panorama

------

Trafiku

“Gjatë mbajtjes në arrest, me ata shpesh abuzohet, keqtrajtohen dhe grabiten nga gardianët apo edhe nga të ndaluarit e tjerë. Pas disa ditësh, ata dërgohen në kufi dhe lihen aty në mëshirë të fatit”, thuhet në raport. Kësisoj ua servirin në pjatë të argjendtë trafikantëve, pasi, sipas raportit, institucionet shqiptare dhe policia nuk janë të informuara rreth aksioneve të fqinjëve


Raporti i UNICEF-it për trafikimin e fëmijëve shqiptarë në tokën helene. 75% “zhduken” nga institucionet


E vërteta shqiptare në jetimoret greke
“Fëmijët detyrohen forcërisht të ndërrojnë kombësinë”


Etiola Kola

“Të ngujuar” në jetimoret e Greqisë. Të detyruar forcërisht të ndërrojnë kombësinë. Pa asnjë kontakt me gjuhën amë. Eshtë realiteti i fëmijëve shqiptarë të trafikuar në tokën helene, i zbardhur nga raporti i UNICEF-it për Shqipërinë.

“Fëmijët më të vegjël se 12 vjeç, dërgohen nëpër jetimore, ku i nënshtrohen një procesi të shkombtarizimit me forcë dhe humbasin kontaktin me gjuhën e tyre të origjinës”, thuhet në raport. Shifrat e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, flasin për 6 mijë fëmijë shqiptarë në jetimoret italiane dhe 2 mijë në ato greke. Porse raporti i UNICEF-it saktëson se e vërteta e përtej gardhit të jetimoreve greke është krejt tjetër. “Në tre vitet e fundit, rreth 75 për qind e fëmijëve shqiptarë në institucionet greke, janë ‘zhdukur’ prej aty”, thuhet në raport. Sipas burimeve zyrtare greke, nga 644 fëmijë shqiptarë të strehuar, 487 ia kanë mbathur. Por raporti tregon se nuk ka informacione bindëse rreth numrit të fëmijëve shqiptarë të mbajtur në jetimoret greke. “Ministria greke e Shëndetësisë ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesës së OJQ-së shqiptare “Help for Children” për informacion dhe akses nëpër jetimoret greke”, thuhet në raport.

“Të zhdukur e të vdekur”
“Disa të zhdukur e të vdekur”, ka deklaruar shefi i misionit të organizatës “Terre des Hommes”, duke iu referuar raportit për fëmijët shqiptarë të trafikuar në Greqi. As policia e organizatat joqeveritare greke, nuk kanë dijeni për vendndodhjen e pjesës më të madhe të fëmijëve shqiptarë. “Rreth 80 për qind e fëmijëve të trafikuar që janë në Greqi kanë ndryshuar lokalitetet ku qëndronin më parë, si dhe aktivitetet që ushtronin. Ata janë zhdukur në rrjete, apo qytete e shtete të tjera”, thuhet në raport. Rishtas, trafikimi i fëmijëve për të dyja sekset, lidhej me punësimin me forcë e lypjen, shpërndarjejn e drogës dhe aktivitete të tjera si larja e makinave. “Ka fëmijë që janë rishitur për arsye prostitucioni”, citohet në raport. Sipas të dhënave të mbledhura nga “Terre des Hommes”, pas disa kohë qëndrimi në Greqi apo në Itali, fëmijët trafikohen më tej në Evropën Perëndimore.

Trafikimi
Qytetet kryesore prej nga trafikohen fëmijët shqiptarë janë Berati, Korça, Fieri, Elbasani e Tirana. Raporti saktëson se mosha e tyre varion nga 0-15 vjeç. Shumë syresh, janë prej familje të varfra. “Shumica e fëmijëve të trafikuar vijnë nga minoriteti rom në Shqipëri, megjithëse ka fëmijë edhe me origjinë shqiptare dhe problemi nuk është specifikë e një grupi të caktuar nga radhët e minoriteteve”, thuhet në raportin e UNICEF-it. Sipas raportit, fëmijët trafikohen për në Greqi, duke shkuar në këmbë, duke kapërcyer malet, me kamion, nëpërmjet kufirit me dokumente false, si dhe me të ashtuquajturat “nëna” false. Raporti i mëshon edhe përfshirjes së zyrtarëve në trafik. “Tolerimi i autoriteteve në të dyja anët e kufirit, Greqi e Shqipëri, është bërë një pjesë e pandarë e problemit”, citohet në raport. Në disa raste, rikthehen. Porse vetëm në kufi. Arrestohen, burgosen e mbahen bashkë me trafikantët. Në çdo rast me të rriturit. “Gjatë mbajtjes në arrest, me ata shpesh abuzohet, keqtrajtohen dhe grabiten nga gardianët apo edhe nga të ndaluarit e tjerë. Pas disa ditësh, ata dërgohen në kufi dhe lihen aty në mëshirë të fatit”, thuhet në raport. Kësisoj ua servirin në pjatë të argjendtë trafikantëve, pasi, sipas raportit, institucionet shqiptare dhe policia nuk janë të informuara rreth aksioneve të fqinjëve.



Raporti i organizatës “Terre des Hommes” në KE
“Dhjetra fëmijë shqiptarë të zhdukur në Greqi”

“Dhjetëra fëmijë shqiptarë janë ‘zhdukur’ në Greqinë qendrore”. Ky është një nga konkluzionet e raportit “Fëmijët shqiptarë të trafikuar në Greqi”, i organizatës ndërkombëtare “Terre des Hommes”, në komisionin e të drejtave të njeriut në Këshillin e Evropës. “Janë me qindra fëmijët shqiptarë që nga mosha katër vjeç të trafikuar në Greqi, ku janë shfrytëzuar ekonomikisht e seksualisht, për përfitime të të rriturve”, thuhet në raportin e parashtruar në KE. Sipas raportit, qeveritë e dy vendeve kanë bërë shumë pak në ndaljen e këtij fenomeni. Fjala e përfaqësuesve të “Terre des Hommes” në KE, saktëson se nuk ka kritere etnike në “përzgjedhjen” e fëmijëve të trafikuar. Përfitimet shkojnë të gjitha në xhepat e “bosëve”. “Një fëmijë siguron minimumi 30-50 euro në ditë dhe të gjitha paratë ia jep padronit”, thuhet në raport. Ndodh që rekrutuesi është i afërm i familjes së fëmijës së trafikuar. “Do të bëjë lekë”. Kësisoj bindja ndodh pa shumë mundim. “Prindërit i lejojnë fëmijët për shkak të varfërisë, injorancës, por në disa raste janë të përfshirë vetë në trafik”, thuhet në raport. Sakaq, vendi i destinacionit, Greqia, nuk i konsideron të vegjlit viktima, por fajtorë për kalim të paligjshëm të kufirit. “Terre des Hommes” apelon në Këshillin e Evropës për t´i thënë ndal këtij trafiku, nëpërmjet një bashkëpunimi të të gjitha palëve.



Shifrat e fëmijëve të trafikuar

Sipas Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale janë të paktën 6 mijë fëmijë shqiptarë në jetimoret italiane dhe 1-2 mijë në ato greke
Zonat kryesore prej nga trafikohen fëmijët shqiptarë janë Berati, Korça, Fieri, Elbasani dhe Tirana
Mosha e fëmijëve të trafikuar varion nga 0-15 vjeç
Një fëmijë fiton minimumi 30-50 euro në ditë. Të gjitha të ardhurat i kalojnë “bosit”
Dhjetra fëmijë janë të zhdukur në Greqinë qendrore
Sipas burimeve të institucioneve greke, nga 644 fëmijë shqiptarë të marrë në mbrojtje, 487 janë arratisur, 90 janë përcjellë te familjet e tyre, 45 janë dërguar nëpër institucione, 22 janë kapur nga policia
Rreth 80 për qind e fëmijëve të trafikuar në Greqi kanë ndryshuar lokalitet dhe aktivitet, janë zhdukur në rrjete, apo qytete e shtete të tjera

panorama