Emigrantët
Zv/ministri i Jashtëm grek tha se qeveria greke do të lejojë kalimin e emigrantëve në Shqipëri
Greqia hap dritën jeshile për emigrantët shqiptarë
Loverdos: Edhe emigrantët që nuk ka marrë lejen e rinovuar, duke treguar kërkesën do të vijnë për vizitë në Shqipëri
“Qeveria greke mori vendimin të lejojë hyrjen në Shqipëri të të punësuarve shqiptarë në Greqi, duke treguar pasaportën, si dhe kërkesën që ata kanë depozituar pranë autoriteteve greke për rinovimin e lejes së punës”
Bledjana Beqiri
Mbaron vuajtja e emigrantëve shqiptarë në kufijtë e shtetit grek. Të gjithë shtetasit shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi , por që nuk kanë marrë ende një lejeqëndrim rifitojnë të drejtën për të ardhur dhe për të kaluar pushimet e tyre në Shqipëri. Këtë e ka pohuar zëvendësministri i Jashtëm grek, Andreas Loverdos, gjatë një konference për shtyp që ka dhënë dje së bashku me ministrin e Ekonomisë, Arben Malaj. Dje qeveria greke është treguar më zemërgjërë pas shqetësimeve që u ka dhënë emigrantëve shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve rrezikonte qëndrimin në Greqi. “Qeveria greke mori vendimin të lejojë hyrjen në Shqipëri të të punësuarve shqiptarë në Greqi, duke treguar pasaportën, si dhe kërkesën që ata kanë depozituar pranë autoriteteve greke për rinovimin e lejes së punës”, -pohon zëvendësministri i Jashtëm grek. Sipas tij, të gjithë ato që dorëzuan kërkesë rinovimi deri në 30 qershor, rreth 50 për qind e tyre kanë marrë këtë rinovim, do të vijnë normalisht në Shqipëri. Por me mijëra shqiptarë të tjerë kanë ngelur pa dorëzuar kërkesën për rinovimin e lejes, të cilët kërkonin që të përfitonin më shumë kohë dhe ditëqëndrimi në shtetin fqinj, me qëllim përfitimin e lehtësive të ndryshme. “Por, edhe kjo pjesë e mbetur që nuk ka marrë lejen e rinovuar, edhe ata duke treguar kërkesën që kanë depozituar për rinovim do të kenë mundësi që të vijnë për vizitë në Shqipëri, dhe kjo gjë do të vazhdojë deri në tetor kur kjo procedurë do të ketë marrë fund”, -pohon Loverdos. Ministri Malaj, pas marrjes së këtij lajmi pozitiv për emigrantët shqiptarë dhe për familjet e tyre që jetojnë në vend, është shprehur se: “Shqiptarët rifitojnë sërisht mundësinë për t’u kthyer në Shqipëri”.
Si rrodhi ngjarja
Në kuadrin e masave për të luftuar migrimin e paligjshëm, që në fillim të janarit qeveria greke vendosi një afat gjashtëmujor, gjatë të cilit gjithë imigrantët do të plotësonin gjithë dokumentet e nevojshme për të marrë lejet e qëndrimit në tokën helene. Për shkak të burokracisë greke në mbledhjen e dokumenteve, por edhe për shkak të vonesës së dorëzimit të këtyre dokumenteve nga emigrantët, të cilët donin të siguronin sa më shumë ditë pune (ensima), gjithë imigrantët u dyndën ditët e fundit të muajit qershor, kur skadonte dhe afati i dorëzimit të dokumenteve. Qeveria greke nuk pranoi që të shtynte afatin për dorëzimin e dokumenteve të imigrantëve. Por sipas ligjit grek, leja e qëndrimit duhet të jepet dy muaj pas dorëzimit të dokumenteve. Kështu që gjithë personat që dorëzuan dokumentet për kartat jeshile në muajin qershor nuk do të munden të dalin nga Greqia për të kaluar pushimet e verës në atdheun e tyre. Sipas një urdhri të fundit të qeverisë greke, emigrantët pa karta jeshile do të qëndrojnë në Greqi deri më 30 tetor, dhe pas kësaj periudhe do të fillojë edhe dëbimi i gjithë atyre që nuk kanë plotësuar kushtet dhe dokumentet për të qëndruar ligjërisht në Greqi.
Projektet
Greqia, 500 mijë euro për të pastrehët
Shqipëria përparon me marrëveshjen e Planit Helenik për Rindërtimin e Ballkanit, pas saj vjen Bullgaria dhe Rumania. Këtë e ka pohuar zëvendësministri i Jashtëm grek, Andreas Loverdos, sipas të cilit Shqipëria ka bërë përparime të konsiderueshme përsa i përket anës institucionale dhe integrimit të saj në rajon. Loverdos gjatë konferencës së djeshme për shtyp, ka bërë të ditur se së shpejti qeveria greke do të japë një kredi për strehimin, meqë kredia greke e strehimit të familjeve që humbën paratë në firmat piramidale pothuajse ka dështuar. Gjatë muajit gusht, qeveria greke do të japë për Shqipërinë një kredi me vlerë 500 mijë euro, që do të shkojnë në ndihmë të familjeve të pastreha shqiptare.
Krijoni Kontakt