Muzeun Historik Kombëtar. Valter Audisio, njeriu që mori urdhrin për ekzekutimin e diktatorit fashist, shpjegon në një letër dhuratën e tij për qeverinë komuniste shqiptare, dhuratë që duhej të mbetej sekrete

Arma që vrau Musolinin, dhuratë sekrete Hysni Kapos


Elsa Demo

Arma që ka qëlluar mbi Benito Musolini, njeriu që udhëhoqi fashizmin në Itali e urdhëroi pushtimin e Shqipërisë në 7 prill 1939, ka qenë ekspozuar për dhjetë vjet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe do të riekspozohet në nëntor 2004 në Pavionin e Luftës.
Drejtori i Muzeut, Moikom Zeqo, ka dalë dje para gazetarëve për të thënë se tashmë nuk ka asnjë dyshim mbi autenticitetin e saj, tani që Arkivi i Shtetit deklasifikoi “dhuratën sekrete”, letrën që jep të dhëna nga ish-poseduesi i saj, Valter Audisio. Eshtë ky njeriu që mori urdhrin për ekzekutimin e Benito Musolinit në 28 prill 1945, një partizan antifashisht, me pseudonimin “kolonel Valerio” që do t’ia dhuronte këtë armë shtetit shqiptar, si vendi më i sigurtë për ruajtjen e saj. Tani që njihet poseduesi, Zeqo shpjegon se si arma përfundoi në muze, edhe pse gjithmonë ishte vlerësuar si “arma e ekzekutimit të Musolinit”, fakt i besuar si e vërtetë jo e dokumentuar.
Zeqo thotë se e reja në lidhje me këtë armë është dokumenti që vërteton emrin e Valter Audisios, dhe shpjegon se si përfundoi në Muze, automatiku kalibër 7.65L. MAS, model 1938-F.20830.
Valter Audisio, pas lufte deputet i Partisë Komuniste Italiane në Parlamentin Italin mbajti lidhje me Shqipërinë, e vizitoi këtë vend, deri sa në vitin 1957 vendosi t’ia dhuronte shtetit shqiptar. “Por dhurata nuk qe publike, qe një “dhuratë sekrete”. Në letrat që Audisio përcjell këtë dhuratë, lutet që të ruhet edhe sekreti i armës e cila është sjellë nga një diplomat shqiptar i kohës, i quajtur Edip Çuçi”,- thotë Zeqo. “Arma i është dorëzuar Hysni Kapos nga Vasil Nathanaili, bashkëkohës i zëvendësministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Dhe u respektua sekreti.” Arma është ekspozuar fillimisht në muzeun e Luftës në Gjirokastër. Madje Lefter Dilo, ish drejtori i Muzeume të Gjirokastrës, ka dashur ta ekspozojë dhe në Muzeun e Armëve, por u vendos si relike e luftës në Muzeun Historik Kombëtar, ku u ekspozua për dhjetë vjet deri në vitin 1991. Me zhbërjen e pavionit të Luftës, ra edhe buja e armës historike. Me ribërjen e këtij pavioni që përurohet në nëntor të këtij viti, drejtori Zeqo siguron se arma do të ekspozohet në një kënd të veçantë bashkë me disa dokumente që dëshmojnë veprimtarinë e partizanëve antifashistë italianë të batalionit “Antonio Gramshi”.
Për këtë armë është shkruar dy vjet më parë në një përditshme shqiptare dhe tani buja erdhi për shkak të botimit të letrës së Valter Audisio, në të përditshmen italiane “Corrire della Sera”, letër që u vu në dispozicion nga drejtori i Drejtorisë së Arkivave, Shaban Sinani. Arsyen përse iu dhurua pikërisht Shqipërisë kjo armë e përse duhej mbajtur sekret Zeqo e shpjegon: “Konkretisht dua të them që një pjesë e partizanëve italianë që u inkuadruan në batalionin “Antonio Gramsci”, pranë Brigadës së Parë Sulmuese në forcat partizane, përbëjnë një lidhje shpritërore midis dy popujve tanë pavarësisht aktit të pushtimit fashist të Shqipërisë. Këta ushtarë italianë që u bënë më pas partizanë antifashist në batalionin “Gramsci”, kanë lënë dhe një numër të madh dokumentesh, kryesisht letra, afro 3000 letra që ndodhen në Arkivin e Shtetit që dëshmojnë diçka të përbashkët për epopenë e antifashizmit jo vetëm shqiptar, por edhe evropian e botëror.”
Zeqo shprehet i sigurtë që nuk do të ketë një kërkesë nga shteti italian për të tërhequr armën dhe nga ana tjetër komenton dyshimet e një gazetari historik italian Arrigo Petacco mbi autenticitetin e armës. “Në mënyrë të paanshme duke parë qoftë dokumentacionin e vitit 1957, qoftë të dhënat e armës që janë shënuar në letër, dhe vetë armën, gjithçka përputhet për të thënë se ajo ka karakter autentik. Armës i mungon karikatori. Ka mundësi që të mos jetë transportuar nga diplomati shqiptar Edip Çuçi, pasi e ka futur në valixhen personale. Pavarësisht mungesës së karikatorit që e bën të plotë një armë, ajo është një objekt muzeor i klasit të parë, përpos katër nga 12 gëzhojat që ndodhen në Arkivin e Shtetit.”
Arma që ekzekutoi Benito Musolinin së bashku me të dashurën e tij Klarita Petaçi, ndërsa përpiqeshin t’i shpëtonin zënies rob, mban numrin 801 në arkivin e MHK dhe është regjistruar në Qendrën e Kombëtare të Inventarizimit të Trashëgimisë Kulturore të popullit shqiptar. Ajo ka pasaportën e saj shqiptare. Sot mund të thuhet që Muzeu Historik Kombëtar disponon të vetmen armë me ekskluzivitetin historik të vrasjes së Benito Musolinit.

Histori
Kolonel Valerio, ekzekutori i Musolinit
Musolini i kaloi 7 ditët e tij të fundit në pushtet, në qytetin e Milanos, atje prej nga nisi dhe ngritja e tij drejt pushtetit. Në 20 prill 1945, shpërndau nënpunësat e qeverisë. Stafi dhe miqtë e Duçes u përpoqën ta shpëtonin duke u zhdukur drejt Spanjës, por ai refuzoi të ikte nga vendi. Në 24 prill as Kardinali Shuster nuk ia doli dot ta bindte sepse Duçe u bë më i plogësht për t’iu nënshtruar fatit. I tha Kardinalit: “Nuk kam iluzione”.
Në 25 prill, u nisën drejt Komos me destinacion Valteline. Kolona e makinave dhe e disa të tjerave gjermane të blinduara, ndiqej nga Klara Petaçi dhe familja e saj. Në Komo, Duçja i shkruan letrën e fundit gruas së tij Rakelës, ku e nxiste të ikte drejt Zvicrës. Letra ishte e nënshkruar:
“Yti Benito, Komo, 27 prill 1945
Viti XIII i Erës Fashiste”.
Ata lanë Komon në 26 prill dhe ndaluan në Menaxhio. Një kolonë trupash fashiste, drejtuar nga Pavolini, lanë Milanon për t’u bashkuar me liderin e tyre. Në 27 prill një njësi kundërajrore gjermane, drejtuar nga Lejtnant Fallmeyer, i mbërrin më pas. Duçe vendos të kërkojë shpëtim tek aleati i tij gjerman, vetëm për t’i shpëtuar kapjes, por jo për t’ia mbathur nga Italia. Në orën 7 të mëngjesit, mbërritën në Maso, ku partizanët kishin bllokuar rrugën. Lejtnant Fallmeyer shkon të merret vesh me kreun partizan, Pjerluixhi Belini me pseudonimin “Pedro” i brigadës 52 “Garibaldi”. Partizanët ranë dakord të lejonin gjermanët të kalonin, por jo italianët.
Gjermanët e veshën Musolinin me një kapotë dhe helmetë dhe e fshehën në kamion. Në orën 3 u larguan bashkë me të. U ndaluan në Dongo dhe u kontrolluan, pasi lajmi ishte përhapur tek partizanët. Pak më vonë Klara Petaçi dhe vëllai i saj Marçelo, ishin kapur, por identiteti i Klarës nuk u zbulua. Komiteti për Çlirim ishte informuar për kapjen e Duçes. Urdhri ishte për trajtim jo të keq të robërve, dhe për të mos i qëlluar edhe në rast se tentonin të shpëtonin. Musolini dhe Klara kaluan natën e fundit së bashku në Mexegra në një shtëpi ferme.
Megjithatë dihet që Toliati, sekretar i Partisë Komuniste urdhëroi ekzekutimin e Duçes. Kolonel Valerios iu besua ky mision i rëndësishëm në emër të Komitetit Nacional për Çlirim. Kur ai mbërrti në Dongo në 2 pasdite, kishte përplasje me liderin komunist, Pedro. Kolonel Valerio kërkoi të shihte listën e robërve fashistë. Ai nxori në shesh se kishte urdhër të ekzekutonte Musolinin. Arbitrarisht zgjodhi 15 emra nga lista për ekzekutim. Në 28 prill, Kolonel Valerio hyri në dhomën ku Musolini dhe Klara po pushonin. Iu tha se kishte ardhur t’i shpëtonte. Udhëtuan rreth një milje dhe ndaluan afër hyrjes së Vila Belmontes. U urdhëruan të zbrisnin nga makina dhe të qëndronin pas murit. Aty u qëlluan. Një roje zhvendosi trupat dhe Valerio i dha makinës për në Dongo, ku mblodhi ata që kishin mbetur nga 15 robërit e listës për ekzekutim. I nxorën në shesh dhe iu dhanë 3 minuta kohë sa për shërbesën e një lutjeje. U qëlluan nga një togë zjarri partizanësh. Marçelo Petaçi u qëllua gjithashtu ndërsa përpiqej të hidhej në liqenin e Komos. Partizanët menduan se ishte djali i Duçes, Vitorio Musolini.
Në 29 prill, trupat u sollën në “Piazzale Loreto” në Milano. Atje u varën në një tra prej këmbësh, gjashtë nga trupat e pushkatuar. Ishin: Benito Musolini, Klara Petaçi, Françesko Baraku, Aleksandër Pavolini, Fernando Mexazoma dhe Paolo Zerbino. Turma shfrynte me tërbim mbi trupat. Aleatët urdhëruan t’i hiqnin prej andej për t’u varrosur. Kur Hitleri dëgjoi për ekzekutimin dhe si u nxor në publik Musolini, u betua që kjo nuk duhej t’i ndodhte atij. Ai qëlloi të dashurën dhe gruan e tij të re, Eva Braun, gëlltiti helmin, dhe i hoqi një plumb vetes drejt e në gojë. Sipas porosisë së tij, trupat u vendosën në një arkivol jashtë bunkerit të tij në Berlin dhe u dogjën. Rusët gjetën vetëm mbetje të dhëmbëve të tij.


www.shekulli.com.al