Nano: Geixhi nuk është armik
Shekulli
“Në Shqipëri ka pak informacion për amiqtë e mëdhenj, s’është kaq i madh, s’është armik Geixhi”
TIRANË – Kryeministri Fatos Nano është shprehur dje, në një emision të hapur me gazetarët në “Top Channel” se nuk e shqetësojnë aspak deklaratat e Nikolas Geixhit, i cili flet për një dominim të Greqisë sidomos në jug të Shqipërisë. Ai pohoi se Geixh nuk “është armik” dhe ai si kryeministër nuk mund ta shpallë person “non grata” siç bëri Berisha në 1996. Ai u bashkua me deklaratën e Berishës, kur tha se edhe ai e kishte pritur Geixhin me të njëjtën arsye se “erdhi me ambasadorin amerikan”. “Nikolas Geixhi është shkrimtar. Nuk është politikan dhe nuk është përfaqësues i ndonjë qeverie apo përfaqësues i ndonjë institucioni që edhe sikur të çmendet fare s’do na bëjë ndonjë dëm. Meqënëse në Shqipëri ka pak informacion për amiqtë e mëdhenj, s’është kaq i madh, s’është armik Geixhi. Nikolas Geixhi e ka çuar Kadarenë dhe e ka paraqitur në Amerikë ku s’po i shitej para se ta njihnin, asnjë sasi si në Evropë e librave të tij të shquar, edhe në Amerikë”, -ka sqaruar Nano. Ai ka pohuar se, “deklaratat e fundit i ka thënë në mbledhjen e fundit të OMONIA-s në Sarandë, gjatë një mbledhje publike, të një organizate jopolitike”. “Edhe mua SHIK-u ndonjëherë më ka patur dërguar disa fotografi që filan deputet minoritar i imi ose i dikujt tjetër ka shkuar në mbledhjen e fshehtë të krerëve të organizatës panepirote ndërkombëtare. Këto janë mbledhje publike. Do njeriu hyn në një sallë, o flet, o dëgjon, o regjistron, edhe boton pastaj. Kemi ikur nga epoka e dhunës verbale”, -tha Nano. Akti i fundit për shpallje minoritarësh apo mbrojtësish amerikanë të minoritetit grek si persona “non grata” ka ndodhur në 1996, në kohën e qeverisë së zotit Berisha dhe ka sjellë dëme tashmë të paguara, shtoi kryeministri. “Pra unë, tha ai më tej, si kryeministër nuk kam asnjë arsye të shqetësohem nga deklarata e cilitdo, sepse në një shtet demokratik duhet ta konsumosh shkeljen e Kushtetutës apo të ligjit dhe dhuna verbale nuk është krim, përndryshe nëse për çdo llaf që hedh cilido kalimtar apo rezident, do të aktivizonim instrumenta penaliteti politik, diplomatik apo ligjor vetë Shqipëria do të kthehej në izolim. Dhe izolimi i Shqipërisë nuk varet nga Nikolas Geixhi”.
Krijoni Kontakt