TIRANE

Oscar-ët e vitit 2004 do të zbresin shumë shpejt në kinematë e kryeqytetit shqiptar. Admiruesi i ekranit të madh do të ketë mundësinë të shijojë lojën e mrekullueshme të atyre që vunë gurin e rradhës në 'kalanë' disavjeçare të çmimeve Oscar. Mes tyre përmendim aktorët Sean Penn, Tom Cruise e Tim Robbins, Charlize Theron, Renée Zellweger apo Nicole Kidman. Muajt në vazhdim do të rezervojnë për publikun mjeshtërinë e regjisorëve të mëdhenj të Hollywood-it, të cilët këtë vit rrëmbyen jo nga një, por nga disa Oscar, duke nisur që nga neozelandezi Peter Jackson e deri tek ish-aktorët e mirënjohur Clint Eastwood dhe Mel Gibson, të cilët këtë vit kanë shpërthyer suksesshëm edhe në fushën e regjisurës.

Nga "Lumi mistik" te "Samurai i fundit"
Nga burime brenda sektorit të menaxhimit të dy kinemave Millennium në Tiranë mësohet se shumë shpejt do të mbërrijnë për t'u shfaqur për publikun tonë filma të tillë si: "Mystic River" (Lumi mistik) me regjisor Clint Eastwood dhe "Monster" (Monstra) me protagoniste kryesore Chalize Theron. Gjithashtu do të sigurohen edhe filma të cilët ishin pretendentë të çmimit të madh, por që nuk mundën ta siguronin atë. Mes tyre do të jetë filmi "L'Ultimo Samurai" (Samurai i fundit), i cili konkurronte në seksionin e pretendentëve për aktorin më të mië joprotagonist. Filmi do të sjellë një imazh të ri të aktorit Tom Cruise. Nga burimi i lartpërmednur mësohet gjithashtu se filmat në fjalë, në qoftë se do të ndiqnim praktikën e vendeve perëndimore, duhej të ishin dhënë përpara ndarjes së çmimeve Oscar, por në pamundësi kjo do të realizohet tani.

Komedi dhe aksion
Ekrani i madh do të ofrojë në muajt në vazhdim edhe filma që ndoshta nuk u përfshinë në vorbullën e quajtur Oscar, por që megjithatë mbeten filma të bukur. Mes tyre është një prej komedive më të realizuara të vitit që u mbyll "Along Came Polly" me aktorët Ben Stiller e Jennifer Aniston. Ish-çiftin e famshëm Ben Affleck e Jennifer Lopez do të mund t'i shohim sërish së bashku, këtë herë në një film të ri me titull "Jersey girl" (Vajza Xhersi), komedi nga Kevin Smith. Ndërsa aksioni do të serviret nga një tjetër film që po përgatitet për t'u shfaqur. Ai titullohet "Kill Bill".


["i]Mali i ftohtë" ngre siparin e filmave Oscar[/i]

Tashmë është siguruar për t'u shfaqur një prej filmave që u vlerësua këtë vit me Oscar. "Cold Mountain" (Mali i ftohtë) është filmi që do të presë shiritin e shfaqjes së këtyre filmave në Tiranë. Kandidat për 5 çmime Oscar, ky film arriti të rrëmbente vetëm një, atë të aktores më të mirë joprotagoniste, fituar nga Renee Zellweger. Filmi të çon në fundin në Luftës Civile në Amerikë. Një ish-ushtar i plagosur ngrihet nga shtrati dhe niset për në Col Mountain, në Karolinën e Veriut. Aty, e pret, Ada, e dashura që kishte para se të nisej në luftë, e cila mundohet të mbajë fermën e të atit. Gjatë udhëtimit, Inman kalon nëpër rrënojat e Konfederatës, ku takon njerëz nga të gjitha llojet… që duan ta ndihmojnë apo dhe t'i venë shkopinj nën rrota.


Krishti i Mel Gibson, pas Italisë në Shqipëri

Aktorit Mel Gibson mesa duket nuk i ka mjaftuar vetëm suksesi para kameras. Viti 2004 tregoi se ai po e kërkon madje dhe po e gjen këtë sukses edhe pas saj. Filmi "The passion of the Christ" është dëshmia më e mirë dhe më e prekshme e këtij suksesi. Miliona dollarë janë siguruar prej këtij filmi që në momentet e para të shfaqjes së tij në Amerikë, duke menduar që ai ende nuk ka nisur të shfaqet nëpër kinematë e Evropës. Me gjithë polemikat e mëdha që ai ka hapur për mënyrën e konceptimit, "The passion of the Christ", për momentin, është më i ndjekur në kinematë amerikane. Mësohet se në Evropë, ai do të shfaqet fillimisht në kinematë e Italisë, më pas do të shpërndahet edhe në vende të tjera, mes të cilave shpresohet të përfshihet edhe Shqipëria.


"Mbreti i unazave" është shumë i shtrenjtë

I vetmi film që nuk do të ketë mundësinë të kalojë kufijtë e Shqipërisë do të jetë pikërisht më i miri i më të mirëve të këtij viti, "The Lord of the Rings: Return of the King", (Zoti i Unazave: Kthimi i Mbretit). Nga informacioni i marrë nga zyra e menaxhimit të kinemave Millennium mësohet se sigurimi i këtij filmi është i pamundur, për vetë vleftën e madhe në parë që ai film ka. Kujtojmë se "The Lord of the Rings: Return of the King", arriti të siguronte këtë vit 11 çmime Oscar, një rast tepër i veçantë ky. Ai u vlerësua me këtë çmim për regjinë, skenografinë, skenarin, kolonën zanore, montazhin etj