Iliria zë në botën e mesdheut një vend shumë të nderuar në fushën e numizmatikës. Prerjet e argjendta, monetare të cilat qarkulluan për një kohë të gjatë në Dyrrah, Apolloni, Lis, Shkodër janë mjaft interesante, të vlerësueshme e me një tematikë mjaft të gjerë.
Gjon MARKU
Zotërimi i shtetit ilir në mënyrë të njëpasnjëshme nga mbretërit, Monun, Mytil, Genth e Ballo u shoqërua me prerje të shumta monetare, me legjenda mjaft të pasura e me emblema të shumta ku më së miri shprehet zhvillimi ekonomik dhe emancipimi i marrëdhënive ilire.
Prerjet e para monetare të vëna në qarkullim në Iliri janë monedhat e Dyrrahut, i cili në atë periudhë përbënte njëren ndër trevat më të zhvilluara të Ilirisë. Këto monedha u vunë në qarkullim në vitet 430 para Krishtit. Ndërsa në Apoloni monedhat u vunë në qarkullim disa vite më vonë.
Duke filluar nga kjo periudhë trevat ilire arrinë në shkallën më të lartë të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.
Zhvillimi i madh politik e ekonomik në fund të shekullit të III dhe në fillim të shekullit të II flasin edhe për ngritjen e punishteve të para të prodhimit të monedhave.
Në periudhën kohore në mes të viteve 279-189 Apollonia bën prerje monetare të bronzëta mbi të cilat ishte vendosur koka e Artemidës kurse në shpinë të saj ka veç legjendës dhe nofull derri me një heshtë në pozicionin horizantal përsipër.
Vitet ecin drejt vitit një. Trevat shqiptare filluan të lulëzonin njëra pas tjetrës duke u bërë qendra të mëdha ekonomike e kulturore. Vihet re në këtë kohë lulëzimi i tri krahinave autonome. Secila prej tyre me një punishtë të prodhimit të monedhave. Pra, krahas Dyrrahit e Apollonisë zhvillohen edhe punishtë e Lisit. Mbreti Genth, Shkodra, Lisi, japin monedhën e bronxitë me figurën e një të riu nga njëra anë dhe me anije lundruese nga ana tjetër.
Punishta e Dyrrahut e vazhdoi aktivitetin deri në 50 vjeçarin e fundit para Krishtit, kur kjo qendër e madhe tregtare e kulturore u vu nën sundimin e Perandorit August, i cili e kolonizoi këtë trevë.
Në të njëjten kohë ju la liri Apollonisë e cila vazhdonte prodhimin e monedhave të saj. Ky qytet ishte kthyer në qytet të paprekshëm. Prerjet monetare mbetën konservatore përsa i takon pamjes dhe emblemës së tyre po ashtu edhe materiali me të cilin u punuan këto monedha ishte sërish bronzi. Më vonë po kjo punishtë nxori dy prerje monetare të reja me një emblemë të re.
Një emblemë të re jep pas rënies së Dyrahut edhe Lisi e cila qet mbi monedhë kokën e një të riu me kusi mbi kokë.
Gjithçka i përkiste periudhës para vitit një të erës së Krishtit tashmë ishin dhënë dhjetëra monedha ilire me dhjetëra emblema, shtrirja e të cilave ishte mjaft e gjerë dhe shkonte deri në Detin e ZI.
Shekujt linin vendin njëri tjetrit po ashtu edhe trevat ilire i linin vendin lulëzimit herë të njërës trevë e herë të tjetrës. Monedha shqiptare pasurohet derisa vijmë në vitet 395-408 ku Perandori Arkad do të bënte të lëzonte sërish monedha shqiptare e cila është e fuqishme deri në fundin e shekullit VII (viti 668) kur fillon të zotërojë monedha bizantine në trojet shqiptare. Kjo e fundit ka pasuruar gjithashtu në mënyrë të ndjeshme koleksionin numizmatik shqiptar gjë që tregon për një zhvillim intensiv të ekonomisë për një stabilitet të qëndrueshëm politik i cili fillon të bie në shekullin e VII.
Vendosja e sllavëve në Ballkan dhe krijimi i shtetit Bullgar në vitet 670-680 ka qenë edhe fillimi i rënies së qarkullimit të monedhës bizantine. Por si faktor mbetet gjithmonë dobësimi dhe kriza ekonomike.
Periudhat e më vonshme kanë një larmi të madhe monedhash, me larmi të madhe temash mbi to. Prerjet monetare të periudhave të ndryshme mbajnë mbi to figura princash, perandorësh, mbretërish por nuk janë të pakta prerjet me figura kafshësh (kuaj, luanë, shpendë), iniciale, shkrime, simbole shtetesh etj. Po ashtu në monedhë vend të veçantë ka zënë Mitologjia. Jo i pakët ka qenë ndikimi i fesë sidomos në mesjetë e në periudhat e më vonshme në monedhë. Kjo spikat mjaft qartë në vendosjen mbi monedhë të figurave fetare.
Mjaft e larmishme është edhe madhësia dhe forma e monedhës. Janë prerë monedha në forma të rrumbullakët, në formë petëzash shumëkëndshe, eliptike etj. Akoma më i larmishëm është numri i metaleve me të cilat janë bërë monedhat. Mjaft interesante e të vlefshme janë monedhat e arit e të argjendit të cilat qarkulluan për një periudhë të gjatë kohe. Po ashtu monedhat janë bërë edhe me metale të tjera. Tashmë pothuajse pjesa më e madhe e monedhave të vëna në qarkullim janë të bëra nga kombinime metalësh.
Njerëz të shumtë në botë merren me grumbullimin dhe koleksionimin e monedhave dhe kjo gjë jo për vlerën në gram të metaleve me të cilat ato janë të bëra por së pari për t'u njohur më mirë me gjeografinë, zakonet, traditat kulturore etj; por aspekti më specifik, që mbizotëron mbi numizmatikë është lidhja që ka numizmatika me historinë. Historia është shkenca bazë mbi të cilën mbështetet studimi i monedhave.
Gjithsesi, monedha e një kombi, hedh dritë mbi identitetin e tij, kulturën e tij, mbi zhvillimin e tij. Ajo nuk është vetëm një mjet njësi tregtimi midis njerëzve.
Vendi ynë me një kulturë të lashtë evropiane, madjje ndër më të vjetrit e Evropës e ka mjaft të pasur koleksionin e vetë që në lashtësi, i cili është grumbulluar nga gjetjet arkeologjike dhe nga koleksionet private.
Për herë të parë në vitin 1880, Preng Bib Doda bëri të mundur që koleksioni shqiptar i monedhave të arit të grumbulluar nga zoti Ndoc Xhuxha të ekspozohej në ekspozitën numizmatike të organizuar në Vatikan. Natyrisht kjo është dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e numizmatikës shqiptare.
Numizmatika jonë e pasur e rendit vendin tonë krahas vendeve më të vjetra të Evropës. Ndërsa numizmatika vetë zë një vend të rëndësishëm krahas disiplinave të tjera artistike, ose më mirë në mënyrë të plot mund të thuhet se numizmatika është edhe art.
Krijoni Kontakt