Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 27 prej 27
  1. #21
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    “Nuk mund te ekzistoje nje murg qe ankohet, hakmerret apo nevrikoset kollaj” thote At Poimen. “Qe do te thote, kushdo qe ka keto cilesi nuk mund te jete murg edhe nese vesh roben e murgut.”

    * * *

    “Kur isha i ri,” rrefen At Isidoros, “Shkova ne qytet qe te shitja shportat, dhe e ndjeva qe me pushtuan nervat. I lashe shportat dhe u ktheva me vrap ne qeline time.”


    * * *

    “Gjejeni udherefimin e Zotit ne menyre te vazhdueshme dhe plot etje per dije ne librat e mesuesve hyjnore, sepse ne kete menyre mendja juaj do te udhezohet se si te shohi regullin mahnites ne Krijesen e Perendise dhe veprat e Tij. Ne kete menyre mendja forcohet dhe formon, nepermjet studimit te thelle, ndjesi dhe mendime qe shkelqejne me driten; ne fund, studimi i librave te mesuesve hyjnore e ndihmon mendjen qe te avancoje me pasterti shpirterore ne dijet me te thella te Krijeses se Zotit.

    “Kur studioni, tregoni kujdes qe te jeni te qete ne cdo aspekt, i cliruar nga shqetesimet e shumta njerezore dhe nga turbullimet qe ngjarjet e ndryshme te jetes krijojne ne shpirt. Vetem atehere do te provoni shijen e embel te kuptimit te doreshkrimeve. Shpirti do te ndjeje ndjesine me te thelle te tij dhe do te impresionohet pa mase, duke gezuar ne menyre mistike".

    “Tregoni respekt ndaj librave dhe mesimeve shkrimtareve te mirefillte, dhe mos i shikoni ato si libra me vlere te jashtme qe nuk marrin parasysh fjalet hyjnore, ne menyre qe te mos mbeteni te verber deri ne fund te jetes tuaj dhe te jetoni me me deshiren e perfitimeve qe ato libra dhurojne, kaq te dashura per Zotin.

    “Perkushtojani veten leximit te shkrimeve hyjnore, qe i shfaqin njerezve qartesine e madheshtise hyjnore, edhe nese per momentin nuk i shijoni menjehere embesine e ketyre ndjesive, pasi mendja juaj nuk eshte pastruar dhe cliruar nga bota materiale.

    “Kur jeni duke u bere gati te meditoni perpara se te luteni, ne vend qe ta lodhni mendjen me cfare degjoni dhe shikoni, gjeni strehe ne kuptimin me te thelle te ndjesive per te cilat lexuat ne shkrimet e shenjta, dhe harrojini shqetesimet mbi gjerat njerezore; ne kete menyre, mendja juaj do filloje te pastrohet. Dhe ky eshte kuptimi i thenies: ‘Shpirti ndihmohet nga leximi kur qendron ne lutje dhe si rrjedhim ndricohet nga leximi fale lutjeve.’

    “Per aq kohe sa njeriu nuk merr Qetësuesin ne shpirtin e tij, ai ka nevoje per Shkrimet Hyjnore, ne menyre qe te shkruaje ne zemren e tij kujtesen e gjithckaje qe eshte e mire, dhe fale leximit te vazhdueshem, rifreskon brenda vetvetes nje impuls drejt se mires. Ne kete menyre, shpirti do te mbroje vetveten nga rruget e fshehta te mekatit atehere kur ende nuk ka marre Shpirtin e Shenjte per te hequr harresen nga mendja, harrese e cila e shtyn mendjen te harroje mesime me vlere per shpirtin dhe e shtyn mendjen te rendi e vije verdalle rreth mendimeve te pa frytshme.

    “Kur me ne fund Shpirti i Shenjte ulet ne fakultetin e shpirtit, qe vepron me ndihmin e ketij Shpirti te Shenjte, atehere urdherimet e Shpirtit te Shenjte, ne vend te Shkrimeve te Shenjta, zene rrenje ne zemer prej nga njeriu meson ne menyre mistike nepermjet Shpirtit, pa pasur nevoje te nje materiali te perceptueshem ne rrugen e ndertimit shpirteror” (At Isaak).

  2. #22
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Disa femije te vegjel iu mblodhen Shen Makarios rreth kembeve nje dite dhe iu luten qe ti mesonte si te luteshin.

    “Gabimi me i madh qe ne bejme kur lutemi,” u pergjigj ai, “eshte menyra se si lutemi. Mjafton qe nje njeri te ngreje mendjen ne qiell dhe te thote me plot goje, ‘Zot, ki meshire dhe le te behet ashtu sic di dhe sic deshiron Ti.’ Kjo eshte lutje.

    “Ama kur e ndjen sulmin e forte te djallit qe vepron mbi te, apo rebelimin e pasioneve te ulta, le te vrapoje me besim tek Ati Qiellor dhe le ti qaje Atij, jo me goje por me zemer: ‘Zot, me ndihmo.’ Ai e di se si te ndihmoje nje Shpirt qe i afrohet Atij me besim.”


    * * *


    “Nese deshira e Mbreterise se Qiellit te djeg shpirtin si nje flake zjarri, te jesh i sigurt qe shpirti yt shume shpejt do te behet sundimtar i Mbreterise se Qiellit,” na thote At Iperechios.


    * * *


    Nje njeri shume i shenjte i diteve tona jetonte ne nje vend ku Kisha e Shenjte Orthodhokse vuante persekutimin me te madh dhe ndiqej nga spiunet e shtetit qe urrenin Zotin. Besimtari i devotshem merrte rregullisht ushqime dhe furnizime per veten dhe per Eterit qe strehoeshin bashke me te. Kur po ikte te merrte ushqime ne nje dite me debore, Eterit vune re se besimtari i devotshem kishte lene gjurme ne debore teksa dilte nga pylli. Eterit e kuptuan qe vendi ku ata ishin fshehur mund te gjendej kollaj nga spiunet vetem duke ndjekur hapat e besimtarit ne debore. Nga deshperimi ata iu drejtuan Atit me te vjeter qe i lutej pa pushim Hyjelindeses se Bekuar per ndihme. Kaq e pranueshme ishte lutja e tij, aqsa menjehere, nje tufe zogjsh u ulen nga qielli duke cukitur mbi gjurmet ne debore derisa shuan cdo gjurme.


    * * *


    Nje Nene e Shenjte e Kishes e kohes qe ne jetojme, ishte kthyer ne shtepine e saj nga autoritetet, pasi kishte figuruar si e humbur per disa dite. Ishte gjetur e ulur ne rruget me te pista dhe ne lagjen me te varfer te qytetit, ne pamje te jashtme e braktisur dhe e poshteruar nga ata qe kalonin prane. Vajzat e saj shpirterore, te habitura nga gjendja e saj, nxituan qe ta pyesnin per nje shpjegim te mundshem. Ajo u tha atyre: “Ju, femijet e mi, me keni mua qe tu mesoj qe te beheni te bindura. Por une nuk kam njeri qe te me mesoje.”

    Dhe keshtu vullnetarisht gruaja vuante abuzimin e njerezve ne rruge duke u perpjekur qe te ruante perulesine e saj.

  3. #23
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Joan i Shkurtri

    Joan i Shkurtri, i biri i prindërve të varfër nga Tese, ka lindur rreth vitit 339. Historia e dytë ne listë duket qartë që i përket rinisë së tij në shtëpi përpara se të bëhej murg, teksa jetonte ende me familjen e tij. Në moshën 18 vjeçare ai shkoi në Sketis dhe u trajnua nga Abba Amois (Abba do të thotë At në hebraisht) për 12 vjet. Duke qënë një prej karaktereve më të mirënjohur në shkretëtirë, ai tërhoqi pas vetes shumë dishepuj dhe në mënyrë që të ruante vetminë e tij, hapi një gropë nën tokë. Ai më vonë u hirotonis prift dhe një numër i thënieve të tij që janë regjistruar dhe ruajtur, tregojnë rëndësinë e tij në sytë e dishepujve të tij. Pas vitit 407 ai shkoi në Suez dhe në Malin e Andonit.


    1. Thonë se Abba Joan i Shkurtri u tërhoq në shkretëtirën e Sketis dhe jetonte me një plak nga Thebes. Abba i tij, pasi mori një dru të thatë e mbolli dhe i tha atij: "Vadite përditë me nje kanë me ujë derisa të japi frute." Puna ishte se ujin e merrnin shumë larg aqsa i duhej të nisej mbasdite dhe të kthehej në mëngjes. Pasi kishin kaluar 3 vjet druri mori jetë dhe dha fruta. Atëherë plaku mori një copë të frutit dhe e shpuri në kishë që t'ua tregonte vëllezërve të tjerë murgj duke iu drejtuar me fjalët: "Merrni dhe hani frutin e bindjes."


    2. Thonë se një ditë Abba Joan i Shkurtri i tha të vëllait më të madh: "Dua që të jem i çliruar nga të gjitha përkujdesjet e jetës dhe të jem si engjëjt të cilët nuk punojnë por vetëm i ofrojnë adhurim papushim Perëndisë." Kështu që e hoqi robën nga trupi dhe iku në shkretëtirë. Pas një jave u kthye përsëri tek i vëllai. Kur trokiti në portë dëgjoi të vëllanë që ti thërriste nga brenda para se ta hapte portën:"Kush je ti?". Ai i tha, "Jam unë Joani, vëllai yt." Por ai iu përgjigj, "Joani është bërë engjëll dhe nuk jeton më mes njerëzve." Por Joani vazhdoi ti lutej, "Jam unë, Joani." Megjithatë, i vëllai nuk ia hapi derën por e la jashtë deri në mëngjes. Kur erdhi mëngjesi e hapi derën dhe i tha, "Ti je njeri dhe të duhet të punosh përsëri që të hash." Joani pastaj u përul para tij duke i thënë, "Më fal."


    3. At Joan i Shkurtri tha, "Nëse një mbret do të pushtojë një qytet të armikut, i duhet të fillojë duke i prerë në fillim ujin dhe ushqimin në mënyrë që armiku duke vdekur nga uria të dorëzohet. Është e njëjta gjë edhe me pasionet e mishit të trupit: nëse njeriu mban agjërim dhe ndihet i urritur, armiqtë e shpirtit të tij dobësohen."


    4. Ai tha gjithashtu, "Ai që ha si i babëzitur dhe flet me një djalë të ri e ka bërë në mendjen e tij mëkatin e kurvërimit me të."


    5. Ai tha gjithashtu, "Kur mora rrugën përsëri për të shkuar në Sketis me disa litarë në duar, e pashë drejtuesin e gamiljes duke folur dhe ai më bëri të inatosur, kështu që i lashë të gjitha gjërat që kisha dhe ika fare."


    6. Në një rast tjetër gjatë verës, ai dëgjoi një vëlla murg që po i fliste me inat një fqinji dhe tha, "Ah! Edhe ti?" I la fare të korrat dhe iku fare.


    7. Disa pleq po argëtoheshin duke ngrënë një vaft së bashku dhe në mes tyre ishte edhe Abba Joan i Shkurtri. Një prift i nderuar u ngrit për të ofruar një pije por askush nuk e pranoi ta merrte përveç Abba Joanit të Shkurtër. Ata u habitën dhe i thanë atij, "Si ka mundësi që ti që je më i riu guxove që ta pranosh pijen nga prifti." Dhe ai u tha atyre, "Kur unë ngrihem që të ofroj një pije, gëzohem kur dikush e pranon sepse unë e madh shpërblimin tim. Kjo është arsyeja përse unë e mora pijen e ofruar nga prifti, që edhe ai të marri shpërblimin e tij dhe të mos mërzitet kur të shohë që askush nuk do ta pranonte atë që ai ofroi." Kur i dëgjuan këto fjalë, u mbushën të gjithë me çudi dhe mësuan nga gjykimi i tij.


    8. Një ditë kur Abba Joani ishte ulur përpara Kishës, vëllezërit po e konsultonin për mendimet e tyre. Një nga pleqtë e tjerë që i pa të mbledhur u bë pre i xhelozisë dhe i tha Abba Joanit: "Joan, ena tënde është plot me helm." Abba Joani i tha atij, "Ajo është mëse e vërtetë abba dhe ti e the këtë gjë vetëm duke parë anën e jashtme, po sikur të shikoje edhe anën e brendshme, çfarë do të thoshe atëherë?"


    9. Vëllezërit na tregonin se si njëherë ishin ulur të hanin ushqim pas liturgjisë dhe njëri prej vëllezërve në tavolinë filloi të qeshte. Kur e pa Abba Joani, ai filloi të qante duke thënë: "Çfarë ka ai vëlla në zemër që qesh kur duhet të ishte duke qarë sepse po ha ushqimin e liturgjise?"


    10. Disa vëllezër erdhën një ditë që të testonin për të parë nëse Abba Joani do ta humbiste kontrollin mbi mendimet e tij dhe do të mund të fliste për gjërat e kësaj bote. Ata i thanë: "Ne e falenderojmë Perëndinë që këtë vit ra shumë shi dhe pemët e palmave mundën që të pinin ujë dhe gjethet e tyre u rritën mirë, kështu që vëllezërit siguruan punën." Abba Joani u tha atyre: "Kështu është kur Shpirti i Shenjtë zbret në zemrat e njerëzve, ata rinovohen dhe nxjerrin gjethe me frikën e Perëndisë."


    11. Tregojnë se një ditë ai po thurte thupra për dy shporta, por arriti që ti thurte të gjitha thuprat për një shportë, aqsa kur e përfundoi nuk e kishte mendjen fare, e kuptoi vetëm kur shporta arriti deri tek muri, pasi ishte i zënë duke menduar për punët e Perëndisë.


    12. Abba Joani tha: "Unë jam si ai njeriu i ulur poshtë një peme që shikon se si një numër i madh egërsirash dhe gjarpërinjsh e sulmojnë. Kur nuk u bën dot më ballë, ai ngjitet në pemë dhe shpëton. E njëjta gjë ndodh edhe me mua. Ulem në qelinë time dhe jam në dijeni të mendimeve djallëzore që më sulmojnë, dhe kur nuk kam më fuqi që t'u bëj ballë, strehoem tek Perëndia duke u lutur dhe kështu shpëtoj nga armiku."


    13. Abba Poemeni tha për Abba Joanin e Shkurtër se ai i ishte lutur Zotit që t'ia hiqte pasionet në mënyrë që të çlirohej nga përkujdesjet e jetës. Ai vajti dhe i tha një plaku këto fjalë: "E gjej veten në paqe, pa asnjë armik", - tha Abba Joani. Plaku ia ktheu: "Shko përgjëroju Perëndisë që të të lejojë tundimet në mënyrë që ti të rifitosh vuajtjet dhe përulësinë që kishe më parë, sepse vetëm me anë të tundimeve shpirti bën progres." Dhe ai iu përgjërua Perëndisë dhe kur tundimet u rikthyen, ai nuk u lut më Perëndisë që t'ia hiqte tundimet, por tha: "Zot, më jep fuqi për këtë betejë."


    14. Abba Joani tha: "Ja se çfarë tha një plak që ishte në ekstazë: "Tre murgj ishin duke qëndruar në breg të detit dhe një zë u erdhi nga ana tjetër duke u thënë: "Merrni krahët prej zjarri dhe hajdeni këtu tek unë". Dy të parët i morën krahët e zjarrtë dhe kaluan në bregun tjetër, por i treti qëndroi duke qarë dhe duke psherëtitur shumë. Por më vonë, krahë iu dhanë edhe atij por nuk ishin prej zjarri por të dobët dhe pa fuqi, kështu e kaloi edhe ai detin por me shumë vështirësi, herë duke fluturuar mbi ujë dhe herë nën ujë. Kështu ndodh edhe me brezin e sotëm. Nëse u janë dhënë krahë, nuk janë krahë zjarri por janë të dobët dhe pa fuqi.""


    15. Një vëlla e pyet Abba Joanin duke i thënë: "Si ka mundësi që shpirti im i gërvishtur me plagë nuk skuqet kur flet keq për fqinjin tim? Plaku i tregoi një histori që kishte lidhje me përgojimin: "Ishte një burrë i varfër që kishte një grua. Ai një grua tjetër të bukur dhe e mori. Ishin të dyja të zhveshura. Bëhej një festë aty afër dhe të dyja gratë iu lutën që ti merrte me vete. Ai i mori të dyja, i futi në një fuçi dhe e hipi në një anije që i shpuri atje ku bëhej festa. Kur ra vapa, njerëzit u ulën që të qetoheshin. Njëra prej grave nxorri kokën nga fuçia dhe kur pa që nuk kish njeri, vajti tek një pilog mbeturinash aty afër, bëri nje korse me copëzat e roburinave që gjeti, e veshi korsenë dhe filloi të levizte pa teklif vërdallë. Kurse gruaja tjetër që ishte akoma brenda në fuçi kur e pa tha: "Shiko atë të përdalën që nuk i vjen turp fare të eci vërdallë lakuriq!" Kur e dëgjoi këtë, burrit i erdhi keq dhe i tha asaj: "Kjo është mrekullia vetë! Ajo të paktën e fsheh lakuriqësinë e saj por ti je krejt lakuriq, si nuk të vjen turp që e thua atë gje?" E njëjta gjë është edhe kur dikush përgojon për keq fqinjin e tij.


    16. Plaku i tha këto fjalë një vëllai në lidhje me shpirtin që do të konvertohet: "Në një qytet jetonte një lavire që kishte shumë dashnorë. Një nga njerëzit me pushtet iu afrua dhe i tha këto fjalë: "Më premto që do të sillesh mirë dhe une do të martohem me ty." Ajo i premtoi dhe ai e mori në shtëpinë e tij. Të dashurit e saj kur e morën vesh i thanë njëri-tjetrit: "Ai zotnia e ka marre atë në shtëpinë e tij, kështu që nuk i vemi dot nga dera kryesore se po i vajtëm ai e mëson dhe na denoncon. Por hajde ti vemi nga mbrapa shtëpisë dhe ti fishkëllejmë. Ajo kur ta dëgjojë fishkëllimën ka për të na njohur dhe do të vijë poshtë, dhe kështu ne nuk rrezikojmë gjë vetë." Kur dëgjoi fishkëllimat gruaja i zuri veshët me duar, u fut në dhomën më në brendësi të pallatit dhe i mbylli dyet. Plaku tha se kjo grua e përdalë është shpirti ynë, pasionet dhe njerëzit e tjerë janë të dashurit e saj. Zoti është Krishti që është dhoma e brendshme e strehimit të përjetshëm. Ata që fishkëllejnë janë demonët, por shpirti gjithmonë strehoet tek Zoti.


    17. Një dite Abba Joani po shkonte lart në Sketis me disa vëllezër të tjerë dhe udhërrëfyesi i tyre e humbi rrugën pasi sapo kishte rënë muzgu. Vëllezërit i thanë Abba Joanit: "Çfarë të bëjmë Abba që të mos vdesim duke ardhur vërdallë kot pasi udhërrëfyesi e ka humbur rrugën?" Plaku u tha atyre: "Nëse i flasim atij, ai do të mbushet me marraz dhe turp. Po shikoni, unë do bëj sikur jam sëmurë dhe nuk mund të eci më gjatë, kështu që mund të kalojmë natë këtu deri në agim." Dhe kështu bëri, dhe vëllezërit e tjerë thanë "As ne nuk do të ecim më gjatë por do të qëndrojmë këtu me ty". Qëndruan atje deri në agim dhe kështu nuk e mërzitën vëllain udhërrëfyes.


    18. Ishte një plak në Sketis që e mundonte shumë trupin por nuk ishte shumë i kthjellët në mendime. Shkoi të takonte Abba Joanin që ta pyeste për harresën. Pasi dëgjoi fjalën e Abba Joanit shkoi në qelinë e tij por harroi se çfarë i kishte thënë Joani. Shkoi prapë tek Abba Joani dhe pasi dëgjoi të njëjtat fjalë, shkoi prapë për në qelinë e tij me fjalën e Joanit në mendje. Sapo iu afrua qelisë e harroi përsëri se çfarë i kishte thënë Abba Joani. I kish bërë vaki shumë herë kjo gjë, sa nisej për në qelinë e tij e pushtonte harresa. Më pak, kur takoi përsëri Abba Joanin iu drejtua me fjalët: "A e di Abba qe unë përsëri e harrova se çfarë më the? Nuk erdha të të pyesja përsëri pasi nuk doja që të shqetësoja." Abba Joani i tha: "Shko e ndiz nje fener." Plaku e ndezi fenerin. Pastaj Abba Joani i tha: "Sill ca fenerë të tjerë dhe ndizi nga drita e fenerit që ke në dorë." Dhe plaku bëri siç i thanë. Pastaj Abba Joani iu drejtua plakut: "A ka humbur gjë ai feneri me dritën e të cilit ndeze fenerët e tjerë?" "Jo", vazhdoi plaku. "E njëjta gjë edhe me Joanin, edhe sikur gjithë Sketis të vinte për të më takuar, nuk do të me ndanin dot mua nga dashuria për Krishtin. Prandaj, sa herë që të duash, hajde pa hezitim që të më takosh." Kështu, falë durimit të këtyre dy burrave, Zoti ia largoi harresën plakut. Të tilla ishin punët e murgjve të Sketis, frymëzonin zjarr të brendshëm e ngrohtësi tek ata që ishin në konflikt dhe e dhunonin trupin e tyre në mënyrë që t'i shtynin të tjerët që të bënin mirë.


    19. Një vëlla e pyeti Abba Joanin: "Çfarë duhet të bëj? Një vëlla vjen të më marri për në punë por meqë jam sëmurë dhe i dobët, lodhem shpejt nga puna, çfarë duhet të bëj në mënyrë që të mbaj urdhërimet e Zotit?" Plaku iu përgjigj duke thënë: "Kalebi i tha Joshuas, birit të Nunit: "Isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i Perëndisë, më dërgoi me ty në shkretëtirë në këtë tokë, tani jam 85 vjeç, dhe si atëherë dhe tani unë përsëri marr pjesë në betejë dhe tërhiqem prej saj." (cf. Jos. 14:7-11). Në të njëjtën mënyrë edhe ti, nëse je i fortë që të shkosh në punë dhe të kthehesh, shko në punë, por nëse nuk e bën dot, ulu në qelinë tënde dhe vajto për mëkatet e tua dhe kur të të mbërtheje keqardhja nuk do të vijë për të dalë jashtë nga qelia."


    20. Abba Joani tha: "Kush e shiti Josifin?" Njëri prej vëllezërve u përgjigj: "E shitën vëllezërit e tij." Plaku i tha atij: "Jo, ishte përulësia e tij që e shiti sepse ai shumë mirë mund të thosh "Unë jam vëllai i tyre" dhe mund të kundërshtonte, por duke mos folur, e shiti veten me përulësinë e tij. Ishte prapë përulësia e tij që e ngriti ne krye të Egjiptit."


    21. Abba Joani tha: "E kemi vënë barrën e lehtë në një krah, që do të thotë, vetë-akuzim, dhe e kemi ngarkuar vetveten me nje barrë të rëndë, që do të thotë, vetë-justifikim".


    22. Ai tha gjithashtu: "Përulësia dhe frika e Zotit qëndrojnë më lart se gjithë virtytet."


    23. Abba Joani ishte ulur në kishë një ditë dhe psherëtiti pa vënë re se dikush tjetër ishte ulur prapa tij. Kur e vuri re ai u gjunjëzua para tij duke i thënë: "Më fal abba, sepse akoma jam fillestar".


    24. I njëjti abba u tha dishepujve të tij: "Duhet të nderojme vetëm një, dhe të gjithë kanë për të na nderuar ne, sepse po përbuzëm njërin, Zotin, të gjithë do të na përbuzin ne dhe do të jemi të humbur."


    25. Tregojnë se kur Abba Joani po shkonte në kishë në Sketis, dëgjoi disa vëllezër që po ziheshin dhe u kthye menjëherë në qelinë e tij. Erdhi vërdallë qelisë tre herë dhe pastaj u fut brenda në të. Disa vëllezër që e panë teksa vinte vërdallë po pyesnin veten se përse e bëri atë gjë dhe vajtën e pyetën. Ai u tha atyre: "Veshët e mi u mbushën plot me fjalët e asaj zënke prandaj erdha vërdallë qelisë në mënyrë që ti pastroj veshët dhe hyra në qeli me mendjen në qetësi."


    26. Një ditë njëri prej vëllezërve erdhi tek qelia e Abba Joanit. Ishte vonë dhe po nxitonte që të mos rrinte shumë. Teksa flisnin për virtytet, erdhi agimi dhe ata nuk e vunë re fare si kaloi gjithë ajo kohë. Abba Joani doli së bashku me të që ta përcillte dhe vazhduan të flisnin akoma deri në orën e 6. Pastaj Abba Joani e detyroi që të hynte prapë brenda dhe pasi hëngrën bukë, e përcolli.


    27. Abba Joani dha këtë këshillë, "Të bësh roje do të thotë të ulesh në qeli dhe të mbash në mendje tërë kohës Perëndinë. Ja se çfarë do të thote: "Isha duke bërë roje dhe Zoti erdhi tek unë" (Mateu 25,36)


    28. Ai tha gjithashtu, "Kush është i fortë sa luani? Dhe prapë së prapi, falë lakmisë së tij ai bie në rrjetë dhe gjithë fuqia i ulet".


    29. Ai tha gjithashtu se Etërit e Sketis hanin bukë dhe kripë dhe tha, "Ne nuk i shohim bukën dhe kripën si të jodomosdoshme". Prandaj ata ishin të fortë në punët e Perëndisë.


    30. Një ditë, njëri prej vëllezërve erdhi tek Abba Joan që të merrte disa shporta. Dhe ai doli jashtë dhe i tha, "Çfarë do vëlla?" "Shportat abba". Kur shkoi brenda që t'i merrte shportat harroi fare dhe u ul te thurte shporta përsëri. Përsëri vëllai trokiti në derë. Kur Abba Joani doli prapë tek dera, ai i tha, "M'i sill shportat abba." Plaku përsëri shkoi brenda dhe u ul për të thurrur përsëri. Edhe njëherë vëllai trokiti në derë dhe kur doli Abba Joani e pyeti, "Çfarë kërkon vëlla?" Ai iu përgjigj, "shportat abba". Atëherë, duke e marrë për dore, Abba Joani e futi brenda duke i thënë, "Nëse do shportat, merri dhe ik, pasi unë nuk kam kohë për gjëra të tilla."


    31. Një qeraxhi me gamilje erdhi një ditë që të merrte shporta dhe ti shpinte diku tjetër. Kur hyri brenda që të merrte shportat dhe t'ia sillte qeraxhiut, Abba Joani harroi fare pasi e kish shpirtin të fiksuar tek Perëndia. Qeraxhiu e shqetësoi përsëri duke i rënë portës dhe Abba Joani përsëri u fut brenda dhe harroi fare shportat. Qeraxhiu trokiti për herë të tretë ne derë dhe kësaj here Abba Joani hyri brenda duke përsëritur fjalët "Thurrje - gamilje, thurrje - gamilje." I përsëriste këto fjalë që të mos harronte.


    32. Abba Joani e kishte zemrën zjarr që i digjej përbrenda. Dikush që kish ardhur për ta takuar, i lavdëroi punët e tij, por ai qëndori pa folur sepse ishte duke thurur një litar. Vizitori filloi të fliste përsëri dhe ai vazhdonte të mos nxirrte fjalë nga goja. Herën e tretë, ai i tha vizitorit, "Që kur erdhi ma largove Perëndinë."


    33. Një plak vajti tek qelia e Abba Joanit dhe e gjeti në gjumë me një engjëll që i qëndronte mbi kokë duke i bërë freski. Kur e pa këtë, plaku u tërhoq. Kur Abba Joani u zgjua, e pyeti dishepullin e tij, "A erdhi njeri për të më takuar kur isha në gjumë?" "Po, nje plak" i tha dishepulli. Atëherë Abba Joani e kuptoi se ky plak ishte në një nivel shpirtëror me të, dhe e kishte parë engjëllin.


    34. Abba Joani tha, "Mendoj se është mirë që njeriu të ketë pak nga të gjitha virtytet. Prandaj, zgjohuni shpejt në mëngjes çdo ditë dhe merrni fillesën e çdo virtyti dhe çdo urdhërimi të Zotit. Tregoni një durim të madh, me frikë dhe vuajtje të gjata, në dashurinë e Perëndisë, me gjithë fuqinë e trupit dhe shpirtit tuaj. Ushtroni një përulësi të madhe, duroni me shqetësime të brendshme, tregohuni vigjilentë dhe lutuni shpesh me nderim dhe dhimbje, me fjalë të pastërta dhe kontroll të syve. Kur ju përbuzin mos u inatosni, por qëndro në paqe dhe mos iu përgjigj të keqes me të keqe. Mos i kushto vëmendje gabimeve të të tjerëve dhe mos u përpiq që të krahasosh veten me të tjerët, duke ditur që ju jeni më i pakët se gjithë gjërat e krijuara. Hiqni dorë nga çdo gjë materiale dhe ato që i përkasin mishit. Jetoni me kryqin, në luftë, në varfëri të shpirtit, në asketizëm shpirtëror vullnetar, në agjërim, pendim dhe lotë, në mprehtësi, në pastërti të shpirtit, duke arritur ato që janë të mira. Punoni në paqe. Këmbëngulni në mbajtjen e vigjiljes, urisë dhe etjes, të ftohtit dhe të zhveshurit, dhe në vuajtje. Mbylleni veten në varr sikur keni vdekur tashmë, në mënyrë që të mund të sillni ndër mend se në çdo moment vdekja është afër."


    35. Thonë për Abba Joanin se kur ai kthehej nga të korrat apo nga takimet me pleqtë, ai i nënshtrohej lutjes, meditimit dhe psallmodisë derisa mendimet t'i ktheheshin në gjendjen e mëparshme.


    36. Njëri prej Etërve ka thënë për të, "Kush është ky Joan që me përulësinë e tij e ka varur në gishtin e vogël gjithë Sketis?"


    37. Njëri prej Etërve e pyeti Abba Joanin e Shkurtër, "Çfarë është murgu?" Ai i tha, "Murgu është një punë e rëndë. Murgu raskapitet në çdo gjë që bën. Ky ështe murgu."


    38. Abba Joani i Shkurtër tha: "Ishte njëherë një plak shpirtëror që bënte një jetë të izoluar nga bota. Ai vlerësohej shumë lart në qytet nga njerëzit dhe kishte një reputacion të madh. I thanë se një plak që ishte duke vdekur e kish kërkuar atë që ta përqafonte para se të jepte shpirt. Ai i tha vetes, nëse vete ditën, njërëzit do të ndjekin nga pas duke më nderuar pa masë, dhe unë nuk do gjej qetësi dot fare. Kështu që po vete më mirë në mbrëmje në të ngrysur që të mos më shohi njeri në qytet. Por ishte errësirë dhe Zoti dërgoi dy engjëj me fenerë që ti bënin dritë. Dhe pastaj gjithë qyteti doli përjashta që të shikonin lavdinë e tij. Sa më shumë që u mundua që ti largohej ndereve, aq më shumë u nderua. Në këtë u përmbush ajo që është shkruar: "Ai që e përul veten do të lartësohet" (Lluka 14:11)"


    39. Abba Joan i Shkurtri tha: "Një shtëpi nuk ndërtohet duke e filluar nga çatia e pastaj duke u ulur poshtë. Duhet të filloni me themelet që të arrini deri ne çatia." Dhe njerëzit e pyetën: "Çfarë do të thotë kjo?" Ai u tha: "Themeli ështe fqinji ynë, të cilin duhet ta bëjmë për vete, dhe ai është vendi ku duhet të fillojmë. Sepse të gjitha urdhërimet e Krishtit varen nga kjo."


    40. Në epokën kur asketizmi lulëzonte në Egjipt, jetonte një vajzë jetime me emrin Taisia. Kur prindërit e saj i vdiqën i lanë si trashëgimi mbi të gjitha mëshiren dhe dashurinë që ata tregonin ndaj të varfërve; ashtu siç i lanë edhe një shtëpi të madhe dhe shumë para.
    Vajza duke i ardhur keq për murgjit, u ofroi shtëpine e saj atyre sa herë ata vinin në qytet për të shitur veprat e tyre artistike, dhe kujdesej për ta me gjithë zemër. Me kalimin e viteve paratë e Taisia mbaruan dhe ajo ishte vetë në ditë të hallit. Kjo e detyroi që të bier në kontakt me njerëz të djallezuar e matrapazë. Ata shfrytëzuan gjendjen e keqe të Taisia për ti vjedhur gjithë pasurinë e saj. Taisia e bukur përfundoi si një prostitutë e mirënjohur.
    Kur etërit e shkretëtirës mësuan se çfarë i kish ndodhur vajzës jetime, ata vendosën që të bënin të pamundurën për ta ndihmuar atë.
    “Kur ishte në gjendje, ajo tregoi konsideratë të lartë për ne” i thoshin vetes. “Tani që Shpirti i saj është në rrezik, jemi ne që duhet t'ia kthejmë borxhin.” Dhe etërit vendosën që këtë detyrë delikate dhe të vështirë t'ia besonin Abba Joanit të Shkurtër.
    Ne fillim ai hezitoi. Detyra e caktuar iu duk e parealizueshme. Më në fund, për të mos u treguar i pabindur ndaj Etërve, ai vendosi që të shkojë në qytet tek shtëpia ku punonte vajza mëkatare. Kur arriti tek dera, ai i kërkoi të zonjës së shtëpisë që ta shoqëronte tek Taisia.
    “Ik që këtej o murg plak,” i bërtiti ajo në fytyrë. “Ia hëngrët gjithë pasurinë dhe akoma nuk e lini të qetë.”
    Ati nuk u diskurajua. Ai insistoi të takonte Taisia; “në lidhje me diçka tepër të rëndësishme për të,” tha ai. Duke u përballur me këmbenguljen e plakut, e zonja e shtëpise u dorëzua dhe shkoi që të njoftonte vajzën.
    “Këta murgj peshkojnë tërë kohës në Detin e Kuq dhe gjejnë ruaza,” tha Taisia. “Sille lart.” Pa veten e saj në pasqyrë, i drejtoi flokët e saj mbi trup, spërkati fytyrën me parfum, dhe u shtri në divan duke pritur murgun.
    At Joani shkoi në dhomen e saj duke psherëtitur. Qëndroi përballe saj. E shikonte vajzën me përbuzje për pak minuta dhe nuk foli asnjë fjalë. Më në fund ai i tha asaj me një zë të butë: “Në çfarë mënyre të ofendoi Krishti ty Taisia, që i reziston atij në këtë mënyrë të pamëshirshme?” Ati ndaloi. Nuk mund të vazhdonte. Psherëtimat e mbërthyen atë. Lotë të zjarrtë ranë nga kupat e plakura të syve. Vajzës i erdhi turp.
    Duke u ngritur nga divani, ajo e pyeti murgun e shqetësuar: “Përse qan o At?”
    “Si mund të ri pa qarë vajza ime, kur unë shoh Satanin para fytyrës tënde që luan me ty?”
    Vajza u shokua. Trupin e saj e mbërthyen të dridhura.
    “Tani që erdhe o At, është shumë vonë. Nuk ka mbetur asgjë e drejtë më brenda meje. Jam zhytur e tëra në llum,” mërmëriti vajza.
    Ajo donte të thosh edhe diçka tjetër por ndaloi. Ati qëndronte me duart e kryqëzuara në gjoksin e tij. Ai po lutej me aq forcë brenda shpirtit të tij për shpëtimin e asaj vajze, aqsa u duk sikur po kërkonte që të tundte qiejt.
    “E si mund të ketë shpëtim për mua o At?” pyeti vajza me një notë dyshimi.
    “Sigurisht që ka bija ime” psherëtiti Ati me dhimbje. “Pendimi sjell shpëtimin.”
    Mbrekullia që ai po kërkonte me lutjet e tij, ndodhi atë moment. Taisia ra përtoke në gjunje përpara këmbëve të tij e vrarë në shpirt: “Më largo që këtej o At. Me trego rrugën e shpëtimit.”
    “Me ndiq mua.”
    Pa shumë fjalë, vajza u ngrit në këmbë dhe ndoqi Atin. Ai u çudit se si vajza nuk u shqetësua për shtepinë që la pas. Morën rrugën drejt shkretëtirës. Kur nuk kishin bërë as gjysmën e rrugës, i zuri nata. Ndaluan në një vend. At Joani preu disa shkure dhe bëri një krevat për vajzën që të shtrihej.
    “Fli deri në agim,” e këshilloi Ati. “Kemi akoma goxha rrugë për të bërë.”
    Ai vete u largua disa hapa nga vajza. Pasi mbaroi lutjet, u shtri mbi tokë që të pushtonte duke vënë kokën mbi një gurr. Flejti pak dhe u zgjua në mes të natës që të vazhdonte lutjet e tij. Pastaj i doli përpara syve një pamje madhështore. Nga vendi ku ai kishte lënë vajzën që të flinte u krijua një rruge e ndriçuar e cila ngjitej deri në qiell. Engjëjt e bardhë si pëllumba ishin duke ngjitur në qiell një shpirt tek Froni i Zotit. Shenjti ndenji për një kohe të gjatë me sytë e ngulura për nga qielli i ngazëllyer nga ajo që pa. Pastaj u ngrit dhe iu afrua vendit ku Taisia flinte. Ai bërtiti që ta zgjonte vajzën. Ajo nuk e dëgjoi. E tundi që të zgjohej. Vajza kishte vdekur.
    I prekur sa më s'tregohet, Ati u ul përpara trupit të pajetë dhe u lut për një kohë të gjatë. Pastaj dëgjoi një zë të ëmbël që e qetoi mendjen e tij të trazuar: “Edhe një kohë e shkurtër pendimi të thellë e ndihmon shpirtin të gjeje rrugën e shpëtimit.”


    41. Plaku tha se ishin njëherë 3 filozofë që ishin miq. I pari vdiq dhe la të birin nën kujdesin e njërit prej miqve të tij. Kur djali u rrit, ai pati marëdhënie seksuale me gruan e mikut të babait, i cili kur e mori vesh e përzuri djalin nga shtëpia. Edhe pse djaloshi iu lut që ta falte, kujdestari i tij nuk pranoi që ta takonte, por i tha: "Shko puno për tre vjet si hamall dhe do të fal". Dhe djali e bëri këtë gjë dhe erdhi prapë ta takonte pas 3 vjetësh. Kur e takoi, kujdestari i tha përsëri: "Përsëri nuk je penduar. Shko puno edhe 3 vjet të tjera dhe të gjitha të ardhurat që do fitosh jepua të varfërve dhe duro të gjitha të sharat." Dhe djali i bëri të gjitha siç i tha kujdestari. Pas 3 vjetësh, kujdestari i tha: "Tani shko në Athinë e mëso filozofi." Ishte një plak që rinte tek dera e filozofit dhe i shante të gjithë ata që hynin aty. Kur e shau djaloshin e ri, djaloshi filloi të qeshi dhe plaku i tha: "Pse qesh kur unë sapo të shava?" Djaloshi ia ktheu: "Pse, a nuk pret që unë të qesh? Për 3 vjet kam paguar njerëz që të shajnë dhe tani po më shajnë falas. Ja pra pse qesha." Abba Joani tha: "Dera e Zotit është si kjo histori, dhe ne Etërit durojmë shumë të shara në mënyrë që të hyjmë në qytetin e Zotit me plot gëzim."


    42. Abba Joani i tha të vëllait: "Edhe nëse në sytë e njerëzve ne jemi të përbuzur, le të gëzojmë se jemi të nderuar në sytë e Perëndisë."


    43. Abba Poemen tregon se Abba Joani tha se shenjtorët janë si një grup pemësh, secili jep fruta të ndryshme, por ama ujiten nga i njëjti burim. Praktika e një shenjtori ndryshon nga praktika e një shenjtori tjetër, por është i njëjti Shpirt që vepron tek të gjithë ata.


    44. Abba Joani tha: "Nëse njeriu ka në shpirtin e tij mjetet e Perëndisë, ai do të jetë në gjendje që të qëndrojë në qelinë e tij, edhe nëse nuk ka asnjë nga mjetet e kësaj bote. Nëse njeriu ka mjetet e kësaj bote por i mungojnë ato të Perëndisë, ai përsëri mund ti përdori ato për të qendruar në qeli. Por nëse njeriu nuk ka as mjetet e Perëndisë dhe as ato të kësaj bote, është e pamundur për të të qëndrojë në qeli."


    45. Plaku ka thënë gjithashtu: "E dini se goditja e parë qe djalli i dha Jobit ishte nëpërmjet pasurisë së tij. Dhe e pa që kjo nuk e hidhëroi atë dhe nuk e ndau dot nga Perëndia. Me goditjen e dytë, i preku mishin e trupit, por athleti trim nuk mëkatoi me asnjë fjalë që doli nga goja e tij. Në fakt, ai kishte në zemrën e tij atë që i përket Perëndisë dhe u ushqye nga ai burim pa pushim."


    46. Një ditë Abba Joani ishte ulur në Sketis dhe vëllezërit iu mblodhën që ta pyesnin për mendimet e tyre. Një nga pleqtë i tha: "Joan, ti je si një prostitutë që tregon bukurinë e vet që të shtojë numrin e dashnorëve." Abba Joani e puthi dhe i tha: "Ke shumë të drejtë o At." Një nga dishepujt i tha: "A nuk të ngelet hatri në zemër për atë që të tha plaku?" Por ai ia ktheu: "Jo, jam njësoj si jashtë edhe brenda."


    47. Tregojnë se kur i jepnin rrogat për punën që kishte bërë gjatë të korrurave, i merrte dhe i shpinte në Sketis duke thënë: "Vejushat dhe jetimët e mi janë në Sketis."
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 29-04-2005 më 00:19

  4. #24
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    POEMENI (e thërrisnin Bariu)

    Thëniet e Abba Poemenit përbëjnë një të shtatën e të gjithë thënieve të këtij libri. Ka mundësi që këto thënie të kenë qënë bërthama prej të cilit lindi i gjithë libri. Abba Poemeni zihet në gojë edhe në shumë Thënie në këtë libër dhe në libra të tjerë. Nuk dihet me siguri nëse të gjitha këto thënie i përkasin një Poemeni, pasi Poemen (Bariu), ishte një titull i shpeshtë në Egjipt. As nuk dihet me siguri se për cilin Poemen bëhet fjalë: kemi Poemenin që takoi Rufinus në Pispir në vitet 370, dhe thëniet e lidhura me Shën Andonin, Amonasin, Piorin, Pambon, dhe Josifin të cilat do ti atribuoheshin atij si një plak në Skitis që jetoi në dekadën e fundit të shekullit të katërt. Ai mund të jetë i njëjti, ose mund të mos jetë i njëjti, me Poemenin që iku nga Skitis me 7 vëllezërit e tij në vitin 408 dhe jetoi më gjatë se Arseni (+449). Kontaktet e tij janë me ata që jetuan më afër shkatërimit të Skitis, Joanin e Shkurtër, Agathonin dhe Moisiun. Duket si më e mundshme se këto thënie vijnë nga ky grup që u vendos në Terenutbis. Duket me vend që një përkujtim i këtyre Thënieve të Pleqve të Mëdhenj të fillonte pikërisht atëherë kur epoka e parë duket se kish kaluar.

    Kjo përfshirje e Poemenit me familjen e tij vlen të sillet parasysh: përveç vëllezërve të tij, nëna e tij, nipi i tij dhe një fëmije që kish të bënte me të, te gjithë zihen në gojë. Lidhjet e afërta të murgjve egjiptianë me famijet dhe fshatrat e tyre shkëputeshin në mënyrë të vazhdueshme duke zgjedhur lirinë e jetës në shkretëtirë.



    1. Kur ishte ende i ri, Abba Poemeni shkoi një ditë tek një plak që ta pyeste për tre mendime të tij. Kur arriti tek plaku, ai harroi një prej tre mendimeve dhe shkoi prapa tek qelia e tij. Por teksa zgjati dorën që të kthente çelësin e derës, iu kujtua mendimi që kish harruar dhe e la çelësin në derë dhe u kthye përsëri tek plaku. Plaku i tha atij: "Shume shpejt vjen vëlla." Poemeni i tha plakut: "Në momentin që zgjata dorën që të ktheja çelësin mu kujtua mendimi që harrova, kështu që nuk e hapa derën, por u ktheva mbrapsht duke ndjekur hapat e mi." Duke ditur që rruga ishte goxha e gjatë, plaku i tha atij, "Poemen, Bariu i tufës, emri yt do të njihet në mbarë Egjiptin."


    2. Njëherë Paësiu, vëllai i Abba Poemenit, u bë shok me dikë jashtë qelisë së tij. Tani, Abba Poemeni nuk e donte një gjë të tillë. Kështu që u ngrit e shkoi tek Abba Amonas dhe i tha: "Paësiu, vëllai im, bë muhabet me dikë, kështu që unë nuk kam paqe." Abba Amonasi i tha atij: "Poemen, a je akoma gjallë? Shko e ulu në qelinë tënde dhe gdhënde në zemrën tënde që ti ke qënë në varr për një vit tashmë."


    3. Një ditë prifti i distriktit erdhi në manastirin ku Abba Poemeni ishte. Abba Anoubi erdhi dhe i tha atij: "Hajde të ftojmë priftin brenda sot." Por ai qëndroi për një kohë të gjatë pa i dhënë asnjë përgjigje dhe Abba Anoubi iku shumë i ofenduar. Ata që ishin ulur në krah të Poemenit i thanë: "Abba, përse nuk iu përgjigje atij?" Abba Poemeni u tha atyre, "Nuk është puna ime, se unë jam i vdekur dhe njeriu i vdekur nuk flet."


    4. Përpara se grupi i Abba Poemenit të vinte, ishte një plak në Egjipt që gëzonte një famë dhe reputacion të madh. Por kur grupi i Abba Poemenit u ngjit lart në Skitis, njerëzit e lanë plakun dhe shkuan të takonin Abba Poemenin. Abba Poemeni u mërzit nga kjo gjë dhe u tha dishepujve të tij, "Çfarë duhet të bëjmë për këtë plak të madh se njerëzit po e mërzisin se po ikin nga ai dhe po vinë tek ne që jemi hiç asgjë? Çfarë duhet të bëjmë që ta ngushëllojmë këtë plak?" Ai u tha atyre: "Bëni gati pak ushqim dhe merrni edhe një lëkurë me verë dhe le të shkojmë e të hamë me të. Dhe kështu do të jemi në gjendje që ta ngushëllojmë." Dhe bënë gati ca ushqim dhe shkuan tek plaku. Kur trokitën tek dera, dishepujt e plakut iu përgjigjën duke u thënë, "Kush jeni ju?" Ata iu përgjigjën, "Thojini plakut që është Poemeni që do të bekohet nga ai." Dishepulli i raportoi plakut brenda dhe plaku e dërgoi jashtë që tu thosh "Ikni se nuk kam kohë." Por edhe pse bënte vapë e madhe, ata këmbëngulën duke thënë, "Ne nuk ikim që këtej pa na lejuar që të shohim plakun." Kur pa përulësinë dhe durimin e tyre plaku u mbush me pendesë dhe ua hapi derën. Pastaj shkuan brenda e hëngrën së bashku. Gjatë të ngrënit plaku tha: "Me të vërtetë, jo vetëm ato që kam dëgjuar unë për ty janë të vërteta, por veprat e tua qenkërkan 100 fish më të mëdha" dhe që nga ajo ditë plaku u bë miku i tyre.


    5. Një nga gjykatësit e distriktit donte të takonte Abba Poemenin por Abba Poemeni nuk donte ta takonte atë. Kështu, gjykatësi i kapi djalin e motrës plakut dhe ia futi në burg nën pretekstin se ishte kriminel dhe duke i thënë: "Nëse plaku vjen dhe interesohet për ty kam për të lëshuar nga burgu". Dhe kështu e motra vjen dhe i qan Poemenit tek pragu i derës së tij por plaku nuk i ktheu asnjë përgjigje. Dhe pasi nuk mori asnjë përgjigje, e motra e qortoi duke i thënë këto fjalë: "O zemërgur, nuk të vjen keq për mua, ai është djali im i vetëm." Por ai iu përgjigj vetëm duke i thënë: "Poemeni nuk ka sjellë asnjë djalë në këtë botë." Pasi dëgjoi këto fjalë, e motra u largua. Kur gjykatësi dëgjoi se çfarë i kish thënë plaku së motrës, ai i dërgoi Poemenit një mesazh: "Sikur të më kërkosh vetëm me një fjalë, unë kam për ta liruar nipin tënd." Plaku iu përgjigj: "Gjykoje sipas ligjit; nëse është fajtor dhe meriton vdekjen, denoje me vdekje, nëse jo, bëj çfarë të duash."


    6. Një ditë një murg bëri një mëkat në manastir. Na ishte një eremit në distrikt që nuk kish shumë kohë që ishte bërë i tillë. Abba i manastirit shkoi që ti jepte lajmin që murgu kishte mëkatuar. Eremiti iu përgjigj: "Përzireni nga manastiri". Kështu murgu që mëkatoi iku nga manastiri dhe shkoi në një guvë ku po qante. Qëlloi që disa murgj që po shkonin të takonin Abba Poemenin kaluan pranë guvës dhe e dëgjuan duke qarë murgun. Murgjit ndaluan, hynë në guvë dhe kur e panë murgun duke qarë e të trishtuar, e ftuan që të vinte me ta për të takuar Abba Poemenin por ky refuzoi duke u thënë: "Do rri të vdes këtu." Kur murgjit arritën tek qelia e Abba Poemenin i thanë për atë që u kish ngjarë rrugës. Dhe plaku i nisi mbrapa dhe iu përgjërua me të madhe murgjve duke u thënë: "Thojini që na ka dërguar Abba Poemeni për ty." Atëherë murgu pranoi që të vinte tek qelia e plakut. Kur e pa që ishte shumë i shqetësuar, Abba Poemeni u ngrit në këmbë, e përqafoi dhe me dashëmirësi e ftoi që të hanin bukë. Pastaj dërgoi një nga murgjit tek eremiti për ti thënë: "Për shumë vjet kam dëgjuar për ty dhe kam dashur të të takoj. Por për faj të letargjisë sonë nuk kemi mundur dot të takohemi. Tani, ama, nësë është e shkruar nga Perëndia dhe nëse ke fuqi, hajde që të takohemi me njëri-tjetrin." Plaku eremit, që nuk e kish braktisur kurre qelinë e tij, kur mori mesazhin tha: "Nëse Perëndia nuk do ta kish frymëzuar plakun Poemen, ai nuk do të kish dërguar njeri tek unë për të më ftuar ta takoj." Kështu eremiti u ngrit dhe shkoi tek qelia e plakut Poemen. E përqafuan njëri-tjetrin me gëzim dhe u ulën të bisedonin. Abba Poemeni i tha: "Dy njerëz banonin në një vend së bashku dhe të dyve u vdiq nga një njeri i afërm; njeriu i parë la të vdekurin e tij dhe shkoi të vajtonte të vdekurin e tjetrit." Pasi dëgjoi këto fjalë eremiti u bë të ndihej i zënë në faj dhe u kujtua se çfarë kish bërë dhe tha: "Poemen, ti ke shkuar lart në qiell dhe unë kam shkuar poshtë në tokë."


    7. Shumë pleq vinin që të takonin Abba Poemenin dhe një ditë qëlloi që erdhi një pjesëtar i familjes së Abba Poemenit i cili kish një fëmijë, të cilit falë fuqisë së djallit, i ishte kthyer fytyra për së prapi. I ati, kur pa gjithë ata murgj pleq të mbledhur për të takuar Poemenin, e mori djalin dhe po priste jashtë manastirit duke qarë. Qëlloi që një nga pleqtë doli jashtë dhe kur e pa burrin duke qarë e pyeti: "Pse je duke qarë o njeri?" Ai iu përgjigj: "Jam një i afërm i Abba Poemenit dhe shiko se çfarë fatkeqësie më ka zënë djalin. Edhe pse kam dëshirë që ta sjell djalin tek Abba Poemeni, kam frikë se ai nuk do të na presi. Sa herë që mëson që unë kam ardhur, u thotë njerëzve që të më përzënë. Por duke qenë se ti je me të o At, dhe unë guxova që të vi përsëri, ki mëshirë për mua dhe merre djalin brenda e lutu për të." Kështu plaku e mori djalin, shkoi brenda dhe u soll më së miri. Ai nuk e shpurri djalin menjëherë tek Abba Poemeni por filloi me etërit më të vegjël duke u thënë: "Bëni shenjën e kryqit mbi këtë fëmijë të vogël." Pasi e shpurri me rradhe tek të gjithë Etërit, në fund i erdhi rradha Abba Poemenit. Abba Poemen nuk donte që të bënte shenjën e kryqit mbi të, por etërit e tjerë e shtynë duke i thënë: "Bëj siç bënë gjithë të tjerët." Kështu, duke rënkuar Abba Poemeni u ngrit në këmbë dhe u lut: "Perëndi, shëroje krijesën tënde që ai të mos jetë më i sunduar nga armiku." Sapo Abba Poemeni bëri shenjën e kryqit mbi fëmijën ai u shërrua menjëherë dhe u kthye tek i ati.


    .....
    .....
    .....
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 14-03-2009 më 23:29

  5. #25
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Joani nga Thebaida

    Abba Joani nga Thebaida tha: "Para së gjithash murgu duhet të fitojë përulësinë, sepse është urdhërimi i pari i Zotit që tha: "Të bekuar janë të varfërit në shpirt se e tyre është Mbretëria e Qiellit."" (Mateu 5.3)

  6. #26
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Isidor Prifti

    1. Tregojnë për Abba Isidorin Priftin se një ditë një murg erdhi dhe e ftoi në një darkë. Por plaku refuzoi të shkonte duke thënë: "Adami u mashtrua nga ushqimi dhe u detyrua të jetonte jashtë Parajsës." Murgu ia ktheu: "Ke frikë që të dalësh nga qelia jote?" Plaku ia ktheu: "Biri im, unë kam frikë se djalli ashtu si ai luani që ulërin, kërkon një pre që ta shqyejë" (1 Pjetri 5.8). Ai thosh shpesh se: "Sa herë që i jepni vetes për të pirë një gotë, nuk keni për tu shpëtuar dot sulmeve të mendimeve. Ashtu si Loti, i detyruar nga vajzat e tij, u pi me verë, dhe nga efektet e të qënit i pirë, djalli lehtësisht e shtyri në aktin e shëmtuar të kurvërisë."


    2. Abba Isidore tha: "Nëse me të vërtetë e dëshironi Mbretërinë e Qiellit, duhet të përcmoni pasuritë materiale dhe tu përgjigjeni të mirave hyjnore."


    3. Ai tha gjithashtu: "Eshtë e pamundur që të bëni një jetë ashtu siç i pëlqen Perëndisë, nëse jeni të dhënë pas kënaqësive dhe parasë."


    4. Ai tha gjithashtu: "Nëse agjeroni rregullisht, mos u fryni me krenari, dhe nëse mendoni se jeni më të mirë se të tjerët meqë po agjeroni, është më mirë që të hani mish. Eshtë më mirë për njeriun që të hajë mish se sa të mbushet me krenari dhe të lavdërojë vetveten."


    5. Ai tha gjithashtu: "Dishepujt duhet ti duan mësuesit e tyre njësoj sic duan baballarët e tyre dhe t'ua keni frikën si udhëheqës të tyre; nuk duhet ta humbin frikën nga dashuria, as nuk duhet ta errësojnë dashurinë nga frika."


    6. Ai tha gjithashtu: "Nëse doni të shpëtoni, bëni gjithçka që të shpie në shpëtim."


    7. Tregojnë për Abba Isidorin se kur një murg shkoi për ta takuar, Abba shkoi e u fsheh në qoshen më të largët të qelisë. Murgu e pyeti: "Abba, çfare po bën?" Ai i tha: "Edhe kafshët e egra, kur shkojnë e fshihen në strofkat e tyre, shpëtojnë." E tha këtë gjë për lartësimin shpirtëror të vëllezërve murgj.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 18-03-2009 më 12:13

  7. #27
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Të paktën...

    Dy miq nga Aleksandria arritën deri në thellësitë e shkretëtirës, në
    kërkim të një njeriu të urtë dhe të lumur. Dhe në fakt, pas shumë kohe,
    gjetën një asket të shenjtë. Dhe e pyetën:
    - Çfarë të bëjmë, atë, për të gjetur lumturinë e vërtetë? Shohim se je
    njeriu më i përshtatshëm që mund të pyesim. Sepse dukesh ME TË
    VËRTETË i qetë dhe i lumtur. Vetëm se ne - pse ta fshehim? -nuk
    mund të jetojmë si ti ...
    Atëherë ai njeri i shenjtë, duke ngritur duart e tij drejt qiellit dhe me
    lot në sy, u tha:
    - Vëllezër të mi, nuk është e nevojshme të jetoni pikërisht si unë për
    të qenë ME TË VËRTETË TË LUMTUR. Por çfarë nevojitet?
    Të paktën...
    Të mendoni për Perëndinë, të paktën aq sa mendoni për njerëzit.
    Të keni frikë nga Perëndia, të paktën aq sa keni prej njerëzve.
    Të nderoni Perëndinë, të paktën ashtu siç nderoni njerëzit.
    Të shpresoni te Perëndia, të paktën aq sa shpresoni te njerëzit.
    Të zbatoni ligjin e Perëndisë, të paktën aq sa zbatoni ligjin njerëzor.
    Të lavdëroni Perëndinë, të paktën aq sa lavdëroni njerëzit.

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 15-05-2009, 20:04
  2. Pyetje për Besimtarët Shqiptarë të Krishterë dhe Islam
    Nga dodoni në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 116
    Postimi i Fundit: 06-07-2003, 20:11
  3. Mendoj se nuk ka artikull me te mire se ky i Eterve ortodokse
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 01-11-2002, 02:27

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •