Poshtërim i Diasporës Shqiptare
Me padurim të madh e pret mbarë diaspora shqiptare kudo qoftë në Greqi, Gjermani, Angli e në mbarë Europën apo Botë ndeshjet e futbollit të kombëtares sonë për paraeliminatoret e kampionatit të ardhshëm Europian. Femijë, të rinj punëtorë e studentë, gra e burra mezi presin datat që të ulen pranë ekraneve të televizorit për të parë kuqezinjtë me ndeshjet e bukura qe ato po na ofrojnë kohëve të fundit. Për fat të keq transmetimin e këtyre ndeshjeve futbollistike e kanë në dorë siç duket njerëz të papërgjegjshëm, të cilët me plot gojën mund të thuhet se po kryejnë një akt poshtërues në këtë drejtim. A harrojnë vallë këta njerëz që është diaspora shqiptare që luan një rol të rëndësishëm në të gjitha fushat e veprimit të shtetit shqiptar duke filluar nga turizmi e pa e tepruar mund të themi deri te influenca që ka ajo në buxhetin e shtetit shqiptar.
Të zemërosh këta njerëz që presin me ditë të tëra nëpër doganat greke vetëm e vetëm për të kaluar pushimet në Shqipëri pra për të sjellë devizat në këtë shtet, të zemërosh këta njerëz që bëjnë me mijëra e mijëra kilometra nga e mbarë bota vetëm e vetëm për të kaluar pushimet në Shqipëri me mendimin që më mirë këto të holla që kam për t'i harxhuar t'i harxhoj në tokën mëmë, të zemërosh këta njerëz qe vetëm emrin kur ia dëgjojne Shqiperisë kudo që jane neper bote u dridhet zemra është me plot gojën një krim i shëmtuar. Shumë vetë shtrojnë pyetjet se si ka mundësi që në kohëra si këto, ku bota është bërë kaq e "vogël" në bazë të elektronikës që ekziston si Interneti, celularët etj, një institucion si Radio Televizioni Shqiptar të mos ketë asnjë lloj informacioni në këtë drejtim? Si është e mundur që një institucion i tillë të mos ketë numër telefoni që të jetë i kapshëm nga jashtë Shqipërisë? Si ka mundësi që një institucion i tillë të mos ketë një faqe interneti funksionale për kohët që jetojmë?
Nuk e di se sa të kënaqur mund ta ndiejnë veten drejtuesit e këtij institucioni me këtë shërbim që ofrojnë. Shqipëria me 60 kanale private televizive nuk është në gjendje të kompletojë një kanal serioz shtetëror.
Në këtë mes më vijnë në mendje vargjet e Pashko Vasës: "O moj Shqipni e mjera Shqipni...". Duhet t'u vijë turp zotërinjve drejtues të Radio Televizionit Shqiptar të cilët ia lejojnë vetes poshtërsira të tilla!
Shpëtim Redo
Krijoni Kontakt