Postuar më parë nga
StormAngel
Pas një takimi në Ministrinë e Arsimit, u deklarua se nuk do të shkurtohet kohëzgjatja e procedurave dhe nuk do të ulet taksa e aplikimit
Të diplomuarit jashtë, provime shtesë për njohjen e studimeve
Elda Spaho
Të kthyer jo shumë kohë më parë nga vendet e huaja, ku kanë marrë diploma të larta, shumë studentë i kanë propozuar kërkesa dhe ide të reja Ministrisë së Arsimit, dje, gjatë një takimi. Por megjithëse shumë prej tyre u morën parasysh, dy më kryesoret u quajtën krejt të pamundura nga drejtori i Arsimit të Lartë, Agim Muçaj. Kështu njohja e diplomave të huaja do të zgjasë se s’bën tre muaj si procedura, kurse shpenzimet për të nuk do të shkurtohen. Edhe një lajm tjetër: shumë prej atyre që kanë studiuar apo vazhdojnë të studiojnë jashtë do t’u duhet që të japin disa provime para se ajo t’u njihet në Shqipëri.
***
Përse provime? Sepse sipas Muçajt, shpesh kurrikula e degëve të universiteteve të huaja mund të ndryshojë shumë nga ajo që ekziston në Shqipëri. Por në fund të fundit do të jenë anëtarët e komisionit, pedagogë në fushat përkatëse ata që pasi të kenë shqyrtuar listën e notave dhe diplomën, të vendosin në duhet të jepen provime dhe nëse po, sa të tillë. “Kurse për ata që studiojnë drejtësi jashtë shtetit, pas një mbledhjeje kemi vendosur që ata të mos japin provime për njohjen e diplomës. Por është e sigurt se ata do të jenë të detyruar të japin provime kur të aplikojnë për një vend pune, sepse ndryshe janë ligjet shqiptare e ndryshe ato të shteteve të tjera”, -shpjegoi Muçaj. Pra të diplomuarit e Juridikut s’do të japin provime për njohjen akademike të diplomës, por do t’u duhet të japin të tilla për njohjen profesionale. Me pak fjalë, ata nuk i pengon asgjë që të vazhdojnë një master në Shqipëri, sapo diploma t’u njihet nga ministria, pa dhënë asnjë lloj provimi. Kjo është njohje akademike e diplomës. Ndryshe nga të tjerët, të cilëve do t’u duhet të testohen sërish para se të bëjnë një master apo doktoraturë. Njohja profesionale i shërben studentit për të zënë një vend pune dhe të dhënat e provimeve që ata do të japin (lëndët do t’u caktohen nga komisioni) do t’u shënohen në suplementin e diplomës, në mënyrë që punëdhënësi të dijë se për çfarë ta punësojë të diplomuarin jashtë.
***
Një vajzë e re, përfaqësuese e ASAN-it, (rrjeti i studentëve shqiptarë nëpër botë (Albanian Students Abroad network), Ajola Toska i kërkoi dje Ministrisë së Arsimit të ulte ose hiqte fare tarifën e aplikimit për njohjen e diplomës e cila është 150 mijë lekë të vjetra, sepse kësaj shume i shtohen edhe shpenzime të tjera për dokumentet që duhen fotokopjuar dhe noterizuar. “Kostoja e secilit prej tyre shkon në 3 mijë lekë të reja”, -tha ajo. Kërkesa tjetër më e rëndësishme ishte shkurtimi i kohëzgjatjes së procedurave gjatë së cilës bëhet njohja e diplomës. Këto dy kërkesa nuk janë pranuar nga Muçaj. “Mesatarja e kësaj procedure në Evropë është 4 muaj, kurse në Shqipëri është 3 muaj. Madje unë do të kërkoja që koha të zgjatej”, -deklaroi drejtori i Drejtorisë së Arsimit të Lartë, zyrë që tashmë do të shërbejë edhe për njohjen e diplomave të huaja. Sa për tarifën e aplikimit, Muçaj e quajti krejt të pamundur shkurtimin e aq më pak heqjen e saj. “Një pjesë e atyre parave shkojnë për fotokopimin e dokumenteve në 5 kopje, për secilin anëtar të komisionit, kurse pjesa tjetër pra 60% e shumës shkon për shpërblimin e këtyre anëtarëve, që janë të gjithë pedagogë në fushën përkatëse dhe që nuk janë të detyruar të merren me njohjen e diplomave të huaja përderisa i thërrasim të bëjnë një punë, ata duhen të paguhen, apo jo. Ne i japim secilit prej tyre 1 600 lekë të reja, madje shumë prej tyre ende nuk i kemi paguar”, -tha ai. Studentët nuk kanë ngurruar të kundërshtojnë duke thënë se jashtë shtetit të diplomuarit nuk paguajnë për një procedurë të tillë. Eshtë shteti ai që i përballon shpenzimet. Por drejtori është përgjigjur se ministria nuk ka fond të veçantë për njohjen e diplomave të huaja.
Shumë propozime të tjera si mundësia e dërgimit me postë të dokumenteve nga të diplomuarit në ministri, shkëmbimi i informacioneve brenda rrjetit dhe publikimi i këtyre informacioneve në websitin e ASAN-it, u morën parasysh dhe Ministria e Arsimit deklaroi se do t’i shqyrtonte ato.
Krijoni Kontakt