Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, tregon ngjarjen më të bujshme të diktaturës, kur shqiptarët mësynë masivisht ambasadat e huaja
Dilaver Bengasi
Dilaver Bengasi, ish-drejtori i Policisë shqiptare në vitet 1985-1990, tregon eksodin e shqiptarëve më 2 Korrik 1990. Në mënyrë krejt të natyrshme, me mijëra qytetarë u dyndën në dyert e ambasadave. Policia në atë kohë ishte e papërgatitur për një eksod të tillë, por edhe vetë diplomatët e ambasadave të huaja, që ndodheshin në vendin tonë, nuk e kishin menduar se mund të përballeshin me këtë situatë. Por ditëve të nxehta të korrikut të ’90-s, iu shtua edhe një tjetër “temperaturë”, ajo e qëndrimit që do të mbante qeveria e Partisë së Punës së Shqipërisë, rreth kësaj ngjarjeje. Situata e tensionuar mund të rrëshqiste nga çasti në çast dhe vendi të përfshihej në një kaos të paparë. Por, pavarësisht se eksodi e tronditi pushtetin, përsëri qeveria ishte ende e fuqishme. Prindërit e të rinjve që kapërcyen kangjellat e ambasadave dhe më pas, në mënyrë të organizuar kaluan në Evropë, ishin akoma nën frikën e pasojave që mund të kishte më pas. Ndërsa një rol të rëndësishëm luajti edhe policia, e cila ishte në udhëkryqin e dy mendimeve: të ruante rendin dhe qetësinë me kompetencat që i jepte ligji, apo të shmangte gjakderdhjen, por duke lejuar që qytetarët të kalonin lirshëm për t´u futur në ambasada. Çfarë ndodhi më 2 Korrik të vitit 1990. Kush ishin ambasadat që u bënë streha e mijëra qytetarëve. Çfarë qëndrimesh mbajti policia. Cila ishte dilema e madhe ndërmjet ruajtjes së rendit dhe qetësisë dhe të lejimit të qytetarëve për t´u larguar. Si u shembën muret e ambasadës gjermane. Takimet e krerëve të policisë me përfaqësuesit e lartë të shtetit. Dhe të gjitha enigmat e tjera, që lidhen me prapaskenat e korrikut të vitit 1990, i shpjegon ish-drejtori i Policisë Shqiptare, Dilaver Bengasi.
Që në ditët e para që u bë hyrja masive nëpër ambasada, në Shqipëri erdhën përfaqësuesit e OKB-së. Ata merrnin takim me të gjithë personat që ishnin futur në ambasadë. Më ka ngelur në kujtesë një rast ku kam qenë i pranishëm tek ambasada irlandeze. Njëri prej tyre, me këshilla prindërore, ndër të tjera u thoshte shqiptarëve: “Do të shkoni jashtë shtetit. Mos mendoni se çdo gjë është e gatshme.
Si vendi juaj, askund nuk keni për të gjetur. Dashuria për njerëzit dhe të mirat që mendoni, i ka vetëm vendi që u ka lindur. Asnjëherë mos e shani vendin tuaj”.
Takimi me diplomatin francez
Disa ditë pas largimit të atyre që hynë në ambasadat e huaja, pata rastin të takohem me Marseli, diplomat francez, në hotel “Tirana”, me ftesën e personit në fjalë. Më shoqëronte në këtë takim një shoku im. Që në fillim të bisedës, francezi më pyeti: “A i keni thënë ambasadorit tonë, në takim, se për këtë që po bëni, populli francez do t’ju zërë me gurë?” E kuptova që ai ishte i mirinformuar për bisedën time me eprorin e tij, dhe pohova atë që më tha. Marseli kishte përgatitur një raport për ngjarjen e 2 Korrikut dhe ndër të tjera, informonte qeverinë e tij edhe për çfarë i kisha thënë unë ambasadorit francez. Nuk mund ta harroja bisedën me ambasadorin, edhe për faktin se ai më priti shumë ftohtë kur u prezantova dhe u tregua mospërfillës ndaj atyre që i thashë, pra, konkretisht se shumë nga ata që kishin hyrë në ambasada, ishin kontigjente të policisë dhe se përkrahja e tyre, apo dërgimi i tyre në Francë, do të kishte pasoja. Me këtë, doja të thoja se një pjesë e tyre do të përballeshin me drejtësinë, pasi nuk mund të rrinin pa kryer ndonjë vepër penale.
Francezi Marsel, që më kishte ftuar për kafe, më sqaroi se kisha pasur të drejtë në atë që i kisha thënë ambasadorit të tij. Madje, ai deklaroi se nga 50 veta që kishin shkuar në Francë, brenda 2 javësh 14 prej tyre ishin arresuar nga policia, pse kishin konsumuar vepra penale. Ky është një fakt domethënës, pasi persona të tillë prishën edhe imazhin e Shqipërisë në Evropë. Deri atëherë, shqiptarët respektoheshin kudo ku shkonin; më pas do të ndodhte e kundërta.
Të larguarit në shifra
Ndërkohë, ato ditë u bënë regjistrimet e të gjithë atyre që kishin hyrë në ambasada, madje u përgatitën pasaportat e secilit. Në të gjitha ambasadat, rezultoi se kishin hyrë rreth 5200 persona, nga të cilët, vetëm në ambasadën gjermane 3200 veta. Nga verifikimet që u bënë në lidnje me ta, dilte se rreth 1300 veta ishin të dënuar për krime ordinere dhe shumë prej tyre, ishin përsëritës në krim. Mbas përgatitjes së pasaportave, rreth orës 21.00 të datës 12 Korrik 1990, në të gjitha ambasadat ishin vendosur autobusët. Në rregull, në rresht për një, dilnin nga ambasadat dhe futeshin në autobusë. Boshatisja e ambasadave përfundoi rreth orës 24.00. Autobusët u nisën të gjithë për në portin e Durrësit, pa asnjë incident zyrtar. Kështu përfundoi problemi i këtyre 5200 personave. Ata u nisën për në Evropë. Mijëra të tjerë kishin mbetur këtu, me të njëjtin qëllim. Këtë e treguan eksodet e mëvonshme dhe tentativat për eksod, që vazhduan në forma të ndryshme. U zhvilluan disa eksode dhe më vonë nisi trafiku i refugjatëve. Një ndër rastet e fillimit, ishte në ditët e para të janarit 1993. Agjencitë e lajmeve informuan se një peshkarexhë kishte marrë 11 shtetas shqiptarë dhe i kishte hedhur në brigjet e Pulias në Itali; 10 prej të cilëve ishin mbytur. Trafikantët grekë dhe italianë në det, në bashkëpunim me kriminelë shqiptarë, të lidhur me klane të posaçme deri në strukturat shtetërore dhe policeske, nëpërmjet trarikut me refugjatët shqiptarë, u majmën me njerëzit tanë te varfër.
Mitingu
Pas largimit me pasaporta të 5200 shtetasve shqiptarë jashtë shtetit, udhëheqja parti-shtet, organizoi një miting të madh në Tiranë, me të cilin duhej treguar se shteti vazhdonte të ishte i fortë dhe njëherësh, të tregohej se ata që ikën nuk ishin “njerëzit e ndershëm shqiptarë”. Kishte shumë zëra se “mitingu mund të dështonte ose të kishte edhe efekt të kundërt. Megjithatë, porositë u dhanë që ai të bëhej i organizuar. Dhe kështu, në orët e pasdites, u grumbulluan me mijëra njerëz, të cilëve u prinin përpara përgjegjësit dhe drejtuesit e ndërmarrjeve. Pritej të vinte vetë Raaamiz Alia në miting. Po ashtu, thuhej se në emër të organizatave të masave, rinisë, gruas dhe intelektualëve të kulturës, do të ishin përfaqësuesit më në zë të tyre. Në fakt, R. Alia nuk erdhi. Kur erdhi edhe Ismail Kadareja, që ishte ngarkuar të fliste në emër të inteligjencës, megjithëse në opinion thuhej se të ikurit nëpërmjet ambasadave, i kishte quajtur “jashtëqitje e kombit”. Thunej se R. Alia nuk erdhi se “mos ndodhte si me Çausheskun”. Por njerëz të arërt me R. Alinë, thoshin se arsyeja e vertetë ishte se ai nuk kishte qenë entuziast për znvillimin e atij mitingu. Të tjerë udhëheqës kishin këmbëngulur që mitingu të zhivillohej dhe Ramiz Alia, duke mos qenë këmbëngulës në mendimin e vet, kishte lejuar të bëhej duke u marrë masa organizative të forta. Fjalën e rastit para mitingut, në emër të KQPPSH-së, e mbajti Xhelil Gjoni, i cili theksoi se të larguarit nga Atdheu, nëpërmjet ambasadave, nuk përfaqësonin popullin e shëndoshë shqiptar, por ishin disa “rrugaçë”. Ky miting u zhvillua për konsum politik të brendshëm dhe të jashtëm. Populli i mbledhur nuk po thërriste më me “duartrokitjet” e mëdha që ndodhnin më parë në mitingje të tilla. Opinioni ishte copëtuar; disa e mirëpritën, por të tjerë shprenin të kundërtën.
Analiza në Ministrinë e Brendshme
Vrasja e një njeriu të pafajshëm në Kavajë dhe konkretisht, i ndjeri Josif Budo, solli një reagim të ruqishëm, veçanërisht ndaj udhëheqjes partiake në Kavajë dhe Durrës. Për këtë ngjarje, më 14 korrik u bë një analizë, ku u liruan nga detyra tre oficerë, që u quajtën si përgjegjësit kryesorë për këtë ngjarje. Në këtë analizë, Hekuran Isai, ndërmjet të tjerave theksoi se edhe këtu në Tiranë u qëllua me armë më 2 Korrik dhe “partia do ta analizojë”. Me këtë mendim që shprehu Hekuran Isai, kuptohej se masat ndaj kuadrove të policisë do të thelloheshin. Dilte pyetja: përse nuk u analizua problemi i 2 Korrikut, në ato ditë që ndodhi, por tani pas ngjarjes së Kavajës? Mos vallë, segmente të caktuara kishin, veç faktorëve ekonomikë, edhe ato të vetizolimit. Kishte edhe interesa nga segmente të caktuara e individë të ndryshëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. Me masat ndëshkuese që kërkoheshin të merreshin ndaj nesh, drejtuesve të policisë, udhëheqja e partisë-shtet, kërkonte të largonte përgjegjësinë e saj dhe të justifikohej para opinionit të brendshëm dhe sidomos, atij të jashtëm. Në orën 10.00 të datës 18 korrik 1990, më njoftuan të ndodhesha në zyrën e Hekuran Isait. Kur po prisja në paradhomë, nga zyra e tij doli Xhemal Dymylja, duke qeshur me ministrin që e shoqëroi për ta përcjellë. Pasi u nda me Xhemalin, më tha mua të shkoja në zyrën e tij. Shkova dhe pasi ai u ul, pa më parë në sy, por duke vështruar tavolinën më tha: “Me vendim të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, lirohesh nga detyra e drejtorit të Policisë”. Në mënyrë të prerë i thashë: “Nuk jam dakort me vendimin që keni marrë. Skenarët e kujt kam prishur më 2 Korrik 1990? Thuaja shokut Ramiz dhe kërko takim me të. Me vjen keq, se do të gjunjëzoni mbarë policinë në ushtrimin e detyrës dhe rendi e qetësia do të marrin të tatëpjetën”. U largova pa e përshëndetur. Sapo hyra në zyrën time, ra teleloni. Ngrita receptorin dhe dëgjova zërin e ministrit, i cili më tha: “Dilaver, më bëj një informacion të hollësishëm si u zhvillua ngjarja e 2 Korrikut dhe ma sill”. Ju përgjigja, duke i thënë se tani do t´i bëj një letër Ramiz Alisë. Ndërkaq, i dërgova një letër Ramiz Alisë ku ndërmjet të tjerave i thashë se fill pas largimit të familjes Popaj në Itali, pati një tendencë që sa vinte e rritej, për të hyrë në ambasada, duke kapërcyer muret e kangjellat rrethuese. Format e futjes në to u bënë të organizuara në grupe dhe me automjete të rënda, duke rrëzuar muret, kangjellat dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Më tej, sqarova se gjendja sa vinte dhe rëndohej.
Ambasadorët shqiptarë në zyrën e Reil Maliles
Për këtë, më 2 Korrik 1990, paradite, Reiz Malile ka thirrur ambasadorët për t’i vënë në dijeni se shtetasit shqiptarë do të ishin të lirë të venin në ambasadë për të marrë viza. Në fakt, ky vendim do të ulte tensionet dhe do të plotësonte, sipas rregullave nga vetë ambasadat, dëshirat dhe kërkesat e shumë shtetasve që kishin tendenca për të ikur. Në zbatim të këtij vendimi, kuadrot dhe shërbimet tona ishin porositur që më 3 korrik hyrja për viza në ambasada të bëhej normalisht, nga dera. Por, rreth orës l9.30 të kësaj dite (2 Korrik), një automjet i rëndë me 34 persona, çau murin rrethues nga mbrapa ambasadës gjermane dhe, duke rrezikuar edhe jetën e policit, hyri brenda. Ndërkohë, në ballkonet e ambasadës dhe deri te muri i rrëzuar, kishin dalë punonjës të asaj ambasade, të cilët i ftonin me dorë turmat e njerëzve në periferi, për të hyrë në territorin e saj. Të njëjtën gjë bënin edhe punonjësit e ambasadës greke. Në këto rrethana, në drejtim të këtyre ambasadave, nxitimthi u sulën turma të organizuara. Jo më pak se 6000-8000 veta të irrituar, duke sulmuar me gurë drejt policisë, po afroheshin drejt hyrjes së ambasadës greke, ku unë ndodhesha në zgjidhje të një situate të vështirë. Instiktivisht, pashë se pantallonat më ishin bërë me gjak, në drejtim të kërcirit të majtë, nga një goditje me gur nga pjesëtarët e turmës së çoroditur. Nga shtëpitë pranë ambasadës greke, m’u afruan 4 familjarë, ku njëri më kërkoi të zbatohej ligji, pasi, veç policisë, edhe atyre u rrezikohej jeta. Në situata të tilla të tensionuara, ngarkesat psikologjike janë nga më të mëdhatë. Vendimet që duhen marrë janë nga më të vështirat, aq më tepër, kur turma kalon në veprime të dhunshme ndaj policisë apo njerëzve të pafajshëm që kërkojnë ndihmë nga policia për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e tyre. Pasojat që mund të vinin nga vërshimi i turmave ishin shumë të mëdha, deri në incidente ndërshtetërore me ambasadat e akredituara ne Tiranë.
Veprimi
Me bindje, vendosa kur turma u afrua rreth 10 metra, që të nxjerr pistoletën dhe të qëlloj në ajër. Ky veprim i paparashikuar nga ajo mori djemsh, që kishin kaluar në veprime të palogjikshme, bëri që të kufizohej lëvizja e tyre. Në të shtënat e mëvonshme në ajër, turma jo vetëm ndaloi ecjen përpara, por u kthye në panik prapa dhe iku me vrap. Të shtënat e pistoletës në ajër, e dhanë efektin e tyre, duke parandaluar pasoja nga më të paparashikuarat. Ky rast i përdorimit të pistoletës, përputhet plotësisht me kriteret ligjore të sanksionuara nga shteti ynë dhe ato ndërkombëtare, aq më tepër, kur përdorimi i pistoletës nuk solli asnjë pasojë në shëndetin apo jetën e askujt. Përafërsishit, në këtë mënyrë e mbylla letrën. Mbas disa ditësh që ia dërgova atë Ramiz Alisë, më mori në teleron Vaskë Çifliku, sekretar në paradhomën e presidentit dhe më dha një përgjigje telefonike, që për mua ishte kuptimplote. Është fakt se nuk ishte më ajo frika e dikurshme ndaj shtetit partiak. Për shkarkimin e drejtorit të Policisë, pati reagime të fuqishme nga radhët e policisë dhe sidomos, nga Reparti 326. Një ndër motivet e lirimit, ishte shkarkimi i përgjegjësisë tek ata që nuk kishin përgjegjësi.
Cilët ishin të interesuar për 2 Korrikun
Për 2 Korrikun ishin të interesuar mjaft segmente, jashtë dhe brenda vendit. Kishte nga ata që kërkonin përmbysjen e regjimit dhe që kishin qenë beniaminë të njohur të partisë-shtet, të cilët me intuitën e tyre po e shikonin se atij shteti “po i binin patkonjtë dhe tashmë donin të përvetësonin flamurin e antikomunizmit, duke harruar se kishin qenë komunistët më sektarë e ndër më të privilegjuarit. Për 2 Korrikun ishte e interesuar, veçanërisht, UDB-ja jugosllave, e cila si gjithmonë, kur acarohej situata në Kosovë, kurdiste ngjarje dhe incidente në Shqipëri. 2 Korriku i Kaçanikut, jo rastësisht koincidonte me 2 Korrikun e ambasadave në Tiranë. Të gjitha segmentet e interesuara, duke ditur se ambasadat janë pikat më të nxenta dhe krijimi i incidenteve ndaj tyre, krijon situata ndërshtetërore nga më të rëndat, sa për përputhje interesash aq edhe për llogari të veta, u bënë nxitësit kryesorë për dyndjen drejt ambasadave. Pavarësisht nga situata e kurdisur, policia arriti ta kapërcejë, duke parandaluar pasojat e një prej ngjarjeve më të vështira.
Ngjarja e 2 Korrikut 1990, megjithëse mori karakter kombëtar e ndërkombëtar, nuk u analizua as nga sektorët përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe as nga Drejtoria e Policisë, që mbajti barrën kryesore për parandalimin e pasojave të paparashikuara. Pra, nuk u bë. Pse? Vështirë është që të gjesh psenë e saj. Por, analiza profesionale e asaj ngjarjeje do të evidentonte shkaqet e vërteta, të cilat do të shërbenin jo vetëm për përvojën e policisë, por edhe për pasqyrimin me objektivitet të së vërtetës para opinionit që të mos u linte shteg dashakeqëve të keqinterpretonin dhe të disinformonin brenda dhe jashtë vendit.
U diskutua më vonë për 2 Korrikun?
Për herë të parë për 2 Korrikun u diskutua në takimin që bëri Ramiz Alia më 6 gusht 1990 me disa intelektualë të njonur të Tiranës. Por, në auditore të tilla jo profesionale, ështe e vështirë të bënen analiza reale, përveç se të jepen opinione të përgjithshme. Kjo, sepse të pranishmit nuk kishin njohuri të drejtpërdrejta dhe të mjaftueshme, si për rrjedhën e ngjarjeve para 2 Korrikut, edhe pas tij. Trajtimi i asaj ndodhie u bë sipas thashethemeve, hamendjeve vetjake dhe mashtrimeve. Madje, u arrit deri atje sa dikush nga të pranishmit tha se gjatë 2 Korrikut ishin vrarë nga policia aq shumë njerëz, sa që ishte mbushur Mali me Gropa. Çfarë nuk u tha, deri dhe në stacione “serioze” të informacionit publik dhe zyrtar. Për pyetjet apo mendimet e të pranishmëve, Ramiz Alia bëri sqarimet e nevojshme, duke argumentuar, për aq sa i kishte njohuritë, duke pasqyruar më mirë të vërtetën. Ndërsa shkrimtari Ismail Kadare, në fjalën e tij, bëri objekt diskutimi drejtorin e Policisë, për të cilin vuri në dukje se vërtet që ai ishte liruar nga detyra, por “atë unë kam pasur rastin ta shikoj vetë, që qytetarët e përshëndesin sikur të jetë ndonjë militant në Tiranë, kur ai duhet ndëshkuar se populli kënaqet” etj., etj., fjalë pa pergjegjësi. Ndoshta, në periudhën fillestare pas 2 Korrikut, lajthitje të tilla edhe mund të justifikoheshin. Kjo, edhe për faktin se informacione të sakta për rrjedhën reale të ngjarjeve të qershor-korrikut, ende nuk ishin dhënë, as nga mjetet e inrormacionit dhe as nga organet shtetërore. Por, është për të ardhur keq që “lajthitje” të tilla vazhduan edhe më vonë. Disa gazetarë, bashkë me gazeta partiake, sindikaliste apo të “pavarura”, e frynë aq fiktivisht situatën e 2 Korrikut, sa që krijuan idenë se në Tiranë ishte bërë luftë civile me fronte të armatosura. Por, kush i mbolli dhe fabrikoi shpifje të tilla? Ishin nga ata njerëz, që për vetë karakterin e tyre të dobët, donin t’u shisnin mend të tjerëve, sikur ata dinin me hollësi edhe “probleme” nga më sekretet, që nuk i njihnin të tjerët. Tipa të tillë kënaqen kur të tjerët i besojnë, qoftë edhe pjesërishit, apo kur shohin se mbjellja e dyshimeve të tyre, sadopak çorodit opinionin. Të tjerë janë nga ata që kanë motive më të dobëta, sepse përhapin “lajme” të rënda familjare e shoqërore e deri shtetërore, mbi bazën e një ngjarjeje që ka ndodhur, por që nga “specialistë” të tillë, përpunohen e fabrikohen, duke e bërë qimen tra dhe mizën buall. Edhe kur agumentohej se më 2 Korrik 1990, nuk pati pasoja për shëndetin dhe jetën e njerëzve, përsëri mendja e tyre e çakërdisur, nuk pranonte të largohej nga ato që kishte fantazuar. Në këtë periudhë, dolën edhe një kategori personash, të cilët morën pozicion qitjeje nga “poligonet” e opozitës. Këta tipa menduan se me “faktet” e fabrikuara mund të fitonin pushtet, mund të rrëmbenin karrige e kolltuqe në shtet. Këta tipa që u morën me trajtimin e mbrapshtë të 2 Korrikut, ku më shumë e ku më pak, në fazën e fillimit, ia arritën qëllimit, krijuan një çoroditje të përkohshme. Tjetër është fantazia dhe tjetër është e vërteta. Shpifjet, mashtrimet e fabrikimet, siç zënë vend shpejt, po aq shpejt edhe harrohen. Për më tepër, mendoj se në këtë kuadër duhet vënë në punë, sidomos logjika e fortë larg emocioneve të çastit. Të gjithë ne jemi dëshmitarë që pas vitit 1992 e në vazhdim, u bënë me qindra gërmime e zhvarrosje të njerëzve që diktatura komuniste (për turp të saj) i pati ekzekutuar grykave apo honeve. Atëherë, si mundet të njiheshin “kufomat” e dy viteve më parë (pra, në korrikun e vitit 1990) Si mundet të kërkohej në Malin me Gropa, rreth 20 kilometra larg Tiranës, dhe të mos gjendej asnjë kufomë. Si nuk u thirr asnjë polic i thjeshtë, oficer policie, madje, një shofer furgoni që të dëshmonte për ketë “masakër”? Rezultati ishte ky: të gjithë sbqiptarët që patën hyrë në ambasada, ishin shëndoshë e mirë, pa përjashtim. Ata do të fillonin jetën e tyre të re (ashtu siç e zgjodhën vetë), ndërsa mjergulla e Malit me Gropa, do të davaritej përfundimisht.
Historia e fotos
Kur hynë 34 veta në ambasadën gjermane me makinë, pasi e çanë murin e saj, Dilaver Bengasi shkon në vendngjarje. Atje gjen zbuluesin gjerman, të cilin e pyet nëse e kishte parë policin e shërbimit. Gjermani i përgjigjet se brenda territorit të ambasadës nuk kishte asnjë polic. Bengasi i thotë se po pranonin në ambasadë njerëz me precedente penale që, sipas tij, mund të ishin të rrezikshëm edhe për Trupin Diplomatik aty. Zbuluesi qëndroi ftohtë dhe nuk tha asnjë fjalë, por kërkoi që Bengasi të largohet. Ministri i Jashtëm gjerman, Gensher, në takimin që pati me disa persona që kishin hyrë në ambasadën gjermane, Ylli Bodinakun etj, ndërsa i falenderoi për veprimin, u jep atyre foton duke u thënë: “Ja drejtori i Policisë Shqiptare, me diplomatin tonë”
Krijoni Kontakt