Nga Klajd Kapinova
Manhattan New York
Historia nuk mund të shpjegohet në vështrimin historik, ashtu si njeriu mund të kuptohet nga njeriu. Eshtë abstraksion të mendosh, se shqiptarët si komb të vihen në një pozitë të ulët të nënnjeriut apo të nënnacionit e të nënkulturës, mbasi s'ka nevojë për vërtetim, se nuk është një komb biologjikisht i keq, inferior, pa shpresë; mbasi fatkeqësitë e tij, janë produkt historik (pasojë e kolonizimit 5 shekullor turk), në një plan më të gjërë; janë kontradiktat e përjetshme të zhvillimeve rajonale konfliktuoze të Ballkanit...
Sikurse konstatohet në ditët që rrokullisen me shpejtësi, aktualisht Atdheu amë po përjeton një situatë tranzitore të tejzgjatur komuniste e paskomuniste, plot dukuri kontradiktore, me doza të mëdha të shkatërrimit të shtetit (të formuar efektivisht që nga koha e Naltmadhnisë së Tij A. Zogut), përçarje ku Veriu i vendit etiketohet si ngjyrë blu dhe reaksionare e antikomuniste e përjetshme nga banorët jugorët të privilegjuar në kohën e largkjoftit "xhaxhai", që dallohen dhe krenohen, se mbizotërojnë me ngjyren e kuqe (rozë) në pseudoparlamentin aktual të Shqipëri; prishje dhe krizë të institucionit të punës dhe luhatje, një vërshim me doza të mëdha të moralit politik demagogjik, të drejtuesve të partive politike (97 përqind janë të majta), ku krerët rreken mbas butaforisë së deklaratave dhe ëndërrës se një ditë do të gdhij ose dh... mbi kolltuk.
Efektivisht, kjo është një gjendje e tepërt dhe e mangët, që reflekton negativisht kudo. Gjithsesi, kjo shpjegon mistifikimin e spekullimit në tërësi dhe kriminalitetin si fitim, apo prostitucionin e dhe trafikun e mafieve si një "industri fitimi" të përmasave të hatashme... Quo Vadis?!
Mirëpo me të drejtë tek burimet e reja futuriste, mendohet se do të gjendet Ylli i humbur Polar i Shpreses dhe se Moraliteti është e ardhmja e Shqipërisë. Tërësia e moraliteteve të individit dhe të një shtrese njerëzish progresistë dhe luajalë do të mundohen të ngrejnë nga themeli ndërtesën e re të moralit pasdiktatorial dhe nuk mund të ketë moral të shqiptarëve jashtë moralitetit të drejtësisë dhe përparimit efektiv të njerëzimit në planetin tonë.
Për të arritur deri këtu, duhet vepruar, sikurse shkruan kohët e fundit bashkëatdhetari ynë me banim në ShBA, përsonaliteti i njohur dhe aktivisti i flaktë i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut bashkëqytetari im shkodran prof. Sami Repishti, kur i shkruan letrën e hapur z. Alfred Mosiu me thirrjen: "Z. President Viktimat e krimeve të tiranisë komuniste, ju luten: dëgjoni zërin e tyre", dhe për më tepër nënvizon se: "Dokumentimi i krimeve komuniste në Shqipëri është hapi i parë në rrugën e duhur, sepse do të sjellë një gjendje shpirtërore më të qetë, një predispozicion më të qytetëruar, që do të preferonte faljen më shumë se ndëshkimin dhe do të orientohej drejt riparimit të dëmeve të shkaktuara më shumë se drejtë hakmarrjes". (Gazeta: "Shkodra")
Komuniteti shqiptar në vendlindje, ka nevojë të operojë me ilaçin e kapjes fort pas konceptit të qytetarit, që e bën çdo pjesëtar të barabartë midis të barabartëve, pavarësisht nga pasuria apo pushteti.
Si për ta mbyllur këtë hyrje teorike, mendoj se e ardhmja dhe shqiptarët, nuk janë pole të kundërta, që rrokullisen secila në llogari të vetvetës. Shqiptarët, janë posedues të së ardhmes, në atë masë që është shkalla e vetëdijës së tyre, në atë cilësi ideore, që bëhet çmitizimi dhe shmangia nga miti, në mënyrë që e vërteta të jetë e ardhshme dhe natyrshëm e ardhmja të jetë e vërtetë.
Çudirat nuk kanë të sosur
Vërtetë është e lehtë të gjykosh, se njerëzit në vendlindje po ikun, sikur i ka kapur ankthi i së nesërmes pa shpresë, por është mëse e vërtetë të përcaktosh fajtorët, që inkurajuan frymën e mosbesimit, që shqiptarët të mund të unifikohen me shprehjen dhe praktikën shqiptare. E kësisoj, rrjedhoja e psikozes së braktisjes, është kthyer në një ritëm konflikti, midis atyre që duan të gjejnë shtigjet e emigracionit dhe atyre që gjejnë formën e moralizimit bolshevik, mbasi janë bërë padrino të gjithçkaje sipërfaqësore dhe nëntokësore në Shqipëri dhe shqiptarët i shikojnë nga poshtë lart, njësoj si etërit e tyre të Perandorisë Otomane nga ku trashëguan veset më përvese. Kjo shpjegon, përse Shqipëria është akoma një vend, ku mbizotëron frika, jeton ankthin e një të ardhme kërcënuese që shqetëson, e vret shpresën premtuese të një jetë më të mirë për të gjithë. Disa janë mbushë me vrer, disa me pasuri përrallore, të tjerë largohen nga vatrat stërgjyshore si një popull i mallkuar. Vendi mbetet shkret, vatrat boshatisen, ndërsa krimineli i djeshëm dhe trashëguesit e tij, jetojnë jetën e rehatshme që nuk e meritojnë! Pikërisht në këto përfundime të drejta arrin prof. Sami Repishti, mbasi disa herë ka parë e shijuar nga afër varfërinë e qytetit të lashtë të Rozafës dhe të gjithë Arbërisë, që po sundohet nga padrinot e ishëve...
Krijoni Kontakt