FLET AFRIM KRASNIQI: JA PSE S'DUROVA ME NE SHIJAK

"Pasaportë false për të hyrë në burg"
Londër, takim me shqiptarin e kërkuar që u dorëzua


--------------------------------------------------------------------------------

Nga Londra, Muhamed Veliu


Që të takosh një të burgosur në Angli, më e vështirë është të lokalizosh burgun, se të marrësh leje. Afrim Krasniqi, shqiptari i çuditshëm i cili i'u dorëzua policisë pasi ishte bindur se jeta që po bënte në Shqipëri ishte më e vështirë se vuajtja e dënimit për vrasje në një burg të Anglisë, është mbyllur në burgun e Felthamit, në jugperëndim të Londrës. Pas disa muajsh jetese në Shqipëri pas vrasjes së një punonjësi hoteli, ai u nis nga Durrësi drejt Anglisë vetëm për t'u dorëzuar. "Po, Krasniqi ndodhet në burgun tonë", ka qenë përgjigjja nga drejtoria e institucionit pas një bisede telefonike. Më në fund kemi marrë një OK për vizitën. Leja ishte për në orën tre të datës 31 dhjetor 2003. Fillimisht paraqitemi në zyrën e vizitave ku, pasi kemi plotësur formularin hyrës dhe na kanë paketuar dhuratat që i kishim blerë Afrimit, në mënyrë që edhe ai sado pak t'i gëzohej atmosferës së ndërrimit të viteve, i drejtohemi hyrjes së burgut. Në një paradhomë presim deri sa nëpërmjet altoparlantit të na anunçohet emri. Pas disa momentesh hyjmë në një sallë të madhe të mbushur plot me karrige plastike të palëvizshme, ku nga radha e mesit na pret i ulur Afrimi. Ai është një djalë rreth 20 vjeç, me flokë kafe, fytyrë të zbardhur, i veshur një bluzë gri me mëngë të gjata, ku shënohet numri KR7299 dhe me pantallona bluxhins. Na falenderon i habitur për vizitën vetëm tetë orë përpara ndërrimit të viteve. Megji-thëse jemi ulur vetëm një metër larg tij, mundohet të mos na shi-kojë në sy, pasi duket që i ka të njomë nga lotët që diçka i ndalon të shpërthejnë… Gjithsesi një bisedë e qartë përftohet.

Si ndodhi vrasja?
Menaxheri i hotelit nuk donte të më hapte derën dhe të më linte të hyja në dhomë. Shqiptarë të tjerë në hotel e kishin mësuar të shante në shqip. Më ofendoi. Me forcë hapa derën dhe e godita.

Ku e gjete thikën?
E kisha me vete.

Pse e mbaje, kishe probleme me njeri tjetër?
Ju e dini që ne shqiptarët e kemi zakon të mbajmë ndonjë gjë me vete. Jo, nuk kisha problem me njeri. E pranoj atë që bëra. Kam pas gjithmonë kokën e mbrapshtë.

Pas vrasjes ku u fshehe?
Në Shqipëri. Ne kemi ardhur si familje para 15 vjetësh nga Kukësi në një fshat në afërsi të Shijakut. Atje qëndrova.

Pse vendose të riktheheshe përsëri në Londër, kur e dije që do përfundoje në burg?
E dija që edhe mund të më kapnin në Londër. Doja të largohesha nga Shqipëria, nuk duroja dot më. Kështu vendosa të vij në Londër dhe të dorëzohesha. Më parë kisha provuar t'i telefonoja policisë së Londrës nga Shqipëria. U thashë të vinin të më merrnin, se nuk po e duroja më jetën në Shqipëri. Por ata më thanë se kjo punë kërkonte kohë.

Si u largove nga Shqipëria?
Nxorra një pasaportë me emrin tim në Durrës dhe mora një vizë Shengen, më të cilën mbërrita në Francë, dhe sërish me pasaportën false italiane (e kishte përdorur edhe për të ardhur në Shqipëri) hyra në Angli pa asnjëlloj problemi. Qëndrova vërdallë Londrës për disa javë dhe në fund të korrikut u dorëzova.

Ç'të shtyu që u dorëzove?
As vetë nuk e di. Më duket ende e pabesueshme. Unë mund të mos dorëzohesha dhe askush nuk mund të më kapte. S'e di as vetë pse e bëra.

Je penduar?
Nuk di ç'të them. Nuk duhet ta kisha bërë vrasjen. Nuk meriton të vritet një njeri për asnjëlloj gjëje.
Dukesh i mërzitur…
Jam i mërzitur, normalisht. Nuk ke ç'i bën, nuk i thonë pak të kalosh 11 vjet në burg. Pas disa kohëve do të më transferojnë në një burg tjetër, ku janë vetëm ata që vuajnë dënime të rënda.

Si e kalon kohën në burg?
Nganjëherë shkoj në shkollë, lexoj ndonjë libër në shqip, pasi kemi të tillë në bibliotekë dhe shkoj në xhami, ku takohem me shqiptarë të tjerë.

Ka shumë shqiptarë në këtë burg?
Në kapanonin tim është vetëm një nga Shkodra. Në të gjithë burgun jemi 20 veta.

Ke të afërm në Londër, të cilët mund t'ju vizitojnë dhe t'ju ndihmojnë moralisht?
Po, kam, por askush nga ata nuk mund të më vizitojë. Nuk kanë dokumente.

Pra, që nga koha që u dorëzuat, s'ju ka takuar askush?
Jo, vetëm avokati më ka takuar nja dy herë para gjyqit.

Si shkoi gjyqi, a u zhvillua në rregull?
Edhe unë po të isha në vend të jurisë, dhe dikush tjetër të ishte në vendin tim i akuzuar për vrasje, patjetër që do ta shpallja fajtor.


Si i telefonoi Krasniqi policisë londineze dhe kërkoi të dorëzohej

Alo, unë quhem Afrim Krasniqi, jam personi që më kërkoni për vrasje. Dua të vij në Angli se nuk më durohet më së qendruari në Shqipëri." Këto kanë qenë fjalët e Krasniqit, të përcjella nëpërmjet linjës telefonike në veshin e Detective Sergeant, Peter Devlin, i cili po hetonte vrasjen. Pas kësaj, me një vizë shengen, Krasniqi ka udhëtuar drejt Anglisë.
Tejet i habitur, detektivi anglez nuk u ka besuar veshëve së tij se çfarë po dëgjonte. Personi i kërkuar për vrasje në Londër kërkonte të vetëdorëzohej. Më pas shqiptari vrasës ka pyetur detektivin anglez nëse ai e kishte të mundur të vinte në Shqipëri dhe të organizonte udhëtimin e tij për në Angli. Por, kjo nuk ishte e mundur. Më pas, Afrim Krasniqi, megjithëse i vetëdijshëm se kërkohej nga drejtësija angleze për vrasje, përsëri merr rrugën, njësoj siç e kishte bërë në vitin 1999, kur shkeli për herë të parë në shtetin ishull, ku është dorëzuar.