korrieri
Mendime rrethrrotulluese
E Merkure, 07 Korrik 2004
Nga Fatos Lubonja
Para disa ditesh nje qytetar dashamires me ndaloi ne rruge dhe me tha: ke kohe qe nuk ke shkruar, si shpjegohet? Instinktivisht iu pergjegja: po cfare te shkruash? Ai me pa si me cudi. Mua m'u desh t'i shtoj: i kemi thene te gjitha.
I mbetur vetem, fillova te reflektoj rreth kesaj gerdie qe me pengon te shkruaj. Nuk se e kam ezauruar larmine e tematikave, por analizat, shqetesimet, deshmimet, denoncimet - cka me duket se eshte detyra kryesore e atij qe shpreh opinone ne nje vend si ky i yni me plote probleme e shqetesime - i kemi bere e sterbere, thene e sterthene e stersterthene dhe asgje nuk ndodh per zgjidhjen e tyre, ne menyre qe pastaj te kapercejme ne analiza e shqetesime te tjera e ne ide te tjera, qe e cojne edhe mendimin perpara. Eshte nje vide, si ato qe i thone "e spanuar", qe nuk ecen perpara ne spiralen e progresit, por vetem rrethrrotullohet.
Thashe me vete ate qe nuk ia shpreha qytetarit qe iku, kemi arritur ne nje pike kur, sic thote populli, "kur mbaron fjala, gjykon palla". Pasi me erdhi ndermend ky gjykim i rrepte, qe e kam shkruar edhe ne kohe te Berishes andej nga vitet '96-'97, shtrova pikepyetjen: a ka ardhur vertet puna atje? Per me teper, sepse ajo qe quhet "palla" apo "shpata", ne demokraci eshte nje term shume problematik, sepse me ate nenkuptojme dhune dhe me dhune nenkuptojme, jo vetem rrezikimin e demokracise, por edhe tere ato pasoja qe na sjell dhuna - dhe per kete na vjen ndermend viti 1997.
Keshtu, pas ketij reflektimi, ndoshta edhe per te larguar idene e frikshme te dhunes, shtrova vetmevete pyetjen, se mos, duke i pare gjithnje gjerat nga pika e idealizmit te deshperuar, njeriu humbet veshtrimin mbi ate progresin e vogel qe ben shoqeria perdite? Dmth., mos valle ka njerez te kenaqur ne kete vendin tone dhe ne nuk i dime ata ose nuk i shohim. Duke shetitur mendjen neper keta njerez te kenaqur qe nuk mungojne, madje edhe ne shtyp, madje qe na akuzojne ne, te pakenaqurve, si depresive, paranojake, nxires te realitetit, me dilte se vertet ka njerez te kenaqur ne Shqiperi, por, per fat te keq, nuk krijoja dot nje binom kenaqesi - moralitet per shumicen e tyre. Me dilnin para sysh lloj e lloj te kufizuarish menderisht e moralisht qe kane vene gojen ne siset e lopes se shtetit (kupto: parase publike) dhe jo vetem nuk e heqin asnje cast, por dhe qe nuk duan asesi qe lopa te levize nga vendi, ashtu qe buzet e tyre te mund te humbasin ate lidhje te cmuar. "Pse Berishes do t'ia leme ne lopen?" - te thone kur u shpreh pakenaqesine dhe fillojne e bertasin. Vetem ndonjehere, kur dikush, me i forte, vjen e i shtyn nga thitha e lopes ku kane ngulur dhembet per t'i zene vendin, i sheh te hapin syte e i degjon te bertasin, madje edhe fort, per demet qe po i behen ketij kombi. Me nje fjale te kenaqurit me rezultuan mu ata te paket qe kane shkaktuar pakenaqesine e te shumeve. Por, prape, pershtypja ime eshte se edhe ata nuk jane ashtu dhe aq te kenaqur, sepse ritmi dhe ankthi me te cilin e thithin qumeshtin e kesaj lope, shqetesimet qe ju sjell per barkun, rivaliteti me thithtaret e tjere, jane nje stres me vete.
Nderkaq, nga sa takoj njerez ne pergjithesi, nga te tera shtresat shoqerore, ndjej atmosferen e nje depresioni te rende social. Nuk them se ky vjen thjeshte nga ajo qe thithtaret e lopes se shtetit e quajne "ekzagjerim", dmth. nga qenia e shumices ne kushte qe jane nen nivelin minimal te jeteses. Pa dyshim ka nje shtresezim te tille ne kete depresion social, por vetem kjo nuk do ta shkaktonte ate, sikur vendi te dukej se ishte ne rruge zhvillimi. Depresioni thellohet, sepse vendi eshte pa drejtim, pa zhvillim te sigurt, cka i ka futur te gjithe ne stresin e nje perditshmerie pa te ardhme. Por edhe kjo shtrese e dyte, e perditshmerise pa te ardhme, nuk do te ishte e mjaftueshme per te shpjeguar depresionin e thelle social, sikur te mos ishte edhe nje element tjeter. Ky eshte elementi i te ndjerit pa fuqi per ta ndryshuar kete gjendje, sepse shoqeria eshte e shpartalluar moralisht - ndryshe vuan nga simundja e vetshkaterrimit te sistemit imunitar. Depresioni social i kesaj shoqerie mbi te gjitha do te thoja se vjen e merr simptomen me te rende nga perjetimi nga ana e njerezve e asaj qe thote Kanti, se "nese injorohet drejtesia, jeta ne kete bote nuk ka asnje vlere". Njerezit e shohin jeten e tyre, jo vetem ne varferi, jo vetem pa te ardhme, por perjetojne perdite zhvleresimin dhe helmimin e saj per shkak te padrejtesise qe buron nga maja e pushtetit e zbret deri poshte ku ka marredhenie te shqiptarit me shqiptarin e ku po zhduken dita-dites pikat e referimit moral.
Ne nje vend normal, dmth. ne nje vend ku nuk injorohet drejtesia, do te mjaftonin vetem skandalet e fundit te Kryeministrit Fatos Nanos: ato lidhur me pasurine e tij, qe rezulton e tera e paligjeshme, per te shkaktuar nje tronditje. Ndoshta kriteri me i drejte per te matur normalitetin apo anormalitetin e nje shoqerie eshte pikerish injorimi ose mosinjorimi i drejtesise ne ate shoqeri. Ne nje vend, pra, ku do te kishte drejtesi ose, me thjeshte, njerez te drejte, po te kishte dale ajo qe i doli Nanos se fundi, menjehere do te tronditej i madh e i vogel dhe, nese ky do te ishte cmendur te mos jepte doreheqjen e t'i hapte rrugen drejtesise, atehere Parlamenti do te krijonte mocionin e mosbesimit per ta hequr. Dhe kete do ta benin deputetet e partise se tij, me se pari per te ruajtur moralitetin e tyre, por edhe per te ardhmen e vendit, me se dyti dhe te vete partise se tyre me se treti. Mirepo nje gje e tille as qe i shkon ndermend deputeteve tane socialiste ne kete vendin tone. Pse? Pergjigja eshte shume e thjeshte: sepse jane te gjithe si Nano, ne mos me keq. Nuk ka pergjigje tjeter. Ndaj akuzave kunder Nanos, gazeta e partise "Zeri i Popullit" nuk nxorri asnje pergjigje tjeter, vecse nje mal me akuza per ata qe akuzojne Nanon, te cilat thjeshte vertetonin se edhe akuzuesit e Nanos jane te paligjshem ne kete vend. Por kjo vecse e thellon degradimin. E thelluan socialistet kete degradim, edhe me votimin e fundit kur deshen te kalojne, duke vjedhur votat e shokeve te tyre qe mungonin, ligjin mbi demshperblimin e te burgosurve politike, nje ligj qe, ashtu si e kane hartuar, edhe pa vjedhjen e ketyre votave, deshmon rrenimin e tyre te pashprese moral.
Me keto mendime ne koke, shoqeruar me idene se edhe i kam thene, edhe duhen rithene, u ktheva ne shtepi dhe u ula per te shkruar. Nuk di se cfare me beri t'i kthehem ndonje shkrimi te fillim vitit 1998. U befasova edhe vete me perseritjen e sterperseritjen qe u paskam bere disa gjerave qysh nga ajo kohe, por edhe me evoluimin e se keqes.
Ne nje shkrim te fillimvitit 1998, paskam cituar nje raport mbi gjendjen ne Shqiperi, i botuar ne revisten "Eastern Europe Newletter" qe botohet ne Londer nen kujdestarine e Bashkimit Evropian. Ne raport flitet per "Nje Nano qe e humbet humorin kur pi" dhe qe shpejt mund te behet nje "diktator gjysem i intoksikuar"; nje Fino "gjithnje e me i majme"; nje Pashko "qe i eshte rikthyer pijes". "Asnje perparim per crrenjosjen e korrupsionit"."
Tani nuk kemi me vetem nje diktator gjysem te intoksikuar, por kemi nje Parlament te intoksikuar. Tani nuk kemi me nje Fino gjithnje e me te majme, por kemi nje Parlament te tere qe kullon dhjame dhe shume Pashko qe i jane kthyer pijes dhe vetem pijes.
Me tej, ne nje editorial te po asaj kohe mbi "shkerdhatokracine", qe rimerr nje artikull te Dritero Agollit me teme "Gjynahet e qeverise" shoh se paksam thene: "shkerdhatokracia... nenkupton pushtetin e atyre njerezve qe karakterizohen nga mungesa e idealeve, paturpesia per te genjyer, per ta dredhur e per te bere marifete, e kombinuar kjo me fodullekun dhe shikimin vetem te interesave personale. Ne jeten politike, kjo perkthehet me papergjegjshmeri, mungese karakteri dhe serioziteti ne raport me hallet dhe interesat e qytetareve."
Qe nga 1998, kur kjo lloj qeverisje u pagezua me kete emer, kane rrjedhur shume ujra. Sot eshte loder kalamajsh ta quash shkerdhatokraci kete regjim. E per te matur shkallen dhe shpejtesine e degradimit te saj, te vjen ne kujtese fakti se doreheqja e Ilir Metes, dy vjet me pare, per nje numer shume me te vogel akuzash nga keto te sotmet, te duket si nje moment i koheve te arta ne politiken shqiptare persa i perket demokracise dhe pergjegjeshmerise.
...
E lashe pergjysem shkrimin me idene t'ia dergoj apo te mos ia dergoj Alfred Pezes, kur mu shfaq ne televizor Fatos Nano ne Parlament, me nje analize te medias shqiptare. Ne momentin e pare thashe: kjo eshte ngjarje per te cilen qytetari qe takova ne rruge ka nevoje te degjoje nje koment opinionisti. Perqendrova vemendjen: Kryeministri po zberthente probleme te rendesishme, vertet: tere ate superstrukture mediatike qe na qenka krijuar ne sherbim te struktures se ekonomise se paligjeshme me burime te panjohura, por qe, paradoksalisht, drejtohet direkt ose indirekt nga kush? Pikerisht nga Fatos Nano dhe shteti i tij dhe shoket e tij. Prandaj, sa me shume fliste, aq me shume ndjeja se tangoja e Kryeministri, dy hapa para nje hap prapa, nuk me emociononte, nuk me vinte ta kendoja e ta kerceja e t'i beja analize e jehone, sepse ishte nje tango e degjuar dhe e sterdegjuar dhe steranalizuar, e kenduar e kercyer nje here, dy here ne KPD e Kongres e gjetke, duke e hedhur vendin dhe Partine Socialiste, me dy hapa para e nje hap prapa, gjithnje e me thelle ne gremine. Perndryshe, kjo eshte tangoja e shantazhit: mbylle gojen se une t'i di te gjitha, te ciles, ne kete skenen tone, sa absurde, aq edhe te ndotur, i vjen strofa kunderpergjigjese: te vertetat qe thone kengetaret e tjere per bemat e Kryeministrit. Dhe pastaj vjen lejtmotivi, rivendosja e paqes dhe harmonise me ndonje nderrim vendi ne thithat e lopes. E keshtu pa fund, gjersa lopa te bjere e shterur pertoke e t'i hyne pastaj t'i hane edhe mishin. E me sa po duket, kjo dite nuk eshte e larget.
Shume vape, thashe me vete, dhe e lashe, po te doje Alfred Peza le t'i botoje keshtu keto mendime vape: te pambaruara dhe pa ate, qe aq shume e kerkojne shqiptaret, rrugezgjidhjen.
-------
Krijoni Kontakt