Kryeministri Nano kalon pushimet në Bodrum
Shefi i qeverisë dhe bashkëshortja e tij kanë zgjedhur bregdetin turk për të kaluar pushimet verore. Nga shëtitjet me jaht në Mesdhe dhe ishujt grek Kos dhe Rodos, Fatos dhe Xhoana Nano do të zhvendosen në Athinë për të ndjekur Lojrat Olimpike. Pasioni I shefit të qeverisë për të udhëtuar dhe "fluturimet" e tij nga plazhet e Sharm el Sheik, në banjot termale të Austrisë
Nga korrespodenti ynë: Elton METAJ (Tiranë)
Bodrumi, një zonë turistike në lindje të Turqisë dhe Lojrat Olimpike të Athinës, do të jenë vendet e pushimit për Kryeministrin Nano dhe bashkëshorten e tij Xhoana. Në brigjet e Mesdheut, i vendosur në një gadishull të bukur, Bodrumi do të shërbejë prej së hënës si vend shplodhës dhe argëtues për çiftin kryeministror gjatë dy javëve të ardhshme. Ndërkohë, me ftesë të Kryeministrit grek Karamanlis, shefi I qeverisë shqiptare do të jetë prej 13 gushtit në kryeqytetin helen për të ndjekur ngjarjen më të madhe sportive të vitit. Nano ka mbyllur të premten mbledhjen e fundit të qeverisë dhe një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit. Të shtunën ai ishte në Vlorë për inaugurimin e rrugës që e lidh qytetin me Orikumin, për t'iu dedikuar më pas pushimeve verore. Edhe këtë herë, Kryeministri dhe bashkëshortja kanë zgjedhur Mesdheun, ndërsa gjatë qendrimit në Bodrum do të kenë në dispozicion edhe një jaht për të shijuar bregdetin. Ashtu si një vit më parë, kur nisën nga Xhenova një kryqëzatë turistike. Nga rezorti ku do të vendosen Fatos dhe Xhoana Nano mund të arrihet lehtë në ishujt grekë. Gjatë verës ka tragete të përditshme për të vizituar ishullin grek Kos dhe udhëtime të përjavshme për në Rodos. Megjithatë, çifti kryeministror nuk do të ketë nevojë për një shërbim të tillë, ndërsa jahti në dispozicion të tyre do t'u krijojë komoditetin për të lëvizur lirshëm. Bodrumi njihet si një rezort pushimesh. Krahas rërës, ai veçohet edhe për sportet e ujit, që mund të praktikohen në këtë zonë. Gjithashtu, dy metër nën rrugët e Bodrumit flenë 5 mijë vjet histori. Në zonën e Bodrumit ka një seri momumentesh, mauzoleume dhe teatër romak. Bodrum, i njohur në kohët e vjetra si Halicarnassus, ishte vendi i lindjes së Heredotus dhe vendi i varrit të Mbretit Mausolus (shekulli 4-të para Krishtit), një nga shtatë vendet më të njohura të botës së vjetës. Pasi të ketë konsumuar ditë të tëra nën rrezet e diellit, lideri socialist do të udhëtojë drejt Athinës. Homologu i tij i ka nisur një ftesë të posaçme për të ndjekur aktivitetet sportike të Olimpiadës. Një eveniment sportiv i shumëpritur dhe që pritet ta shndërrojë Athinën në qendër e botës për disa rresht. Kryeministri Nano, i shoqëruar nga bashkëshortja Xhoana, ka preferuar të kalojë vazhdimisht pushimet dimërore apo verore jashtë vendit. Ata festuan ndërrimin e viteve 2002-2003 në klimën e ngrohtë të Egjiptit dhe plazhet e bukura të Sharm el-Sheik. Një vit më pas, çifti më i ndjekur nga mediat, shijoi Orkestrën Filarmonike të Vjenës dhe pikat turistike të Austrisë, ndërsa qendroi në hotel "Intercontinental". Më 1 janar 2004 në mesditë, Kryeministri dhe bashkëshortja e tij, kanë qenë të ftuarit e nderit në Koncertin e Vitit të Ri, të organizuar nga Orkestra Filarmonike e Vjenës, I cili zhvillohet në ditën e parë të çdo viti. Nën drejtimin e Rikardo *****, Orkestra e Vjenës ka luajtur pjesët më të bukura të familjes Shtraus, ndërsa falë dashurisë së re ekonomike mes Shqipërisë dhe Austrisë, pas shitjes së Bankës së Kursimeve, në llozhën kryesore ka zënë vend edhe çifti kryeministror Nano. Pas shfaqjes me jehonë botërore, koncerti i parë i së cilës është dhënë më 28 mars të vitit 1842, Kryeministri ka shijuar disa ditë pushimi në Austri, në Padbleanau, një vend për banjo termale. Një vizitë disaorëshe në aeroportin e Rinasit dhe Nano është "hedhur" në Turqi në ditët e para të janarit. I apasionuar pas udhëtimeve dhe "prekjes" së vendeve të rralla, Nano e ka parë veten prej dy vjetësh që drejton qeverinë, në plazhet e Sharm el-Sheik, në ujërat e Mesdheut apo në tribunën e San Siros në Milano. Me dy operacione, një në sy dhe tjetrin në tëmth, një dasëm në Stamboll, i ftuar nga Kryeministri turk Erdogan një vit më parë, Kryeministri I Shqipërisë nuk ngurron të shijojë rezortet turistike më të veçanta.
PUSHIMET
Moisiu, në vilën qeveritare të Dhërmiut Presidenti Moisiu do t'i qendrojë besnik vilës qeveritare në Dhërmi për të pushuar në javët e para të gushtit. Kreu i Shtetit, së bashku me vajzën dhe familjarë të tjerë, parashikohet të shfrytëzojë bregdetin e Jonit për të kaluar pushimet verore. Edhe vitet e shkuara, Presidenti ka qenë një pushues I rregullt i Dhërmiut, ndërsa gjatë fundjava ai preferon të zhvendoset në kompleksin e vilave qeveritare në plazhin e Durrësit.
Krijoni Kontakt