Richard Hodges*
Pak ditë më parë u nda nga jeta një prej arkeologëve të shquar shqiptarë Dhimosten Budina. Dhimosten Budina lindi në Korçë në vitin 1930. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, e gjithë familja e tij u bashkua me lëvizjen nacionalçlirimtare. Budina vazhdoi studimet për histori në Universitetin e Tiranës dhe kjo bëri që në vitin 1953 ai të dërgohet në Moskë për të studiuar arkeologji. Ai u bë kështu një nga studentët e parë shqiptarë që studionin në këtë degë, të inkurajuar nga Hasan Ceka, Skënder Anamali e Selim Islami. Në bisedat tona me të gjatë vitit 2001, ai do ta kujtonte si më poshtë eksperiencën e tij në Moskë. “Shkova për studime në Moskë në vitin 1952. Isha ndër të parët studentë shqiptarë që vazhdonin studimet atje. Doja të vazhdoja për arkeologji ilire dhe u zhgënjeva pa masë kur zbulova që nuk më kishin regjistruar në atë kurs! Në vend të tij, unë isha caktuar të ndiqja arkeologji klasike me Profesor Vladimir Dimitriovitch Blavatski. Ai kishte punuar për një kohë të gjatë në Krime dhe në Kerson, ndërsa mua më dërgoi pothuaj në të gjithë vendin. E ku nuk kam qenë…Njëherë vajta në Uzbekistan për të punuar në një qendër arkeologjike, atje ishte si në mes të shkretëtirës, s’kishte asgjë, as ujë, as njerëz, as pemë, vetëm rërë, akrepa dhe gjarpërinj. Jetoja në konviktet e studentëve dhe e kam shëtitur mirë Moskën. Njëherë në vitin 1953, më kujtohet të kem parë Stalinin dhe Mauzoleun e Leninit gjatë paradës së 1 Majit”.
Pas kthimit në Shqiperi në 1956, Budinës iu caktua si temë doktorature studimi i Butrintit. Skënder Anamali e inkurajoi fuqimisht arkeologun e ri për të marrë në dorëzim punën e lënë në mes nga Luigi Ugolini dhe Misioni Arkeologjik Italian. Ai mori në dorë veprën e botuar të Ugolinit dhe që nga ky moment, Butrinti dhe e gjithë zona përreth u kthyen në objekt kryesor studimi përgjatë gjithë karrierës së tij.
Budina ishte një nga figurat kryesore që iniciuan ardhjen e Blavatskit në Shqipëri në krye të një Misioni Arkeologjik Sovjetik në fund të viteve ‘50. Ai mori pjesë në gërmimet në Apolloni si dhe në Çukën e Ajtoit pranë Butrintit dhe drejtoi së bashku me bashkëshorten e Blavatskit gërmimin në Orikum.
Budina luajti një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e Hartës Arkeologjike të Shqipërisë dhe pas prishjes së marrëdhënieve me Moskën në vitin 1960, vazhdoi punën për një vrojtim të plotë arkeologjik në Luginën e Lumit Drinos si dhe pellgun e Delvinës. Kjo punë madhore mbetet thelbësore për njohjen dhe të kuptuarit e gjithë peisazhit antik rreth Butrintit.
Në vitin 1970 me krijimin e degës lokale të Institutit të Arkeologjisë në Sarandë, Dhimosten Budina emërohet drejtor i degës së Sarandës si dhe arkeologu kryesor në Butrint. Gjatë kësaj periudhe ai drejtoi dy projekte të rëndësishme arkeologjike në qytetet helenistike të Finiqit dhe Antigonesë. Në vitin 1982, ai në bashkëpunim me Selim Islamin drejtoi në mënyrë të suksesshme, shkollën e gërmimit në Butrint.
Në vitin 1992, ai u kthye në Moskë ku mori shtetësinë dhe ku mbeti për gjithë pjesën tjetër të jetës. Gjatë viteve ‘90, u përfshi në projekte të arkeologjisë ruse dhe ishte pjesë e ekipit që kreu gërmime të rëndësishme në Sheshin e Kuq.
Dhimosten Budina ishte një arkeolog shumë i aftë dhe shumë punëtor, me një kontribut të madh e të padiskutueshëm në ruajtjen e këtij Butrinti që shohim sot. Ai gjithashtu ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm si një hallkë lidhëse midis Butrintit të viteve ‘40 dhe atij të shekullit të 21-të.
Ja si e ka përmbledhur ai jetën tij gjatë një interviste për arkivën e fondacionit “Butrinti’: “Kam një parim gjatë punës. Gjatë gërmimeve gjithmonë përpiqem për të ruajtur çdo gjë, sidomos në gërmimin shumështresor, megjithëse mund të mos jem i interesuar për ta studiuar në mënyrë të plotë atë. Hera e parë dhe e fundit kur dëmtuam një pjesë muri, ishte vetëm atëherë kur gjetëm statujën e parë gjatë gërmimit dhe nga emocioni e humbëm toruan…. Ashtu si Luigi Ugolini, Budina padyshim zë një nga vendet më qendrore në historinë e Butrintit.
*Richard Hodges, Profesor në Arkeologji, Drejtor Shkencor i fondacionit “Butrinti”
Krijoni Kontakt