Ky shkrim nuk ka te beje me bindjet e mia personale por thjesht nje informacion qe mund tiu duhet une e pashe live emisionin dhe mu duk shume interestorant.

Liljana Hoxha, gruaja e Sokolit, djalit të vogël të Enver Hoxhës, rrëfen për emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit, kontradiktat e saj me vjehrrën
“Kombinacionet e Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë për të më eleminuar”
vijon nga numri i kaluar <2.htm>



Liljana Hoxha, bashkëshortja e djalit të vogël të Enver Hoxhës, Sokolit, ka kthyer në skenë debatin e saj me vjehrrën Nexhmijen. Në një intervistë të gjatë të dhënë për televizionin Arbëria, emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit të mirënjohur Arjan Çani, ajo tregoi të gjitha të fshehtat e familjes Hoxha. Gazeta “Panorama” merr përsipër ta botojë të plotë intervistën e Liljanës, 53-vjeçarjes që për herë të parë flet hapur për mosmarrëveshjet e saj me Nexhmije Hoxhën. Ajo shpjegoi se me njohjen e Sokol Hoxhës, djalit të Enverit, nisin dhe vështirësitë.
Ajo do ta kishte të vështirë jetesën me një rreth shoqëror që nuk i përkiste atij të sajit. Liljana nuk harroi të përmendte edhe ndërhyrjet e vazhdueshme në jetën e saj nga Nexhmija, e cila sipas saj, nuk e ka pranuar asnjëherë atë si nusen e djalit. Ajo mendon se mosmarrëveshjet janë thelluar pasi kjo nuse u prishi planin që kishte familja, pa dijeninë e Enverit, ta martonte Sokolin me një mbesë të Vito Kapos. Ardhja e nuses tjetër të familjes Hoxha, Teutës, mbesës së Ramiz Alisë, do t´i shtonte vështirësitë e bashkëjetesës së saj me atë familje. Këtë herë Liljana, gruaja shpjegon se si nuk e lejuan të ikte nga blloku vetëm pas rreth katër vjetësh martesë, se prishej plani i familjes. Si Enveri nuk dinte gjë për ato që ndodhnin në familje dhe hipokrizia e të tjerëve në prezencë të tij me Liljanën. Kur e realizoi largimin prej andej dhe përse Nexhmija, tashmë kishte ndryshuar mendje, pra ajo s´ishte dakord. Kombinacionet e Nexhmijes dhe Ramizit për ta eleminuar. Emigrimi në Kanada dhe ku mbështetet gruaja e djalit të Enverit për ta deklaruar një gjë të tillë. Si e quajtën të çmendur dhe e kuruan me ilaçe vetëm pse donte Nexhmija. Cili është mendimi i saj për Ramiz Alinë dhe ku gaboi ky i fundit në ndërrimin e sistemeve. Çfarë tha në fund të emisionit Liljana dhe përse e falënderon bashkëshortin, i cili edhe pse i kishte mundësitë ta linte “në baltë” i qëndroi në krah dhe i kaluan së bashku të gjitha vështirësitë. Për më tepër lexoni në vijim pjesën e dytë të intervistës së Liljana Hoxhës.
Nga viti 1990 deri tani, ju nuk keni pasur mundësi që të punoni dhe jeni përballur edhe me vështirësi ekonomike që ju janë dashur t’i përballoni. Madje, u larguat nga blloku dhe shkuat në shtëpinë e prindërve të tu....
Pasi dhashë dorëheqjen si nëndrejtoreshë e ATSH i them familjes se ne duhet të iknim sa më parë që të gjithë

Nexhmija u gëzua për këtë?

Në atë kohë jo. Unë duhet të rrija se prishja planin e familjes. Nexhmija ka dashur të ikja më përpara dhe nuk u realizua se nuk më ka lënë Sokoli. Kjo ka ndodhur herët, madje dy tri vjet pas martesës. Më kujtohet se për këtë, Nexhmija jo vetëm që ishte dakord, por ajo madje ma propozon kokë më kokë largimin, gjë që nuk do ta bënte kurrë në sy të Enver Hoxhës dhe unë kisha dëshirë ta bëja këtë gjë, por nuk pranoi Sokoli që të largoheshim nga babai i tij, i cili ishte i lidhur shumë me të gjithë fëmijët, dhe të mitë, por sidomos me Valbonën. Enveri nuk jetonte dot pa e pasur herë pas here Valbonën, vajzën time, pranë.


Si mendoni tani pas kaq vitesh për atë që ndodhi brenda Nexhmijes. A mund të më thoni se pse vjehrra juaj nuk ju ka pranuar asnjëherë, pra që kurrë u njohët me Sokolin?

Jo, nuk dua të bëj komente. Kam thënë se komente nuk do të desha të bëj asnjëherë. Nuk do ta bëja këtë as kur të flisja shtruar shtruar, as pas vdekjes siç e kisha menduar. Dua të flas për ato ç’ka di. Komentet do t’u a lë të tjerëve. Kjo për arsye se nuk dua të jem zëdhënëse e mendimit tim. Unë jam zëdhënëse e dëshmisë sime, dhe kjo dëshmi është si e të gjithë të tjerëve që dinë të japin për pjesën e tyre. Dëshmia ime është vetëm më brenda dhe në një funksion tjetër që jam sa e brendshme dhe e jashtme. E jashtme jam vetëm për përmbajtjen time natyrale. Mendoja se në shtëpinë e Enver Hoxhës nuk do të gjeja ambientin ku jam rritur, ambientin e dlirë të virtytshëm. Në këtë familje ku shkova kishte dy ambjente, siç jam rritur, vetëm në sy të Enverit, dhe pas krahëve të tij, gjendesha në një ambjent tjetër që të merrte frymën.

Ndihesh e terrorizuar psikologjikisht?


Arrij të ndjehem edhe e terrorizuar se kështu rrodhën ngjarjet. Unë nuk dua të them asnjë gjë konkrete dhe s’dua të them bile, vetëm se gradualisht kuptova se çdo gjë që ndodhte, bëhej me dijeninë e Nexhmije Hoxhës. Kjo është dëshmi dhe jo interpretim. As mos ma kërkoni një gjë të tillë.
A arritët ta kërkonit në atë kohë ndihmën konkrete të Enverit?
Jo, absolutisht jo. Dhe po të kisha nevojë nuk do ta bëja një gjë të tillë. E kisha të ndaluar këtë, pasi nuk duhej t’i hapja problem dhe nuk mund ta rrëzoja unë vetë atë, kur e shikoja si sytë e ballit shëndetin e tij. Në vitin 1986, i kam thënë Nexhmije Hoxhës, se pse s’më la të flisja me Enverin, i cili së fundi vdiq që vdiq. I përmenda se ajo e kishte fajin për gjithçka, se u binda që ajo e kishte fajin dhe se pas vdekjes së Enverit gjendja u bë traumatike, u bë e pajetueshme, revanshiste. Ato që çfarë kam me Nexhmijen, Teutën janë vetëm alibitë e tyre se unë nuk kam asgjë me to.


Çfarë kanë ato me ty?

Pyetjet e të tjerëve, aluzionet e tyre, bëhen për ta banalizuar këtë. Unë nuk kam asgjë dhe kësaj pyetje do t´i përgjigjem patjetër, por mendoj se nuk ka këtu problem në raport me Nexhmijen, apo me Teutën, këtu ishte raporti me gjithë familjen, një gjë e organizuar, një gjë komplet e kundërt me jetën.

A mendoni Liljana se ndoshta ekzagjeroni edhe vetë ju kur u riktheheni këtyre problemeve?

E di, e i kam menduar të gjitha këto. Për ekzagjerimet, them se kështu ky problem duket sot. E di që mund të jem edhe subjekive, apo e çmendur, do të flas ndaj dhe pranoj që jam edhe e çmendur. Konsiderohem kështu nga Nexhmija, Ramiz Alia, Isuf Kalo, edhe nga pasuesit e tyre, apo mediat, që mbrojnë interesat e tyre. Kështu, që unë jo vetëm ekzagjeroj, por pranoj të jem dhe e çmendur, s’ka gjë. Puna është se duhen parë në janë të vërteta këto që them apo jo. Që jam e çmendur s’ka problem unë bashkëjetoj shumë mirë me idenë që jam e çmendur, se fakti që jam e çmendur ma lehtëson jetën, më lehtëson ndjenjën e përgjegjësisë që kam, për të gjithë aksionet e mia, individualë për veten time dhe përgjegjësinë që kam ndaj shoqërisë. Them se unë jam përgjegjëse ndaj shoqërisë, për faktin që jam kristjane dhe për atë që kam qenë komuniste e ndershme. Unë nuk e di se sa komuniste kam qenë. Kam menduar se të gjithë e duam komunizmin dhe nuk e dija që nuk e donin atë të tjerët. Nuk e dija që ata që i këndonin nuk e donin dhe ishin farsë, nuk e dija por e kam kuptuar vonë këtë.
Ç’lidhje ka kjo që sapo thatë me Nexhmijen?
Në marrëdhëniet me Nexhmijen, kjo ka të bëjë me atë që Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia, nuk ishin komunistë siç ishin babai im, nëna ime, unë që sado e re dhe tolerate që isha e besoja, as sa Enver Hoxha dhe komunistët e thjeshtë shqiptarë.

Ramizi dhe Nexhmija thatë apo jo?

Ramizi, Nexhmija dhe kushdo tjetër që është pas tyre.
Përmendët edhe Isuf Kalon…
Natyrisht edhe ai është vegël e të tjerëve. Do të përmendim edhe më gjatë bisedës
Ata ju kanë akuzuar për të çmendur. Përse ndodhte kjo. Çfarë rreziku përbëje ti për ata që të akuzonin?
Rreziku ka të bëjë me atë, që unë ju kam prishur aleanca. Ashtu siç u martuan Iliri në vend të vajzës së Ramiz Alisë të cilën ai frekuentonte apo edhe dilnin, se unë atë kam gjetur kur kam vajtur për herë të parë te Sokoli. Unë kam njohur Ilirin me Zanën, kur kam shkuar për herë të parë në atë shtëpi. Unë nga jashtë u ambjentova me atë lidhje dhe kisha respekt për atë vajzë se është vajzë e mençur. Nuk ndodhi ashtu, pra papritur Iliri fejohet me Teutën. Pra, Ramizi nuk i dha dot vajzën Ilirit, pra djalit të Enverit, se nuk ishin të udhës që të martoheshin fëmijët e anëtarëve të Byrosë, pikërisht për të evituar ndonjë komplikim më vonë, por i dha mbesën. Normal, ishte vajzë e bukur, qoftë i lumtur Iliri dhe kaq.
Për ju Teuta ishte thjesht një vajzë e bukur, nuk kishte ndonjë gjë tjetër që ta meritonte Iliri?
Për mua Teuta ishte thjesht një vajzë e bukur. Fillimisht ishte një vajzë e urtë. Dukej e urtë.

Pse më pas ç’ndodhi?

Nuk mund të futem në këto gjëra, po dua të them vetëm këtë. Për raportet familje, Teuta them se o është më e zgjuar familja, o është më e humbur ajo. Unë këtë nuk e di, por familja u fsheh mbrapa meskinitetit të saj, që ishte më e paskrupullt në egoizmat, sulmet, cinizmat, xhelozitë, në një obsesion që kishin ndaj meje si flisja, si qeshja, ku isha, si reagoja, si haja e të tjera e të tjera.
Mendoni se problemi ka ekzistuar vetëm e vetëm se Teuta ishte mbesa e Ramizit, ndërsa ju erdhët nga jashtë bllokut?
Jo vetëm kjo, por i prisha dhe një lidhje tjetër Nexhmije Hoxhës, e them për të, pasi Enver Hoxha nuk e ka pasur idenë për këtë gjë, që Sokoli të martohej me një mbesë të Vito Kapos.
Bashkëshorti juaj aktual do të kishte dikë tjetër në vendin tënd…
Bashkëshorti im më zgjodhi mua, por nëse nuk do të ndodhte kjo, do të kishte një mbesë të Vito Kapos sot për grua dhe familja do të ishte rahat. Kështu, mendoj se më të vërtetë iu kam bërë shumë keq. Kjo është arsye principiale.
Ju sapo deklaruat se nëse nuk do të ishit ju, bashkëshorti juaj do të ishte tashmë me një mbesë të Vito Kapos, gjë që nuk ndodhi…
Nuk ndodhi se dashuroi fatkeqësisht një si unë, fatkeqësisht them për familjen.
Përse e thoni për familjen?
E them për familjen e tij. Pra, mori një vajzë të papërshtatshme dhe për më tepër pastaj nga karakteri, pasi tek e njohën ishte gjithnjë e më e rrezikshme. Prandaj, duhet të fillonte edhe mjekimi.
Aty nga viti 1977, pra vetëm pas pak viteve jetesë në bllok ju filloni të merrni një mjekim….
E them që ky ishte një mjekim krejtësisht aksidental. Sot është shumë e vështirë t’i shpjegosh gjërat sipas logjikës së njerëzve, të cilët janë kaq të lirë, e kaq shumë e shijojnë atë qetësinë e tyre sa nuk duan t’ia dinë për atë se çfarë thonë të tjerët, apo ndodh rrotull tyre, sa unë e kuptoj se jam krej e sfazuar, me logjikën e sotme. Me logjikën e atëhershme dhe me logjikën e njerëzve si unë, them për njerëzit në familje, do t’u lutesha të gjithë atyre që më dëgjojnë të ndiejnë siç jam ndier unë dhe jo të më japin të drejtë apo diçka tjetër. Mjekimi im filloi në kohën kur unë nuk pranova se ndihesha e palumtur, këtë e thotë edhe Pol Miljez, mik i Enver Hoxhës se karaktere si unë nuk mund të jetonin nën çatinë e asaj familjeje. Unë këtë gjë nuk e pranoja dot, pasi nuk mund të ballafaqohesha me idenë që isha e palumtur, pra e fsheha këtë fakt dhe thashë s’ka se si. Nejse, ato janë mënyrat e Isuf Kalos, të cilit i besoja shumë në atë kohë dhe marrim një mjekim përkohësisht sa për të thënë se filloi mjekim Liljana nuk vajti kot dhe ka diçka të vogël, që është e lodhur e pagjumë….
Në fakt nuk ju vendosën ndonjë diagnozë konkrete…
Absolutisht jo. Kam vajtur te mjeku që duhet të më mjekonte dhe pyeti që më pyeti nëse kisha dëshirë të vrisja veten. Unë kam shqyer sytë nga habia në këtë moment dhe njëkohësisht nga dhunimi që më bëri, pra më fyeu.

Këtë e tha Miljezi?

Jo, jo. Mjeku francez. Miljezi tha se nuk isha e sëmurë, por kisha nevojë të ndërroja ambient. Në vizitë më shpuri Isuf Kalo me Nexhmijen, e cila më tha se duhet t’i pija barnat që ai më dha, për të mos hapur probleme. Pasi i kisha pirë një muaj ilaçet nisa të thosha se për çfarë po i pija ato dhe përse duhet t’i pija. Pirja e ilaçeve ishte një gjë e detyruar, unë ju besoja atëherë. Në këtë kohë e falënderoj edhe Sokolin për ndihmën që më ka dhënë dhe në rastin konkret kur më thoshte se duhet t’i pija barnat se nuk më ndiqte dot, ngaqë unë isha shumë reaktive, vigjilente dhe shumë e devotshme. Reaktive isha për të thënë se kjo gjë nuk ishte kështu apo ashtu dhe përse këto nuk i di Enver Hoxha. E kështu vazhdon kjo histori. Vetë mjekimi ishte një privilegj më vete për bllokun, për të cilin është folur shumë, por në të vërtetë ai është realizuar në mënyrë krejt jo profesionale dhe siç e mora vesh më vonë, pas viteve 90-të, kur më thanë se ç´duhet të bëja me shëndetin tim.

Në vitin 2000 ju keni shkuar në Kanada apo jo?


Në Kanada shkova për tjetër gjë. Shkova atje, pasi na thanë se ndiqesha nga UDB-ja që kërkonte të më viste. Informacionin na e dhanë persona me shumë kredibilitet. Na thanë dhe për shumë atentate të cilët na kishin ndodhur dhe në Bullgari gjatë vitit të ri, ku na shoqëronte një shoqja ime shumë e afërt. Kam shumë historira të tilla, të cilat nuk mund të thuhen këtu. Ata na thanë edhe disa gjëra që lidheshin me incidente që na kishin ndodhur dhe pas verifikimit, ku rezultoi se ishte kështu, vendosëm të shkonim në Kanada. Më pas po këta na njoftuan edhe për ato që na kishin ndodhur në Kanada.

Mos ishte një kurth Kanadaja?

Them se po. Pasi më kanë bërë kërcënime dhe atentat këtu në Shqipëri, pas botimit të shkrimit në një revistë me titull “Mjekët e vdiqën Enverin”, që kjo nuk qe deklarata ime, por e drejtuesit të revistës, Kanadaja ishte një kurth. Unë atëherë thashë se po shkoja atje, për të shpëtuar jetën dhe ndërkaq po bëj dhe dokumentat dhe të çlirohem të iki njëherë e përgjithnjë nga problemet. Atje, kuptova se këta që më kishin informuar për gjithçka dhe më kishin bindur që të shkoja atje për të më vrarë, turpëruar, thashethemet kishin dalë. Atje, kisha lloj lloj provokimesh, e pervesitetesh, bile donin dhe të më martonin, por nuk ia arritën të më poshtëronin. Filluan të thoshin se unë atje jetoja vetëm, ndërkohë u isha futur dhe procedurave të bashkimit familjar, që të vinte dhe im shoq Sokoli, por siç e pashë dhe mësova më ishin bllokuar procedurat. Kur e kuptova, u largova nga vendi ku banoja dhe u vendosa në një zonë frankofone, ku e kontrolloja vetë procesin e dokumentacionit. Bindem se vajtja në Kanada jo vetëm ishte kurth nga këta persona, por ishte qëllimi që të mbetesha në Kanada, nga biseda që kam bërë me Nexhmije Hoxhën, braktisa gjithçka dhe jam kthyer e bindur se kuptova se isha treguar naïve dhe se më kishin dërguar në Kanada. Te këta njerëz që kam ndenjur që unë u besoja dhe i dija miq, në dhomën e gjumit ku flija do të shikoja fotografinë e zonjës së shtëpisë me Nexhmije Hoxhën. Ika nga këta, pasi u binda për rolin e tyre. Më vonë kur vazhdojnë presionet e forma atentatesh për të më trembur, në Tiranë vazhdonin të punonin vazhdimit, duke i thënë Sokolit se kisha vdekur e të tjera gjëra. Në këtë kohë vajza ishte shtatzënë dhe kisha vendosur që do t’i shkoja deri në fund asaj që kisha nisur. Kisha vështirësi të mëdha në atë kohë aq sa e quaja veten të aziluar. Më në fund i kërkoj ndihmë hapur Nexhmije Hoxhës, duke i thënë se ato që po më ndodhnin mua më vijnë nga Ramiz Alia, iu luta që edhe po qe se nuk ndiente gjë për mua, të kujdesej për Sokolin dhe vajzën time, pra mbesën e saj, pasi ata po pësonin të njëjtin presion paralel me mua. Përgjigja e saj më dha të kuptoj se në Kanada isha e dërguar prej tyre dhe qëllimi ishte që të mbetesha atje. Pra të isha sa më larg, pasi ata i jepnin kohë vetes që diçka të më ndodhte. Të gjitha kurthet më janë bërë në Kandada dhe vetëm drogë nuk arritën të më futnin.

Ju thoni gjithë këto gjëra të rënda në ngarkim të personave.A keni menduar ndonjëherë të bëni denoncim?


E kam menduar ta bëj një gjë të tillë. Po më mundonte fakti se ku do ta bëja, te njerëzit e Ramiz Alisë.
Jo them ta bënit këtë në prokurori…
Denoncim për mua ka qenë ajo që kam bërë duke shkruar gradualisht ku kam kërkuar të marr përgjigje publike nga Nexhmija dhe Ramizi por kam gjetur çensurën dhe logjikat absurde të Fatos Lubonjës e kompani. Prandaj, unë nuk kam përse të bëj denoncim te Ramiz Alia, pasi mendoj se ky pushtet është i Ramiz Alisë. Ai është në prag të vdekjes thotë dikush, apo është në pleqëri të thellë apo kështu e ashtu, i kam pësuar të gjithë presionet aq sa Nexhmije Hoxha kur i kam thënë se nuk isha vetëm ,ajo më është përgjigjur se do të ma tregonte mirë fisin. Në të vërtetë unë nuk kisha babë e nënë, apo vëlla se më kishin vdekur, por nuk isha vetëm. Këtu te vëllai do të them një gjë shumë interesante. Ai ishte i vetmi njeri që më kuptonte se çfarë ndieja dhe ka qenë nga të vetmit njerëz të familjes kundër asaj që ndodhte me mua në strehën Hoxha dhe kundër Ramiz Alisë. Dhe unë e survejuar dhe me dosje siç isha pas vdekjes së Enverit në vitin 1985, kam folur më shpesh me tim vëlla. Por ajo që ndodhi me të ishte e dhimbshme, pasi sëmuret dhe pa qenë asnjëherë i tillë më parë, vdiq.


Cili është mendimi juaj për Ramiz Alinë?


Ramiz Alia është përjetësisht bashkëpunëtor i Enver Hoxhës, suksesori i tij, e të tjera me radhë. Është ai, që duhet të bënte demokracinë. Është ai, që thoshin se ishte Gorbaçovi i Shqipërisë, por nuk është ashtu, pasi ky i fundit e solli shumë butë dhe me mendim shumë logjik, meqë sistemi socialist dështoi ekonomikisht duhej të dështonte edhe politikisht. Atëherë fillonin tw nisnin reformat ekonomike graduale, për të kaluar në ekonominë e tregut, natyrisht nën kontrollin e nomeklaturës komuniste që të ishte më e lehtë dhe pa pasoja. Duhet ta bënte Ramiz Alia këtë,por nuk e bëri. Pas vdekjes së Enverit, Enver Hoxhës,se nuk më pëlqen të flas kështu, ishte gjëja më normale që mund të bënte Ramizi, por nuk e bëri. Ai bëri vetëm lodra ndryshimesh, liberalizimesh dhe nga ana tjetër e sabotoi edhe më keq ekononimë e Shqipërisë dhe trashgiminë ekonomike që kishte lënë Enver Hoxha. Ramiza Alia preu rrugën e Shtrausit. Këtë e them pasi Enver Hoxha kur mbeti vetëm, pra i izoluar, dha sinjalet për hapje ndaj perëndimit, siç thotë dhe Andreoti, dhe për liberalizim të ortodoksisë komuniste lidhur me të drejtat e individit. Enver Hoxha kishte thënë qartë që të bëheshin edhe lëshime në legjislacionin përkatës. Për mua nuk mund të kishte sukses çështja Shtraus, përderisa kishte kushtëzime të tilla si vendosja e besimit fetar në Shqipëri, por nuk mundej Ramiz Alia ta bënte një gjë të tillë. Ramiz Alia ishte ai, që hapi dyert e ambasadave që të ikin njerëzit në eksod, dhe kur i shikon që ikin gjithë këta bij nënash, që të dhimbseshin që iknin në atë mënyrë, Ramiz Alia i quan ata armiq të popullit. Ai hap kufijtë dhe vret njerëzit pabesisht, pra bën genocid. Ramiz Alia është ai, që solli pluralizmin, dhe mirë bëri që e bëri këtë, por nuk e bëri në atë logjikën që thamë por ndryshe, duke e bërë në një farë mënyre mbrapsht, e bëri duke i ngritur kultin Enver Hoxhës, kur ai duhet të asgjësonte dashurinë e njerëzve për Enverin. Kjo është gjëja më traumatike që ka bërë ai, pasi ka vrarë ndjenjën shqiptare, për këtë i kam thënë edhe Nexhmije Hoxhës dhe më është përgjigjur se nuk kishte se ç´më duhej të merresha me këtë punë.


Çfarë do të thoni së fundi?

Dua t´i them feleminderit shumë Sokolit, që më ka mbështetur në të gjitha ato që kemi kaluar. Natyrisht që ai edhe mund të më kishte lënë në baltë. Ai jo vetëm që nuk e bëri këtë, por më tha se edhe sikur të ishim ndarë me tentativat që ka bërë Nexhmije Hoxha, ai për çka them unë, do të dëshmonte siç dëshmon bashkë me mua. Dëshmon edhe pse ne jemi të paralajmëruar nga Enver Hoxha përpara se ai të vdiste edhe për rrezikun e jetës, edhe pse dyshimet që ai ka për ndodhitë e fundit dhe në lidhje me Ramiz Alinë.