Një veçori e metodës së Çabejt në studimet folklorike është zbatimi i parimit diakronik. Kështu, në Esenë shkencore për baladën e njohur “Kostandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut”, ai krahas analizës së thelluar të motivit kryesor dhe përqasjeve me simotrat ballkanike, trajton edhe etimologjinë e emrit të personazhit kryesor, shtresimet kulturore. Variantet arbëreshe janë më të hershme, ndërsa tek emri Ymer Ago (ose Imer Ago) shikon një ndikim islamik. Dijetari Eqrem Çabej, në referencë të një studiuesi hungarez, Karl Kerenji, na thotë se “prehistoriani i dëgjuar gjerman, Karl Shuhard shikon tek Odiseu “ilirin e vërtetë’, sepse ky mbretëron mbi ishuj që janë të sferës ilire dhe dallohet me urtësinë e me gjakun e ftohtë të tij prej heronjve të Iliadës”. (Vep. cit., f.208)
Kontributi i Prof. Eqrem Çabejt në fushën e Etnokulturës është i veçantë, origjinal dhe shkencor.
Ai ka trajtuar një rreth të gjerë problemesh të kulturës folklorike shqiptare nga një këndvështrimi kritik dhe ka dhënë teza dhe mendime që i kanë qëndruar kohës. Po përmendim studimet e tij si: “Kënga e Leonorës në poezinë popullore shqiptare”, “Kostandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut”, “Djana dhe zana”, “Vatra dhe Bota në poezinë e De Radës”, “Themelet kulturore-historike: Populli dhe poezia e tij”, etj.
Kur flet për një nga pasuritë kulturore më të gjera dhe më të çmuara të kombit tonë, këngëve të kreshnikeve ose “çifti vëllazëror, Muji e Halili”, gjen aty jo vetëm ndikime të islamizmit, por edhe gjurmë të kohës bizantine, madje shkon edhe më tej, gjen gjurmë tepër të lashta, gjurmë ilire. Ai shkruan se “Mua te Muji e Halili më pëlqen të shoh analogjinë shqiptare të lashtë e ndofta ilire të atij çifti vëllezërish trima që ndeshim te grekët (Dioksurët), keltët, gjermanët dhe indët (Açvins) si dhe në epopenë heroike armene: Sanazar dhe Aslimetik, të bijtë e mbretit Senekerin”. (Sh.Demiraj, f.40-41). Duke kuptuar kompleksitetin e origjinës dhe përhapjen e këtyre këngëve jo vetëm në Ballkan, por edhe në vende të tjera të Europës dhe më tej, Çabej i madh thotë: “Ka shenja edhe për rolin dhënës të poezisë popullore shqiptare brenda këtij qerthulli epik”. (Po aty, f.41). Këtu sjell si argument ndërtim tri-pjesësh të emrave të heronjve të këtij cikli si: Gjergj Elez Alia, Destar Osman Aga, Sokol Hali Aga etj, etj; që barazohen me emrat e tyre tri-pjesësh me emra shqiptarë të Veriut si Ded Gjo Luli, Prek Bib Doda, Prelë Memë Ujka, (ky në Kosovë) me emra labe Metat Gjonligu, Isa Gjonzeneli, etj. Emra tri-pjesësh të personave ka pasur në Shqipëri edhe në kohën e mesme, si Gjin Bue Shpata, Tanush Muzak Topia, etj. Emra tri-pjesësh të personave, që i kanë së bashku, si Veriu dhe Jugu i Shqipërisë, janë gjurmë të lashta të njësisë së dikurshme shqiptare. (Vep. e cit., f.41)
Dijetari i talentuar nënvizon edhe një fakt tjetër se Gjergj Elez Alia, heroi popullor aq i kënduar ndër shqiptarë, boshnjakët muhamedanë e bullgarë, rron te këta dy popuj sllavë me emrin e parë shqiptar, Gjergj, Gerg.
Studiuesit e këtij cikli kanë vënë re se figura dhe motive karakteristike për poezinë popullore jugosllave mungojnë në poezinë e sllavëve të tjerë. Çabej mendon se “rrjedhin prej nënshtrese ilire, të cilët sllavët jugorë e ndeshën kur pushtuan këto vise.” Këto analiza të mprehta krahasuese e kanë shpënë dijetarin Çabej në përfundimin madhor se “procesi sllavo-shqiptar i huamarrjes do të ketë qenë këtu i dyfishtë… Sllavët, në simbiozën që bënë me shqiptarët e moçëm, do të kenë marrë lëndën e këngëve të këtyre dhe do t’ua kenë kthyer pastaj rishtas në një trajtë http://www.albatlanta.com/webpub/pub...ub.asp?ID=1399
Ruaj Lidhjet