Gazeta panorama:

---------

Jonuz Mersini: Unë, i dërguari i Enverit, që ftova Nolin të jetonte në Shqipëri

Duro Mustafai

Jonuz Mersini, sot është plot 82 vjeç, ndërsa tregon më pak. Me kapele republike dhe i veshur shik, ai të kujton zyrtarin e dikurshëm model. I kursyer në fjalë, por me kujtesë të mirë, Mersini, rrëfen historitë interesante të jetës së tij.

Ish-komisari i çetës partizane “Sali Murati” të Vranishtit, mori pjesë në shumë aksione të rëndësishme. Më pas me krijimin e Brigadës së 5-të Sulmuese, Jonuz Mersini, një nga kuadrot e saj, u përfshi në të gjitha luftimet që ndërmori kjo njësi, brenda territorit të Shqipërisë dhe në Kosovë e Jugosllavi. Bëmat e tij nuk i ndali as plumbi edhe pse ai e mori dy herë në beteja me pushtuesit. Një karrierë e gjatë në strukturat e shërbimit të fshehtë shqiptar, fillimisht në Tropojë e më pas në Nju Jork e vende të tjera. Njeriu që shërbeu për më shumë se 40 vjet në struktura të rëndësishme të Sigurimit të Shtetit e të diplomacisë, si zbulues i kamufluar, rrëfen për gazetën “Panorama”, ngjarje që i sjell si të kenë ndodhur sot. 82-vjeçari nga Vranishti i Vlorës, nuk ngurron të shprehet se si ai ish-zyrtari i qeverisë komuniste të Tiranës, takoi në vitin 1958, Fan Nolin. Nga i mori porositë për këtë takim të fshehtë dhe përse udhëheqja e lartë insistonte që t´i transmetonte propozimin Nolit, që të kthehej dhe të jetonte përgjithmonë në Shqipëri. Si reagoi Fan Stilian Noli ndaj kësaj kërkese dhe përse e refuzoi atë. Çfarë tha Noli në atë bisedë disaorëshe në kishën e Nju Jorkut. Cilat ishin reagimet e FBI-së amerikane pas takimit të Mersinit dhe Nolit. Kush e quajti atë “Peshkop i Kuq”. Më pas jeta profesionale e Mersinit vijon me të tjera episode, ku më i dëgjuari është ai i “rrëmbimit” nga Polonia i Kazhimir Mihalskit, ish-sekretar i Partisë Komuniste Polake, dhe sjellja e tij në mënyrë ilegale në Shqipëri, pasi ndiqej nga qeveria polake. Dëshmia e Mersinit, vazhdon me veprimtarinë e tij diplomatike në sallonet e mbretërve dhe të princërve të disa vendeve të Azisë Juglindore, apo dhe me takimet me emigrantët shqiptarë në Argjentinë dhe SHBA. Jonuz Mersini pohon se gjatë gjithë veprimtarisë së tij në shërbim të atdheut, ka pasur synim ruajtjen e sovranitetit dhe dinjitetit të vendit. Për më tepër lexoni në vijim intervistën e Jonuz Mersinit.

Si e nisët punën në organet e Sigurimit të Shtetit dhe cilat kanë qenë impresionet e para të punës suaj si drejtues i këtij shërbimi në rrethin e Tropojës?
Shkova për të drejtuar seksionin e Sigurimit të Shtetit në Tropojë në vitin 1948, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë. Them se më dërguan për të vendosur rregull, pasi ekzistonte kaos total dhe se Tropoja ishte një rreth i izoluar nga pjesa tjetër e vendit, pasi nuk kishte lidhje me rrugë automobilistike. Tropoja lidhej me rrugë automobilistike me Kukësin, nëpërmjet Kosovës.

E njoha këtë rreth që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, por njëkohësisht kisha dëgjuar edhe për të kaluarën historike dhe patriotizmin që njerëzit e kësaj treve kishin treguar në luftërat e njëpasnjëshme kundër pushtuesve turq e atyre serbë.

Më kujtohet se, atëherë disa kuadro të rrethit, mes të cilëve isha edhe unë, na thirrën në Tiranë dhe na pyetën se nga duhet të kalonte rruga për të shkuar në Tropojë, pa kaluar nga Kosova. Në këtë takim u porositëm që të mblidhnim banorët dhe ta bisedonim me ta këtë problem dhe të tjerë që kishte ai rreth. Populli i asaj zone na mbështeti pa rezerva në këtë sipërmarrje dhe po ashtu në të gjithë veprimtarinë tonë atje, e sidomos në luftën me UDB-në, Shërbimin e Fshehtë Jugosllav. Gjatë gati tri vjetëve që shërbeva në atë rreth, punova në kushte shumë të vështira. Jeta ime atje i ngjante asaj partizane që kisha bërë gjatë luftës. Megjithatë e them sinqerisht se populli i asaj zone më ndihmonte duke ma lehtësuar punën. Ruaj kujtime të mira nga aktiviteti im në atë zonë dhe e them pa rezerva se u lidha shpirtërisht me ta.

Fitova besim te tropojanët, që po të të jepnin besën “nuk e bënin fjalën dy”. Më kujtohet se në dy-tri raste na u arratisën nga burgu disa të burgosur ordinerë dhe me anë të lidhjeve familjare të tyre, shkova në mirëbesim në pyjet ku qëndronin të fshehur. I binda që të dorëzoheshin, duke rënë dakord që një natë të shkonin e të qëndronin pranë familjeve të tyre. Të nesërmen, ata erdhën vetë në Degën e Punëve të Brendshme. Ndërsa në dy raste të tjerë, që lidhen me dy agjentë jugosllavë, të cilët ishin futur ilegalisht në vendin tonë, me ndihmën e popullit arritëm që t´i kapim dhe t´i vëmë në shërbimin tonë.

Si përfaqësues i shtetit komunist shqiptar a e keni takuar në vitin 1958 apo jo?
Po, kjo është e vërtetë. Por dihet që Fan Noli edhe më parë ishte takuar me diplomatë shqiptarë në Amerikë. Kështu dua të theksoj se ai qëndroi për rreth një muaj me delegacionin shqiptar që shkoi në Shtetet Bashkuara të Amerikës në vitin 1946. Ai e ndihmoi këtë delegacion si patriot dhe si shqiptar. Kjo, natyrisht kishte rënë në sy, për mirë, të qeverisë së Tiranës.

Ku u bë biseda me Fan Nolin?
Bisedën me Nolin e bëra në rrethana jo të natyrshme, natën në kishë dhe jo në misionin tonë diplomatik, apo në ndonjë lokal. Kjo u bë me kërkesën e tij. Pra, pasi ai do të kalonte për në Rezidencën e përhershme në Florida, me anën e priftit Belba nga Korça, i cili administronte kishën e Nju Jorkut, Noli kërkoi që me këtë rast të takonte ndonjë nga funksionarët e misionit të Republikës së Shqipërisë në OKB. Nga Tirana më caktuan mua të merrja pjesë në këtë takim. E takova natën vonë në një ditë të vitit 1958, në një nga dhomat e kësaj kishe. Ai kishte disa kërkesa e porosi për Qeverinë tonë dhe fillimisht tregoi se pse po qëndronte akoma në SHBA, në atë moshë kur “i qante shpirti për t´u kthyer në atdhe. Sipas tij, arsyeja ishte e thjeshtë, pasi kisha greke dhe kisha ruse mezi prisnin që ai të ikte nga SHBA dhe të kthehej në Shqipëri, dhe të merrnin në dorë drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës. Noli më tha gjithashtu se po të ikte kisha shqiptare, do të ikte edhe Kolonia Shqiptare e Amerikës, sepse kisha e mbante të bashkuar e në pozita patriotike atë koloni. “Kështu bir, më tha ai, edhe unë edhe ju duhet të ruhemi se na ndjekin këta të kundërzbulimit të SHBA-së”. Këtu Noli më tregoi se si në vitin 1946, sapo ishte larguar delegacioni shqiptar, atë e kishin thirrur në organet e FBI-së, Zyra Federale e Hetimeve e SHBA-së, dhe e kishin pyetur se çfarë kishte biseduar gjatë një muaji me delegacionin. Përgjigjja e tij kishte qenë: “Unë jam shqiptar dhe njeri që merrem me problemet e fesë dhe nuk hyj në kësi punësh”. Pra, që nga ajo kohë, Nolit i vunë nofkën “Peshkopi i kuq”, megjithëse nuk kishin asnjë fakt që ai të kishte shkelur gjëkund interesat apo ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Që nga viti 1946, kur shërbimi amerikan i vuri nofkën “Peshkopi i kuq”, Noli nuk mori më asnjë kontakt me shqiptarë të ardhur nga Shqipëria. Edhe takimin me mua 12 vjet më vonë, natën në kishë, ai e justifikoi me faktin se, “këtu flitet për demokraci, por duhet t’i shtrish këmbët sa ke jorganin se përndryshe t’i presin”.

Çfarë tjetër ju tha Noli në atë takim?
Pas shumë orë bisedime, për problemet e kishës, Noli kërkoi nga qeveria jonë, që kisha Autoqefale e Shqipërisë t’i dërgonte kishës shqiptare në Amerikë sa më shumë materiale e të dhëna, sepse ai kishte ndërmend të shkruante historinë e kishës sonë atje në Amerikë. Ai më tha shprehimisht: “Mbas vdekjes time ka rrezik që kisha jonë në Amerikë të bjerë në dorë të grekëve dhe po të ndodh kjo edhe koloni shqiptare nuk do të këtë”. Prandaj, ai kërkoi me insistim që qeveria të dërgonte para vdekjes së tij një peshkop dhe dy priftërinj patriotë. Noli kërkoi që këto veprime të bëheshin sa ai ishte ende gjallë, sepse pas vdekjes së tij zor se mund t´i pranonin në SHBA. Noli ishte shumë entuziast për çeljen e të parit Universitet në Tiranë. “Kjo, tha ai, do të krijojë inteligjencën e vendit, që do ta rendiste Shqipërinë krahas vendeve të përparuara të botes”. Ai rekomandoi të mblidheshin dokumente të shumta, ndër ta dhe folklori i pasur që ndodhej te shqiptarët e Greqisë dhe Turqisë. Noli ishte i mendimit se Instituti i Historisë duhet të mblidhte studimet e shumta të Talocit, Jiricekut dhe Shufllait.

Me udhëzim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i kërkova Nolit nëse mund të merrte përsipër përkthimin në gjuhën shqipe të “Komedisë Hyjnore” të Dantes dhe “Ringjalljen” e Tolstoit. Ai m´u përgjigj se këtë të fundit e merrte përsipër, ndërsa “Komedinë Hyjnore” jo, sepse ishte e vështirë dhe donte shumë kohë. Fan Noli më kërkoi edhe disa botime që ishin bërë në vendin tonë në atë kohë dhe që i mungonin bibliotekës personale.

Mbas disa ditësh ia gjeta këto libra në bibliotekën e Misionit tonë në Nju Jork dhe ia dërgova.

Fan Noli më porositi gjithashtu t´i raportoja qeverisë sonë se në Stamboll dhe në Beograd gjendeshin dokumente shumë të vjetra e me vlerë të madhe për Historinë e Shqipërisë, e që duheshin gjetur rrugët për t´i marrë nga arkivat e tyre, pasi do të ndihmonin për të shkruar të plotë historinë e vendit tonë.

Shënimet e bisedës me Nolin i pata hedhur që ato ditë në letër dhe të gjitha ia dërgova me një relacion të veçantë Ministrisë sonë të Jashtme. Nuk dyshoj se dhe sot këto shënime gjenden në arkivën e kësaj ministrie.

I kërkuat Nolit të kthehej në Shqipëri?
E thashë edhe më lart se Nolit ia bëra këtë kërkesë, se kështu isha porositur, por njëkohësisht ai m’u përgjigj negativisht për këtë, jo se nuk kishte dëshirë, pasi atij i digjej zemra për atdheun, por duhet të ishte në Amerikë që kisha shqiptare atje të mos binte në duar të grekëve. Prandaj edhe kundër dëshirës së tij duhej të qëndronte në Amerikë. Këtë mendim Noli ma shprehu disa herë. Noli po të kthehej në Shqipëri, pa asnjë dyshim që ai do të pritej, le ta themi si një hero nga shqiptarët.

Çfarë përshtypje ju la figura e Nolit?
Gjatë gjithë bisedës prej disa orësh që pata me Nolin, megjithëse ai kishte bërë një udhëtim të gjatë me tren drejt Jugut të SHBA-së dhe në kohën që e takova ishte 76 vjeç, më la përshtypjen e një njeriu fizikisht të zhvilluar e të kthjellët mendërisht. Kjo u duk në problemet që ai ngriti si për hallet e kolonisë shqiptare të Amerikës, ashtu edhe për problemet që preokuponin Shqipërinë. Dihet që Noli ishte një njeri i ditur dhe në shumë fusha...

vijon nesër



Jetëshkrimi
Kush është Jonuz Mersini

U lind në Vranisht të Vlorës në vitin 1922. Shkollën fillore e kreu në fashtin e lindjes. Më pas, ai ishte nxënës i shkollës Tregtare të Ujit të Ftohtë, Vlorë, çerdhe e Luftës Antifashiste, ku do të ishte një nga pjesëtarët më aktivë të saj.

Në gusht të vitit 1943, në fshatin Vranisht u krijua çeta partizane “Sali Murati”, ku Jonuzin e caktuan komisar të saj, ndërsa komandant Maman Saliu.

Jonuz Mersini ka marrë pjesë në shumë aksione të kësaj çete, e më pas me krijimin e Brigadës së 5-të Sulmuese, si një nga kuadrot e saj, u përfshi në të gjitha luftimet që ndërmori kjo njësi, brenda territorit të Shqipërisë dhe në Kosovë e Jugosllavi. Në luftë është plagosur dy herë.

Mbas çlirimit të Atdheut, ai ka kryer detyra të vështira dhe të një karakteri të veçantë. Në vitin 1948, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, u transferua familjarisht në Tropojë, ku do të punonte për rreth tre vjet dhe në kushte të vështira, në detyrën e shefit të Seksionit të Sigurimit të Shtetit të atij rrethi.

Në periudhën 1953-1958, Jonuz Mersini ka shërbyer si diplomat në përfaqësitë tona diplomatike jashtë shtetit. Në vitin 1958, ndërsa punonte si këshilltar i Misionit të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, është një nga shqiptarët e parë që ka takuar zyrtarisht Fan Nolin, me kërkesën e këtij të fundit. Jonuz Mersini dhe Fan Noli kanë zhvilluar, për orë të tëra, një bisedë interesate në kishën e Nju Jorkut.

Në vitin 1966, Jonuz Mersini, u emërua përgjegjës i grupit të zbulimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe pas vitit 1972, drejtor i Zbulimit Politik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nga viti 1979 deri në vitin 1983 ka kryer detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në shumë shteti si në Kinë, Nepal, Ceilon (Sirilanka), Pakistan, Tajlandë, Birmani, me qendër në Pekin.

Jonuz Mersini, tashmë 82 vjeç, është duke grumbulluar dhe shkruar kujtimet e jetës së tij. Kohët e fundit ai ka botuar librin “Alfabeti i Lirisë”, me ndodhi interesante.



Nesër do të lexoni

Jonuz Mersini, nga SHBA në drejtori i Zbulimit Politik në Ministrinë e Jashtme
Aksioni sekret i Mersinit për të sjellë në Shqipëri ilegalisht sekretarin e PK të Polonisë, Kazhimir Mihalskin
Karriera e zbuluesit veshur me petkun e diplomatit në Kinë dhe Azinë Juglindore


-------------






..eh mo jonuz terbacioti.. e cdo i ofronit Nolit Ju banditet e hysni Enver Mehmet Kapos..

pervecse birucat e burrelit..asgje tjater nuku dinit ju..


i mencur Noli..

Nuk e hengri at ko-qe ulliri..