Departamenti amerikan i Shtetit publikon raportin vjetor mbi lirinë fetare në botë
Ardita Simiçia
16 shtator 2004; 14:40 UTC
Departamenti amerikan i Shtetit nxori të mërkurën raportin e tij vjetor mbi lirinë e besimit në botë, në të cilin akuzon 8 vende, përfshirë edhe Arabinë Saudite për shkelje të rënda. Në përshkrimin e gjendjes në Kosovë, raporti vë në dukje me shqetësim incidentet e dhunshme të marsit të kaluar, por thekson se këto akte kishin kryesisht motive etnike, dhe jo fetare. Raporti vë gjithashtu në dukje një numër vendesh që kanë bërë përparim në nxitjen e një tolerance më të madhe ndërmjet besimeve fetare gjatë vitit të kaluar.
Raporti i këtij viti përfshin 3 emra të rinj që i bashkangjiten listës së vendeve me probleme shqetësuese në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut. Për herë të parë në këtë listë përfshihet edhe Arabia Saudite. Departamenti i Shtetit kritikon ashpër Arabinë Saudite për angazhim në shkelje të rënda të lirisë së besimit.
Xhon Hanford, ambasador për Lirinë e Besimit, tha se shqetësimi kryesor i Washingtonit ishte mungesa e tolerancës që tregon qeveria saudite ndaj besimtarëve myslimanë që nuk i përkasin variantit Wahabi të fesë islame, të sanksionuar nga shteti.
“Myslimanët suni që nuk i përkasin variantit Wahabi, si dhe myslimanët e sektit shiit dhe atij sufi, ndeshen me diskriminim dhe nganjëherë edhe me kufizime të rënda ndaj ushtrimit të besimit të tyre. Një numër udhëheqësish të këtyre sekteve janë arrestuar dhe burgosur," tha zoti Hanford.
Ambasadori shtoi se pasuesit e besimeve jo myslimane ndeshen me kufizime edhe më të rënda.
Pesë vende në këtë raport, Koreja e Veriut, Birmania, Kina, Irani dhe Sudani mbeten në listën e vendeve me probleme shqetësuese, siç ishin në raportin e vitit të kaluar. Këtyre iu shtuan këtë vit edhe Arabia Saudite, Eritreja dhe Vietnami.
Koreja e Veriut u veçua nga ambasadori Hanford për shtypjen e brutale të lirive fetare.
“Në Korenë e Veriut liria fetare nuk eksiton. Njoftime të besueshme tregojnë se besimtarët, veçanërisht të krishterët, shpesh burgosen, torturohen ose ekzekutohen për besimin e tyre,” tha ambasadori Hanford.
Raporti akuzon Iranin për shkelje të rënda të lirisë së besimit, pasi pjesëtarë të pakicave fetare, përfshirë myslimanët suni, hebrenjtë dhe të krishterët, kanë raportuar për raste burgimesh, kërcënimesh, përndjekjesh dhe diskriminimi si rrjedhojë e besimit të tyre.
Raporti kritikon gjithashtu Kinën për mungesën e vazhdueshme të tolerancës fetare, ku thekson raste rrahjesh, torturash dhe shkatërrime të faltoreve.
Raporti i Departamentit të Shtetit veçon gjithashtu edhe incidentet e marsit në Kosovë, të cilat rezultuan në vdekjen e 19 personave, plagosje të shumta dhe dëme materiale në kisha, manastire dhe varreza të komunitetit serb. Por raporti i cilëson këto shfaqje si akte me motive kryesisht etnike dhe jo fetare dhe vlerëson masat që po ndërmerren për rikthimin e besimit ndërmjet komuniteteve. Në kapitullin për Maqedoninë, raporti thekson se komunitetet fetare në përgjithësi kanë marrëdhënie miqësore ndërmjet tyre, por veçon me shqetësim keqësimin e marrëdhënieve ndërmjet kishës ortodokse maqedonase dhe asaj serbe. Por raporti nuk kishte vetëm kritika. Sekretari i Shtetit Kolin Pauëll vuri në dukje një numër vendesh që vitin e kaluar veçoheshin për probleme në respektimin e lirisë së besimit, por tani kanë marrë masa për të përmirësuar lirinë e besimit.
“Gjithmonë jemi të gatshëm të lavdërojmë vendet që kanë shënuar përmirësim gjatë vitit të kaluar dhe në përmbledhjen e raportit veçohet Gjeorgjia dhe Turqia për praktikat pozitive apo hapat e marra për të shtuar tolerancën ndërmjet besimeve të ndryshme fetare,” tha Sekretari Pauëll.
Iraku, i cili vitin e kaluar përfshihej në raport, këtë vit ishte hequr nga lista, falë të drejtave që sanksionon kushtetuta e përkohshme për lirinë e besimit.
Në kapitullin për Shqipërinë vlerësohej puna e autoriteteve për të krijuar kushtet e nevojshme për ushtrimin e lirë të besimit fetar. Raporti vë në dukje dinamikën shumë pozitive në marrëdhëniet e komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri, që është themeli i tolerancës fetare që e karakterizon shoqërinë shqiptare.
Krijoni Kontakt