Shqiptar
Registered User
(7/10/00 9:18:19 am)
--------------------------------------------------------------------------------
Bora Logu
Valbona Qehaja


Prof. Eqerem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë së re shqiptare, i cili është marrë edhe me çështje të rëndësishme të shqipes së sotme. Një vend të dukshëm zë ndihmesa e profesorit në shtrimin dhe shpjegimin e çështjeve teorike gjuhësore në përshtatje me vetë natyrën e gjuhës shqipe. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe me një gjuhëtar, i cili i kishte vënë vetes si detyrë që evolucionin historik të shqipes ta studionte, siç thotë prof Demiraj, " ... për të shpjeguar e për të zgjidhur sa më mirë edhe problemet që paraqiste vështrimi sinkronik i kësaj gjuhe"1.

Siç dihet, gjuha, si një dukuri shoqërore e veçantë, ka një ndërthurje e ndërtim mjaft kompleks. Këto veçori e bëjnë atë të dallohet nga dukuri të tjera të kësaj natyre. Pikërisht për këtë arsye gjuhësia dhe, në rastin tonë, gjuhësia shqiptare përfshin në vetvete disa degë, të cilat studiojnë anë të ndryshme të sistemit dhe të strukturës së gjuhës. Për zhvillimin e këtyre sistemeve dhe nënsistemeve të shqipes, Çabej shpjegon dhe analizon gjendjen e gjuhës së përditshme me të cilën ne ligjërojmë, e cila përbëhet nga njësia më e madhe që quhet fjali që është njësi kuptimore më vete e deri te njësia më e vogël që quhet fonemë. Ndër këto njësi, kuptohet se si element kryet e vendit e zë fjala, me ndryshimet e trajtave që pëson, jo vetëm sipas rasave të ndryshme të bisedës që zhvillojmë, por edhe sipas formave gramatikore që ajo merr. Për këto probleme, në mes tjerash dijetari i shquar shkruan: " ... studimi i gjuhës përfshin më një anë fonetikën, më anën tjetër morfologjinë, më anën tjetër sintaksën, ndërsa mbarë pasuria e fjalëve të gjuhës përbën leksikun e saj, ku gjallërohet vazhdimisht gjuha e shkrimit dhe e literaturës"2.

Duke e parë gjuhën si një dukuri shoqërore që ndryshon pandërprerë në rrjedhë të kohës në lëmin e shqipes, gjuhësia deri më sot i ka kushtuar vëmendje historisë së jashtme të kësaj gjuhe sesa historisë së brendshme të saj. Çdo gjuhë, në një periudhë të caktuar të ekzistencës së saj, përfaqëson rezultatin e ndryshimeve që kanë ndodhur në të gjitha epokat pararendëse. Në punimin e tij "Bisedë për gjuhën shqipe", prof. Çabej vë theksin se " ... Gjendja e tanishme e gjuhës është rezultat i zhvillimit të saj gjatë kohëve, zhvillim në hapësirë dhe në kohë. Në pajtim me këtë edhe studimet gjuhësore mund ta rrokin gjuhën në paraqitjen e saj sot ose në një epokë të caktuar, e mund të ngjiten shkallë-shkallë në të kaluarën e saj, të ndjekin diakroninë, rrugën e zhvillimit që ka marrë ajo prej fazash më të vjetra në më të reja, sado që duhet të themi se aty kufijtë nuk janë të prerë, ngase në çdo gjendje aktuale përmbahet njëkohësisht edhe thelbi i zhvillimit, i evolucionit"3 . Ndryshimet që vihen re në leksik, mund të gjurmohen në gjendjen e sotme të gjuhës dhe në historinë e saj, në ndryshimet nëpër të cilat është përshkuar në rrjedhë të kohës, pra "... Duhet të depërtohet në shkallët më të moçme të fjalëve, e mundësisht në zanafillën, në burimin, në gurrën e tyre, kjo punë kryhet me parimet e metodat e asaj dege që quhet etimologji."4 Janë të qarta lidhjet që ka etimologjia me llojet e ndryshme të lidhjeve kuptimore. Arsyet e ndërrimeve kuptimore janë të shumëllojshme, të ndryshme sipas rasteve. Ndryshimet në leksik, me daljen nga përdorimi i disa fjalëve dhe me lindjen e fjalëve të reja dhe në rregullat e lidhjes së tyre në fjali, përbëjnë në përgjithësi përmbajtjen e zhvillimit të gjuhës. Në ndryshimet që ndodhin në gjuhë ndikon ndonjëherë edhe kontradikta midis formës dhe përmbajtjes. Kështu, largimi i madh i dy kuptimeve të një fjale deri në shkëputjen e tyre të plotë është dukuri e saj, të cilën Çabej e ka shpjeguar " ... me shpërnguljen e raportit midis një sendi, kuptimit dhe emërtimit të tij, me mbizotërimin që merr në fushën semantike, shpeshherë nën shtysën momentare të afektit, një përdorim i rastit a një kuptim i dorës së dytë, mbi kuptimin kryesor, te folja sidomos me ngritjen e kuptimit të njërit nga veprimet e pjesshme në funksionin e kuptimit përfshirës e të gjithëmbarshëm."5 Problemi gjithmonë aktual i zgjidhjes dhe i stabilizimit të një gjuhe të shkrimit ka qenë një ndër problemet më të rëndësishme për profesor Çabejn. Gjuha letrare kombëtare është shkalla më e lartë e zhvillimit të gjuhës së përditshme popullore, me norma gjuhësore të njësuara, veçanërisht në të shkruar. Gjuha letrare kombëtare ngrihet mbi gjuhën e folur të popullit, nga gurra e së cilës ushqehet e pasurohet vazhdimisht. Para gjuhësisë shqiptare dy lëme janë kryesore, nënvizon Çabej: a) mbledhja e materialit të gjuhës dhe b) studimi i këtij materiali. Materiali i gjuhës është një, ndërsa metodat dhe rrugët që duhen rrahur për mbledhjen e tij, janë të ndryshme. Për studiuesit e palodhur rrugët kryesore janë: a) hartimi i një fjalori të madh të shqipes që të përfshijë "... të gjitha fjalët që fliten ose janë folur në gjuhën tonë duke përfshirë edhe visarin e fjalëve të autorëve tanë gegë e toskë, të vjetrit nga më të rinjtë ..."6 dhe b) puna me njohjen e dialekteve të sotme të shqipes.

Ndër çështjet teorike me rëndësi që trajtohen në veprën e tij është vendi që zë shqipja në mes gjuhëve të tjera indoevropiane, çështja e origjinës së saj dhe fatet historike që ka ndjekur. Shenja më e dukshme e kontaktit të shqipes me gjuhët e huaja, veçanërisht me vendet ku ndodhen arbëreshët a shqiptarët në botë janë huazimet leksikore, por edhe morfosintaksore. Kështu, përmendim huazimet greke në të folmet e arvanitëve, italianizmat në të folmet e arbëreshëve të Italisë, bullgarizmat në të folmet e shqiptarëve të Mandricës, dalmatizmat në të folmen e arbëreshëve të Zarës, rusizmat në të folmen e shqiptarëve të Odesës.7 Njohja dhe studimi i gjeobilinguizmit gjuhësor të shqipes ndihmon sot në sqarimin sa më të plotë të pozicionit të saj. Gjendja e bilinguizmit ka çuar në ndikime më të mëdha, deri edhe në strukturën gramatikore të shqipes. Detyrat teorike të gjuhësisë shqiptare ai i shtron me qartësi shkencore dhe fisnikëri. Në mes tjerash nënvizon: "Studimet albanalogjike, përveç interesit thjesht shkencor, kanë medeomos edhe një anë praktike, pse gjuha shqipe për ne s'përbën vetëm një objekt studimi, por është edhe shprehja kryesore e jetës sonë nacionale."8

Në punimin "Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes" studiuesi analizon gjendjen e hershme në formën e saj të shkruar dhe të folur. Shkrimtarët e vjetër të Veriut, si: Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi etj. i kanë ruajtur të plota grupet zanore ie, ue, ye dhe grupet bashtingëllore mb, nd, ngj, si grupe të gjithëmbarshme të shqipes. E japim këtë rast për të argumentuar se variantet gjuhësore të Veriut dhe të Jugut, dialektore a letrare, pasqyrohen kudo në vijat më të përgjithshme, fakt të cilin autori e përdor për të shpjeguar formën unike të shqipes deri para pushtimit turk. Ligjërimet e ndryshme të shqipes në periudhën osmane morën një rrugë jo aq afruese, sa larguese, pra në një farë vështrimi, një zhvillim më fort largues sesa afrues. Gjuhët e përbashkëta të shkrimit e të literaturës zakonisht ndërtohen mbi një bazë dialektore të caktuar. Dialekti që vihet në bazë të gjuhës letrare kombëtare, i nënshtrohet një përpunimi të atillë, saqë në disa vende ku gjuha letrare është formuar prej kohësh, me vështirësi mund të përcaktohet se cila ka qenë baza dialektore. Gjuha letrare kombëtare me format e saj ngrihet mbi ata në fillim në gjuhën e shkruar, pastaj në gjuhën e folur. Ky është një proces i gjatë dhe i larmishëm nga rrugët dhe format e ndikimit të ndërsjelltë. Duke vërejtur gjendjen e shqipes në kronologjinë e saj Çabej shkruan: " ... Shqipja mori formë si gjuhë shkrimi me tendencë për njësim në të ardhmen, kryesisht prej themelimit të shtetit shqiptar e këtej, që kur ajo u bë shprehje e një njësie shtetërore të centralizuar."9 Gjuha e shkruar në dallim nga ajo e folur është shprehje e një kulture të caktuar dhe i përmbahet një tradite. Rregullat drejtshkrimore rrjedhin nga një realitet i caktuar që është shkalla e zhvillimit që ka arritur gjuha si tërësi në një cak kohor. Drejtshkrimi duhet t'i përgjigjet këtij realiteti. Njësimi i drejtshkrimit pasqyron procesin e thellë e të ndërlikuar të kristalizimit të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore të gjuhës kombëtare në të gjitha hallkat e saj më të rëndësishme. Prandaj, njësimi i drejtshkrimit si rrjedhim ligjësor i këtij procesi dhe si shfaqje e fazës së fundit të kristalizimit të normës letrare parakupton njësimin strukturor të gjuhës për gjithë popullin. Në këtë kuadër sipas E. Çabejt, " ... Shkrimi i shqipes moderne, në krahasim me atë të periodave të mëparshme të saj, karakterizohet për dy tipare kryesore: në një anë, për një normim përherë e më të madh të formave fonetike dhe gramatikore të fjalëve dhe për një pasurim progresiv të leksikut me elemente pozitive të vendit dhe, më anën tjetër, për depërtimin e ngulitjen e disa ndërtimeve të huaja dhe të një shumice fjalësh të imponuara së jashtmi."10

Një ndër problemet që shtrohet dhe analizohet gjithashtu prej tij është problemi i pastrimit të gjuhës nga fjalë e ndërtime të huaja. Budi në veprën e tij të parë, në "Doktrinën e Krishtenë" thotë ndërmjet të tjerave se i hyni punës së hartimit të kësaj vepre edhe nga shkaku se gjuha arbëreshe po prishej më fort nga pakujdesia e disave dhe e letrarëve të asaj kohe, të cilët, siç duket, nuk e vritshin mendjen për punë të gjuhës, por e kishin lanë shkretë. Përpjekjet e studiuesve dhe të dijetarëve shqiptarë për pastërtinë nuk kanë munguar dhe gjatë brezave të sotshëm. Detyrë e parë është pasurimi me leksema prej brumit të gjuhës së popullit. Por, për kujdesin dhe interesimin që një gjuhë të shkruhet sa më pastër barra u bie mbarë njerëzve të penës e të shkrimit të letrave. Për këtë, duhen bërë përpjekje për qëllimin e lartë, pastërtinë e gjithanshme të shqipes, gjuhës sonë amtare.

1 Sh. Demiraj, "Për shqipen e sotme" në "E. Çabej - një jetë kushtuar shkencës", Tiranë, 1990, fq. 129

2 E. Çabej, "Studime gjuhësore", Vëllimi V, Prishtinë, 1975, fq. 213.

3 E. Çabej, Po aty, fq. 123.

3 E. Çabej, Po aty, fq. 123.

4 E. Çabej, Po aty, fq. 214.

5 E. Çabej, "Studime Etimologjike", Vëllimi I, Tiranë, 1982, fq. 63.

6 E Çabej, "Studime gjuhësore", Vëllimi V, Prishtinë, 1975, fq. 216.

7 Gj. Shkurtaj, "Sociolingustika", Tiranë, 1996, fq. 158.

8 E. Çabej,. Po aty, fq. 217.

9 E. Çabej, "Studime gjuhësore", Vëllimi V, Prishtinë, 1975, fq. 218.

10 E. Çabej, Po aty, fq. 223




[I]Phoenix 09 - Artikulli 09
www.dardania.com/phoenix/...art09.html

© Phoenix - Bashkimi Katolik i Publicistëve Shqiptarë
Riprodhimi dhe shpërndarja vetëm me lejen e redaksisë.
www.dardania.com/phoenix[I]