Rruga Durrës-Kukës, komisioni i ekonomisë përligj “harresën” qeveritare
Heqja e taksës së përkohshme me destinacion, e kërkuar nga BE-ja dhe e sugjeruar nga FMN-ja, është justifikuar me vendosjen e dy taksave të tjera, por këtë radhë të përhershme dhe kombëtare
Eltion Hoxha / Data (11-12-2003)
Komisioni parlamentar i ekonomisë dhe financave ka miratuar ditën e djeshme – në diskutimet mbi paketën fiskale 2004 – heqjen e taksës së përkohshme me destinacion për financimin e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Heqja e kësaj takse është kërkuar nga Bashkimi Europian duke qenë se, sipas tyre, binte ndesh me kushtet e marrëveshjes të lidhur nga Shqipëria me Organizatën Botërore të Tregtisë dhe me kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të lidhur marrëveshjen e tregtisë së lirë me BE-në, negociatat e së cilës kanë filluar para ca kohësh. Ndërkohë, qeveria shqiptare ka menduar si zgjidhjen më të mirë transferimin e kësaj takse në dy taksa të tjera, për të zëvendësuar plotësisht të ardhurat e munguara nga heqja e taksës me destinacion. Kështu, dy taksat e reja do të jenë (më saktë, rritje e taksave ekzistuese) rritja e taksës së regjistrimit për automjetet e të gjitha kategorive me një efekt pozitiv financiar prej 1.45 miliard lekësh dhe rritja e akcizës së naftës nga 50 në 65 për qind me një efekt pozitiv financiar prej 1.85 miliard lekësh. Por heqja e kësaj takse nuk është pritur aspak mirë nga komuniteti i biznesit, opinioni publik dhe analistë të ndryshëm.
“Mënyra e financimit të rrugës Durrës-Kukës si zë i veçantë nga buxheti i shtetit është zgjedhur e tillë për të qenë sa më e qëndrueshme nga vendimmarrjet politike të kabineteve qeveritare, që ndryshojnë shpesh,” thotë Gjergj Buxhuku, analist ekonomie dhe drejtor i Institutit Shqiptar të Politikave Antidumping. Sipas Buxhukut, ajo taksë u caktua e posaçme për të siguruar paprekshmërinë e financimit të kësaj rruge, të cilësuar si shumë e rëndësishme për të gjithë faktorët e jetës politike-ekonomike-sociale shqiptare.
Po kështu, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) Agim Rrapaj është shprehur për “Biznesin” se “ne jemi kundër çdo veprimi për heqjen e kësaj takse”. Për sa i përket rëndësisë së ndërtimit të kësaj rruge, Rrapaj ka sqaruar se realizimi i saj do të ketë efekt shumë të madh si në Shqipëri, ashtu edhe në rajon.
Sipas Edmond Spahos, ekonomist dhe funksionar i Partisë Demokratike, arsyeja e heqjes së taksës së rrugës Durrës-Kukës është vetëm një pretekst për të mbuluar keqpërdorimet e kësaj takse. “Vitin e kaluar ajo ka shërbyer për financimin e deficitit buxhetor,” është shprehur Spaho për “Biznesin”. Kjo e fundit është pranuar dje nga zv.ministrja e Financave Adriana Berberi me justifikimin se një gjë e tillë është thjesht proceduriale dhe është bërë për të ulur koston e borxhit të brendshëm (duke marrë më pak borxh). Ajo siguroi median dhe të pranishmit se paratë e mbledhura deri tani nga taksa me destinacion janë të disponueshme në çdo moment për Ministrinë e Transporteve, kurdo që ajo të fillojë tenderimet dhe të ketë nevojë për ato para.
Debati në komision
Heqja e taksës është kundërshtuar në komisionin e ekonomisë nga deputetët e opozitës, anëtarë të këtij komisioni. Nënkryetari demokrat i komisionit Ridvan Bode e ka quajtur transformimin e taksës me destinacion në dy taksa kombëtare të sistemit fiskal si një justifikim për të përligjur vendosjen e taksave të reja me qëllim mbledhjen e sa më shumë të ardhurave për mbushjen e buxhetit. Një gjë e tillë është kundërshtuar nga deputetët e Partisë Socialiste. “Ne këtu po heqim 3.3 miliardë lekë në vit taksa (efekti i taksës së vjetër) dhe po shtojmë vetëm 1.45 miliard lekë në vit (efekti i rritjes së taksës së rregjistrimit), d.m.th. ne po e ulim barrën fiskale,” tha Mezan Malaj, duke harruar rritjen e akcizës së naftës me një efekt vjetor prej 1.85 miliard lekësh. Ndërkohë, Bode ka reaguar duke thënë se këto ndryshime do të reflektojnë një rritje të çmimit të naftës, e cila do të shkojë në kurriz të konsumatorit. “Mos mendoni se tregu i naftës do t’i reflektojë të dyja ndryshimet,” tha Bode. “Nuk ka për t’u ndier fare heqja e taksës fikse prej 3 lekësh për litër, por vetëm rritja e akcizës së naftës që do të reflektohet me rritje të çmimit. Kjo është ekonomia e tregut në Shqipëri,” ka përfunduar ai. Reagimi i bashkëdebatuesit të tij Malaj ishte: “Ne kemi shtet. Do ta kontrollojmë tregun”.
Robert Çeku nga ana e tij ka thënë se buxheti i shtetit nuk e përballon dot ndërtimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme, por edhe shumë të shtrenjtë. “Kredi me terma të butë nuk marrim dot pasi e kemi kaluar kufirin dhe sipas meje duhet të kërkojmë kredi me terma tregtarë, në mënyrë që ajo të mbarojë sa më shpejt”,- ka përfunduar Çeku.
Taksat e vjetra
-Mbitaksa për importet e taksueshme në masën 1 për qind, me një efekt vjetor prej rreth 2 miliardë lekësh.
-Taksa mbi konsumin e karburantit në masën 3 lekë për litër të karburanteve të importuara dhe të prodhuara në vend, me një efekt vjetor prej rreth 1.3 miliardë lekësh.
-Taksa vjetore mbi tatimpaguesit e TVSH-së, me efekt vjetor prej rreth 250 milionë lekësh.
Ndryshimet
Taksa e rregjistrimit
Autovetura 4+1 7 mijë lekë
Mjete mbi 4+1 15 mijë lekë
Akciza
Nafta nga 50 në 65 për qind
Durrës - Kukës, 8 miliardë lekë për ndërtimin e segmentit të parë
Punimet në segmentin e parë Milot-Rrëshen, i gjatë 26 kilometra, kanë nisur në fund të muajit nëntor dhe kilometrin e parë të tij po e ndërtojnë forcat e xhenios
Në fund të muajit nëntor ka nisur nga punimet segmenti i parë i rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Segmenti i parë Milot-Rrëshen është i gjatë 26 kilometra dhe për ndërtimin e tij do të shpenzohen 8 miliardë lekë. Buxheti i shtetit për vitin 2004 ka parashikuar që për ndërtimin e këtij segmenti të vihet një fond prej 3 miliardë lekësh. Ndërtimin e kilometrit të parë të kësaj rruge e kanë marrë përsipër focat e xhenios.
Studimi i fizibilitetit dhe vlerësimi i ambientit të rrugës Durrës-Kukës-Morinë është financuar nga Banka Botërore dhe është miratuar nga organet kompetente të qeverisë, përfshirë këtu Këshillin Kombëtar të Rrugëve. Kilometrin e parë të kësaj rruge kanë nisur ta ndërtojnë dje forcat e xhenios, më pas akoma nuk dihet se cila do të jetë kompania që do të marrë përsipër ndërtimin e saj. Sipas ministrit Poçi, punimet për përfundimin e plotë të këtij segmenti do të zgjasin rreth 2 vjet gjysmë.
Projekti
Rruga e re do të ndërtohet paralelisht me hekurudhën Milot-Rrëshen, deri në Rubik dhe më pas do të vazhdojë në krahun ku sot është rruga ekzistuese Rubik-Rrëshen. Lidhja me superstradën Fushë-Krujë –Lezhë do të realizohet nëpërmjet një kryqëzimi modern me mbi dhe nënkalime, për një lëvizje normale të automjeteve. Në fazën e parë gjerësia e afaltit do të jetë 9.5 metra, për t’u zgjeruar më vonë në 20 metra.
Veprat e artit
Ndërtimi i rrugës parashikon njëkohësisht edhe ndërtimin e disa veprave të artit në këtë segment rrugor, të tillë si Vijadukti i Milotit me gjatësi 330 metra dhe kosto 390 milionë lekë. Ura e Skurajt me gjatësi 120 metra linearë dhe kosto totale 220 milionë lekë. Gjithashtu, në projekt parashikohet ndërtimi i 52 urave të vogla dhe të mesme, 25 mijë metër kub mur pritës dhe mbjatës, rreth 6.5 kilometra mbrojtje nga lumenjtë etj.
Veprat e artit
· Vijadukti i Milotit me gjatësi 330 metra dhe kosto 390 milionë lekë
· Ura e Skurajt me gjatësi 120 metra linear dhe kosto totale 220 milionë lekë
· Ndërtimi i 52 urave të vogla dhe të mesme
· Ndërtimi i 25 mijë metër kub mur pritës dhe mbajtës dhe rreth 6.5 kilometra mbrojtje nga lumenjtë etj.
Krijoni Kontakt