Altimari: Kultura arbëreshe e ka vendin në historinë dhe kulturën shqiptare
Dr. Françesko Altimari prej kohësh është angazhuar me kolegët dhe bashkëpunëtorët e Universiteteve të Kalabrisë dhe të Palermos që e kanë epiqendrën e veprimit në arealet arbërishtfolëse historikisht më aktive. Këta janë prof. Matteo Mandalà, prof. Anton Nikë Berisha, prof. Vinçenc Belmonte, por edhe disa studiues më të rinj si Fiorella De Rosa dhe Mikelanxhelo La Luna. Të gjithë kanë një objektiv të përbashkët: botimin e “klasikëve” të trashëgimisë letrare arbëreshe. Në intervistën e tij Dr. Françesko Altimari pohon se puna e madhe që është bërë deri sot, duke nisur që nga veprimtaria studimore dhe filologjike e madhe e prof. Matteo Mandalàs, shto edhe kompletin e veprave të Zef Skiroit, në nëntë vëllime, lë vend për të folur edhe për një angazhim të rëndësishëm të kolegëve dhe miqve si Anton Nikë Berisha dhe Vinçenc Belmonte që janë marrë sistematikisht me kontribute të rëndësishme me autorët rilindës dhe bashkëkohës të letërsisë arbëreshe. Dr. Françesko Altimari (1955) është titullar i katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kalabrisë, në Kozencë. Ka qenë edhe profesor për të njëjtën lëndë në Institutin Universitar Lindor të Napolit, dhe në Universitetet e Leçes, të Triestes dhe të Universitetit katolik të Milanos. Koordinon doktoratën ndërkombëtare kërkimore në Albanologji, drejton projektin “Opera Omnia” për botimin e të gjitha veprave të Jeronim De Radës dhe drejton projektet shkencore për krijimin e një biblioteke elektronike të teksteve letrare arbëreshe (BETLA) dhe të arkivit leksikografik të arbërishtes së Italisë (ALA). Zhvilloi deri sot një veprimtari të gjerë kërkimore në fushën e studimeve albanologjike, me interesa shkencorë edhe në ballkanologji, duke përqendruar kohët e fundit kërkimet e tija sidomos në filologjinë arbëreshe dhe shqiptare. Ndër botimet e tij të fundit më të rëndësishme përmendim “Vëzhgime gjuhësore dhe letrare arbëreshe”, Prishtina 2002, “Homazh për De Radën” (në DVD), Kozencë 2005 dhe “Jeronim De Rada”, “Këngët para Milosaut” ( 1883-1835). Botim teknik, Catanzaro, 2006.
Intervista
Arbëreshët, edhe duke mos qenë në trojet e tyre etnike e disi të shkëputur nga toka amë, gjithmonë jetuan në "dhe të huaj" me krenarinë se janë "gjak arbri". A e kanë harruar sot arbëreshët gjuhën, kulturën, traditën... ?
-Siç dëfton në mënyrë domethënëse historia e arbëreshëve, një popull mund ta mbajë kulturën dhe gjuhën e vet nuk edhe duke mos jetuar në trojet e veta “etnike”. Në bazë të mbajtjes së identitetit mund të dëftohet vendimtare – flas këtu natyrisht për komunitetin tonë – krenaria e origjinës së vet, por sidomos lidhja e ngushtë me një identitet që pati një fleksibilitet që e shpëtoi. Nga kjo anë komuniteti arbëresh u bë historikisht pararoja e një fluksi që nga trojet shqiptare të Ballkanit mori hov nga fundi i shekullit XX dhe u drejtua në Perëndim, duke karakterizuar historinë dhe duke kushtëzuar identitetin e vet të këtij komuniteti. Nëse e shikojmë pak me objektivitet shikojmë se si identiteti shqiptar karakterizohet në një pjesë e mirë si identitet i farkëtuar nga diaspora, dhe ky referim i shërbeu edhe komunitetit arbëresh, kur përballoi krizat e saj më të thella. Në gjendjen e re arbëreshët po luftojnë, deri sot me sukses, me të gjitha vështirësitë objektive që përmendja më parë, për të mbajtur të gjallë gjuhën, kulturën, traditat e tyre, edhe kur jetojnë jashtë komuniteteve të tyre historike dhe në diasporën e re.
Jeni njohës i mirë i letërsisë së autorëve arbëreshë, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi. Në këndvështrimin tuaj kritik si gjuhëtar dhe studiues i mirëfilltë, cili është niveli artistik i kësaj letërsie në krahasim me letërsinë e autorëve të tjerë që u krijua në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni apo nga radhët e shqiptarëve në Mal të Zi.?
-Në krahasim me pakicat e tjera historike, ajo arbëreshe ka në letërsinë një ndër elementet themeluese të identitetit të vet dhe kjo traditë, që u bë tërheqëse brenda letërsisë së Rilindjes shqiptare edhe për letërsinë e re shqipe që po krijohej në trojet ballkanike, i ka rrënjët e saj të largëta dhe të fuqishme në vatrat e të dy komuniteteve arbëreshe më të forta nga ana kulturore për shkak të pranisë së inteligjencies së kishës katolike lindore të Kalabrisë dhe të Sicilisë që prej dy dhjetëvjetëshave të parë të shekullit XVIII. Që prej asaj kohe lindi te ne Rilindja – natyrisht me baza më parë fetare dhe pra iluministe – në përpjekjen serioze intelektuale që bënë që prej asaj kohe kishtarët e kishës arbëreshe për të dalluar nga ana historike, kulturore dhe gjuhësore, përpos anës fetare, identitetin arbëresh –shqiptar nga identiteti grek. Dhe kjo përqasje ‘rilindëse’ para kohe që gjejmë pra të thelluar gjatë Rilindjes romantike, shoqëroi angazhimin e figurave më të ndritura të inteligjencies arbëreshe, sidomos të asaj siciliane (kujtojmë këtu figura të shquar si ato të Gjergj Guxetës, Pal Maria Parrinos, Nikollë Keta) që u bënë ndër shtyllat e përtëritjes së parë intelektuale panshqiptare gjatë shekullit të Iluminizmit. Kjo rrymë e letërsisë së përbashkët shqiptaro-arbëreshe, që i njohu pikat më të larta artistike gjatë shekullit XIX, dhe që ushqeu në mënyrë vendimtare krejt procesin e Rilindjes së Shqipërisë me një veprimtari të gjerë dhe domethënëse politiko-kulturore-letrare në shkallë të gjerë, e rimori hovin e saj pas Luftës së dytë botërore me një letërsi të re që u bë deri në vitet ’90 dëshmi e një rryme të lirë ose liberale në letërsinë e diasporës, brenda një letërsie shumëdegëshe si ajo shqiptare ballkanike të kushtëzuar në mënyrë të rëndë nga realizmi socialist dhe nga sundimi i ideologjisë komuniste në shoqërinë shqiptare në vendet e ndryshme të Ballkanit. Natyrisht sot ajo përfaqëson një ‘rrymë’ e vogël në diasporë e kësaj letërsie shumës si është letërsia shqiptare ballkanike - por nuk është më e drejtë ta identifikojmë krejt letërsinë shqipe në shumës si letërsitë në gjuhën shqipe? - dhe për masat që ka nuk mund të krahasohet me letërsitë simotra, por botimi i veprave komplete të disa figurave kryesore dhe më domethënëse të kësaj rryme (përmendim këtu ndër të tjerët shkrimtarë dhe poetë tashmë ‘klasikë’në letërsinë moderne arbëreshe si Dushko Vetmo, Voreja Ujko, Lluka Perrone, Zef Skirò di Maxho, Enxa Skutari, etj.por edhe shkrimtarë arbëreshë sot të afirmuar në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare si Karmine Abate, që megjithëse shkruajnë veprat e tyre italisht, duhen inkuadruar qoftë brenda letërsisë italiane, qoftë brenda letërsisë arbëreshe, duke qenë plurilinguizmi një ndër tiparet shprehëse historike të kësaj letërsisë sonë gjatë shekujve.
A mendoni se autorët arbëreshë kanë zënë vendin që e meritojnë në letërsinë tonë?
-S’ka dyshim se figurat më të ndritura të letërsisë dhe të kulturës arbëreshe e kanë vendin e tyre edhe në kuadrin e përgjithshëm të historisë së letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Disa here ndodhi edhe se kjo ‘pjesë’ e letërsisë dhe e kulturës kombëtare nuk është trajtuar se si duhet, dhe ‘hapësira’ që u rezervua asaj është objektivisht më e ngushtë se sa në praktikë ajo meriton të ketë. Ndikoi ndoshta këtu dëshira të zmadhohej në disa faza historike pjesëmarrja e rrymës shqiptare në kulturën e përbashkët për të mos t’i jepej opinionit publik të jashtëm përshtypjen se gjoja është meritë e diasporës dhe veçanërisht e diasporës arbëreshe nxitja e disa proceseve të rëndësishme kombëtare, si p.sh. fenomeni i Rilindjes, që siç thosha nuk lindi, si edhe sot vazhdohet të shkruhet pa përqasje kritike, në vitin 1836, kur De Rada e botoi në Napoli poemën e tij të parë ‘Këngët e Millosaut’, por së paku që prej gjysmës së shekullit XVIII! Edhe vet figura e De Radës duhet të ketë centralitetin e duhur brenda kësaj letërsie dhe vet letërsia e shprehur historikisht nga shkrimtarët dhe nga poetët arbëreshë si një kontinuum, që prej Matrëngës (1592) deri në ditët tona, dhe jo si një ‘aksident’ të një faze të përcaktuar letrare-kulturore si ka qenë Rilindja., si një parantezë e shkurtër gjallërie kulturore dhe letrare që nuk zgjati më shumë se një shekull.
Prej kohe jemi angazhuar me kolegët dhe bashkëpunëtorët e Universiteteve të Kalabrisë dhe të Palermos për botimin e 'klasikëve' të trashëgimisë letrare arbëreshe. Kur mund të presim botimin e kësaj pjese të rëndësishme të thesarit kulturor panshqiptar?
-Prej kohe jemi angazhuar me kolegët dhe bashkëpunëtorët e Universiteteve të Kalabrisë dhe të Palermos që e kanë epiqendrën e veprimit në arealet arbërishtfolëse historikisht më aktive – e kam fjalën sidomos për prof. Matteo Mandalà, për prof. Anton Nikë Berisha, për prof. Vinçenc Belmonte, por edhe për studiues më të rinj si Fiorella De Rosa dhe Mikelanxhelo La Luna - në një objektiv të përbashkët: botimin e ‘klasikëve’ të trashëgimisë letrare arbëreshe. Puna e madhe që është bërë deri sot – mjafton të përmend këtu veprimtarinë studimore dhe filologjike të madhe të kolegut dhe mikut Matteo Mandalà që përfundoi kompletin e veprave të Zef Skiroit, në nëntë vëllime, dhe gjithashtu angazhimin e rëndësishme të kolegëve dhe miqve Anton Nikë Berisha dhe Vinçenc Belmonte që janë marrë sistematikisht me kontribute të rëndësishme me autorët rilindës dhe bashkëkohës të letërsisë arbëreshe, është bërë e njohur sot në tërë botën shqiptare (dhe jashtë saj), duke u lidhur ngushtë edhe me këtë iniciativë tonë, për të botuar këtë pjesë të rëndësishme të thesarit kulturor panshqiptar në kolanën “Klasikët e letërsisë arbëreshe” të shtëpisë së mirënjohur italiane Rubbettino.
Në projektet e tuaja të rëndësishme shkencore mësojmë se është krijimi i një rrjeti arkivor dhe bibliotekar on-line midis qendrave albanologjike të Kalabrisë dhe të Shqipërisë, që me një akronim domethënës për kulturën tonë e keni quajtur BESA (Biblioteka elektronike e siteve albanologjike) ? Cila do të jetë rëndësia e këtij projekti ?
-Kemi në një fazë të avancuar pjesën e parë të një projekti evropian, që do të na lidhë me fondet bibliotekare dhe arkivore të Bibliotekës Kombëtare të Tiranës, të Arkivit Shqiptar të Shtetit dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për të krijuar një rrjet telematik ndërkombëtar on-line midis qendrave albanologjike, duke filluar me ato të Kalabrisë dhe të Shqipërisë, që me një akronim domethënës për kulturën tonë e kemi quajtur BESA (Biblioteka elektronike e siteve albanologjike). Kjo iniciativë i përgjigjet sfidës së modernizimit që investon komunitetin tonë shkencor dhe kulturor. Në perspektivë kemi ndërmend ta lidhim pra këtë rrjet me qendrat e dokumentacionit libror dhe arkivor të krahinave të tjera italiane dhe me Vende të tjera të Ballkanit ku ka komunitete shqiptare dhe ku ka institucione shkencore dhe kulturore që merren me albanologji – dhe këtu natyrisht, nëse do të kemi përkrahjen e institucioneve vendase, do të konsiderojmë me shumë interes dhe me simpati përfshirjen e Kosovës, të Maqedonisë dhe të qendrave shqiptare të Malit të Zi në këtë projekt të rëndësishëm ndërkombëtar që çel perspektiva të reja bashkëpunimi në komunitetin shkencor dhe në botën kulturore të bashkësisë shqiptare.
Gjekë Gjonaj
Krijoni Kontakt