Ngjyrat e Shqipërisë”, ekspozita që solli në Tiranë 23 artistë shqiptarë që prej vitesh jetojnë në të katër anët e botës
Ngjyrat e kujtesës, as kuq, as zi
Elsa Demo
Valixhja e një udhëtari s’mund të nxërë më shumë se ndërresat e përditshme e ndonjë libër udhëtimi. Derisa dhe ato një ditë nuk do t’i hyjnë më në punë. Plaçka dhe dijet si çdo gjë një ditë vjetërohen, zëvendësohen. E patjetërsueshme mbetet kujtesa. E vetmja barrë që s’ka nevojë për bagazh trageti, avioni, mjete udhëtimi për larg, ku i çuan këta 23 artistë shqiptarë që pas 14 vjetësh i mblodhi ekspozita “Ngjyrat e Shqipërisë”. Ekspozita e atyre që vijnë nga Greqia, Italia, Gjermania, Franca, Amerika, nuk ka ngjyrat e kombëtares, kuq e zi. Vështirë të gjesh mes tyre kanonet e një “arti shqiptar”, vështirë të gjesh edhe shqetësimet e orës biologjike, e zhvendosjes nga izolimi në fluturim. Artistët që prej një jave ekspozojnë në Galerinë Kombëtare të Arteve vijnë së pari me veten, më pas me mjedisin ku luhaten valët mes atdheut dhe bregut të huaj.
Fatmirësisht apo fatkeqësisht gjithçka nis me “Portën e parajsës” të Xhovalin Delisë, që si portë parajse nuk pyet për ngjyrat e kombëtares. Artisti që prej vitesh jeton në Firence, idenë e vetëpërjashtimit, aluzionin e përzënies nga “kopshti” dhe konfrontimit me limitet, e instaloi me ndriçim blu në hyrjen e Galerisë Kombëtare. Delia aludon se njeriu prej natyre është endacak dhe gjithmonë do të ndeshet me një derë të mbyllur, më së shumti, kur aty shkruhet “parajsë”.
Vdekja është limiti që jo vetëm e prek, por e vë në lojë, Adrian Paci. Për këtë atij i duhet vajtojca, gruaja që në vendlindjen e tij Shkodër, e ka për profesion të qajë të vdekurin. Videoarti “Vajtojca” sjell gjurmët e origjinës së vendit të tij, që i kërkon megjithëse prej vitesh jeton e krijon në Milano. Vajtojca i “numëron” dhimbjen e gruas kur ai të ketë ikur nga kjo jetë, lotët e të bijës dhe vuajtjen në mërgim. Për çudi vaji i saj të bën t’i kthehesh edhe një herë, edhe një herë tjetër, xhirimit që Paci ka realizuar në Shkodër. Të dëgjosh se si njëlloj, gjithkund njerëzit kanë për t’u pikëlluar për të afërmit, se si vdekja vërtet një herë vjen për secilin, por të gjithë bashkë e përjetojnë si një emocion të përditshëm. Realizimi brilant i Pacit, takohet tek thëniet e të vjetërve, se frika nga vdekja nuk ekziston përderisa “ne” nuk takohemi, “ne ikim kur ajo vjen”. Kur vajtimi ka mbaruar ai ngrihet ashtu i veshur me kostum të zi si për mort dhe i jep dorën vajtojcës. Nuk është për t’u çuditur që ideja e vdekjes, sipas Pacit, flinte më bukur në ritin funerar të vendlindjes së tij. Dhe ai, pikërisht atë zgjodhi.
Pranë “Vajtojcës”, Toni Milaqi është artisti që jeton në Greqi e s’mund të thotë se është i kënaqur nga çka sot jetojmë. Globalizmi dhe demokracia janë në pikturën e tij si dy gozhdë, njëra vënë e tjera rënë nga patkoi i jetës së njeriut i kthyer në mall. Zgjimi për mëngjes, do të thotë rutinë e botës në luftë për pushtet, para, famë.
“Dy kokët” e Omer Kaleshit duket sikur nuk pyesin për këto valë të nxehta të përditshmërisë, të varura në litarin e jetës; disi e ndien këtë në triptikun pikturik të muzikës, në formatin kubist të Ibrahim Kodrës, ku njeriu paraqitet robotik.
Agim Sula, piktori që për herë të parë e shohim të ekspozojë në Shqipëri, pas emigrimit në Itali. Për këtë kthim ka zgjedhur kapërcimin e memories tek fëmijëria. “Fëmijëria” e tablosë së tij është gati-gati fotografike, e pandryshueshme.
Astrit Vatnika bën një raport të shpejtë fotografik nga Gjermania, për përplasjen në Mitrovicë. “A nuk kemi diçka të përbashkët?” Fotografitë e tij vënë përballë njëri-tjetrit dy të rinj, një shqiptar dhe një serb, që me shallet e skuadrave kombëtare në qafë, duken si tifozë gjaknxehtë e jo si nacionalistë të thekur.
Ndërsa piktura e Ilir Zefit i ardhur nga Roma, një diptik kafshues me ngjyra zjarri, është ajo për të cilën një kritik do thoshte se nuk ka nevojë t’i deklarojë qëllimet, sepse për një artist si Zefi “nuk ka pika të tjera referimi përveç situatës që di të krijojë ditë për ditë, pa plane, pa kurrëfarë sigurie, i vetmuar.”
Bukë dhe zemër në tryezën mes dhomës si gjithmonë të kuqe, të Ornela Vorpsit. Videoarti i artistes që jeton në Paris, na sjell këtë herë, remineshenca sa të largëta dhe afërta me zakonin e shqiptarit. Kur kjo video do të projektohej para pak kohësh në një ekspozitë ballkanike në Itali, kritiku Harald Szeemann, skenën e vajzës që e ulur në tryezë grin me thikë mishi një zemër, do ta komentonte brenda kodit arkaik të shqiptarit: bukë, kripë, zemër apo shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut.
Nuk mungojnë në ekspozitë qytetarët e botës, Flutura dhe Besnik Haxhillari, të quajturit “Guliverë” në udhëtim për të prekur vende, takuar njerëz dhe rrahur mjedise artistike; Anila Rubiku nga Italia sjell valizhen me qëndismat e saj. Eshtë lirika e vajzës që nuk pati kurrë kohë të rrijë për pak me nënën e saj, sepse mendonte se duhej të ishte një grua në karrierë që s’kishte për ta kthyer kokën pas. Filli i mëndafshtë i kujtimeve e kthen sërish tek kodet e pandryshueshme të jetës, ku bëjnë pjesë gjyshja, nëna, motra e saj dhe ajo vetë. Eshtë më tej Bujar Marika i ardhur nga Zvicra; Arjan Rizvani me “Tankun” që endet në lagje të qetë të Italisë, si fobia moderne e luftës, është Helidon Gjergji nga San Francisko me përthyerjet e pushtetit të televizionit dhe informacionit; Viktor Ferraj nga Savona me ikonografinë e qeramikës si një kërkim të njeriut nëpër kohë; Bashkim Ahmeti me legjendën e mallit të kërkimit të së pamundurës; Artan Shabani nga Italia që thotë se të gjitha bateritë i ka lënë për “Homo Balkanicus”, ekspozitë që së shpejti do të hapë, në Venecia, e me radhë
Valbona Musliu, Pëllumb Puci, Bujar Luca me lëvizjet e figurave të tij si në një kërcim ritual. Për të mbërritur tek nëna e ardhshme Venera Kastrati, në kërkim të një emri për foshnjën e fshehur në barkun e saj të fryrë e lakuriq. E si për ta mbyllur këtë kërkim në memorje videoprojeksioni i Armando Lulajt, shfaq ca njerëz tek i vënë flakën yllit pesëcepësh. Duken si herostatë. Janë vallë. Njerëz që duan t’i ikin memorjes duke e djegur atë.
Arti i 23 krijuesve që janë shpërndarë nëpër botë, kanë vetëm remineshenca të “ngjyrave të Shqipërisë”, pra nuk janë as kuq, as zi. Pjesa më e madhe e tyre janë në fillim ose në mes të rrugës së artit. Do të thotë kjo se janë duke iu larguar Shqipërisë? Nëse jo, çfarë do t’i mbahen pas saj? Pas 14 vjetësh thanë se fijet e tyre të padukshme i kanë bërë shqiptarë në botën e madhe.
02/06/2004
Krijoni Kontakt