Një makinë bombë shpërthen jashtë ambasadës australiane në Xhakarta. 9 të vrarë e 180 të plagosur

Indonezi, bombë në ambasadën australiane


Shekulli

XHAKARTË - Një makinë bombë shpërthen jashtë ambasadës australiane në Xhakarta duke vrarë 9 vetë e duke plagosur 180 të tjerë. Sipas AFP-së, për sulmin janë fajësuar direkt militantët që kanë lidhje me “Al-Kaedan”. Shpërthimi ndodhi disa ditë para zgjedhjeve presidenciale në këtë vend që ka popullsinë më të madhe myslimane në botë. Gjithashtu shpërthimi ndodhi edhe një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Australi. Si pasojë e shpërthimit u shkatërrua tërësisht barriera rrethuese e ambasadës dhe një krater i madh u krijua në rrugën jashtë saj. Në skenën e ngjarjes mund të shihje pjesë trupash të shpërndarë, xhama të thyer të makinave apo motoçikletave që ishin parkuar pranë si dhe copëra rrënojash. Gjithashtu shpërthimi theu edhe xhamat e disa zyrave aty pranë, duke plagosur mjaft nëpunës. Kryeministri australian, John Haëard ka shprehur shqetësimin e tij për këtë sulm. “Ky nuk është një komb që do të kërcënohet nga aktet e terrorizmit”, -u tha ai gazetarëve në Melburn. Ministri i tij i Jashtëm Alexander Doëner, që fluturoi për në Xhakarta së bashku me një ekip ekspertësh bëri të ditur se numri i të vrarëve mund të ketë arritur në 11, të gjithë janë indonezianë.
Presidentja e Indonezisë Megaëati Sukarnoputri, premtoi se përgjegjësit e këtij sulmi do të kapen. Ajo ndërpreu një vizitë në Brunei për të fluturuar në Xhakarta. Pas një vizite në vendin e shpërthimit dhe tek viktimat në spital ajo u bëri thirrje qytetarëve indonezianë që të mos kenë frikë. Policia tha se sulmi është vepër e grupit “Jemaah Islamiah”, një rrjet militant islamik që ka lidhje me “Al-Kaedën”. Ky grup është fajësuar më parë për shumë sulme të tjera në Indonezi, ashtu siç ishte edhe sulmi me bombë në Bali në vitin 2002 që vrau 202 njerëz, përfshi edhe 88 australianë. “Ky grup është i njëjtë me grupin e bombëvënësve Azahari”, -tha shefi i policisë gjenerali Da’i Bachtiar. Azahari është një figurë e lartë brenda “Jemaah Islamiah”, që dëshiron të krijojë një shtet panislamik në disa pjesë të Azisë Juglindore. Ai besohet se ka qenë bombëvënësi kryesor në shpërthimet e Balit dhe gjithashtu një nga autorët e sulmit në hotelin “Marriott” në Xhakarta në gusht të vitit 2003 ku mbetën të vrarë 12 vetë.
Zyrtarja e ambasadës australiane Elizabeth O'Neill e përshkruan kështu ngjarjen e ndodhur dje: “Ishte një bombë gjigante. Kjo duket edhe nga krateri i hapur. Makina e policisë që ishte jashtë është ndarë në pjesë…”, -tha ajo për një rrjet televiziv australian. Gjithë stafi i ambsadës australiane është plagosur. Dëshmitarët thanë se një roje i ambasadës, por që ishte indonezian, është vrarë. Një tjetër dëshmitar, 39 -vjeçar tha se ai ndodhej pranë ambasadës, pasi po aplikonte për punë. “U përpoqa të vrapoja pas shpërthimit por ndikimi i bombës ishte shumë i madh. Ata që kryen këtë, nuk janë njerëz. Janë kafshë e djaj. Ata duhet të vriten”, -tha ai. Policia e Indonezisë kishte paralajmëruar për kërcënime që kanë lidhje me zgjedhjet presidenciale të 20 shtatorit. Ndërkohë që Australia i ka zgjedhjet më 9 tetor. Këto sulme tregojnë se edhe Indonezia duhet të marrë masa të forta për t’i bërë ballë terrorit. Ligjet e antiterrorit në këtë vend janë shumë të dobëta. Presidentja Megaëati ka prezantuar ligje antiterror pas sulmeve në Bali. Por policia ankohet se këto ligje nuk u japin shumë pushtet për të kapur të dyshuarit. Pavarësisht se sulmet e fundit kanë rritur praninë e disa grupeve militante në vend, shumica e indonezianëve myslimanë janë të moderuar. Disa grupe myslimane i kanë dënuar sulmet e djeshme në vend.