Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,426
    Postimet në Bllog
    17

    Ahmeti: Pse i paralajmërova maqedonasit për luftë të re

    Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, reagon për referendumin


    “Pse i paralajmërova maqedonasit për luftë të re”


    Nga i dërguari ynë në Tetovë Agim Baçi

    “Do bëj gjithçka për vendin tim, Maqedoninë”. Ali Ahmeti, lideri shqiptar që fitoi zgjedhjet i ardhur nga “arti i pushkës”, nuk ka asnjë dyshim se ai dhe të gjithë shqiptarët e Maqedonisë duhet ta konsiderojnë këtë vend si vendin e vet, dhe se duhet të bëjnë gjithçka për të bashkëjetuar me maqedonasit.

    “Ne duhet ta kuptojmë, edhe maqedonasit etnikë dhe shqiptarët etnikë, se nuk kemi ku ta çojmë njëri-tjetrin dhe duhet të pajtohemi me fatin që ne duhet të ndërtojmë bashkarisht çdo vlerë”, thotë Ahmeti, duke këmbëngulur se e ardhmja ka të bëjë me bashkëpunimin dhe jo me luftën. Ndërkohë, Ahmeti shfaq bindjen se iniciativa e një pjese të opozitës maqedonase do të humbë. “Sepse një pjesë e mirë e komunitetit maqedonas e ka kuptuar tashmë se fati ynë është i përbashkët”, thotë Ahmeti, duke rreshtuar edhe disa prej arritjeve për integrimin e shqiptarëve në bazë të “Marrëveshjes së Ohrit”. Ai e konsideron legalizimin e universitetit të tretë në gjuhën shqipe si një nga sukseset më të mëdha. “Sepse vetëm me të shkolluarit tanë do të arrijmë të përballojmë sfidat e bashkëjetesës dhe të integrimit”, thotë Ahmeti.

    I përkisni një historie të re, një historie që nisi përmes një lëvizjeje që zgjoi një realitet të ri në Maqedoni – atë të nevojës për të pranuar të drejtat e shqiptarëve si një etni dhe jo si minoritet. Tre vjet pas nënshkrimit, së bashku me faktorët e tjerë, të Marrëveshjes së Ohrit, a mendoni se ajo është e suksesshme? Pra, a është implementuar?

    Për sa i përket pyetjes suaj, se unë i takoj një historie të re, unë do të kisha thënë se zanafillat i kam te një histori pak më e vjetër që kërkon të krijojë një histori moderne në Maqedoni. Tashmë, nga viti 2001 e këtej në Maqedoni janë krijuar situata të reja. Në radhë të parë, kemi një Kushtetutë të re, në aprovimin e së cilës saj kanë qenë pjesëmarrës vetë shqiptarët. Në të kaluarën ka pasur Kushtetutë, por pa i pyetur kurrë shqiptarët. Pikërisht nga kjo shpërfillje e mëparshme erdhi dhe ai ashpërsim mes shqiptarëve dhe maqedonasve, që janë dy komunitetet më të madha në Maqedoni. Kjo bëri që shqiptarët të rreshtoheshin rreth UÇK-së në përplasjen me shtetin maqedonas. Si rezultat i kësaj lufte, u arrit në Marrëveshjen e Ohrit, ku më në fund u nënshkrua një marrëveshje ku u lejon shqiptarëve të fitojnë të drejtat që u takojnë, si një komunitet etnik që jeton në trojet e veta. Unë jam krenar që këtu nuk u kalua në ndonjë kasaphanë, ashtu siç ndodhi me fqinjët në rajon, por u arrit t´i jepej fund konfliktit përmes një marrëveshjeje që do t´i hapte një faqe të re historisë së këtij vendi. E unë mendoj se janë bërë mjaft punë, duke filluar që nga përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucionet drejtuese të shtetit. Konkretisht, BDI-ja, si një parti që përfaqëson shqiptarët në Maqedoni, sot, nga 14 ministri që ka aparati i qeverisë, drejton në 13 prejt tyre ose me ministër, ose me zëvendësministër, ose me sekretar shteti. Ka progres edhe në përfaqësimin e shqiptarëve në polici, në Ministrinë e Punëve të Brenshme. Nga një përqindje simbolike, 3 -4 për qind që ka qenë më parë ky përfaqësim, tashmë është 15 - 16 për qind. Dhe ky trend ende vazhdon. Kështu, nga 150 apo 200 policë shqiptarë që kanë qenë para vitit 2001, tani janë mbi 1500. Po kështu, edhe në Ministrinë e Mbrojtjes kemi mbi 500 oficerë dhe nënoficerë. Ne kemi besim se në të ardhmen do të ketë akoma lëvizje, sepse, sipas parashikimeve tona, deri në vitin 2006 - 2007, ne shpresojmë që përfaqësimi ynë në ushtri të jetë mbi 25 për qind. Po kështu, është arritur shumë në drejtim të legalizimit të universitetit të tretë shtetëror në gjuhën shqipe në Maqedoni. Unë mendoj se kjo është arritja më e madhe, sepse shkollat janë ato që do të na furnizojnë me kuadrot e nevojshme, me njerëz me horizont, që proceset që janë të sanksionuara në Marrëveshjen e Ohrit dhe në Kushtetutë të implementohen të gjitha. Njerëz të tillë do të ndihmojnë të arrijmë edhe atë për të cilën shqiptarët janë përpjekur dhe kanë luftuar. Për këtë unë mendoj se është shumë me vlerë legalizimi i universitetit. Kjo s´do të thotë të vetëkënaqemi, por ne as nuk mund të heshtim për atë që është bërë deri tani. Personalisht, unë mendoj se s’kemi bërë kurrgjë, ndaj dhe do të vazhdoj të kërkoj atë për të cilën luftuan shqiptarët.

    Disa kohë më parë, publicisti dhe shkrimtari, Kim Mehmeti, duke analizuar situatën shprehej se “Maqedonia është koncept shqiptar”!. Madje, ai i referohej pamundësisë së mbijetesës së këtij vendi pa shqiptarët. Ju mendoni se një logjikë e tillë është reale dhe e kuptueshme edhe nga maqedonasit?
    Realiteti është ky: në Maqedoni jetojnë 2 milionë banorë, prej të cilëve 25 për qind janë shqiptarë, sipas regjistrimit të fundit. 10 për qind të tjerë janë pakica të tjera dhe mbi 60 për qind janë maqedonas. Ne nuk jemi minoritet, nuk jemi popull i dyndur nga ndonjë vend tjetër e të ardhur këtu, por të lindur dhe të rritur këtu. Pra, ne duhet ta kuptojmë, edhe maqedonasit etnikë dhe shqiptarët etnikë, se nuk kemi ku ta çojmë njëri-tjetrin dhe duhet të pajtohemi me fatin që ne duhet të ndërtojmë bashkarisht çdo vlerë, sepse ne ato vlera që do të ngrejmë do t´i ngrejmë për të ardhmen tonë të përbashkët, për fëmijët tanë. Nga një pjesë e maqedonasve ky realitet duket se është kuptuar mjaft mirë. Mirëpo, ka edhe të atillë që mendojnë se çdo avancim i të drejtave të shqiptarëve, siç është gjuha apo përfaqësimi i drejtë, simbolet kombëtare, universiteti, u heq atyre ekskluzivitetin, sepse ata kanë menduar se Maqedoania është vetëm e maqedonasve. Kjo ka qenë një tezë tepër e gabuar dhe mendoj se ata që i qëndrojnë këtij pozicioni e kanë shumë gabim. Unë do të kujtoj këtu Cervenkovskin, sot president, që kur u zgjodh në krye të qeverisë pas zgjedhjeve të vitit 2002, tha në Parlament se: “Maqedonia, i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt, nuk është vetëm e maqedonasve, por edhe e shqiptarëve, sepse nuk mund të jetë minoritet një popull që është mbi 23 për qind”. Kështu, nëse mua si shqiptar nuk më hiqet e drejta që të mendoj dhe të veproj në Maqedoni, në të gjitha drejtimet, pa kufizime, atëherë unë e ndiej Maqedoninë shumë më tepër si atdhe timin, e ndiej përgjegjësinë shumë më të madhe për të gjitha proceset, sepse kam përgjegjësi ndaj vendit tim. Por nëse dikush nga maqedonasit mendon se Maqedonia është vetëm e tij e ka shumë gabim, sepse unë nuk mund të jem qiraxhi në shtëpinë time. Ne si shqiptarë, nuk them se nuk kemi komplekse. Por ne të gjithë, së bashku me maqedonasit, duhet t´i heqim komplekset, sepse ky vend, sa u takon maqedonasve u takon edhe shqiptarëve. E shqiptarët do të jenë me më shumë përgjegjësi ndaj shtetit, nëse do të fitojnë të drejtat që u takojnë.

    T´i kthehemi asaj që po ndodh sot në Maqedoni. Një pjesë e opozitës ka kërkuar të realizohet një referendum për të anuluar ndarjen territoriale që u jep më shumë të drejta shqiptarëve. Pas këtij zhvillimi ju u keni kujtuar maqedonasve mundësinë e kthimit të një lufte qytetare. Sa real mund të jetë ky kërcënim?

    Unë kam shfaqur një shqetësim timin për të alarmuar qytetarët, në veçanti ata maqedonas. Nuk ka qenë kërcënim, por alarm, për të kujtuar se çdo kthim pas ka pasoja, dhe për pasojat unë dua të alarmohen njerëzit, që të mos thonë që nuk e kemi ditur. Sepse ne, nëse kthehemi pas ne humbim shanset që i kemi fituar pas politikës që kemi ndjekur në marrëdhëniet ndëretnike dhe për progresin që është duke u zhvilluar në drejtim të integrimit në NATO e BE. Kështu që, unë kam paraqitur një shqetësim për referendumin, sepse një referendum njënacional sjell pasoja brenda shtetit, ngase rikthen revoltën në komunitetin shqiptar. Unë mendoj se ne duhet të ndërtojmë një politikë e cila është dobiprurëse për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht se kujt komuniteti i takojnë.

    A mendoni se në rast të fitores së këtij referendumi nga kërkuesit, mund të rrezikojmë një referendum tjetër nga pala shqiptare për të kërkuar të kundërtën?

    Jo! Unë mendoj se nuk ka nevojë të kërkojmë paralelizma. Unë mendoj se në këtë rast është e nevojshme të informojmë qytetarët, në veçanti komunitetin maqedonas, që ne duhet të shohim përpara dhe nuk duhet të bëjmë organizime që na kthejnë pas. Megjithatë, është e drejtë kushtetuese që dikush të mbledhë firma për referendume. Ne do ta respektojmë këtë të drejtë të qytetarëve, por jemi të bindur që iniciativa nuk sjell ndonjë dobi. Unë mendoj se komuniteti maqedonas në shumicën e vet është i vetëdijshëm se ky koalicion që drejton sot vendin po punon me intensitet të plotë, që Maqedonia të jetë e nderuar si përpara qytetarëve të saj, ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

    A mendoni se një pjesë e politikës maqedonase, përmes referendumit, kërkon të shtyjë sa më shumë efektet që vijnë nga Marrëveshja e Ohrit?

    Tash ne nuk mund të ndërpresim iniciativa të grupeve apo organizatave, të cilat përpiqen të promovohen e të cilat përpiqen të shfrytëzojnë ndjenjat e qytetarve që të ngrihen vetë në politikë. Qytetarët ballafaqohen me një krizë që ka të bëjë me mirëqenien ekonomike. Kjo i bën ndonjëherë lehtësisht të manipulueshëm, për të shprehur pakënaqësitë ndaj koalicionit qeverisës. Mirëpo, në këtë rast, duke pasur parasysh problemet madhore që po kalon Maqedonia, qytetarët e saj lipset t’u qëndrojnë larg këtyre thirrjeve. Duke shtuar këtu edhe punën intensive të koalicionit, referendumi do të jetë i humbur. Ne jemi të bindur se punët që janë bërë nga koalicioni qeverisës janë më të mëdha se sa ambiciet politike të iniciuesve të këtij referendumi. Mjafton të kujtojmë se një vend që ka vetëm tri vite që ka dalë nga një luftë, ka arritur të firmosë Marrëveshjen për asocim-stabilizimin me BE-në dhe është ftuar nga NATO-ja. Gjithsesi, unë e shpreh edhe një herë se, ne do të respektojmë të drejtën që kanë këta qytetarë për referendum.

    Po qëndrimin e Tiranës zyrtare ndaj asaj që ndodh në Maqedoni, si e konsideroni?

    Mendoj që Tirana në vazhdimësi ka mbajtur një qëndrim të drejtë ndaj problemeve brenda rajonit e, sidomos ndaj vendeve që banohen nga shqiptarët. Edhe në këtë rast mendoj se do të vazhdojë me mbështetje të tilla. Raportet Shqipëri - Maqedoni janë të një niveli shumë të mirë dhe ne jemi në dijeni për firmosjen e disa marrëveshjeve me leverdi të përbashkët, që janë në dobi të të dy vendeve.

    Po partitë politike shqiptare në Maqedoni, përballë situatës së krijuar prej referendumit që ka kërkuar një pjesë e maqedonasve, a kanë një strategji të përbashkët?
    Jo se kanë strategji të përbashkët, por partitë shqiptare në Maqedoni, për sa i takon referendumit, kanë një qëndrim që nuk i dallon nga njëra-tjetra.



    Çfarë kërkohet me anë të referendumit

    Protestat në rrugë kanë shënuar hapat e parë të disa partive të opozitës në Maqedoni për të kërkuar nisjen e një referendumi i cili të vendoste për ndarjen e re territoriale. Analistët mendojnë se rezultati i vetëm i këtij votimi do të ishte vonesa në procesin e decentralizimit – një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së paqes së Ohrit e cila i dha fund konfliktit të armatosur. Ligjet për decentralizimin janë pjesa e fundit dhe më e rëndësishme e marrëveshjes së Ohrit. Ato shihen si parakusht për synimet e Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe në NATO. Ligjet për decentralizimin, të miratuara në Parlamentin maqedonas kanë të bëjnë me caktimin e kufijve të rinj bashkiakë, të cilët do të bëjnë që komunitetet me shumicë shqiptare të bashkohen në bashki, të cilat deri më tani, dominoheshin nga maqedonasit. Kritikët maqedonas të ligjit të ri thonë se përpjekjet për t´i dhënë më tepër pushtet autoriteteve lokale në fushat e shëndetësisë, arsimit, disa taksave dhe zhvillimit ekonomik lokal, do t’i lejojnë shqiptarëve të “spastrojnë etnikisht” rajonet nën kontrollin e tyre. Zemërimi është përqëndruar kryesisht për një sërë qytetesh me shumicë maqedonase të cilat do të shkrihen në rrethet me popullsi me shumicë shqiptare, për të cilat maqedonasit tremben se do të humbasin karakterin e tyre. Një prej këtyre është Struga, në Maqedoninë jug perëndimore. Një tjetër shqetësim është edhe ai për statusin e kryeqytetit. Shkupi do të bëhet një qytet dy gjuhësh, ku shenjat e rrugëve dhe dokumentat do të jenë në të dyja gjuhët.


    Ura e Gurit, pasqyra e dy komuniteteve

    Ura e Gurit mbi lumin Vardar ka përfunduar së rindërtuari, por nuk është hapur ende plotësisht. Ajo është pika e kufirit ku ndahen edhe zonat ku jetojnë shqiptarët dhe maqedonasit në Shkup. Pazari i Vjetër, ose siç njihet, “Çarshia”, që është në anën që, sipas ligjit të ri të ndarjes territoriale do të drejtohet nga shqiptarët, ka mjaft pllaka të thyera, gropa dhe ndërtesa të parestauruara. Ndërkohë, përballë, menjëherë sapo kalon urën, aty ku jeton shumica e maqedonasve, sheshi i madh është krejt i ri dhe i zbukuruar. Edhe ndërtesat kanë pasur përkujdesje tjetër, ku ndihet se shteti i ka mirëmbajtur. “Kanë dashur ta bëjnë të dallueshme harresën ndaj nesh, mospranimin tonë”, më thotë Ramadani, një gazetar i cili më shoqëron për të më treguar efektet e ligjit që është kontestuar nga një pjesë opozitës maqedonase. Ndërkohë, tregtarët shqiptarë, që zotërojnë shumicën e Çarshisë, kanë bërë gati tabelat me mbishkrimin edhe në maqedonisht edhe në shqip, si dhe flamurët për t´i varur në shtëpitë dhe dyqanet e tyre.





    Ahmeti pohon mundësinë e lëvizjes së zyrave të Bashkimit Demokratik nga Tetova në kryeqytet

    BDI-ja, drejt Shkupit me integrim
    “Do shkojmë drejt kryeqytetit se atje partia ka themelet”


    Zyra e tij është në një lagje krejt te re, disi në të dalë të Tetovës, e ndërtuar nga shqiptarët pas luftës. Ajo duket pjesë e një historie tjetër.

    Shqiptarët e Maqedonisë janë mësuar që partitë e tyre t´i shikojnë me seli aty, në qytetin që është konsideruar gjithnjë si burimi i lëvizjes së shqiptarëve por edhe i rezistencës së asaj që kanë dashur gjithnjë të arrijnë. Por, kreu i BDI-së mendon tani për më tutje, për të “kaluar” mendimin shqiptar atje ku ndërtohet e gjithë politika. “Unë kam zbritur fillimisht nga Shipkovica në Tetovë. Pra, kam rënë nga malet në fushë. Pak nga pak, nga fusha mendoj se do të zhvendosem edhe në kryeqytet, në Shkup”. Ish- shefi i UÇK-së, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mendon se rruga e zhvvendosjes së aktivitetit të tij politik nga Tetova në Shkup është drejt realizimit. Ai ka disa kohë që ka lënë shtëpinë e tij dykatëshe në Shipkovicë dhe tashmë qëndron gjatë gjithë ditës në zyrën e tij në Tetovë, aty ku gjatë kohës së luftës qëndronte shtabi i UÇK-së. “Kemi qëndruar këtu për arsye objektive, po themelet e vërteta të BDI-së janë në Shkup. Këtu ku jam, jam me qira”, thotë Ahemti. Ai e pranon se, Shkupi është qendra ku lëviz politika dhe diplomacia. Prandaj ai është i nevojshëm edhe për shqiptarët, që duan të bëhen pjesë aktive e të gjitha ndryshimeve në “Maqedoninë e Re”, (siç i pëlqen atij ta cilësojë atë që është ndërtuar pas Marrëveshjes së Ohrit) që të jenë atje. “Shkupi është qendër, metropol. Atje është instaluar diplomacia ndërkombëtare. Edhe ne e kemi parasysh këtë fakt, që në një të ardhme të jemi të pranishëm në Shkup”, thotë Ali Ahmeti, i sigurtë se, integrimi i shqiptarëve dhe maqedonasve si dy etnitë e rëndësishme të Maqedonisë, do të gjejnë rrugët për të kuptuar gjithnjë e më tepër njëri-tjetrin.



    Ahmeti, luftëtari që beson te politika

    I veshur sportiv, 45-vjeçari Ali Ahmeti, duket ende mes betejës dhe politikës. Por, mjaftojnë vetëm disa minuta për të kuptuar se ai tashmë i shikon zgjidhjet në politikë. Madje, i shikon politikisht, edhe pse nuk ka ngurruar t´u kujtojë atyre që kërcënojnë me injorimin e Marrëveshjes së Ohrit se pasoja mund të jetë rikthimi i luftës. “Jo, nuk dua asesi t´i kërcënoj. Dua vetëm t´i kujtoj, t´i paralajmëroj”, thotë Ahmeti. E, si për të vërtetuar se zgjidhja do të jetë vetëm politike, ai vazhdon të numërojë me kënaqësi shifrat që flasin për mundësinë që kanë sot shqiptarët për t´u përfaqësuar në institucione, për të folur lirisht gjuhën e për të mbajtur simbolet e tyre.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Ktu e ka mire aliu qe do te instalohet ne Shkup.

    Shkupi ju la maqedonve nje kohe e kjo ishte gafe.

    Aty ne Shkup behet beteja.

    Ja cthote dhe ilber lili..

    ....
    Ky është vetëm fillimi…


    Ylber Lili

    1-Nacionalizmi maqedonas është shembulli i anormales, iracionales, dhe i joreales. Autoritetet e Shkupit i frikëson realiteti, aq më tepër kur ky realitet jepet në gjuhën shqipe dhe nga media që kanë ndikim në opinion. Vendimet që dalin nga kabineti qeveritar i këtij shteti të brishtë janë në kundërshtim të hapur me elementët bazë të demokracisë. Ata nuk njohin, kode, norma, dhe ligje kur bwhet fjalw pwr njw shqiptar. Unw dhe gruaja ime u vumw nwn shwnjestwr vetwm për shkak të ideve, pikëpamjeve, dhe realiteteve që pwrpiqeshim tw transmetonim. Vendimi i autoriteteve të Shkupit zyrtar për të na dëbuar, sipas meje ka dy motive: Aktiviteti im si gazetar i “Shekulli”-t për Maqedoninë, gazetë e cila u ka dhënë një hapësirë të madhe ngjarjeve në Maqedoni, gjatw dhe pas konfliktit tw armatosur, si dhe pozicioni i bashkëshortes sime Adelina, si shefe e kabinetit të kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, z.Arbën Xhaferri. Ata kanë menduar gjerë e gjatë dhe nuk kanë hezituar pwr tw ardhur nw njw akt dwbimi, njw vendim qw pwr mw tepwr nuk wshtw marrw kurrw dhe ndaj asnjw personi nw Maqedoni.
    2- Gjithçka mund të pritej gjatw jetesws dhe punws sonw nw Maqedoni. Rreziku pwr ato qw shkruaja, mbi qeverinw e Shkupit pjesë e së cilës janë edhe disa figurantë shqiptarë, ishte njw nga gjwrat e para qw kuptova. Strukturat e atij pushteti mund të të zhdukin ose vrasin siç ka ndodhur me shqiptarw nw kufi, ose mund të të vendosin në çantën e gruas, ndërsa pi kafenw e mëngjezit, ndonjë bombë dhe të të quajnë terrorist, mund të ndërsejnë ndonjë pinjoll të tyre të provokojnë dhe shpejt e shpejt të fusin në skemat gjyqësore dhe përfundon prapa dritareve të hekurta të burgut. Por nuk më kishte shkuar mendja, se “arma” qw do pwrdorej ndaj meje, tw ishte ky akt dwbimi, i denjw vetwm pwr shtete me mentalitet komunist qw nuk mund ta durojnw as tw huajin e as tw vwrtetwn. Prej kohwsh, pavarwsisht atyre qw ndodhnin, i imponoja vetes ndjenjën e një “sigurie” se të paktën ndaj familjes sime nuk do të ndërmarrin ndonjë veprim prej të çmendurish, së pari është grua, është një intelektuale, e cila punon në Partinë Demokratike Shqiptare pranë z.Arbën Xhaferri. Nuk doja ta besoja, edhe për një shkak tjetër: një grua e cila mposhti frikën duke përjetuar muajt e ankthit dhe të tmerrit që solli konflikti i vitit 2001, nuk e meritonte një “shpërblim” të tillë nga “integristët”. Dhe ç’është më e rëndësishmja, nuk doja të besoja se Ali Ahmeti është kaq shumë mosmirënjohës ndaj Arbën Xhaferrit duke mbyllur sytë dhe veshët para një akti të tillë bastard. Thonë që heshtja është pohim, ose thënë më saktë, miratim. Kanë kaluar disa ditë kur unë së bashku me bashkëshorten time, u shpallëm persona të padëshiruar për Maqedoninë dhe asnjë gjysmë fjalë nuk kanë pohuar drejtuesit e partisë shqiptare në pushtet (BDI-ja). Pse ata heshtin? Pse ngurrojnë të prononcohen? Cili është shkaku që kanë preferuar ta kalojnë këtë akt pa precedent dhe fatal për vetë ata që janë pjesë e pushtetit, duke u strukur në zyrat e tyre. Le të flasin, të hedhin argumentet e shkaqeve të largimit, unë jam i gatshëm, madje shumë në formë t’i hapim kartat. Jo vetëm me BDI-në, por dhe me partnerët e saj maqedonas, edhe me mediat maqedonase, të cilët sapo kanë filluar propagandën e tyre shpikëse.
    Nëse ata nuk më kanë duruar mua, se u kam rënë në majë të kokës maqedonasve, të cilët prodhojnë çdo ditë teorira fantazmë për të denigruar shqiptarët, nëse ata kanë dashur që unë të zhdukem nga Maqedonia, se kam qenë kritik ndaj politikës së tyre përulëse, naive dhe shpesh amatoreske, nëse ata kanë dashur që nën rrogoz të jetë pro projektit struktural të pushtetit për të më përzënë mua dhe tronditur kabinetin e PDSH-së, nëse ata kanë menduar se me shqiptarët mund të luash cic-mic, pavarësisht nga pozicioni që kanë në shoqëri, kanë gabuar rëndë. Largimi im, është cilësuar nga të gjitha mendjet e civilizuara si një akt i pashembullt, kolegët në media shqiptare në Maqedoni, përdorën penën e tyre duke kritikuar dhe dënuar ashpër një gjë të tillë. Paskam qenë shumë i duruar kur kam parasysh skenarin që e thurët Ju së bashku me partnerët e koalicionit (sigurisht që ua kanë transmetuar suflerët e tyre). Bile shumë i matur, sa për dijeninë e drejtuesve të BDI-së në konferencën për shtyp që dhashë në hotel ‘Tirana’, u përpoqa që t’i shpëtoj nga çorba që ishte gatuar, jo vetëm nga segmentet maqedonase, por edhe nga vetë ata. E dini perse ishin të privlegjuar? Sepse unë nuk kam pasur në asnjë moment prirjen për të shkaktuar viruse brenda shqiptare, nuk kam dashur që t’i klasifikoj edhe shqiptarwt e qeverisjes me paradigmën maqedonase, nuk kam qenë i prirur që t’i fus në një thes me ata. Por një fjalë e urtë popullore thotë nëse nuk e do veten, nuk je për asgjë. Unë i respektoj të dyja, veten, por dhe të tjerët, të cilët nëse nuk kanë mundësi të më ndihmojnë, të paktën nuk më bëjnë keq.
    Sa për ndihmën besoj se ju z.Ahmeti dhe qeveritarw tw tjerw shqiptarw, jeni zhytur në borxh te unë si gazetar deri në fyt, lexoni kronologjinë e ngjarjeve në Maqedoni dhe do ta kuptoni. Sa i përket të dytës besoj se nuk do koment, më keq nuk ka ku shkon. Thjesht duke u nisur nga këto dy anë medalje, unë pas kësaj heshtjeje një javore, do të jem në funksion të profesionit tim, realitetit, fjalës së lirë, familjes sime, duke publikuar të vërtetat e pakontestueshme. Ky është vetëm fillimi, seriali i së vërtetës sapo ka filluar… Askush nuk do të arrijë të më shmangw nga e vërteta. Nuk kisha menduar ndonjëherë se do të përdor vetën e parë. Disa miq në Maqedoni më sugjeronin shpesh “pse nuk mban ditar”, të paktën gjatë konfliktit të armatosur, ndoshta ata kishin një farë të drejte. Por gjithsesi përgjigjen e kisha në majë të gjuhës, nuk mund të përvetësoj diçka që është e përbashkët. Në fakt edhe lufta e shqiptarëve ishte e tillë, pavarësisht se krerët e partisë shqiptare në pushtet në fushatën dhe propagandën e tyre, në vend të platformës, përdornin moton “ne ishim ata që bëmë luftën”. Pra askush nuk ka të drejtë morale, kombëtare dhe etike që të privatizojë, monopolizojë gjakun e derdhur të dëshmorëve, të atyre që ndanë kafshatën e gojës, të atyre të cilët shumë herë e kanë parë vdekjen me sy, apo të krerëve të PDSH-së që arritën me vendosmëri dhe mjeshtëri të kanalizojnë çështjen shqiptare.
    3- Nuk e njoh gjuhën maqedonase prandaj kam patur shumë vështirësi t’i lexoj mediat, por gjithsesi kam gjetur mënyra alternative dhe sa herë që ata kanë vjellur vrer ndaj shqiptarëve, u kam dhënë përgjigjen e merituar, madje goditjen më të madhe ua kam dhënë duke mbrojtur ata që sot janë në pushtetin maqedonas. Por dhe tashmë jam i gatshëm që të hyjmë në një fushë të hapur dhe të konkurrojmë në tregun e argumentave. Një telefonatë nga Tetova më njoftoi se një nga gazetat maqedonase, mua dhe gruan time, na ka quajtur “çifti në funksion të shërbimit sekret shqiptar”. Të them të drejtën nuk më bëri aspak përshtypje për një fakt fare të thjeshtë se e njoh mirë mentalitetin e trupit medial maqedonas. Por më duhet të ndalem pak në këtë rast, dhe nuk do të qëndroj indiferent ndaj kësaj shpikjeje të medias maqedonase. Unë me dashamirësi profesionale u them kolegëve maqedonas që të jenë në funksion të së vërtetës, të mos broçkullisin, por le të gërmojnë, të hapin arkivat e ministrive, të marrin të dhëna nga të gjitha institucionet, qofshin ato maqedonase dhe shqiptare, dhe më pastaj le të më gjejnw edhe mua njw “etiketw” meqw i kanw kaq fort pwr zemwr. Nëse deri më tani kam preferuar që mos ua vë veshin etiketave, tani e tutje nuk do të ngurroj që t’iu drejtohem instancave të larta shtetërore qofshin dhe ndërkombëtare, për të mbrojtur figurën e gazetarit profesionist dhe dinjitetin e familjes sime.




    30/08/2004
    -shekulli.

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 60
    Postimi i Fundit: 20-05-2009, 21:23
  2. Situata në Kondovë, Maqedoni
    Nga Prespar_ në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 16
    Postimi i Fundit: 19-10-2007, 01:51
  3. Pse Ali Ahmeti ik nga duelet televizive?
    Nga Omari në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 78
    Postimi i Fundit: 17-09-2007, 10:34
  4. Ali Ahmeti: Nuk jam në opozitë
    Nga babadimri në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 11-09-2006, 05:53
  5. Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 16-07-2006, 00:50

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •