Pesë autorët me të vjetër në gjuhën shqipe

Fjalë Hyrëse

Selman Riza është pa mëdyshje një nga mendjet më të mprehta të shekullit të XX në mbarë botën shqiptare. Ai bashkoi në veprën e vet forcën e argumentit me logjikën e hekurt dhe kritikën e rrepte shkencore, guximin shkencor dhe vetmohimin për kombin me objektivitetin e së vërtetës. Dhe të gjitha këto, ai arriti përmes një rruge të vetme: punës së përkushtuar.

Kampion atdhetarie Selman Riza iu kundervu me ashpërsi dhe përbuzje qysh në krijimet e tij më të hershme çdo shfaqjeje artizanale në studimin e vlerave tona kombëtare, çdo teza a hipoteze frymë-e dritëshkurtër, çdo ndjenjë inferioriteti ballkanik dhe çdo orvajtjeje nëpërkëmbëse nga fqinjët tanë. Ai mbrojti me fanatizëm të pashoq vlerat e vërteta të kombit tonë, ato arritje e kontribute të tij që u qëndrojnë ballëhapur stuhive të kohës dhe një kritike shkencore objektive.

Mu për këto dhunti, cilësi dhe prirje Selman Rizën e shohim të përsekutuar pamëshirshëm e sistematikisht qysh në agimin e veprimtarisë së vet, qysh atëhere kur mendja e tij sapo kishte nisur të jepte frytet e para. Ky persekutim nis me pushtuesit fashistë dhe do të vijojë pandërprerë nga nacionalizmi i egër serb, demaskimit të veprimtarisë së shkombëtarizuese të të cilit në Kosovë Selman Riza nuk iu nda deri në frymën e fundit. Ai do të plotësohet më në fund nga veglat e verbra e të fshehta të këtij nacionalizmi, të cilat shihnin te Selman Riza një zhvleftësues "të pandreqshëm" të "fitoreve" të tyre të në lëmin kombëtar dhe një asgjësues të politikës së tyre nënshtruese dhe poshtëruese të elementit shqiptar në Ballkan.

I mbrujtur qysh në vegjëli në konviktin "Naim Frashëri" me dashurinë për atdheun nga mësues të tillë patriotë si Ibrahim Fehiu e Sadi Pejani, të cilëve më vonë do t'u kushtojë monografi të vetat, me një formim të shëndoshë shkencor, që nis në Liceun Kombëtar të Korçës vijon me studimet në Francë dhe mbaron me mbylljen e jetës së tij më 1988, mbajtës i dy diplomave franceze një për drejtësi dhe një për gjuhësi, njohës i 12 gjuhëve jo thjesht për kulturë, por për t'i përdorur si mjete të domosdoshme e të pazëvendësueshme pune, shfrytëzues i pakundshoq i kohës për të punuar dhe jo "për të vrarë veten" Selman Rizës "do t'i mjaftojë" koha e saktë që i lanë përndjekjet, arrestimet dhe burgimet e njëpasnjëshme për t'u bërë një analizues i thellë dhe kompetent mbarë gjuhës shqipe dhe i problematikave të saj. Ai është i vetmi gjuhëtar ndër ne që e ka kaluar në sitën e vet të imët e të rreptë shkencore tërë strukturën e kësaj gjuhë dhe në të dy planet, historik dhe bashkëkohor.

Dhe Selman Riza nuk merrej me të rëndomtën, me atë që shihet vetiu. Përkundrazi ai teorizonte me guxim "për të zbuluar nëpërmjet të pames të papamen". Ashtu si një elektronist merr dhe zbërthen një kompjuter, edhe Selman Riza "do të zbërthejë" hap pas hapi e pjesë pas pjese, mbarë ngrehinën e gjuhës sonë në elementët e saj përbërëse dhe do të hedhë hapa të guximshëm, aty ku shumëkush shihte vetëm terr të padepërtueshëm nga mugëtia e shekujve. Atë nuk e shqetëson aspak mendimi i mëparshëm për një çështje. Nuk e shqetëson as fryma oportuniste e kohës "se kjo dëmton interesat kombëtare". Ai ishte thellësisht dhe patundshëm i bindur, se një komb duhet të krenohet dhe të mbrojë me dinjitet vlerat e vërteta që ka dhe jo të zbukurohet me pendë të huaja, me pikëpamje që i beson vetëm ai, po kurrkush tjetër.

Ai ishte edhe kundër fshehjes të së vërtetave "të paleverdisshme", çka i ngjante fshehjes së kokës së strucit në rërë.

Në këtë hulli, pas një analize të thelluar të gramatikës së shqipes, pas kaq e kaq arritjesh të mëdha në këtë lëmë, ku vuri gurë themeli duke filluar nga nyjat, duke vijuar me përemrat, emrat e deri te foljet (dhe duke trajtuar brenda këtyre temave dhe sa e sa dukuri të tjera, që gërshetohen me to) - me një zotërim çuditërisht të thellë të strukturës dialektore të shqipes, me një njohje prej gramatikani dhe stilisti sidomos të latinishtes, greqishtes së vjetër, serbo-kroatishtes e italishtes, dhe me këndvështrimin shkencor që e karakterizonte, Selman Riza do t'i hyjë edhe punës titanike të studimit të veprave të autorëve tanë "të vjetër". Mundi i tij do të kurorëzohet me monografinë që po i vihet sot në dorë lexuesit, falë dashamirësisë së madhe për vlerat kombëtare që tregon shtëpia botuese "TOENA", si dhe punës tejet të vështirë që ka bërë me përkushtim radhitësja në kompjuter, zonja Albana Kuraj. Pas një studimi jashtëzakonisht të imët e të mundimshëm, pas qëmtimit sistematik të të dhënave që ofrojnë veprat e këtyre autorëve, e duke u mbështetur fort në to, pas një analize që mund të quhet pa mëdyshje riziane, duke shoshitur tezat e kundërtezat dhe hipotezat më të ngjashme, me një bisturi të hollë prej kirurgu me përvojë dhe me logjikën e pashoqe që e karakterizon, ai arrin të shikojë te vepra e Buzukut, aspak një punë të rëndomtë prifti për të përkthyer "në gjurmët e të parëve" disa pjesë bible dhe shërbesa e lutje fetare; përkundrazi, ai pa aty një punë heroike të krahasueshme me atë të Skënderbeut, duke na zbardhur barabar faqen përpara gjithë popujve të Europës, njëri duke na treguar si një nga popujt më trima e më liridashës, dhe tjetri si njërin nga popujt më të qytetëruar, i cili flet, jo vetëm njërën nga 12 gjuhët më të lashta të kontinentit, por edhe një gjuhë që këtej e tutje do të shkruhet si gjithë gjuhët e lëvruara. Me atë punë në dorë (në të vërtetë atëherë thjerra nuk gjendeshin ndër ne!) që i ka kushtuar pjesë të rëndësishme të jetës e të krijimatrisë së vet më të mirë, Selman Riza i ka ngritur atij Buzuku, që shumëkush ia përmend fjalët si diçka të rëndomtë ("U dom Gjoni, i biri i Bdek Buzukut...") një përmendore të shkëlqyer e të merituar mes burrave më të mëdhenj të kombit tonë. Selman Rizën e mallëngjen dhe e krenon njëherazi fort, shprehja e bukur buzukiane "nsë dashunit së botës sanë" ("nga dashuria për gjindjen tonë"). dhe Selman Riza do të lartësojë me këtë studim jo letrarisht, po shkencërisht veprën e shquar prej pionieri të pesë burrave të mëdhenj të kombit shqiptar: Buzukut, Matrëngës, Bardhit, Budit dhe Bogdanit, të cilët brenda një harku kohor prej gati 130 vjetësh, njëri pas tjetrit e kthyen gjuhën prej pionieri të Buzukut dhe Matrëngës. Selman Riza do të shprehte se "Gjon Buzuku dhe Lekë Matrënga janë dy figurat më të lashta e më të ndritshme në historinë, jo vetëm të kulturës sonë kombëtare, por njëherazi edhe të patriotizmit tonë popullor". Ndërsa për Budin mendon, se ai "tërë jetën qe një studiues nga më ngulmuesit e njëherazi, një autor nga më të apasionuarit në mbarë letërsinë shqiptare". Ai ishte "përkthyes i saktë, përshtatës i talentuar e shkrimtar origjinal". "Kundrejt Gjon Buzukut, pionierit naiv të shqipes së shkruar në variantin jo-jugor, qëndron Pjetër Budi, zanafillësi nivel-artë i letërsisë shqipe në të njëjtin variant".

Sa i përket gjuhës, do të vërejmë se kjo vepër është hartuar në vitet 60 të shekullit të kaluar, kohë kur ende mungonte një drejtshkrim i njësuar i shqipes dhe secili gjuhëtar, sidomos i formatit të Selman Rizës kishte pikëpamjet e veta. Gjithsesi vlen të vëmë në pah një gjë: në vitet e vona të jetës së vet, Selman Riza, duke e marrë kushedi me ç'rast në dorë variantin e daktilografuar, në një numër të vogël faqesh të tij ka bërë ndryshime, duke pranuar për një pjesë të mirë zgjidhjet e Kongresit të Drejtshkrimit, me një përjashtim, i cili përbën një qëndrim shkencor konsekuent të tij: mospranimin e ambigjinisë, pra ruajtjen e gjinisë mashkullore edhe në shumës, tek emrat me shumës në-e (male të lartë, mendime të drejtë). Duke marrë shkas nga kjo gjendje, ne, pa ia cënuar paska freskinë dhe origjinalitetin, me një dorë tejet të rrudhur e me përkitje tejet të kursyera, jemi munduar t'ia ofrojmë gjuhën e veprës sa më shumë ndjenjës gjuhësore të lexuesit të sotëm, duke shtrirë e përgjithësuar kështu nismat e vetë autorit, të cilat ai për arsye të kuptueshme moshe nuk mundi t'i çonte deri në fund. Ndërkaq, nuk kemi vënë aspak dorë në ndërtimin e frazës, pra, nuk kemi prekur as sintaksën, as leksikun dhe as fjalëformimet e autorit. Duhet të shtojmë më në fund se gjatë redaktimit na kanë dalë disa vështirësi teknike. Së pari, daltilografimi është bërë qysh para dyzet vjetësh dhe në një letër jashtëzakonisht të dobët, kështu që shpesh leximi i teksteve të autorëve të vjetër përbënte vështirësi thuajse të pakapërcyeshme për ne. Se dyti, pasi u hodh në kompjuter, për fat të keq, një pjesë e materialit humbi në shtëpinë botuese pas radhitjes, kështu që neve na mungonte mundësia e përqasjes. Më në fund, sa herë që zanorja ë në daktilografim ishte e gjatë, pra me vizë përsipër, në botim ka dalë normale, pasi nuk mund ta paraqisnim dot me shenjat grafike që zotëronte kompjuteri. Po kështu në vend të y-së, Buzuku ka përdorur një shenjë grafike sllave të ngjashme me numrin 8 të hapur përsipër. Ne e kemi lënë thjesht 8, në pamundësi për ta riprodhuar me besnikëri në kompjuter.

Ali Dhrimo