ANDONI I MADH
Andoni i Madh, i mbiquajtur "Babai i Murgjve", kish lindur në qëndër të Egjiptit rreth vitit 251 pas Vdekjes së Krishtit, dhe ishte i biri i prindërve të krishterë që jetonin si fermerë në fshat. Në vitin 269 ai dëgjoi Ungjillin teksa lexohej në kishë dhe ia aplikoi vetes fjalët e Ungjillit: "Shko dhe shit gjithçka ke dhe të ardhurat jepua të varfërave dhe hajde..." Ai ia përkushtoi veten një jete me asketizëm nën udhëheqjen shpirtërore të një plaku pranë fshatit të tij që jetonte i izoluar nga bota. Në vitin 285 shkoi vetëm në shkretëtirë që të bënte një jetë në vetmi të plotë. Reputacioni i tij tërhoqi pasues që u vendosën pranë tij, dhe në vitin 305 Andoni doli nga izolimi për t'u bërë ati i tyre shpirtëror. Pas pesë vjetësh ai u tërhoq përsëri në izolim e vetmi. Ai e vizitoi Aleksandrinë të paktën dy herë, njëherë gjatë kohës së persekutimit të të krishterëve, dhe herën e dytë për të mbeshtetur peshkopin Athanas kundër herezisë. Ai vdiq në moshën 105 vjeç. Jeta e tij u shkrua nga Shën Athanasi dhe ishte me shumë influencuese në përhapjen e idealeve të monasticizmit në gjithë Botën e Krishterë.
1. Kur Abba i shenjë Andon jetonte në shkretëtirë e zuri dëshpërimi dhe e sulmuan shumë mendime plot mëkat. Ai i tha Zotit: "Zot, unë dua të shpëtoj nga këto mendime prandaj mos më ler vetëm. Çfarë duhet të bëj kur vuaj? Si mund të shpëtoj prej tyre?" Pas pak çastesh, kur u ngrit në këmbë që të dilte, Andoni pa një njeri si vetja që ishte duke punuar, ngrihej që të lutej dhe ulej përsëri për të thurur litarin, e ngrihej përsëri për tu lutur. Ishte një engjëll i Perëndisë që kish ardhur për ta korigjuar dhe për ta siguruar. Ai dëgjoi engjëllin t'i thosh atij: "Bëje këtë dhe do të shpëtosh." Sapo dëgjoi këto fjalë, Andoni u mbush me gëzim dhe kurajo. I bëri ato dhe shpëtoi.
2. Kur i njëjti Abba Andon po mendonte për thellësinë e gjykimit të Perëndisë, ai pyeti: "Zot, si ka mundësi që disa vdesin të rinj dhe disa vdesin në nje moshë shumë të thyer? Pse ka njerëz që janë të varfër dhe të tjerë që janë të pasur? Pse njerëzit e këqinj jetojnë mirë dhe njerëzit e drejtë janë në nevojë?" Ai dëgjoi një zë që iu përgjigj: "Andon, mbaje vëmendjen mbi veten tënde. Këto gjëra janë për tu gjykuar nga Perëndia dhe nuk fiton gjë edhe sikur të mësosh rreth tyre."
3. Dikush e pyeti Abba Andonin: "Çfarë duhet të bëjë njeriu që të kënaqi Perëndinë?" Plaku iu përgjigj: "Vëri veshin kësaj që po të them: kushdo qofsh, gjithmonë ki para syve të tu Perëndinë; çfarëdo që të besh, bëje ashtu siç të mësojnë Shkrimet e Shenjta; kudo që të jetosh, mos u largo kollaj prej andej." Mbaji këto tre këshilla dhe do të shpëtosh.
4. Abba Andoni i tha Abba Poemenit: "Kjo është puna e madhe e njeriut: gjithmonë të pranojë fajin e mëkateve të tij përpara Perëndise dhe të presë tundime gjatë gjithë jetës së tij."
5. Ai tha gjithashtu: "Kushdo që nuk ka provuar tundimin, nuk ka për të hyrë në Mbretërinë e Qiellit." Ai shtoi më tej: "Pa tundime, askush nuk mund të shpëtojë."
6. Abba Pambo e pyeti Abba Andonin: "Çfarë duhet të bëj?" dhe plaku i tha: "mos ki besim në drejtësinë tënde, mos u shqetëso për të shkuarën, por kontrollo gjuhën dhe stomakun."
7. Abba Andoni tha: "I pashë kurthet e armikut të shpërndara në të gjithë botën dhe thashë duke psherëtitur: "Kush mund tu shpëtojë këtyre kurtheve?" Pastaj dëgjova një zë që mu përgjgj: "Përulësia.""
8. Ai tha po ashtu: "Disa njerëz e lodhin trupin me anë të asketizmit, por u mungon mprehtësia dalluese, prandaj janë larg Perëndisë."
9. Ai tha gjithashtu: "Jeta dhe vdekja jonë është me fqinjin tonë. Nëse e bëjmë një vëlla për vete, kemi fituar Zotin, por nëse e skandalizojmë vëllanë, kemi mëkatuar kundër Krishtit."
10. Ai tha gjithashtu: "Ashtu siç ngordhin peshqit po ndejtën për një kohë të gjatë pa ujë, ashtu edhe murgjit që hallakaten jashtë qelivë të tyre apo e kalojnë kohën me njerëzit e botës e humbin intensitetin e paqes së brendshme. Ashtu si ai peshku që shkon në drejtim të detit, edhe ne duhet të nxitojmë për në qelinë tonë, nga frika se nëse vonohemi jashtë, do të humbim vrojtimin tonë të brendshëm."
11. Ai tha gjithashtu: "Ai që dëshiron të jetojë në vetmi në shkretëtirë, shpëton prej tre konflikteve: dëgjimit, fjalëve, shikimit. Ngelet vetëm një konflikt për të dhe është ai i kurvërimit."
12. Disa vëllezër shkuan tek Abba Andoni që t'i rrëfenin atij disa vegime që kishin patur dhe të mësonin prej tij nëse vegimet ishin të vërteta apo me origjinë djallëzore. Ata kishin marrë me vete një gomar të vogël i cili u ngordhi rrugës. Teksa arritën tek At Andoni, Ai, duke qënë në pritje të tyre, u tha: “Si ju ngordhi gomari i vogël rrugeë?” “Nga e mësuat që gomari na ngordhi rrugës o At?” e pyetën vëllezërit. “Demonet ma rrëfyen.” Dhe ata iu përgjigjën atij: “Nuk erdhëm për këtë arsye për të të parë ty, por nga frika se mos mashtrohemi, pasi shohim vegime dhe shpesh herë dalin si të vërteta.” Duke u dhënë shembullin e gomarit të ngordhur, Abba u bëri të qartë vëllezërve se vegimet ishin të një natyre djallëzore.
13. Një gjahtar e pa Abba Andonin duke bërë shaka me disa prej vëllezërve dhe u shokua. Duke dashur që ti tregonte gjahtarit se edhe shakaja ishte e nevojshme nganjëherë për nevojat e vëllezërve, Abba iu drejtua gjahtarit me fjalët: "Vër një shtizë ne harkun tënd dhe qëlloje në ajër." Dhe gjahtari e bëri. Abba i tha: "Qëllo edhe një tjetër" dhe gjahtari qëlloi përsëri. Pastaj Abba i tha: "Qëllo edhe një tjetër më fort" dhe gjahtari iu përgjigj "po e përtheva harkun kaq shumë do të më thyhet fare." Dhe Abba i tha: "Është e njëjta gjë edhe me punët e Zotit. Po i tërhoqëm vëllezërit më shumë se sa duhet, ata do të këputen një ditë. Nganjëherë është mirë që të vi poshtë dhe tu plotësoj nevojat e tyre." Kur dëgjoi këto fjalë, gjahtari u copëtua nga keqardhja dhe u largua i ngritur shumë moralisht nga plaku. Kurse vëllezërit shkuan në shtëpi të fuqizuar.
14. Abba Andoni mësoi për një murg të ri në moshë që kish bërë një mrekulli rrugës. Kur kish parë disa pleq të moshuar rrugës që mezi ecnin, ai kish urdhëruar gomarët e egër të shkretëtirës qe ti merrnin dhe ti shpinin tek Abba Andoni. Pleqtë që erdhën të takonin Abba Andonin, ia rrëfyen se çfarë kish ngjarë. Abba u tha atyre: "Ky murg më duket mua si një anije e mbushur plot me mallra, por nuk e di nëse do të arrijë dot deri në port." Pak pak minutash, Abba Andoni filloi të qante, të vajtonte dhe të shkulte flokët e tij. Njëri nga dishepujt e pyet: "Përse po qan Abba?" dhe plaku i përgjigjet: "një shtyllë e madhe e Kishës sapo u rrëzua (e kish fjalën për murgun) por shko tek ai dhe shiko se ç'ka ngjarë." Dhe dishepulli shkoi dhe e gjeti murgun te ulur në një rrogozë duke vajtuar për mëkatin që kish bërë. Kur pa dishepullin e Abba Andonit, ai u tha: "Thuajini plakut që t'i lutet Zotit për mua që të më japi vetëm 10 ditë kohë dhe shpresoj se do të jem në gjendje t'ia shpërblej." Por pas 5 ditësh, ai vdiq.
15. Njëri prej vëllezërve lavdëroi një murg në sy të Abba Andonit. Kur murgu erdhi ta takonte, Abba Andoni donte të shikonte se si ai i duronte ofendimet, dhe kur pa që nuk i duronte dot fare, i tha: "Ti je si një fshat i zbukuar në mënyrë magjepëse nga jashtë, por i shkatëruar përbrenda nga hajdutët."
16. Njëri prej vëllezërve i tha Abba Andonit: "Lutu për mua." Plaku i tha atij: "Unë nuk do të tregoj mëshirë për ty dhe as Zoti nuk do të tregojë mëshirë për ty, nëse ti vetë nuk bën një përpjekje që t'i lutesh vetë Perëndisë."
17. Një ditë, disa pleq erdhën që të takonin Abba Andonin. Në mes tyre ishte edhe Abba Josifi. Duke dashur ti testojë, Abba Andoni zgjodhi nje tekst nga Shkrimet e Shenjta dhe filloi me më të riun që ta pyeste se çfarë domethënie kish ai tekst. I pyeti të gjithë me rradhë dhe të gjithë dhanë mendimin e tyre ashtu siç e kuptonin. Por të gjithëve Abba u thosh se: "Nuk e ke kuptuar." Në fund fare pyet Abba Josifin: "Si do ta shpjegoje ti këtë thënie?" dhe ai iu përgjigj: "Nuk e di." Dhe pastaj Abba Andoni i tha: "Abba Josifi e ka gjetur rrugën me të vërtetë, pasi ai tha "Nuk e di"."
18. Disa vëllezër po vinin nga Sketis për të takuar Abba Andonin. Kur ishin duke hipur në një varkë për të shkuar atje, takuan edhe një plak që do shkonte po atje. Vëllezërit nuk e njihnin atë. U ulën në varkë duke sjellë ndër mend gjatë gjithë kohës thëniet e Etërve, Shkrimeve, dhe punën e tyre të krahut. Kurse plaku rinte pa folur. Kur arritën në bregun tjetër, mësuan se edhe plaku ishte nisur për tek qelia e Abba Andonit. Kur arritën tek vendi i qelisë, Abba Andoni u tha atyre: "A ju bëri shoqëri të mirë ky plaku gjatë rrugës?" Pastaj iu drejtua plakut me fjalët: "Paske sjellë shumë vëllezër të mirë me vete o at." Plaku ia ktheu: "Duke që janë të mirë por nuk kanë një derë në shtëpinë e tyre dhe kushdo mund të hyjë në stallë dhe tua lëshojë hajvanët." Me këto fjalë ai donte të tregonte se vëllezërit flisnin çdo fjalë që u vinte në mendje.
19. Vëllezërit erdhën tek Abba Andoni dhe i thanë: "Na thuaj një fjalë, si mund të shpëtojmë?" Plaku u tha atyre: "Ju i keni dëgjuar Shkrimet e Shenjta. Ato ju mësojnë se si mund të shpëtoni." Por ata i thanë: "Po duam ta dëgjojmë edhe nga ty o At." Pastaj plaku u tha atyre: "Ungjilli thotë, "Nëse dikush ju qëllon në faqe, kthejini edhe faqen tjetër"(Mat. 5:39)". Ata i thanë: "Nuk mund ta bëjmë dot atë." Plaku u thotë: "Nëse nuk ofroni dot faqen tjetër, të paktën lërini t'u qëllojnë në një faqe." "As atë nuk e bëjmë dot", i thanë ata. "Nëse nuk e bëni dot as atë, të paktën mos ua ktheni të keqen me të keq", u tha plaku. "Nuk e bëjmë dot as atë", i thanë murgjit. Pastaj plaku u tha dishepujve të tij, "Përgatitni pak çaj misri për këta invalidë. Nëse nuk e bëni dot as këtë dhe as atë, çfarë mund t'u bëj unë tjetër? Ajo për të cilën ju keni nevojë janë lutjet."
20. Njëri prej vëllezërve hoqi dorë nga bota dhe ua dha të gjithë pasurinë të varfërve, por mbajti një pjesë të vogël të pasurisë për vete për shpenzime personale. Vajti që të takonte Abba Andonin. Kur ia rrëfeu Abba Andonit se çfarë kish bërë, plaku i tha: "Nëse do të bëhesh murg, shko në fshat, bli ca mish, mbuloje trupin tënd lakuriq me atë mish dhe hajde këtu ashtu siç je." Murgu bëri siç i tha plaku dhe qentë e zogjtë ia shqyen mishin rrugës. Kur u kthye plaku e pyeti nëse e kishte ndjekur këshillën e plakut apo jo. Ai i tregoi trupin e copëtuar nga plagët, dhe Abba Andoni i tha: "Ata që heqin dorë nga bota por duan që të mbajnë diçka për vete copëtohen në këtë mënyrë nga demonët të cilët bëjnë luftë kundër tyre."
21. Bëri vaki që një ditë, njëri prej vëllezërve të manastirit ku rinte Abba Ilia të pushtohej nga tundimi. Kur e përzunë nga manastiri, murgu shkoi në mal tek Abba Andoni. Murgu jetoi aty afër tij për ca kohë dhe pastaj Abba Andoni e dërgoi prapë në manastir. Kur murgjit e manastirit e panë, e përzunë përsëri dhe ai u kthye tek Abba Andoni duke i thënë: "O At, ata nuk më pranojnë." Atëherë Abba Andoni u dërgon një mesazh atyre në manastir duke u thënë: "Një anije e zuri stuhia në det dhe e humbi gjithë ngarkesën e vetë të mallrave në det, mirëpo ajo që kish mbetur nga anija arriti me vështirësi në breg të detit. Por ju jeni duke flakur përsëri në det atë që gjetët në breg të detit." Kur murgjit mësuan se ishte Abba Andoni ai që e kishte dërguar murgun, ata e pranuan atë përsëri në manastir menjëherë.
22. Abba Andoni tha: "Unë besoj se trupi gëzon një lëvizje natyrale, të cilës i është përshtatur, por të cilën nuk mund ta ndjeki dot pa mirekuptimin e shpirtit dhe përfaqëson në trup një lëvizje pa pasion. Është edhe një lëvizje tjetër që vjen nga të ushqyerit dhe të ngrohurit e trupit nga të ngrënit dhe të pirët, dhe kjo shkakton që ngrohtësia e gjakut të vërë në lëvizje trupin në punë. Prandaj apostulli tha: " Dhe mos u dehni me verë, sepse sjell shthurje." (Efes. 5.18) Dhe në ungjill, Zoti u rekomandon këtë gjë dishepujve të tij: "Kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit." (Luka 21:34) Por është edhe një lëvizje tjetër që mundon ata që luftojnë dhe kjo lëvizje vjen nga veremi dhe xhelozia e demonëve. Duhet që ti kuptoni këto tre lëvizje të trupit: e para është natyrale, e dyta vjen nga të ngrënët shumë, e treta shkaktohet nga demonët."
23. Ai tha gjithashtu: "Zoti nuk ua lejon të njëjtën luftë dhe tundime këtij brezi, ashtu siç lejoi brezit para nesh, sepse njerëzit janë më të dobët tani dhe nuk durojnë dot më aq shumë."
24. Abba Andonit i ishte shfaqur nga lart në shkretëtirë se ekzistonte një njeri në qytet që ishte i barabartë me të për nga dija hyjnore. Ai ishte doktor në profesion dhe çdo gjë të tepërt për nevojat e jetës së tij ua jepte të varfërve, dhe çdo ditë ai këndonte Tri-shënjtorin së bashku me engjëjt.
25. Abba Andoni tha: "Do vijë një kohë që njerëzit do të bëhen të marrë, dhe kur të shohin dikë qe nuk është i marrë si ata, do ti drejtohen atij me fjalët: "Ti je i marrë, ti nuk je si ne.""
26. Vëllezërit erdhën të takonin Abba Andonin dhe i vunë përpara një pasazh nga libri i Levitikut. Plaku shkoi në shkretëtirë i ndjekur fshehurazi nga Abba Amonasi, qe e njihte zakonin e Abba Andonit. Abba Andoni shkoi shumë larg dhe qëndroi në këmbë duke u lutur dhe duke qarë me një zë të fortë: "O Zot, dërgomë Moisiun që të më shpjegojë këtë thënie." Pastaj erdhi një zë që i fliste atij Abba Andonit. Abba Amonasi tha se edhe pse e dëgjoi zënë nuk mundi ta kuptonte se çfarë tha.
27. Tre Etër shkonin dhe e vizitonin Andonin e bekuar çdo vit, dhe dy prej tyre diskutonin me të mendimet e tyre mbi shpëtimin e shpirtit të tyre, kurse i treti rinte gjithmonë i heshtur dhe nuk i kërkonte asgjë. Pas një kohe të gjatë, Abba Andoni i tha atij: "Ti vjen shpesh që të me takosh, por nuk më pyet për asgjë", dhe plaku iu përgjigj: "Për mua mjafton që të takoj ty o Abba Andon."
28. Tregojnë për një plak qe i kërkoi Zotit që ta lejonte që të takonte gjithë Etërit e Shenjtë, dhe ai i takoi të gjithë përveç Abba Andonit. Dhe ai e pyeti udhërrëfyesin e tij: "Ku është Abba Andoni?" Dhe udhërrëfyesi i tha si përgjigje: "Atje ku është Zoti, atje do jetë edhe Abba Andoni."
29. Njëri prej vëllezërve në manastir u akuzua pa të drejtë për kurvërim, dhe ai u ngrit e vajti tek Abba Andoni. Po ashtu, edhe murgjit erdhën nga manastiri që ta korrigjonin dhe ta merrnin me vete në manastir përsëri. Murgjit e ardhur nga manastiri e akuzuan duke treguar se çfarë kishte bërë, por ai e hodhi poshtë akuzën e tyre duke thënë se ai nuk ka bërë një gjë të tillë. Tani, Abba Pafnuti, që e thirnin Qefal, qëlloi që të ishte prezent atje dhe u tregoi atyre këtë paravoli: "Kam parë njëherë një njeri të mbuluar me baltë deri në gju në bregun e një lumi dhe disa njerëz erdhën që ta nxirrnin nga balta por e shtynë më keq në baltë deri në grykë." Pastaj Abba Andoni tha këto fjalë për Abba Pafnutin: "Ja tek e keni një njeri që me të vërtetë kujdeset për shpirtrat dhe i shpëton ata." Të gjithë murgjit e ardhur nga manastiri u prekën thellë në zemër nga fjalët e plakut dhe i kërkuan falje murgut që pak më parë e akuzuan. Dhe të qortuar nga Etërit, ata e morën vëllanë e tyre dhe u nisën për në manastir.
30. Disa thonë se Shën Andoni ishte "i mbartur nga Shpirti", që do të thotë, që lëviz së bashku me Shpirtin e Shenjtë, por ai vetë asnjëherë nuk ua kish thënë këtë gjë njerëzve të tij. Njerëz të tillë si Abba Andoni shikojnë jo vetëm se çfarë është duke ndodhur në botë, por edhe çfarë do të ndodhi në të ardhmen.
31. Një ditë Abba Andoni mori një letër nga perandori Konstandin, në të cilën i kërkonte që të shkonte në Konstandinopojë, dhe Abba po vriste mendjen se çfarë të bënte. Dhe i tha Abba Pavlit, dishepullit të tij: "Duhet të shkoj apo jo?" Ai iu përgjigj: "Nëse shkon do të thërrasin Andon. Por nëse qëndron këtu do të thërrasin Abba Andon."
32. Abba Andoni tha: "Nuk ia kam më frikën Zotit por e dua Atë. Sepse dashuria e flak tej frikën." (Joan 4.18)
33. Ai tha gjithashtu: "Gjithmonë të kesh frikën e Perëndisë përpara syve të tu. Sille ndërmend atë që sjell vdekjen dhe jetën. Urreje botën dhe gjithçka që ajo përmban. Urreje gjithë paqen që vjen nga mishi i trupit. Hiq dorë nga kjo bote në mënyrë që të jesh i gjallë për Perëndinë. Kujto se çfarë i ke premtuar Perëndisë pasi do të t'a kërkojë në ditën e gjykimit. Vuaj nga uria, etja, lakuriqësia, ruaj shpirtin tënd dhe lësho plot psherëtima: qaj dhe rënko në zemër, testoje vetveten, që të shikosh nëse je i denjë për Perëndinë, përbuze mishin e trupit në mënyrë që të ruash shpirtin tënd."
34. Abba Andoni shkoi njëherë të vizitojë Abba Amonin në malin Nitria dhe kur u takuan, Abba Amoni i tha: "Falë lutjeve të tua, numri i vëllezërve po rritet, dhe disa prej tyre duan të ndërtojnë më shumë qeli ku mund të jetojnë në paqe. Sa larg prej këtej mendon se duhet ti ngremë qelitë?" Abba Andoni tha, hamë njëhere bukë në orën e nëntë dhe pastaj do dalim të ecim në shkretëtirë për të eksploruar vendin." Dhe kështu shkuan në shkretëtirë dhe ecën deri në perëndim të diellit dhe atëherë Abba Andoni tha: "Hajde të lutemi dhe ta ngremë kryqin këtu, në mënyrë qe ata që duan ta ndërtojnë qelinë këtu. Kurse ata që kanë ngelur atje, nëse duan të vijnë për vizitë këtu, mund të marrin pak ushqim në orën e nëntë dhe mund të vinë këtu. Nëse e bëjnë këtë, di të jenë në gjendje që të mbajnë lidhje pa i shkëputur mendjen njëri-tjetrit." Distanca është 12 milje.
35. Abba Andoni tha: "Kushdo që godet një copë hekur, në fillim vendos se çfarë do bëjë me të, një kosë, një shpatë apo një sëpatë. Po ashtu edhe ne duhet të mbledhim mendjen se çfarë virtyti duam të fakëtojmë se për ndryshe lodhemi kot."
36. Ai tha gjithashtu: "Bindja me maturi i jep njeriut pushtet mbi kafshët e egra."
37. Ai tha gjithashtu: "Nëntë murg u rrëzuan pasi punuan për një kohë të gjatë dhe u fiksuan me krenarinë shpirtërore, sepse besimin e bazonin në punët e tyre dhe duke u mashtruar nuk i kushtuan vëmendjen e duhur urdhërimit që thotë: "Pyet babanë tënd dhe ai do të ta tregojë" (Deut. 32.7)"
38. Dhe ai tha këto fjalë: "Murgu që është në gjendje duhet ti tregojë pleqve të tij në konfidencë se sa hapa hedh dhe sa gllënqka ujë pi në qëlinë e tij, për të parë nëse është duke bëre ndonjë gabim."
Krijoni Kontakt