------------------------------------------------------------------------------------
Ngushellimet familjes Deda.
Dirigjent Ferdinand Deda do te kujtohet gjithnje sa here do degjojme tingujt e muzikes shqiptare, te cilen ai aq bukur e dirigjentoi.
Kujtimi i tij do te mbetet i paharruar.
------------------------------------------------------------------------------------
In memoriam, kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Ferdinant Deda
Tingujt e Dedës u ndërprenë, por jehonën e lanë pas
Dhurata Hamzai
Kthehet sot për t'u dergjur përfundimisht në tokën shqiptare trupi i pajetë i kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Ferdinant Deda. Artisti Ferdinant Deda lindi në Peqin në vitin 1941 dhe ndërroi jetë të dielën në mënyrë të papritur në moshën 62 vjeçare, pavarësisht përpjekjeve për t'u kuruar në Turqi. Shpresa krenare dhe ëndrra për jetën nuk e mundi dot vdekjen. I detyruar nga një sëmundje tepër e rëndë në palcën e kurrizit, ku përkohësisht ishte ndërprerë prodhimtaria e rruazave të kuqe dhe të bardha të gjakut, Ferdinant Deda udhëtoi në qiell drejt Turqisë me kontribut të Ministrisë së Kulturës me shpresën e madhe për t'u bërë prapë mirë. Kompozitori dhe dirigjenti i shquar Deda besonte shumë në rigjenerimin e shëndetit të tij, sepse e ndjente se ende ish i ri, ende donte të kompozonte këngë, dhe dukej se kishte një fizik të fortë. Vonesa për kurimin e saj dhe rrethanat e sëmundjes së mistershme nuk e lejuan të jetojë më gjatë. Ndoshta duhej bërë më tepër për të për të sfiduar sëmundjen, por pendimi s'ka më vlerë. Kështu që me ëndrrën për vazhdimësi, me dëshirën për t'i rënë sërish pianos, iku i brengosur nga kjo jetë kompozitori i madh Ferdinant Deda. Aty në shtratin e kurimit kur priste me durim shërimin në spitalin "Nënë Tereza" i shtruar dy herë radhazi brenda një muaji, Ferdinanti premtonte se do të merrej me muzikë menjëherë pas shërimit të tij. Në intervistën e tij të fundit në shtratin e kurimit në këtë spital, ndokush mund ta ketë prekur e lënduar duke i kujtuar maninë e tij për pijet alkolike, veprim që Deda e bënte sa herë që i duhej të kompozonte, ose kur prekte një ëndërr të bukur krijimi, e bënte sa herë që i duhej të prishte gjumin dhe qetësinë e tij, dhe sa herë që i duhej të shtrëngohej për t'u prezantuar me krijimatri të shpeshta në aktivitete të mëdha ku emri i Ferdinant Dedës nuk ka munguar, as në festivalet e këngës në radiotelevizion, as në aktivitetet rinore dhe festivalet e fëmijëve. Krijimtaria e tij muzikore nevojitej sa herë dhe Deda e bënte me dashuri të madhe këtë punë. Artisti filloi të besonte se kishte abuzuar me shëndetin e tij. Ndoshta kishte bërë faj, ndoshta jo. Por kur po e shihte se diçka e keqe po ia merrte jetën tinëzisht, atij po i shembej ëndrra e jetës, që në intuitën e tij ishte shndërruar qysh herët me krijimtarinë muzikore. Kushedi sa vërshima tingujsh kanë jetuar në çastet fundit në mendjen e tij, në shpirtin e tij të ndjeshëm prej artisti, por për fat të keq dora nuk iu bind më, as ajo fuqi e brendshme vullneti që vetëm Ferdinant Deda e njihte nuk iu përgjigj më, e tradhtoi. Fryma entuziaste heshti, kur ende Deda me eksperiencën e tij të jashtëzakonshme po premtonte vepra të reja. Dora dhe shpirti i tij ndali, por jehona e kompozimeve që la pas nuk do të ndërpritet në korpusin e veprave të muzikës shqiptare.
Veprimtaria Artistike
Ferdinant Deda pasi mbaroi liceun artistik të Tiranës në vitin 1960 studioi në konservatorin e muzikës së Pragës për dirigjim. Pas një viti për arsye politike detyrohet të ndërpresë studimet dhe t'i vazhdojë në 1962 në konservatorin e Tiranës. Që kur ishte student udhëhiqte orkestrën e RTSH dhe pas studimev u emërua në këtë orkestër. Në vitet 1991-1992 u specializua në Itali.
Prej viti 1964 ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit si në Itali, Turqi, Greqi. Me orkestrën simfonike të RTSH ka kompozuar muzikën e shumë filmave. Deda është shquar edhe si kompozitor, ai ka kompozuar 3 valle simfonike "meditim 1-2-3", ka kompozuar gjithashtu edhe katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe okestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncert për klarinetë dhe okestër, rapsodi me tema poullore për orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut, muzikë filmi etj.. Është shquar edhe në gjininë e këngës së lehtë për fëmijë. Krijimtaria e tij është vlerësuar me çmime, Ferdinant Deda është themelues i koncerteve pranverore në RTVSH. Më 1997 u shpall fitues i "diskut të artë" është nderuar me titullin "Artist i merituar" dhe "Mjeshtër i Madh".
Krijoni Kontakt