Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625

    Perspektiva e një letërsie pa kritikë

    nga Shekulli:

    Perspektiva e një letërsie pa kritikë

    Mark Marku

    Kriza e kritikës dhe mungesa e instancës kritike janë natyrisht dy gjëra të ndryshme, me pasoja të ndryshme dhe që rrallë mund të shfaqen si dukuri kulturore në të njëjtën kulturë e në të njëjtën kohë. Në kulturën shqipe të çerek shekullit të fundit ka ngjarë pikërisht ajo që ngjet shumë rrallë: të dyja dukuritë janë shfaqur paralelisht me njëra-tjetrën, ose më saktë i janë mbivendosur njëra-tjetrës. Madje ka ndodhur që kriza të sjellë si pasojë zhdukjen e instancës kritike. Kjo natyrisht e ka një shpjegim. Më saktë disa të tillë.
    Deri në fillim të viteve 90 në letrat shqipe studimet kritike zinin padyshim kryet e vendit. Të krijohej përshtypja sikur studimet për letërsinë kishin më shumë rëndësi se sa vetë letërsia. Autoriteti i kritikut dhe i studiuesit të letërsisë e tejkalonin dukshëm atë të shkrimtarit, instanca kritike vlerësohej më shumë se sa instanca krijuese e kjo mbështetej me institucione studimore brenda e jashtë universitetit, me botime e fonde të pashterrshme për to, me një platformë të qartë politike, me një platformë tmerrësisht të qartë politike. Shkurt, kritika i printe letërsisë e në më të shumtën e rasteve, ajo e përcaktonte paraprakisht objektin e saj, “e parashkruante” tekstin letrar (jo gjithë tekstin por tekstin model) duke ia përcaktuar kufijtë e shtrirjes, shtresat kuptimore, ideologjinë e madje edhe figuracionin. Është e qartë pra, se kritika kishte një autoritet të paimagjinueshëm përkundrejt letërsisë. Ishte ajo që përcaktonte para dhe pasfatin e tekstit letrar. Kuptohet në këtë rast nuk kemi as letërsi të vërtetë, e as kritikë të vërtetë, madje as lexues të vërtetë pasi edhe lexuesi ishte një instancë sociale me horizont kulturor e ideologjik të manipuluar. Ishte krijuar një qark i mbyllur ku kritika interpretonte tekstet e shkruara sipas kritikës e për kritikën. Një gjendje ku kishim shumë kritikë e pak letërsi. E gjitha kjo kishte kuptim vetëm në kuadrin e një sistemi politik si komunizmi që e kishte të parashkruar historinë e vet nga dogma.
    Rënia e sistemit solli edhe rënien e autoritetit të kritikës. Si kritikë e përgatitur për të interpretuar tekste që i diktonte po vetë, kritika shqipe nuk mund të ishte e aftë të vendoste autoritetin në një letërsi që si akt të parë të lirisë ka refuzimin e diktimit të tekstit. Dhe do t’i duhej kohë që ta rifitonte përsëri autoritetin e humbur. Kritiku italian Romano Luperini e përkufizon kështu një situatë të tillë: “Kritika vendos një raport joprivat me veprën letrare, raport para së gjithash publik e social. Kritiku duhet ta afirmojë autoritetin e tij në një kontekst që ia verifikon instrumentet dhe aftësitë intepretative. Ndërsa vepra e ka apriori një autoritet të vetin të sanksionuar nga tradita dhe kanoni letrar, kritikut i duhet të legjitimohet çdo herë në fushën e vet. Atij i duhet domosdoshmërisht ta ringrejë autoritetin e vet mbi atë të tekstit duke dëshmuar njohjen dhe aftësinë për ta interpretuar atë”. Kritikës shqiptare i duhej që ta legjitimonte autoritetin e saj në raport me një letërsi që edhe pse e tronditur në sistemin e saj të vlerave nuk e kishte humbur plotësisht autoritetin e saj.
    Në momentet e para kritika shqiptare u mundua ta mbrojë legjitimitetin e saj nëpërmjet mbrojtjes së kanonit letrar të vendosur më parë nga po vetë ajo. Fillimisht kritika kishte vendosur rregullat në bazë të të cilave duheshin shkruar veprat letrare, pastaj ajo kishte zgjedhur modelet për kanonin dhe kështu nëpërmjet ngulitjes së kanonit kishte vendosur autoritetin e vet. Duke mbrojtur kanonin ajo realisht mbronte vetveten. “Kanonet janë tërësi veprash të cilave u atribuohet një vlerë”- thotë Eagleton. E meqë vlerat janë sa të qëndrueshme aq edhe kalimtare, të tilla janë edhe kanonet. Ato përveç vlerave të qëndrueshme kanë disa vlera të pranuara për këtë ose për atë qëllim, në funksion të kësaj apo asaj platforme ideologjike dhe për këtë arsye ndryshojnë me kalimin e kohës. Kësaj logjike do t’i nënshtrohej edhe kanoni letrar shqiptar. Kanoni i mëparshëm letrar në momentet e para pësoi një tronditje të madhe gjë që ndikoi në ripërcaktimin e tij. Por fati i autoritetit të tij nuk qe i njëjtë me atë të kritikës. Në fakt letërsia nuk e humbi plotësisht autoritetin e saj. Në kanonin e ri të riformuluar hynë vepra dhe autorë të përjashtuar më parë, por megjithatë hyrja e tyre nuk solli çorientimin total të kanonit të mëparshëm. Ai ekzistonte, por tashmë i ristrukturuar. Martin Camaj thoshte në një intervistë të botuar në revistën “Nëntori” në vitin 1991 se studiuesit në Tiranë e Prishtinë duhet ta kuptojnë se asgjë e keqe nuk i vjen letërsisë shqipe nga pranimi i veprave të mia. Më tepër se një gjest shpirtmadhësie fjalët e tij shprehnin një të vërtetë: futja e një vepre në një kanon letrar mund të ndryshojë kanonin dhe modelet e tij (sipas T. Eliot), por nuk do të thotë asgjësim i kanonit dhe modeleve të tjera.
    Pasi dështoi në përpjekjen e parë për ta ruajtur autoritetin e saj nëpërmjet ruajtjes së piramidës së vlerave, kritika pati një moment reflektimi kur kërkoi ta dëshmojë autoritetin nëpërmjet ristrukturimit të sistemit të vlerave. Në periudhën kalimtare ajo u mor me afirmimin e veprave apo autorëve të ndaluar. U duk sikur bashkë me ringritjen e letërsisë së ndaluar po ringrihej vetë kritika, tashmë duke u pohuar bashkë veprat që i kishte mohuar më parë domethënë nëpërmjet mohimit të vetvetes. Por me të mbaruar afirmimi i veprave të ndaluara kritika e humbi përsëri arësyen e vet të ekzistencës. Ajo ekzistonte ose për të pohuar, ose për të mohuar. Ajo ekzistonte vetëm në raport me veten. Por kritika e vërtetë duhet të funksionojë në një skemë tre elementëshe ku përveç saj marrin pjesë vepra ose teksti letrar dhe lexuesi.
    Edhe pse me shumë ngjashmëri me kritikën shqipe të zhvilluar brenda kufirit të Republikës së Shqipërisë, kritika shqipe e zhvilluar në Kosovë, në Maqedoni dhe në qendrat e emigracionit nuk ka të bëjë aq shumë me ato që u thanë më sipër. Për shkak të mungesës së ideologjizimit të plotë dhe ekzistencës së dijes alternative kjo kritikë, sidomos pas viteve 70, kishte arritur t’i shpëtonte skematizmit dhe të orientohej në kritikën bashkëkohore duke u ndikuar sidomos nga atmosfera kritike franceze ku pasi ishin pranuar në mënyrë triumfale formalistët rusë kishte marrë udhë “revolucioni” strukturalist. Megjithatë për arsyet historike që dihen kjo rrjedhë u ndërpre dhe në fund të viteve 90 edhe kritika shqipe e shkruar jashtë kufijve të Shqipërisë u gjet në të njëjtën krizë autoriteti me atë të pjesës tjetër.
    Duke mos e fituar dot autoritetin e duhur në raport me tekstet letrare, një pjesë e kritikës u tërhoq dhe i humbi lidhjet me letërsinë, një pjesë tjetër u tërhoq duke i humbur lidhjet me letërsinë bashkëkohore, por duke iu përkushtuar historisë së letërsisë apo teorisë së letërsisë, gjithnjë duke bërë kujdes të mos implikohej në çështjet e ngatërruara të letërsisë bashkëkohore. Madje u krijua bindja se studimi akademik serioz nuk duhet të merret me letërsië bashkëkohore. Por Wellek dhe Waren mendojnë krejt ndryshe në lidhje me këtë çështje: “Nëse ia vlen të studiohen shumë shkrimtarë të rangut të dytë ose të rangut të dhjetë të kohëve të shkuara, atëherë ia vlen të studiohet edhe një shkrimtar i rangut të parë apo të dytë i kohës sonë”.
    Por ajo që e ndërlikon edhe më shumë krizën e kritikës shqiptare është të qenit në një krizë të dyfishtë. Fare mirë kritika shqiptare mund ta kapërcente këtë moment të vështirë duke u orientuar në kritikën bashkëkohore botërore, pra duke e marrë atë si sistem referimi e orientimi. Por aty nga fundi i viteve 80 dhe fillimi i viteve 90 vetë kritika bashkëkohore botërore përjetonte nga ana e vet një krizë të vërtetë. Pas një momenti vetësigurie të tepruar që kishte kaluar me strukturalizmin, kritika letrare dhe studimet për letërsinë futen në krizë me postrukturalizmin. Teoritë e deriatëhershme të strukturuara me aq zell dhe që kishin pretenduar ta shndërronin teorinë e letërsisë në një shkencë “objektive” të përafërt me shkencat ekzakte e humbën pak nga pak autoritetin e tyre dhe kritikë të veçantë i përkushtohen çmontimit të ngrehinës së tyre ose siç u pëlqente francezëve ta quanin këtë mjeshtëri “dekonstruktimit” të tyre. Nuk ndryshojnë dhe zhvlerësohen vetëm teoritë apo metodat, por bashkë me to horizonti i pritjes së lexuesit, përkufizimet e tekstit, koncepti për letërsisë dhe zhanret letrare, për gjuhën dhe shenjën gjuhësore. Postrukturalizmi vë në diskutim parardhësit. Posmodernizmi fut në krizë edhe kanonin letrar pasi për epokën postmoderne është e pamundur të gjenden kritere të pranueshme vlerësimi e gjykimi që do të bënin të mundur përcaktimin e modeleve të qëndrueshme.
    “Dikur- thotë kritiku francez Antoine Compagnon, profesor në Universitetin e Sorbonës- besohej se interpretimi e kishte aftësinë për të kuptuar tjetrin në fund të asaj që quhej trajektore hermeneutike. Duke lexuar mund t’i afroheshe pak nga pak kuptimit dhe nisur nga ajo çka kishim lexuar mund të hipotetizohej një tërësi. Më pas vazhdimi i tekstit e konfirmonte ose e hidhte poshtë këtë hipotezë, e mbante ose e korrigjonte. Deri sa shkohej në faqen e fundit ku hipoteza përfundimtare përkonte me kuptimin e tekstit. Por kjo hermeneutikë e besueshme është vënë pak nga pak në diskutim në rrjedhën e shekullit të kaluar... Më pas është menduar se është e pamundur të nxjerrësh ndonjë gjë nga pyetjet, se është e pamundur të shkosh drejt tjetrit dhe ta kuptosh të paktën pjesërisht. Dialogu atëherë ndërpritet, çdo kulturë, çdo tekst është i padepërtueshëm nga të tjerët dhe si rezultat i kësaj nuk kemi gjë tjetër veç keqkuptimeve”.
    Kështu pra, kritikës shqiptare në krizë i duhej të orientohej në një kritikë bashkëkohore gjithashtu në krizë dhe në një proçes të vazhdueshëm dekonstruktimi teorish e metodash dhe rindërtimit të tyre në mënyrë subjektive dhe në përputhje me kërkimet vetjake. Krizë e dyfishtë kjo e kritikës shqipe. E shprehur në mënyrë figurative kritiku shqiptar gjendej në një pozitë pak a shumë të tillë: E kishte shembur ngrehinën e tij (ose ia kishin shembur) pasi i kishin thënë se mund të gjente strehë më të mirë diku tjetër, ta zëmë në Bibliotekën George Pompidou në Paris (një bibliotekë kjo e hapur dhe funksionale për të gjithë). Por në momentin që kritiku shqiptar mbërrin gjithë stërmundim para strehës së re, e gjen atë të zhbërë dhe në vend të saj gjendet vetëm një monument i kryepunëtorit të zhbërjes Jacque Derrida. Natyrisht kritikut shqiptar për të mbijetuar nuk i ngelet gjë veçse t’i përvishet një punë tjetër më pa telashe.
    Për pasojë letërsisë shqiptare i është dashur ta bëjë rrugën e këtyre viteve pa praninë e kritikës. Një letërsi pa kritikë është një paradoks po aq i madh sa edhe një kritikë pa letërsi. Mungesa e instancës kritike në një kulturë apo shoqëri e bën shoqërinë dhe kulturën aksidentale, jo funksionale, pasi shoqëritë, kulturat dhe qytetërimet ngrihen mbi sistemin e vlerave. Sistemi i vlerave është rezultat i gjykimit të vlerave dhe gjykimi është i gjymtuar pa instancën kritike. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kritikën letrare. Mungesa e kritikës e bën skemën e komunikimit letrar mes veprës dhe lexuesit jofunksionale. Në këtë mënyrë ai që humb është teksti letrar. “Respekti për tekstin-thotë Luperini- është njëherësh respekt për lexuesin, respekt për intepretuesit e të shkuarës dhe të tashmes”. Pa kritikën ose pa dialogun mes tesksteve kritike dhe teksteve letrare, mes autorit, kritikut dhe lexuesit teksti pushon së qeni medium social. Në këtë rast zhdukja e kritikut nga skema e komunikimit e dëmtom më shumë skemën se sa zhdukja e autorit. Sipas Gadamer “Teksti nuk na flet ashtu siç flet një bashkëbisedues çfarëdo. Jemi ne ata që e bëjmë atë të na flasë... Teksti flet vetëm nëpërmjet interpretuesve të tij. Vetëm nëpërmjet interpretuesve shenjat shkrimore shndërrohen në shprehje të kuptimshme”. Për këtë arësye rilindja e kritikut dhe kritikës është e domosdoshme për ta nxjerrë letërsinë nga memecëria e saj aktuale.
    wrong verb

  2. #2
    your incubus
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Londer
    Postime
    456
    e c'eshte kjo? kritike kritikes, pa nuanca te tjera pervecse krikellimes se gjinkalles? hej hej! une kritik nuk jam, por do me pelqente me shume te lexoja nga kritika shqiptare mbi nje letersi pa perspektive, sic mund te konsiderohet surrealizmi apo realizmi magjik, se sa mbi perspektiven e nje letersie pa kritike (letersia pa kritike me duket paradoks me te cilin nuk ia vlen te merret me njeri). ptuh, me gjithe vlera!
    gjuha jote eshte blu blu blu blu blu ne portokalli

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-09-2004
    Postime
    2,389
    Citim Postuar më parë nga kulla
    e c'eshte kjo? kritike kritikes, pa nuanca te tjera pervecse krikellimes se gjinkalles? hej hej! une kritik nuk jam, por do me pelqente me shume te lexoja nga kritika shqiptare mbi nje letersi pa perspektive, sic mund te konsiderohet surrealizmi apo realizmi magjik, se sa mbi perspektiven e nje letersie pa kritike (letersia pa kritike me duket paradoks me te cilin nuk ia vlen te merret me njeri). ptuh, me gjithe vlera!


    plotesisht dakord me ty kulla...
    Ndryshuar për herë të fundit nga [xeni] : 21-10-2004 më 10:10

Tema të Ngjashme

  1. Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës
    Nga Albanino në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2055
    Postimi i Fundit: 27-11-2014, 11:11
  2. Veshtrim kritik i romanit ''I huaji ''- Albert Kamy.
    Nga Biondina në forumin Mentori akademik
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 10-10-2011, 19:47
  3. Kritikë ndaj mësuesve të fesë islame në Austri
    Nga DYDRINAS në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 10-02-2009, 20:42
  4. Çfarë letërsie preferoni më shumë?
    Nga Flori në forumin Votime dhe sondazhe
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 13-09-2006, 12:00
  5. A ekziston masa kritike e materjes ne gjithesi?
    Nga buki19 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 26-11-2005, 13:24

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •