo nuk i hynte fare në xhep. Jo më kot, “qëllimi justifikon mjetin”, kishte thënë Makiaveli.

    Të gjitha kritikat mbi Todi Lubonjën
    Dhe kështu u bë. Të gjitha shigjetat e kritikave ranë mbi shpatullat e Todi Lubonjës, fajtorit kryesor për këtë festival. Të tërë në sallë, edhe kundër dëshirës së tyre, me përjashtim të servilëve të paaftë, që gjetën rast të tregonin se ishin besnikë të paepur të Partisë, sidomos Kiço Pandeli, drejtori i Radios së Jashtme, të cilin Todi Lubonja kishte bërë gabim që nuk e kishte hequr, sepse nuk dinte as një gjuhë të huaj, me përjashtim të një çikë rusishteje, e sulmuan me dhimbje Todin, meqë e kuptonin shumë mirë se ai ishte nisur nga dëshira që të bënte diçka të mirë për ngritjen artistike të emisioneve radiotelevizive. Dhe drejtori i përgjithshëm, ashtu siç më kanë thënë më vonë pjesëmarrës në këtë mbledhje, mori përsipër çdo kritikë të ashpër dhe tendencioze. Nuk mund të harroj se një ditë pas kësaj mbledhjeje një komuniste që kishte qenë më parë daktilografiste, e cila mezi kishte mundur të mbaruar shkollën e mesme dhe të cilën Nefo Myftiu, vetëm sepse shkruante ca vjersha, e kishte bërë redaktore, pikërisht kjo ishte ngritur në mbledhje duke u shprehur shumë ashpër kundër drejtoreshës së Radios dhe me mburrje më shprehej pastaj mua e disa të tjerëve përreth: “Unë e varrosa Nefo Myftiun!...”. Ç’ligësi!..

    Gjyqi i Todi Lubonjës në mbledhjen e kolektivit të TVSH-së
    Kaluan kështu disa ditë. Erdhi dhe muaji prill. Çuditërisht përsëri me ditë të hirta dhe të ftohta, sikur dimri nuk donte që nuk donte të shkulej. Ato ditë unë kisha marrë lejen krijuese nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe po punoja në Arkivin e Shtetit për të studiuar materiale e dokumente rreth procesit hetimor dhe gjyqësor kundër Avni Rustemit. Nga një anë më vinte mirë që nuk ndodhesha ato ditë në mjediset e RTVSH-së. E dija që në vetvete punonjësve u vinte shumë keq për atë që po i ndodhte Todit dhe Nefos, por nuk mund të shpreheshin kurrsesi hapur. Përkundrazi, kur binte fjala për ta, duhej t’i mbytnin me sa më shumë të shara.
    Erdhi shpejt dhe dita që këtë radhë Todi Lubonjës t’i bëhej gjyqi në kolektivin e TV-së. Ende nuk e kuptoj se përse kjo nuk u bë me pjesëmarrjen e tërë punonjësve të RTVSH-së. Mesa duket, sepse “krimet” më të mëdha ai i kishte bërë në TV, dhe sepse jetën e partisë e bënte në këtë kolektiv. Sidoqoftë, aty nga ora 12 e asaj dite u shkëputa nga ndërtesa e Arkivit të Shtetit dhe, si arrita me një frymë në godinën e TV-së, u futa në sallën ku po zhvillohej mbledhja. Todi Lubonja ishte ulur në radhët e fundit të sallës dhe dëgjonte diskutimet e pjesëmarrësve. Me dashje pa dashje duhej të flisnin të tërë. Dhe të tërë duhej të mbulonin me vërejtje drejtorin e përgjithshëm që i kishte nxitur ata që të bënin emisione që nuk përputheshin me orientimet e partisë dhe shokut Enver, që kishin arritur kulmin me Festivalin e 11-të. Ç’absurditet!...
    Sulmonte sidomos një regjisoruc, puthador i Thanas Nanos, i cili, ndonëse ishte dërguar jashtë shtetit për të studiuar, kishte mbetur gjysmak, madje më pas ishte dërguar nga ai si shpërblim për “meritat e tij” edhe në Itali për specializim pa ditur italisht e, megjithatë, Todi Lubonja e kishte lënë po në atë përgjegjësi, të cilën nuk e meritonte kurrsesi. E pashë Todi Lubonjën që tepër i përmbajtur iu përgjigjej pyetjeve dhe po aq i përmbajtur diskutoi duke marrë edhe një herë përsipër “tërë gabimet” që ishin bërë në TVSH, kryesisht për fajin e tij. (Ato ditë Mihal Luarasi ishte dërguar të punonte që të riedukohej në gjirin e klasës punëtore në Ballsh, për të ndier dhe kuptuar se ç’mëkate të rënda kishte bërë me paraqitjen që i kishte dhënë Festivalit të 11-të si ato festivalet borgjeze të “San Remos", siç dërdëllisnin me kapadaillëk atëherë dogmatikët e skajshëm.) Nuk munda të duroj më dhe, duke përfituar nga fakti se unë isha, siç thashë, me leje krijuese, u largova zemërndrydhur.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  4. #4
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Dallgë e re censure, jo vetëm në RTVSH.

    Largohet Todi Lubonja dhe rikthehet Thanas Nano!...
    Pas jo më shumë se 15 muajve në detyrën e drejtorit të përgjithshëm të RTVSH-së, Todi Lubonja u shkarkua dhe u emërua drejtor i një ndërmarrjeje të vogël në Lezhë. Kush do të vinte tani në këtë fron, që, ashtu siç kishin ardhur punët, dukej se kishte poshtë tij një bombë me sahat? Këtë pyetje ia bënim jo rrallë vetes, ne, punonjësit e këtij institucioni. Fillimthi, u përhap një fjalë se drejtor do të bëhej Pipi Mitrojorgji, njeri me kulturë, ish-zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës, për shumë vite, me shije artistike, por u tha se ai, në kushtet e krijuara në RTVSH, nuk kishte pranuar. Dhe ja e papritura më e pabesueshme që na la gojëhapur: Në RTVSH, vinte sërishmi Thanasi!... Pikërisht ai që më 20 janar të një viti më parë, në një mbledhje, kur po njoftohej se largohej nga ky post, ishte cilësuar nga Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politike, se, vërtet kishte punuar, por kishte shfaqur, veç të tjerash, prirje konservatore, që shkonin ndesh me zhvillimet e reja në vendin tonë, për t’u zëvendësuar nga një njeri me botëkuptim dhe horizont më të gjerë. Todi Lubonja cilësohej liberal, për t’u zëvendësuar nga një konservator, kur Enver Hoxha çirrej me të madhe se partia duhet të luftonte me vigjilencë si ndaj liberalizmit, ashtu si edhe kundër konservatorizmit. Mirëpo, ja që nuk na qënkej kështu. Konservatorizmi, me këtë vendim të diktatorit nuk qenkej i rrezikshëm. Ç’parodi!...
    Më mirë se kushdo tjetër këtë veprim me të vërtetë të marrë, e shpjegon në librin e tij, tepër tërheqës, “Dera e prapme e shtypit”, publicisti i njohur, Marash Hajati, ish-punonjës i Drejtorisë së Shtypit në KQ, ish-drejtor i TVSH-së, dhe më pas zëvendësdrejtor dhe drejtor i përgjithshëm i RTVSH-së, (1974, 1987), dhe pastaj anëtar i KQ-së dhe kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Lidhur me këtë çështje, ai shkruan kështu në librin e tij: “Para së gjithash, kërkohej urgjentisht emërimi i drejtorit të përgjithshëm. Kërkimet për kandidaturat e mundshme ndoqën një “maratonë të paparë” zyrash. Nën drejtimin e dy sekretarëve të KQ-së u shfletuan shumë dosje, u hartuan karakteristika dhe u hartua relacioni përfundimtar. Materiali i plotësuar me një numër kandidatësh, ku rreshtoheshin emra personalitetesh, si anëtarë të KQ-së të qeverisë, titullarë dikasteresh etj., iu paraqit përfundimisht Enver Hoxhës, i cili, mbasi e studioi me kujdes, bëri përafërsisht, këtë shënim mbi materialin: “Në Radiotelevizion të kthenet Thanasi, (vëreni me kujdes, diktatori nuk shkruan kthehet, por në gjirokastritshe-kthenet). Në fushën profesionale mangësi edhe mund të kemi, por, ama, proçka si të Todit, nuk do të bëjë. Nënshkrimi E.Hoxha. Ky kthim i papritur në “shinat” e rrugës së vjetër, qe një mospërfillje e gjithë asaj pune voluminoze që u bë për të nxjerrë në krye të Radiotelevizionit të paktën një figurë të re. Mirëpo, pranonte Enver Hoxha eksperimente të tjera mbas asaj që kishte ndodhur?” (Faqe 81 e veprës së cituar më sipër).

    Thanasi dhe besnikët e tij sërish në televizion
    Më kujtohet fare mirë ajo ditë e bukur prilli e vitit 1973, kur Thanasi “zbarkoi” përsëri në Radiotelevizion, i pritur nga besnikët e tij, me Kiço Pandelin, drejtorin e Radios së Jashtme në krye, që nuk mundi e nuk mundi, veç asaj çerekrusishteje të mësuar në një shkollë partie në B.Sovjetik, të mësonte pak frëngjisht, metodat e së cilës kishin zënë pluhur në sirtarët e tij. Dhe për çerekshekulli, rekord absolut i qëndrimit në një detyrë kryesore gjatë regjimit komunist, Thanas Nano, me bekimin e Ramiz Alisë, e la drejtor të Radios së Jashtme. Në janar të vitit 1972, kur po largohej përfundimisht nga Radiotelevizioni, për të punuar këshilltar në Këshillin e Ministrave, (prapë së prapë detyrë e nderuar), Thanasi, hynte në çdo zyrë e, duke u ndarë me redaktorët, shumë prej të cilëve u kishte marrë shpirtin me shpirtin e tij tiranik, midis të tjerash, siç mbaj mend, kur u fyt në zyrën e një redaksie të Radios, ku rastësisht u ndodha edhe unë, na u drejtua përulësisht me këto fjalë: “Kam punuar, por edhe kam gabuar, ndaj më falni”. Kurse tani kthehej triumfator si Luigji XVI, kur zinte vendin e Napoleon Bonapartit, pas shpartallimit të këtij të fundit në Vaterlo. Dhe, hakun të mos ia hamë, kishte të drejtë. Vinte drejtpërsëdrejti me urdhër të Zeusit, që kishte hedhur poshtë tërë ata emra në listën e miratuar nga Hysni Kapo dhe Ramiz Alia.!... Për sa kohë që punoi këshilltar në kryeministri,( më pas edhe drejtor i Drejtorisë së Shtypit në Ministrinë e Jashtme), kur takonte ndonjë punonjës të RTVSH-së, ndryshe nga koha kur ishte drejtor, bëhej copë të bisedonte me përzemërsi të pashembullt me ta. Madje, kur kishte takuar në mjediset e Kryeministrisë një folës të njohur, kur kishte pyetur se ç’thoshin për të punonjësit e Radios e TV-së, kur ky i ishte përgjigjur çiltërsisht se ata nuk kujtoheshin për të, Thanas Nanos i kishin shpëtuar lotë nga sytë. Pendim i përkohshëm!... Megjithëse kur u kthye sërishmi në detyrën e drejtorit të përgjithshëm, që kurrë nuk kishte besuar të ndodhte as ai vetë, u porosit nga njëri prej sekretarëve të Komitetit Qendror, që të mos hakmerrej me punonjësit, Thanas Nano bëri të kundërtën. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ai ishte gatuar që të ishte servil me të mëdhenjtë dhe arrogant dhe prepotent me të vegjlit. Ja sepse në një nga mbledhjet e para me punonjësit, ai u tha, thuajse fjalë për fjalë: “Mos pandehni se kam ardhur të marr hak? Mos pandehni se kam mbajtur shënim emrat e atyre që nuk kanë diskutuar në mbledhjet kundër Todi Lubonjës? Gaboheni!”. Mirëpo, në të vërtetë pikërisht këtë bëri, i rrethuar nga tabori i atyre servilëve të paaftë që i mbanin ison. Kështu, pra, Thanas Nano u rikthye që ta bënte zap RTVSH-në pas gabimeve “të rënda” që kishte bërë Todi Lubonja. Vetë Enver Hoxha, siç shprehet më sipër, i njihte aftësitë ë tij të kufizuara, (Kujtoni fjalët e cituara pak më sipër nga libri i Marash Hajatit: “në fushën profesionale mangësi edhe mund të kemi”). Po, ç’rëndësi kishte për diktatorin, nëse do të kishte apo jo ngritje profesionale ky institucion kaq i rëndësishëm, i cili, në vend që nga mikrofonët e kamerat të përçonte risi në kulturë, art, siç kishte kërkuar Todi Lubonja, duhej të lëshonte flakë e barot. Dhe nga kjo pikëpamje Thanasi s’të linte gjë mangut. Ndaj në librin e tij, duke u ndalur te kjo çështje Marash Hajati vazhdon: “Periudha e kthimit të Radiotelevizionit në statukuonë e mëparshme, ka qenë e vështirë dhe e ndërlikuar. Mbi të gjitha në një pikë nuk duhej bërë asnjë kompromis, asnjë lëshim. Ajo pikë e rregullores ishte kontrolli i çdo gjëje që arrinte deri në transmetim. Mikrofoni dhe kamera u shpallën të shenjta dhe të pacënueshme, larg çdo ndikimi të punës armiqësore dhe shfaqjeve të huaja. Redaksitë e programacioneve u “zbrazën” nga emisionet, filmat, koncertet, incizimet e huaja e të vendit, që mendohej se mund të sillnin kokëçarje në opinionin zyrtar. Mirëpo, kjo rrugë, për të qenë të mbrojtur nga gabimet, solli gradualisht një varfëri të madhe në transmetimet e përditshme, la në heshtje e gati në harresë krijimin e realizimin e programeve të reja në fushën e kulturës, teatrit, traditës së filmit e deri te regjistrimi i estradave”. (“Dera e prapme e shtypit”, faqe 83).

    Dallga e re e censurës
    Me fjalë të tjera, ato që kishte dashur të realizonte Todi Lubonja, duke u nisur nga ç’kemi përmendur në pjesët e para të këtij cikli, ku përfshiheshin edhe risitë në Festivalin e 11-të, tashmë ishin varrosur. Nuk mjaftoi kjo. Me urdhër të vetë Enver Hoxhës, u hoqën nga tarracat a çatitë tërë antenat me të cilat qytetarët e ngratë, që i kishin blerë televizorët me kursime shumë të mëdha, duke ia hequr fëmijëve edhe kafshatën e gojës, kishin pasur deri atëherë mundësi të shihnin programe të RAI-t dhe të TV Beogradit. Dhe kjo ndodhte kur TVSH-ja nuk arrinte, siç e kemi vënë në dukje më sipër, të transmetonte më shumë se 4-5 orë programe në ditë. Shqipëria kështu mbyllte veç kufijve shtetërorë edhe kufijtë ndërkombëtarë radiotelevizivë, për t’u shkëputur sa më shumë nga bota.

    Spastrimet e Thanas Nanos
    Ndërkohë, Thanas Nano vazhdonte të zbatonte me zell porositë e diktatorit, duke luftuar të tërë ata që kishin qenë të vlerësuar nga Todi Lubonja. Pati një fat dramatiko-komik një konkurs sportiv shumëpjesësh, me nxënësit e shkollave 8-vjeçare, që e drejtova unë, fakt, të cilën e kam trajtuar në një nga ndodhitë e botuara në një cikël kushtuar historisë së Radio Tiranës, në faqet e kësaj gazete. Një histori me të vërtetë, për të qeshur e për të qarë, po të marrim parasysh se të tërë pjesët e konkursit u regjistruan në videokasetë gjatë erës Lubonja dhe nisën të transmetoheshin nën erën Nano.
    Mjaftoi një letër e ardhur nga Lezha ku unë cilësohesha si drejtues spektaklesh borgjezo-revizioniste dhe u lëshua alarmi. Dhe e gjitha kjo, sepse isha i veshur me një zhaketë ngjyrë blu me kopësa metalike, të cilën e kishte veshur gjithashtu gjatë Festivalit të 11-të edhe drejtuesi, Bujar Kapexhiu. Thanas Nano, siç duket, për çdo të papritur, urdhëroi që unë, pas kësaj që ndodhi, të mos drejtoja më as rubrikën sportive, por këtë radhë se u ngjaja prezantuesve sportivë italianë.(?!). U kufizuan shumë transmetimet e ndeshjeve të futbollit, të marra nga televizionet e huaja. Jo vetëm kaq, por, për të mënjanuar çdo të papritur, nisën të transmetoheshin vetëm pamjet e ndeshjes, por pa zërin e komentatorit të huaj dhe jehonën e shikuesve në stadium. Merreni me mend se si mund të ndiqej një ndeshje në TV e katandisur në këtë derexhe!...Si një ndeshje e ...vdekur!...Dhe e gjitha, për të qenë brenda. Tamam kjo i vinte shumë për shtat Thanas Nanos, që tani ishte vënë plotësisht në rolin e gardianit. Ndërkohë, me urdhër të tij u hoqën nga legjenda e mikrofonit, Vera Zheji, folësi i njohur, Kiço Fotiadhi, regjisorja dhe këngëtarja e talentuar, Justina Aliaj. Ashtu si Todi Lubonja, siç kemi përmendur, u largua nga TVSH-ja, për të punuar punëtor i thjeshtë në Ballsh, edhe Mihal Luarasi. Kurse drejtoresha e Radios së Brendshme, Nefo Myftiu, organizuesja e Festivalit të 11-të, u shkarkua nga detyra dhe u emërua zëvendësdrejtoreshë e ndërmarrjes artistike “Migjeni”. Të gjitha këto ishin prologu i atyre që do të ndodhnin në Pleniumin 4 të Komitetit Qendror, i cili do të zhvillohej në qershor, pra, vetëm disa javë pas këtyre ngjarjeve që përshkruam më sipër, për të cilat do të rrëfejmë në pjesën e gjashtë të këtij cikli.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  5. #5
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Të gjithë të ndëshkuarit e Festivalit të 11-të.

    Todi Lubonja shpallet armik
    Një ditë, aty nga mesi i majit, krijuesit më të mirë të TVSH-së u mblodhëm në një sallë, ku na foli një i dërguar shumë i rëndësishëm i Komitetit Qendror. Sigurisht ishte fjala për detyrat e reja që i dilnin TVSH-së nën dritën e zhvillimit të vrullshëm dhe të papritur të ngjarjeve të fundit pas Festivalit të 11-të. Mirëpo, kur ne të tërë mendonim se me largimin e Todi Lubonjës dhe kthimit të Thanas Nanos, me kaq gjithçka tashmë kishte përfunduar dhe ne do të pajtoheshim me huqet e vjetra dhe të mbrapshta të këtij të fundit, për të cilat kemi folur gjerësisht në pjesën e pestë, i dërguari i KQ-së, midis të tjerash, duke folur për Lubonjën, e cilësoi atë si element armik, i cili me pikëpamjet e tij i kishte sjellë aq dëm punës në RTVSH. Por kjo duhej të mbetej midish nesh. Ishte e kuptueshme që ky përcaktim për Todin jo vetëm nuk do të mbahej midis nesh, por do të përhapej gojë më gojë. Mirëpo, me sa dukej, këtë priste dhe Enver Hoxha. Pra, që vetë masat të vinin pikën mbi një armik siç ishte tashmë drejtori i RTVSH-së.
    Çdo gjë mund të kisha menduar, por kurrë që Enver Hoxha, duke e kritikuar Todi Lubonjën për organizimin e Festivalit të 11-të, të arrinte që me një cinizëm të papërfytyrueshëm, ta cilësonte atë armik të partisë dhe popullit. Por gjithçka do të zgjidhej pikërisht në ditët e pleniumit të 4-t që do të zhvillohej më 26-28 qershor të vitit 1973.

    Sulmi i diktatorit kundër letërsisë dhe arteve
    Pesë herë deri para Pleniumit të katërt Enver Hoxha dhe Partia kishte ndërhyrë brutalisht duke vënë veton për probleme të letërsisë dhe arteve. Më 1946, kur kishte sulmuar Sejfulla Malëshovën, ish-kryetarin e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve për pikëpamjet e tij ideo-artistike që shtrembëronin vijën e partisë; më 1961, në debatin e flaktë midis poetëve të vjetër e poetëve të rinj, ku, duke mbrojtur veteranët e penës, u kishte dhënë lejekalimin edhe të rinjve të tillë si Kadare, Agolli, Arapi, që të shfrytëzonte talentin e tyre për ambicjet e tij tiranike; më 1965, kur kishte dënuar romanin “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit si vepër antisocialiste; një vit më pas kur kishtë parë në Korçë dramën “Rrethimi i bardhë” të Naum Priftit dhe kishte dhënë urdhër që të mos shfaqej më për gabime ideore dhe më 1969, kur përsëri teatri i Korçës, po këtë radhë në Tiranë, kishte shfaqur dramën “Njollat e murrme” e cila, me urdhër të tij, siç e pamë dhe në pjesën e parë të këtij cikli, kishte pësuar të njëjtin fat dhe për të njëjtat gabime si drama e mësipërme.
    Në këtë plenium, duke mbajtur raportin: “Të vazhdojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre”, Enver Hoxha edhe një herë “e mprehu shpatën ..” në mënyrë që, duke u nisur nga Festivali i 11-të, të sulmonte Todi Lubonjën e Fadil Paçramin e njëherësh artin dhe kulturën. Pas një anateme të përbindshme ai e cilësoi tashmë ish-drejtorin e RTVSH-së si “deviator të djathtë që ka përkrahur pikëpamje të theksuara liberale e oportuniste, shije estetike moderniste” dhe që “u orvat” t’i jepte Radiotelevizionit një drejtim thjesht informativ e kulturo-njohës, drejtim ky që ishte në kundërshtim me orientimet e Komitetit Qendror të Partisë mbi karakterin politik, ideologjik e kulturoro-edukativ të tij. (Enver Hoxha, “Mbi letërsinë dhe artin”, faqe 409,1977).
    Në qoftë se nuk do të dinim se këto fjalë i kishte nxjerrë nga goja ai që pretendonte të ishte tashmë marksist-leninisti më i madh i botës, do të gjykonim se autori i tyre duhej të ishte një pseudofilozof truroitur, i cili na bëm të qeshim me këto broçkulla. E si mund të quhej deviator i djathtë një njeri që nuk bëri gjë tjetër, veçse u përpoq të sillte, siç e kemi përmendur, disa risi kulturore dhe artistike në RTVSH dhe kryesisht me organizimin e një festivali kënge, aq më tepër duke pasur pranë një anëtar të Byrosë Politike, Ramiz Alinë, dhe një tjetër, po në këtë funksion që kishte gruan drejtoreshë të Radios, Manush Myftiun?.... Çfarë djathtisti mund të ishte Todi Lubonja, i cili, qysh i vogël ishte bashkuar me bindjet komuniste, të cilave iu përkushtua me sinqeritet?...
    Një gjë duhet pohuar pa ngurrim: duke qenë, siç kemi përmendur, njohës i kulturës dhe letërsisë perëndimore, ai ishte një idealist që besonte për realizimin e një socializmi shkencor me fytyrë njerëzore. Ashtu siç pohon edhe në dy librat e tij publicistikë të botuar pas rënies së komunizmit, ai kishte qenë prej kohësh kundër prirjeve diktatoriale të Enver Hoxhës, që jo vetëm e izoloi vendin, por ushtroi dhunë të pashembullt gjoja me parullat e ndërtimit të socializmit në vendin tonë në kushtet e ashpërsimit të luftës së klasave dhe trysnisë së rrethimit borgjezo-revizionist. Në Pleniumin e 4-t Enver Hoxha shkoi edhe më larg se Stalini, babai i tij shpirtëror, i cili, në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, kur në revistën “Ylli” të Leningradit kishin nisur disa teorizime që preknin parimet e realizmit socialist, kishte urdhëruar Zhdanovin, Gëbelsin e tij të propagandës, që t’u mbyllej goja atyre që guxonin të bënin veprime të tilla. Mund të ishte skematik romani “Kalorësi i yllit të artë” i Babelit, por ai kishte në qendër figurën e heroit pozitiv e idealet e larta komuniste. Të njëjtën gjë kërkonte edhe Enver Hoxha, por me dhunë. Dënonte Todi Lubonjën e Fadil Paçramin, kur duhej të dënonte së pari ata që ishin mbi ta, Ramiz Alinë, sekretarin e KQ-së për problemet ideologjike dhe Manush Myftiun, sekretarin e parë të Komitetit të Partisë për Tiranën. Me të vërtetë qesharake, aq më tepër, siç e kemi theksuar, që vetë Ramiz Alia, pasi e kishte parë, kishte dhënë pëlqimin për këtë festival. (Siç dëshmohet në shtyp, nga kujtimet e njerëze që kanë punuar në shtëpinë e diktatorit, ishte Nexhmia ajo që e bindi atë që t’ia falte gabimet, pasi ky iu lut, i ulur më gjunjë e me lot në sy.)
    Përse Enver Hoxha, që për më tepër se një vit i kishte konstatuar këto shfaqje të huaja në letërsi dhe në arte, nuk bëri të paktën vërejtjen më të vogël, që do të kishte sjellë frenimin e tyre, por, përkundrazi, i lejoi dhe, menjëherë pas festivalit, ndërmori personalisht kryqëzatën e tmerrshme ndaj mbartësve të tyre? Sepse, pa kaluar mirë një vit, do ta vazhdonte këtë kryqëzatë me sulmin ndaj armiqve në ushtri e ekonomi, me eliminimin fizik të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Halim Xhelos, Abdyl Këllezit, Koço Theodosit, për ta vazhduar disa vjet më pas me zhdukjen e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e Fiçorr Shehut, në mënyrë që pastaj të deklamonte se partia kishte zbuluar këtë komplot të madh armiqësor, që niste nga grupi i Todi Lubonjës e Fadil Paçramit në fushën e letërsisë dhe arteve, të cilët, në bashkëpunim me grupin e poliagjentit Mehmet Shehut, kishin si synim të organizonin një komplot të madh shumë të rrezikshëm ndaj pavarësisë së vendit tonë.(?!) (Enver Hoxha,Vepra, faqe 9, 1986).

    Zgjerohet rrethi i të ndëshkuarve
    Le të kthehemi te Pleniumi i 4-t. “Duke marrë parasysh gabimet e tyre të rënda që u vërtetuan plotësisht nga partia,-përfundoi në fund raportin e tij diktatori,- duke marrë parasysh se qëndrimet e tyre, si në teori dhe praktikë kanë dëmtuar partinë dhe shtetin dhe ndërtimin e socializmit, propozoj, si të gjithë ju, që të përjashtohen nga partia, nga Komiteti Qendror”. (Enver Hoxha, “Mbi letërsinë dhe artin”, faqe 420,1977). Nuk mjaftoi vetëm kjo. Ata më pas u burgosën dhe u dënuan me nga 16 vjet heqje lirie për “krimet” që kishin kryer. Kështu parandjenja e Todi Lubonjës për të cilën kemi folur në pjesën e dytë, që ardhjen e tij në RTVSH nuk e kishte pasur me dëshirë, u bë realitet. Përfundoi në burg edhe regjisori i Festivalit të 11-të, Mihal Luarasi, këngëtari i njohur Sherif Merdani, sepse adhuronte muzikën italiane. E shoqja e Mihallaqit, Edi Luarasi, aktore e talentuar, u katandis rrobaqepëse, kurse partneri i saj në prezantimin e festivalit, Bujar Kapexhiu, punëtor ngarkim-shkarkimi. Këtë fat, si mik i Fadil Paçramit, pësoi edhe regjisori i Teatrit Popullor, Kujtim Spahivogli, i cili më pas edhe vdiq. U dëbua nga RTVSH-ja regjisorja Justina Aliaj, shumë e talentuar si këngëtare e aktore, poeti Sadik Bejko, redaktor i teksteve muzikore të Ffestivalit. U largua gjithashtu dhe kompozitori i njohur, Nikolla Zoraqi, shefi i redaksisë së muzikës në Radio Tirana. Rrebeshi pas Pleniumit të 4-t përfshiu edhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. U shkarkua për punë të dobët kryetari i saj, Dhimitër Shuteriqi, i zëvendësuar nga Dritëro Agolli, i cili në Kongresin e 7-të të PPSH-së më 1977, u zgjodh madje edhe anëtar i KQ-së, u transferua sekretari i përgjithshëm, Vilson Kilica, piktori Ksenofon Dilo, kryeredaktori i revistës “Nëntori”, Dalan Shapllo, redaktorët e saj, Gjergj Zheji, Anton Kuqali, Sulejman Mato. Më rëndë e pësoi kryeredaktori i gazetës “Drita” dhe sekretari i partisë në këtë lidhje, Ibrahim Uruçi, që përfundoi fshesar në Memaliaj, ku edhe vdiq. Spastrime u bënë edhe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. U hoq nga TOB-i edhe drejtuesi artistik, Zhani Ciko. Më pas për ndikime të artit dekadent dhe pakënaqësi ndaj pushtetit u dënuan me burgim edhe piktorët Ali Oseku dhe Edison Gjergo. Një vëllim me poezi, shkruar nga Fatos Arapi, përfundoi në karton dhe ai vetë nga pedagog i letërsisë në UT- mësues në një shkollë nate. Disa muaj më vonë, duke zbatuar parimin revolucionar të Enver Hoxhës “Klasa punëtore në fuqi”, në poste drejtuese në RTVSH erdhën kuadro nga baza, të cilët nuk kishin haber as nga mikrofoni, as nga kamera, dhe që mund të bënin vërejtje për flokët e veshjet e filanit a fistëkut. Ndërkohë, drejtori i këtij institucioni, Thanas Nano, vazhdonte të luante rolin e Enver Hoxhës. Duke përfituar nga i ashtuquajturi qarkullim i kuadrit, ai hoqi disa puthadorë, edhe pse ishin gëzuar aq shumë për rikthimin e tij dhe qëroi hesape dhe me krijues të aftë, por të cilët nuk i shkonin sipas midesë, midis të cilëve ishin radiodramaturgu i shquar, Ruzhdi Pulaha, gazetarët Qemal Xhomo, Fuat Memeli, regjisori Fatos Sela e plot të tjerë. Të gjitha këto ishin rrjedhim sulmit të Enver Hoxhës ndaj njerëzve të letërsisë dhe të artit, që nisi nga Festivali i 11-të.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-04-2011
    Postime
    13
    Ju lutem kush mund te gjej kengen e Jusitna Aliaj ,kenga e Nenes

Tema të Ngjashme

  1. Festivali nderkombetar operistik "Marie Kraja"
    Nga angeldust në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 03-04-2022, 12:24
  2. Fillimet e Kinematografisë Shqiptare
    Nga Fiori në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 16-05-2012, 10:15
  3. Festivali i Këngës në RTSH 2005
    Nga Xhuxhumaku në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 51
    Postimi i Fundit: 07-01-2006, 18:17
  4. Festivali Folklorik i Gjirokastrës 2004
    Nga dodoni në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 05-10-2004, 06:47
  5. Nga Festivali Kenges 2002
    Nga Brari në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 20-01-2003, 02:18

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •