BE diskuton planin austriak për Kosovën. Solana kritikon vendimin e Kuvendit
Austriakët: Kosova mund të jetë si Belgjika
Nga korrespondenti ynë në Bruksel, Ernest Bunguri
25 kryediplomatët e BE-së janë mbledhur dje në Bruksel, për herë të parë, nën drejtimin e Presidencës Holandeze.
Situata në Kosovë ka qenë edhe kësaj radhe një nga temat e diskutuara gjatë Këshillit të Ministrave, situatë për të cilën një panoramë të shkurtër e ka bërë vetë Havier Solana, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE. ”Ka arritje pozitive, dhe në të njëjtën kohë pika që ngelen problematike”, mësohet t’ju ketë thënë Havier Solana Ministrave të Jashtëm evropianë. Burime zyrtare pranë Këshillit rrëfejnë për “Panorama” se me arritje, Solana nënkupton sinjalet pozitive për thellimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa me pika problematike: vendimin e fundit të Kuvendit të Kosovës në lidhje me ndryshimin e kornizës kushtetuese. Pas diskutimeve, Këshilli i Ministrave ka nxjerrë edhe konkluzionet e tij në lidhje me Kosovën. Edhe kësaj radhe, mbështetje e plotë i është dhënë Soren-Jesen Petersenit, kryeadminstratorit të ri të Kosovës.
Plani austriak
Ndërkohë, gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, është njoftuar edhe për planin e hartuar nga austriakët, për decentralizimin e Kosovës. Për momentin vetëm në formë letre jo-zyrtare, që i është dërguar 25 kancelarive evropiane për shqyrtim, pasi sipas burimeve zyrtare të Këshillit, Ministrat e Jashtëm të BE-së të mbledhur në Bruksel nuk kanë diskutuar propozimin austriak në takimin e kësaj radhe. Sidoqoftë, sipas po të njëjtave burimeve, plani në fjalë, nëse pranohet, propozon decentralizimin e Kosovës në një formë të ngjashme me atë të shtetit federal Belg. Për shpjegim, Belgjika ndahet në tre krahina autonome : valonët frankofonë në jug, flamandët në veri, dhe në mes, krahina e Brukselit që përfshin të dyja komunitetet. Secila prej këtyre krahinave ka parlamentin dhe qeverinë e vet, si dhe numëron disa portofole ministrash për çështje të ndryshme autonome si arsimi apo edukimi, kultura, bujqësia, ekonomia etj.
Kosova si Belgjika
Ndërsa në nivelin federal, Belgjika numëron dhe një parlament federal si dhe qeverinë, me portofole ministrash të kushtëzuar si mbrojtja, që përfshin të gjithë vendin, financat, apo ministria e punëve të jashtme. Ndërkohë, dhe pa hyrë në krahasime të komplikuara, vetë Benita Ferrero-Valdner, Ministre e Punëve të Jashtme të Austrisë, ka shpjeguar para gazetarëve në Bruksel disa nga pikat kryesore të nismës austriake për decentralizimin e Kosovës. “Eshtë e rëndësishme të bisedohet në fillim rreth disa çështjeve paraprake, para se të preket çështja e statusit përfundimtar të Kosovës”, ka shpjeguar kryediplomatja austriake. Sipas saj, këto çështje janë: siguria, decentralizimi, mbrojtja e pakicave dhe respektimi i tyre, e sidomos respektimi i posaçëm i objekteve fetare serbe të Kishës Ortodokse. “Pas kësaj, ju duhen përcjellur më shumë kompetenca kosovarëve, dhe vetëm kur të plotësohen këto pika, mund të kalohet në fazën tjetër”, sqaroi Benita Ferrero-Valdner, duke patur parasysh statusin e Kosovës. Në lidhje me këtë të fundit, i lënë jashtë planit të austriakëve para plotësimit të kushteve që propozojë këta të fundit, kryediplomatja shtoi se: “Përcaktimi i Statusit Përfundimtar i Kosovës i mbetet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe sigurisht që Kosova duhet të ketë një perspektivë evropiane, pasi të jenë plotësuar kushtet që kanë qenë të vlefshme për të gjithë, e më pas edhe pasi të jetë zgjidhur çështja e statusit”.
Ruaj Lidhjet