Konkursi për doktoratë javën e ardhshme
Anita Kadriu | 19-11-2011
Konkursi për doktoratë do të shpallet javën e ardhshme. Shpallja e këtij konkursi është miratuar të premten edhe nga Senati i Universitetit të Prishtinës (UP). Ndonëse kanë mbetur dhe shumë njësi tjera akademike pa dorëzuar programet e doktoratës, kjo sipas zyrtarëve të UP-së pritet të ndodhë së shpejti dhe në të gjitha fakultetet të fillojnë studimet e doktoratës sivjet.
Konkursi për doktoraturë, së pari do të fillojë në Fakultetin e Shkencave - Matematiko Natyrore (FSHMN), në Fakultetin e Filologjisë, Ekonomik, Mjekësi dhe atë të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.
Mosshpallja e konkursit të doktoratës deri më tash është arsyetuar nga rektori i UP-së, Mujë Rugova, me vonesën e fakulteteve për të dorëzuar programet nga njësitë akademike.
“Ka edhe disa fakultete që nuk i kanë sjellë, por janë në përfundim dhe ne do ta dërgojmë konkursin për ato fusha për të cilat i kemi marrë programet nga njësitë akademike”.
Sipas rektorit, të gjitha fakultetet kanë të drejtë të organizojnë studime të doktoratës, por duke përjashtuar fakultetet e aplikuara që nuk e kanë këtë të drejtë dhe Fakultetin e Edukimit. Për të pasur të drejtë konkurrimi në doktoratë një kandidat duhet të ketë të kryer studimet e nivelit të dytë dhe të ketë publikime shkencore.
Rregullorja për doktoratë është hartuar gjashtë muaj më parë dhe sipas Rugovës, është bërë konform rregullores së Universitetit të Zagrebit. Me këtë universitet ai ka thënë se janë lidhur dhe disa marrëveshje bashkëpunimi kryesisht që kanë të bëjnë me studimet shkencore.
“Me Zagrebin kemi krijuar raporte shumë të mira dhe mundësitë e shkuarjes në këtë universitet janë të mëdha. Kemi më shumë se 100 studentë në doktoratë dhe në specializime vetëm në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb. Aty bëhet një shkollë evropiane në të gjitha fushat”.
UP-ja dhe Universiteti i Zagrebit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ku përfshihen edhe punimi i diplomave të masterit, të doktoratave të përbashkëta, mobilitetit në fusha si të studentëve ashtu edhe të pedagogëve.
Megjithëkëtë, rektori ka kërkuar përkrahje për pajisjen e studentëve me viza. Sipas tij, shfrytëzimi edhe i kësaj marrëveshjeje varet nga lehtësimi i vizave.
“Por varet nga ne, varet nga shteti i Kosovës, por edhe nga vetë Evropa, meqë studentët tanë problemin më të madh e kanë me vizat. Edhe Kroacia është shumë e shtrënguar në këtë aspekt”, ka thënë rektori.
ZËRI
Krijoni Kontakt