HISTORIANËT: OBJEKTET E KULTIT QË U DOGJËN ISHIN ILIRE

Historiani Enver Bahtiu, punonjës në Institutin e Monumenteve të Kulturës në
Prizren, ka shprehur keqardhjen për djegien e objekteve të kultit në rastin
konkret të 5 kishave ortodokse në qytetin e Prizrenit. Kishat dhe manastiret
në Kosovë nuk janë të serbëve. Ato janë kisha të ndërtuara që në kohën e
ilirëve, por që janë përvetësuar nga serbët me ardhjen e tyre në Kosovë,
sqaron historiani. Madje sipas tij, kisha në Nën Kalanë e Prizrenit, tashmë
e djegur është ndërtuar para 300 vjetësh nga ortodoksët e Korçës. Sipas
historianit Enver Bahtiu, pashai i asaj kohe i Prizrenit kërkonte që të
ndërtonte një xhami të madhe. Si mjeshtër në ndërtimin e kësaj xhamie pashai
kishte marrë gurgdhendës nga Korça të fesë ortodokse, të njohur si
gurskalitës. Ndërtimi i xhamisë ka vazhduar për disa vjet sipas historianit,
kështu që ortodoksët korçarë kanë marrë edhe familjet dhe janë vendosur në
lagjen poshtë Kalasë së Prizrenit. Pas popullimit të lagjes me ortodoksë nga
Korça, këta të fundit kanë ndërtuar edhe kishën e tyre ku kryenin ritet
fetare. Kjo kishë më pas është përvetësuar nga ortodoksët serbë. Sipas të
dhënave të shpallura nga UNMIK-u gjatë dy ditëve të trazirave janë djegur
110 shtëpi dhe 16 manastire e kisha ortodokse. Shekulli, 21/03/2004

* * * * *


PERKUJTOHET PAPA SHQIPTAR KLEMENTI XI

Në 19 mars 1721, pra 273 vjet më parë, mbylli sytë Papa Klementi XI, me
origjinë shqiptare, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë e
Vatikanit. Emri i tij, para emrit papal, qe Gjon Françesk Albani. Lindi më
1649, pra 355 vjet më parë, në Urbino të Italisë, në familjen e famshme
shqiptare me mbiemrin Albani. Për këtë Papë është shkruar shumë, p.sh. Dr.
Ëngjëll Sedaj ka botuar një libër të tërë kushtuar Papës Klementi XI, ku
flet për biografinë, por sidomos për ndikimin jashtëzakonisht të madh të
këtij Pape në çështjen shqiptare, sidomos në organizimin e një ngjarjeje
kombëtare të jashtëzakonshme të quajtur Kuvendi i Arbënit. Gjenealogjia e
familjes Albani, në Urbino të Italisë nis me dy refugjatë shqiptarë të
quajtur Gjergji dhe Filipi, vëllezër, të bijtë e Mikelit, të ardhur nga
Shqipëria në Itali, më 1471, sipas dokumenteve ndoshta edhe më parë më 1464.
Të dy vëllezërit qenë luftëtarë të paepur të Gjergj Kastriot Skënderbeut,
qenë të strukturuar kombëtarisht, e donin kombin shqiptar dhe kulturën.
Dokumentet përmendin dhe anëtarë të familjes Albani të vendosur në qytetin
Bergamo, po në Itali. Shekulli 20-03-2004