“Trishtimi që më japin lajmet për zhdukje fëmijësh”


Genti Metaj

Lexova artikullin mbi birësimin e kontestuar prej nënës së fëmijës. Opinioni publik shqiptar po dëgjon të flitet gjithnjë e më tepër për këtë shtëpi fëmijësh në Elbasan. Nuk e di se si mund të birësohet një fëmijë pa dijeninë e prindit që e lind, edhe pse ai e ka vendosur në një shtëpi fëmije. Mund të luhet me çdo gjë në këtë botë, por jo me fëmijën. Aty nuk ka më vend për tendera, për miq e farefisni. Nuk mund të nxjerrim në ankand fëmijët tanë, nuk mund të bëjmë sehir kur zhduken kërthinj e aq më keq nuk mund të lejohet më vazhdimësia e aktivitetit të kësaj shtëpie fëmijësh. Institucionet shtetërore duhet të na thonë nëse kjo shtëpi fëmijësh është fajtore dhe duhet mbyllur, ose të provojë se akuzohet pa të drejtë. Ndoshta nesër do të lexoj ndonjë deklaratë zyrtare se nëna e fëmijës është gabuar kur ka firmosur, por përsëri nuk do të jem i qetë. Ai fëmijë, si dhe shumë të tjerë që nuk dihet se ku janë sot do të enden si fantazma në ëndrrat e mia, edhe pse nuk mund të bëj më shumë sesa t’i lutem Zotit që ata të jenë shëndoshë e mirë. Pra të nderuar politikanë, tregoni se jeni më pak dinjitet, tregoni se dini të reagoni për probleme të tilla, mos kini mëshirë ndaj këtyre institucioneve bamirëse, apo dhe ndaj ndonjë politikani të implikuar në këto histori. Ju përfaqësues të shoqërise civile, ju gazetarë e njerëz të thjeshtë, bashkë me mua po pranoni netët e gjata dhe të ftohta pa drita e ngrohje, po pranoni pazarllëqet që bën politika në kurriz të vendit, po hamë veten me dhëmbë e po themi: nesër do të jetë më mirë, por ju lutem mos pranoni të heshtni kur zhduken fëmijë. Zgjohuni nga gjumi, po zhduken ata që na ngrohin shpirtin, ata që na bëjnë të harrojmë varfërinë, hallet, mjerimin. Pra mjaft! Fëmijët tanë do të na gjykojnë një ditë, ata do të mendojnë se e njëjta gjë mund të kishte ndodhur dhe me ta. Nuk e di nëse mallkimi i fëmijës ekziston apo jo, por nëse ekziston, besoj se ai nuk është më i lehti që ekziston në këtë botë të ndotur me indiferencë e individualizëm.
O zot na ruaj fëmijët se ne dhe shteti ynë nuk mundemi!

26-06-2004