Geraldine Schëarz

“Të jesh në skenë kur perdja mbyllet” i kishte pëshpëritur arkitekti Albert Speer Adolf Hitlerit. Eshtë një bunker nën Ministrinë e Drejtësisë që do të shërbejë si skenë e fundit për diktatorin nazist kur Ushtria e Kuqe rrethoi Berlinin në prill 1945. Një fund i filmuar nga regjisori gjerman Bernd Eichinger në “Der Untergang” (Perëndimi). Më 20 prill 1945, 56-vjetori i Hitlerit, mbi Berlin bien bombat. I futur për dy muaj në një bunker me sipërfaqe 250 metra katrorë, Hitleri, i interpretuar nga i jashtëzakonshmi Bruno Ganz, pret ministrat e tij që kishin ardhur ta përgëzonin. I bëjnë presion të largohet sa më shpejt nga kryeqyteti, por ai u përgjigjet: “unë mund të drejtoj vetëm nga Berlini”. Rajhu humbi, i rrethuar nga amerikanët e britanikët në
perëndim dhe rusët në lindje. Ushtria sovjetike ndodhet në hyrjet e kryeqytetit, që filmi e tregon të kthyer në një grumbull gurësh të mbushur plot me kufoma. Por, Hitleri preferon të sakrifikojë
edhe ushtarin e fundit sesa të kapitullojë. Pasi zgjohej nga gjumi në mesditë, “Fyhreri” bënte çdo ditë mbledhje për situatën ushtarake, në të cilat urdhëronte veprime të parealizueshme për gjeneralët e paralizuar nga frika dhe admirimi. Me këmbën e rëndë, dorën e majtë që i dridhej, pamjen e vuajtur, aktori, 63 vjeç, mishëron një Hitler tiran dhe të pamëshirshëm, me shpërthime çmendurie, por me një vetëdije të ftohtë lidhur me pasojat e këmbënguljes së tij. "Duhet të jemi shumë të ftohtë përballë civilëve", shpjegon ai. "Dhe nëse është tepër vonë, duhet të djegim gjithçka për të mos i lënë asgjë armikut, pa pasur konsideratë për popullin gjerman, që u tregua i dobët". Ky brutalitet përballë gjermanëve ka ushqyer shumë teza të historianëve. A ishte shkatërrimi i Gjermanisë qëllimi final, siç mendon Sebastian Haffner dhe Joachim Fest? Eichinger, 55, vjeç, preferon tezën e britanikut Ian Kershaë, sipas së cilës Hitleri vepronte në bazë të realitetit të krijuar. Më 22 prill, për herë të parë, ai pranon se "ka humbur luftën". Në këtë film, që kushton 14 milionë euro, skenat e bunkerit alternohen me ato të luftimeve në Berlin, që 90 000 forca tentonin ta mbronin me 100 tanke kundër 465 000 forcave sovjetike të pajisura me 1 500 tanke. Në muajt e fundit të luftës, 10 000 gjermanë vdisnin çdo ditë. Nga ky realitet i sëmurë, regjisori i filmit "Në emër të trëndafilit" krijon lajtmotivin e tij. Bunkeri është një ferr i
mbyllur, ku obsesioni i vdekjes ndodhet shumë pranë çmendurisë, që pushton 20 personat brenda tij, të cilët, megjithëse të lirë për t'u larguar, duket se kenaqen në këtë rol të vetëshkatërruesit. Zonja e Hitlerit, Eva Braun, që Julianne Koehler e interpreton si një grua enigmatike me një lumturi të çuditshme e ka justifikuar praninë e saj në një letër dërguar motrës së saj me "lumturinë e të qënurit pranë tij”. Por, çfarë ndiejnë të tjerët në këtë varr me tetë dhoma? Bashkëshortja e Gebelsit dhe gjashtë fëmijët e saj, pilotja Hanna Reitsch, sekretaret? Magda Gebels, fanatike e Fyhrerit, do të arrijë deri aty sa të helmojë fëmijët e saj para se të vrasë veten së bashku me bashkëshortin "për të mos jetuar në një botë pa nacionalsocializëm". Filmi pritet të dalë në Gjermani më 16 shtator.